E diele, 27.09.2020, 02:24 AM (GMT+1)

Speciale

Kastriot Bimo: Lufta e Vlorës rrodhi prej Kongresit të Lushnjës

E merkure, 09.09.2020, 07:43 PM


Lufta e Vlorës rrodhi prej Kongresit të Lushnjës

Përse bijtë nuk u janë mirnjohës etërve?

Nga Kastriot BIMO

Në një periudhë aspak të qetë kombëtare, përvjetrorët vijnë befas dhe veç përkujtimit historik të tyre që kërkojnë me plot të drejtë, mbajnë në dorë si një lajmëtar i stërlodhur mesjetar mesazhin, që herë lavdiplotë e herë tërë trishtim e lënë në dorë të gjeneratës së kohës, për ti treguar se sa ajo e ka parë historinë si nxjerrëse mësimesh nga pësimet, apo për ti kujtuar rezultatin e thjeshtë që gjykatësi kohë i tregoi se sa vlen. Këtu nuk kam ndërmend të përmend anarkinë historike totale të një kohe tepër të gjatë, që duke krijuar artifice e duke stisur ngjarje e personazhe historikë, dhe me një këmbëngulje aventurierësh duke mos u ndalur, ngrenë fenomene të qëna e të paqëna, vetëm për t’ja atribuar vetes. Kjo sëmundje që po kthehet në sindromë shfaq një rrezikshmëri tepër të lartë në një lulëzim të skajshëm parazitar, vetëm e vetëm se trualli i keqpërdorur historik është thuajse shterpë. “Zoti qesh me planet tona” por kjo për mendimin tim ka qënë dhe mbetet një strategji tejet e sofistikuar, por rrënuese ndaj historisë kombëtare, duke e ç’rrënjosur të vërtetën e zvendësuar atë me elementë të paimagjinueshëm e të pahasur civilizimesh. Thënë më troç nqs do ta exportonim fenomenin në Europë apo më tej, do të shfaqeshin skena komike, se “Garibaldi ka fjetur në shtëpinë e gjyshit tim” apo “Xhorxh Uashingtonin e shpëtoi gjyshi im, në filan betejë” inekzistente. Këtu e ka zanafillën edhe mungesa e dëshirës së përpilimit me përgjegjësi akademiko-historike, me burime kombëtare-ndërkombëtare arkivale të personazheve historikë shqiptarë, shumë prej tyre kondraversë, të biografisë së tyre, e theksoj, sa më afër të vërtetës. “Një komb nuk ka nevojë për lavdi të ecë, por ka nevojë për të vërtetën, që ta tërheqin vlerat peshën e tij nga drejtimi i duhur drejt lavdisë”, ka thënë një mendje e ndritur. Pikërisht kjo gjë i tmerron dhe prandaj këtë aksiomë shqiptarët e shkelim tërë dëshirë, mllef e urrejtje, duke tundur në dorë si zbulim të tyre devizën napoleoniane se “Historia fillon nga unë!” Por popujt janë të përkohshëm, Atdheu është i përjetshëm! Kjo kërkon në altarin e këtij të fundit vlerat, dhe jo veset e të parit, progresin, dhe jo regresin, zhvillimin, e jo shkatërrimin e këyre vlerave që në fund të fundit përbëjnë tiparet, karakterin, por dhe filozofinë e një kombi!

Sa ideal kombëtar mbartëte Labëria e shek. XX?

Por a  është unikale Lufta e Vlorës në historinë shqiptare? 100 vjetori i një ngjarjeje thuajse unike kombëtare, Luftës së Vlorës, u shfaq me shpejtësi e habitur e me tmerr duke parë ato që po i bëjmë edhe atyre vlerave që ajo modestisht vendosi në historinë e një kombi. Së pari vetë ngjarja u habit nga koha e stërgjatë që flitet se ajo është ngjarje lokale, dhe si e tillë përbën një krenari unike, që edhe pa të krahina ku zhvillua ngjarja e para 100 vjetëve, Labëria, e ka superprodhim atë dhe sot, dhe “frikë” se do vazhdojë për një kohë pashmangshmërisht të gjatë. Elementin e krenarisë e kanë tipar, kryesor madje, shumë popuj e kombe dhe në pamje të parë, që duket si mishërim i asaj çka ata i paraqesin tregut të vlerave qoftë kombëtare apo ndërkombëtare, si efekt dominant moral apo material ndaj trevave apo kombeve të tjerë, ku do të mjaftonte të përmendim historinë Gjermani-Francë. Por që të përdorësh lehtësisht besnikërinë e një treve apo kombi, vetëm duke përkëdhelur sedrën e tij nga sistemet, regjimet, pushtetet për qëllimet e veta, kjo është e pafalshme moralisht për trevën, shkatërrimtare e fatale për ato vlera të tyre që tregojnë në kohën e caktuar nivelin dhe dëshirën e tyre, me arritje pastaj të tmerrësisht të pariparueshme kombëtare, pra shkurt moralo-juridikisht, të dënueshme! Mjafton të kujtojmë thellimin e konfliktit tashmë kombëtar Jug-Veri në L. II Botërore, apo Nacional-Çlirimtare në Shqipëri, ku ushtria fitimtare komuniste e dominuar skajshmërisht me mijra luftëtarë nga krahina e Labërisë, u hakmorr ndaj krahinave veriore duke vrarë po shqiptarë të tyre, e duke pasuar një pritë ku asgjesuan në bashkpunim me ushtrinë jugosllave një nr. të madh shqiptarë Kosove, e njohur në histori si Masakra e Tivarit.

Gjeografikisht krahina e Labërisë përfshin territoret malore të Shqipërisë Jug-Perëndimore duke filluar nga lumi Shushica (Drashovica sot) Lumin e Vlorës (fshatrat malore të saj), dhe mbaron duke përfshirë rajonin e Tepelenës, pra një krahinë e stërmadhe, vitale, por shumë komplekse. Nuk dua të anatemoj në studimin tim as etmologjinë e emrit, kushdo qoftë (një arvanitas në lagjen Plakë” Pllakë sot, Athinë më ka thënë një variant të çuditshëm të emrit me formim inicialesh; “La-Be” (braktis betimin) pra besthyer, natyrisht që nuk i përgjigjet në asnjë rrethanë të vërtetës), dhe as  të diskutoj karakterin luftarak të fshatrave të kësaj krahine (të përdorur deri para reformave centralizuese osmane 1847 nga Perandoria si mercenarë të zotë, ku pas viteve të shumtë luftrash, ktheheshin për të blerë me fitimet bagëti, kullota etj), si dhe të nxjerr në pah karakterin e papërkulur, dominant, shumë herë rebelues të tyre. Dhe kush vendos të jetë krenar me arsye, duhet ta përgjigj atë, skeduar kjo dhe në Kanunin e Labërisë, një nga më të vjetrit, ku shprehet qartë se për shkak të mbijetesës së familjes së re, kandidatit-dhëndërr i jepej një detyre të grabiste pasurinë, që në këtë rast ishin bagëti të kujtdo, detyrë kjo, që jo të gjitha ja dilnin. Dalngadalë lufta po merrte trajtën e një profesioni të lakmuar me kosto, po të kemi parasysh Jemenin, skajin më Jug-Lindor të Perandorisë, dhe shërbimi i detyruar ushtarak 7 vjeçar më pas, krijoi nga krahina jo pak rebelime. Ky lloj niveli i kushtëzuar i popullsisë së Labërisë e bëri këtë krahinë tejet konfliktuale mes fshatrave të saj, ndërsa në raport me kombin natyra  e saj po merrte përmasa të frikshme, e theksuar nga të gjithë.

A tingëllojnë aktuale vargjet e Nolit?

Kjo përfshirë dhe mbretin Zog, i cili me një fjalim aspak diplomatik i goditi njerazi si përkëdheljen e sedrës së tyre, ashtu dhe karakterin konfliktual, rrezik për këdo; “Vlonjatë! Unë e di që Vlora nuk më do, po dijeni se unë ju dua, se Vlora i duhet i duhet Mbretërisë!”. Një burim tjetër rreket të shpjegojë këtë fakt; “Labërija ishte krahinë e llojit që kush sundimtar nuk e kish mirë më t’ë, ose duhet t’i ç’pallje luftë, një lloj Siçilije sot, ose duhet të silleshe mirë me t’a! Kjo gjë që nuk mundej dot as për karakterin e Matjanit, po dhe as për hundën e Vlonjatëve.” (K.Cakrani, Philadephia, 1972,fq.39)

Të gjitha këto të bëjnë ta besosh thellësisht Nolin e madh; “A do urët njerëzit të rrinë/Në komandë të mbash njerëzinë/Në terbiet të vësh njerinë/Merr të gjithë Labërinë!”. Falë këtij konstatimi, aspak apo tejet profetik shumë e kanë studiuar në detaje për të nxjerrë nga ajo përfundime e më pas përfitime. Natyra luftarake e Labërisë dhe lebërve është shfrytëzuar mrekullisht, jo vetëm nga Perandoria Osmane, por gjithë regjimet e pushtetet, fakt që nga ndikimi i fundit të pushtetit komunist, ose diktatura, siç shprehet Kadare, 1945-’90, është dhe sot në përqindje shumë të madhe thellësisht e majtë, aspak në raport me përfitimet klasike, nqs do të mendonim normalisht shkak-pasojë. Por krenaria dhe shpërblimi ironik, stimuli moral do të ndrydhte dhe shtypte të gjithë ndjenjat e tjera, ndoshta të ligjshme, ndoshta jo. Këtu nuk e kam fjalën tek Kanuni, ku pashmangshmërisht ishin zhytur dhe gratë, në ndihmë jetësore përkrah burrave, dhe as tek epokat moderne ku vetëm në ketë krahinë ishin mbi 650 gra të regjistruara deri vitet ‘80 si bashkpunëtore të sigurimit të shtetit në një krahinë nga më besniket, ku partia “Beso dhe kontrollo!”, e kishte më të zbatuarën. Doja të theksoja çfarë dhe sa kërkonte për këtë shërbim krahina, që duhet theksuar se vetëm në periudhën ’45-’90 sollën me strategjinë e vargjeve të Nolit një katastrofë pa kthim, e cila duhet pranuar, vazhdon.

A ngjasonte lufta N-Çl e Labërisë me Luftën e Vlorës 1920?

Jo larg, por brezi më pas i luftëtarëve lebër të 1920, bijtë e tyre, duke ndjekur komunizmin si modë, filluan të urrejnë edhe etërit, që paskëshin vënë këtë piketë nacionale, referencë historike atdhetare, me të cilën mund krahasohet veç ngjarja më e madhe, Pavarsia; “Po një tjetër nga këta të Luftës së Njëzetës, Rrapo Çelon, Komandant i Çetës së Madhe të Kudhësit, që përbëhej prej Sevasterit, Dushkarakut, Mazharit etj. e që tani rronte në shtëpinë e Tij, i venë që në mëngjes nja tre Komunistë nga këta që shetisnin fshatrave të Vlorës. Si e do zakoni i priti dhe me lavdinë e vjetër u foli atyre për Luftën e Njëzetës, se e njëjta Shqipëri ishte. Sa për muhabet si mezè u kishin s’kuqur nga një zog me gjalpë, po Komunistët nuk luanin atë para dite, dhe ai u shtroji bukë. Ata nxorrën çantat dhe armët mbi tavolinë që tregonin dy gjëra: E para do të bënte si do i thoshin ata dhe e dyta në qoftë se nuk donte, e merrnin fjalën armët. As me anë, po përmes harbutërit i thanë se i duhesh luftës dhe se do vish me partizanët në Bataljon. Rrapo Çelua kish qeshur një orë të tërë, po kjo i kish nxehur partizanët. –Unë kam luftuar kur ju nuk ishit as në mëndje, jo të kishit lerë! Po tani jam i moshuar dhe ju të rinjtë që doni luftë, po e bëni. Ç’duhem unë, si bisht?! Komunistët i thanë se kish gjysëm ore kohë dhe i shkruan një letër të mbyllur në zarf. –Këtë do t’a çosh në Bataljon dhe atje do të të mbajnë për t’U folur popullatës për patriotismën, se këtë di që nga Njëzeta ti. Ata ikën dhe i Zoti i shtëpisë u bë gati me çantën me rroba dhe kalin e shalës, bashkë me letrën. Bataljoni ishte në Kotë dhe ky afër drekës mbërriti atje, po me qënë se po hanin bukë të tërë e prita komandanti partizan, pasi e njihte se kisht të bënte me të. Rrapo Çelua më tregoji se i kishin vajtur që në mëngjes tre vetë dhe kishin ngulur këmbë se duhet të dilte dhe ky në mal, dhe më thanë për këtu. Ndër kohë që unë po lexoja letrën, Rrapua po thosh se kishin bërë luftë të madhe këtu në Kotë në Njëzetën dhe vrarë kaq Italjanë, po partizani ngriu. Edhe Rrapua pushoji. –Ç’farë ke bërë Rrapo Çelua, i tha gati duke ulëritur. –Atë që të thashë, vazhdoji ai, më erdhën në shtëpi, u shtrova bukë sipas zakonit dhe me që më detyruan erdha siç më sheh! Unë nuk e kishja mbledhur vehten akoma. –Po letrën që të dhanë e lexove? –Jo se nuk më shkonte mëndja tek asnjë gjë e keqe, pse ç’farë thotë?! Ja vuri letrën para syvet dhe ai e lexoji me zërin që j’U fik. “Pushkatojeni menjëherë letër prurësin, se ka bërë rezistensë dhe ka bërë propagandë kundër partizanëve, e shumë gjëra të tjera që do t’Ua themi më vonë..” –Rezistensë unë që j’U shtrova bukë, dhe e prura letrën me dorën T’ime, ç’farë soji jeni more që ç’tju them, tha ai i z’verdhur i tëri. Në këtë kohë erdhën dhe nja dy partizanë të tjerë, po unë e mbylla letrën dhe j’a dhashë me terezi duke i thënë: -Unë nuk të kam parë kurrë dhe ti nuk ke qënë këtu sot, e more vesh! Ai i hipi kalit dhe iku apo u mësheh, sa të mbarote lufta, nuk dihet! (K.Cakrani, Philadephia, 1972,fq.321)

A mund të krenohet Labëria me Luftën e Vlorës?

Përa i përket Vlorës, megjithëse mes miqsh për besnikërinë e lebërve Noli shprehej “kur vatani vuan, është Labëria j’a heq dertet”, por pena e tij e hidhur, reale, e ka shprehur atë që ndjente;Dy gjëra mos i harro Vlorës/Se ky faj lahet me gjak/Vër nishanet dhe shiritat (këtu medalje, dekorata)/Kësaj pune i vënë kapak!” Për ilustrim të kësaj paranteze jo të vogël, por tërësisht të domosdoshme për natyrën malësore e luftarake të kësaj krahine, po jap një fakt të kohëve moderne, por që tek ne përkuan me periudhën e emërtuar, diktaturë. Hysni Kapo (Abazi), me profesion ekonomat, si dhe lider rajonal komunist, arriti me shumë mund të krijonte një formacion luftarak në fillim të vitit 1944 (Brigada V), edhe këtë në fshatrat më të largët, si vendlindja Tërbaç dhe ato rreth tij, por në periudhën e pasluftës, si një nga krerët më të lartë të partisë e shtetit, u respektua nga të gjithë, dhe violinat e para ishin shokët e armëve, të cilët nuk kishin bërë dot karrierën e tij, por gjithsesi në çdo çast duhet të tregonin e ti kujtonin karakterin luftarak të tyre. Më 1969, përvjetori i 25 i mbarimit të luftës dhe fitores, në Vlorë ai po mbante fjalimin, i cili pasi evidentoi luftën heroike të krahinës, po e mbyllte me një parrullë klishe “Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën, populli ynë..”  Një zë nga rreshti i parë, doemos shokët e armëve, guxoi dhe e ndërpreu; “Shoku Hysni, kazmën lere në Lushnje, pushkën bjere në Vlorë!”, që solli të qeshurat e çastit, por që nënkupton edhe sot se sa lehtë është vendosja e vargjeve të Nolit në një strategji shkatërruese vlerash kombëtare, siç do të vinte edhe ajo e vitit 1997, jo rastësisht, por pikërisht në këtë qytet e trevë. Pra kombit nuk i duhet lavdia, por vlerat, po i ktheu dot në lavdi!

Por Lufta e Vlorës shfaqet në histori si një ndodhi nga më komplekset, pasi të gjithë, përjashto ata jo të paktë që nuk e dinë fare ngjarjen, përsëritin përmendësh atë që u kanë mësuar me zor;“U ngrit populli si një grusht i vetëm”, ose përcaktimin e idesë së hedhur qysh nga koha diktatoriale se: “Gjeneralët me shajak e opinga mposhtën Italinë e madhe”, ndihmuar nga këngët, karakteristikë brilante e krahinës, disa me zhargon rruge, apo dialektin e trevës, se si pushtuesit “Ikën të mundur me bisht në shalë” më 1920.

A ishte e përgjegjshme “Vlora” ndaj aneksimit italian?

Por historia nuk ka kontratë me injorancën, por me dijen, që të çon tek e vërteta, pra pyetja që ajo shtron e pezmatuar është se si erdhi Italia, pastaj si ajo iku, do të gjendet më lehtë. Kjo është një pyetje mjaft komplekse që rrallëkush e posedon përgjigjen, të cilën rrekemi ta zbardhim, dhe që përkon me fillimin e Luftës së Parë Botërore 1914, kohë kur krijuesit e shtetit shqiptar Austro-Hungaria, e pasuar nga Gjermania dhe e ndihmuar nga Italia ishin aleatët e vetëm të këtij populli të lashtë në këtë planet. Kjo solli nga shpërthimi apo krijimi i ndonjë farë tradite e cunguar e shfaqur dukshëm në Lidhjen e Prizrenit shek. XIX, kohë kjo kur Perandoria po kalonte pikën kritike të 500 vjetëve asimilim, në krijimin e një tradite të re politike moderne me drejtim europian e më saktë progjermanik. U gjet nga këta të fundit një grup patriotësh shqiptarë që operonin njëkohësisht në parlamentin osman dhe një grupi tjetër me ndikim e influencë brenda territoreve shqiptarë perandorakë, që me shkakun e Luftës I Ballkanike të bënin realitet shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria. Kjo jo pa kosto mes Fuqive të Mëdha për momentin, por forca e kësaj tresheje ishte e tillë që u imponohej të tjerëve në zbatim. Fakti që shpërtheu L.I.Botërore, brenda së cilës grupi i patriotëve shqiptarë shfaqej në shumicën austrofil me të drejtë, po të mendosh përpjekjet e paimagjinueshme të Perandorisë Habsburgase për shtetin tonë të ri, përfshi këtu dhe atin e pavarsisë Ismail bej Vlorën (I.Qemali), u dukën se ishin në unison. Por për divergjencat që njihen brenda Bllokut Qëndror, Italia, e pakënaqur me pozitën e fuqisë Austro-Gjermane dhe nënvlerësimin e vendimeve të saj brenda bllokut, disa muaj më vonë se kish filluar lufta, braktis aleancën, duke kaluar te Antanta, fenomen jo i ri, ndonëse i papritur në një strategji të përcaktuar paralufte. Sipas kësaj strategjie Italia do të kujdesej për Ballkanin (përfshi dhe Shqipërinë), si dhe do të krijonte një mbrojtje krahësh dy perandorive gjermanike që po ndesheshin në qendër të Europës. Disa politikanë apo patriotë shqiptarë të themi, përfshi edhe Ismail Qemalin për arsye “diplomatike”, po shkëputen nga ndikimi austrohungarez, që për hir të së vërtetës i bëri të njohur, dhe ecin në drejtim të spektrit të influencës italiane, qysh në fund të vitit 1914. “Është e nevojshme që të binden shqiptarët se me anën e një princi gjerman, Austria shikonte të bënte për vete shqiptarët me qëllim.. të përvetësojë Shqipërinë. Përkundrazi qeveria italiane kërkon t’ju japë shqipëtarëve një udhëheqje më të lartë, të vërë në zbatim në vend një administratë të rregullt, të krijojë siguri dhe rregull.. Në këto mënyra është Italia ajo që mbron vazhdimisht pavarsinë e Shqipërisë.. Për të ruajtur pavarësinë dhe për të siguruar ekzistencën e Shqipërisë, duhet që shqiptarët të shkojnë së bashku me Italinë..” shkruan I.Qemali (HHStA,PA, A, në AIH, vj.24-32-3218, Telegram i konsullit Halla për Berchtold, Shkodër, 11.11.1914) Të habitur me lojën e hershme të ballkanasve austriakët përgjigjen menjëherë; “Ismail Qemalit iu bë e ditur që ai të mos zhvillojë këtu në Itali asnjë aktivitet politik dhe se është krejtësisht e padëshirueshme që ai të qëndrojë më gjatë këtu” (HHStA,PA, A, në AIH, vj.25-1-115, Berchtold për Merey Romë, 02.01.1915). Duket e tepërt që të shpjegojmë jo qëndrimin ndaj mirbërësit klasik, se sa ndikimin e padiskutueshëm të këtij ati të pavarsisë në Vlorë dhe për rrjedhojë në krahinën e Labërisë, larguar “non grata” tashmë nga Fuqitë e Mëdha në këtë kohë për disa skandale në Qeverinë e tij.

II

Lufta e Vlorës rrodhi prej Kongresit të Lushnjës

Si reaguan vendasit me pushtimin e Vlorës?

Nga Kastriot BIMO

Por më 26.4.1915 Anglia dhe Franca, së bashku me Rusinë thërrasin në një pakt sekret në Londër dhe Italinë, ku i shpjegohet afatgjatë se cilat do të ishin përfitimet e saj, duke e nxitur ti shpallte luftë Austrisë dhe Gjermanisë brenda një muaji, madje duke rritur territoret që do të posedonte nga përfitimet e luftës, kjo po qe se fitonin. Kjo me tërë bregdetin ballkanik, si atë Dalmat, Malin e Zi, ndërsa për Shqipërinë duhet e kthyer në një protektorat italian, Italia do të “merrte detyrën e përfaqësimit të shtetit shqiptar (Princi gjerman është larguar tashmë nën një trysnie lëvizje islame anarkiste) në marrdhëniet me Fuqitë e Huaja” (pika 8 e kushteve  “Treaty of London, 1915”). Ajo do të zotëronte gjithashtu Portin e Vlorës (pika 7 e kushteve) dhe bregun në jug të atij të Shëngjinit (pika 14 e këtyre kushteve) Pakti ishte sekret, dhe doli në fund të 1917, nga L.Trockij, kur Rusia doli nga Antanta, por politikanët shqiptarë, të mësuar në ambjentet perandorake, nuk mund ti gënjente nuhatja. Italianët qysh në përbërje të Bllokun Qëndror nxituan për në Vlorë, por të vendosur në ishullin e pabanuar të Sazanit duhej gjetur shkaku i hyrjes në qytet, që i justifikonte përballë vendasve, shkak ky që rezulton historikisht mjaft banal, (sipas E.bej Vlorës) e që sqaron nivelin e ndërgjegjes shqiptare, qoftë kjo e qytetit të flamurit. Kjo në një incident të stisur nga konsullata italiane Vlorë me vendasit, ku goditjet me armë gjatë natës të sajuar nga një farë dr, Çako pranë konsullatës, bënë që të lajmërohej për “rrezikun” Roma, dhe qysh në mëngjes dy batalione zbarkuan në Skelë nën shikimet kurreshtare të vendasve.  Përpjekjet cfilitëse austriake për shtetin shqiptar nuk mund të hidhëshin në erë papritur, pavarësisht statusit neutral të shtetit shqiptar, kështu që qëndrimet aspak të besës, për të cilin shquhen shqiptarët e që datonin përpara Traktatit sekret të Londrës, them se ndikuan sadopak në urgjencën e armatave austriake të vendoseshin në rreth 80% te territoreve shqiptare dalë prej sakrificës së tyre nga K. Ambasadorëve të Londrës 1913. Falë këtyre qëndrimeve të patriotëve shqiptarë në vazhdimësi, popullsia shqiptare e territorit në thellësi të qytetit të Vlorës, përfshi krahinën e Labërisë, (kufizuar me lumin Vjosë) bregdeti deri në afërsi të Sarandës kishin bashkjetuar me italianët pa më të voglin problem, madje me një lloj krenarie krahasuar me trevat e tjera, për tregëtinë e produkteve të tyre blegtorale, mirqënien relative, si dhe ndërtimeve (Ura e Mifolit), që fqinjët e përtejdetit i kishin kthyer në art. Edhe nga idea që u jep shqiptarëve ati i pavarsisë, I.Qemali, por edhe nga bashkjetesa afro gjashtë vjeçare nuk rezulton të shihej Italia si një “pushtuese” e mirfilltë për të ushqyer më pas një urrejtje sistematike, grumbullimi i së cilës do të çonte një ditë në kryengritje, por që krerët e krahinës karakterizoheshin nga një bindje do të thosha, kurrsesi jo nënshtrim, ndaj një fuqie që kish “letrat” e Fuqisë së Madhe, madje fitimtare, e cila të ndalonte dhe flamurin. Këtu përjashtohen atdhetarët e arsimuar që herë-herë shfaqnin zërin e protestës, si në varrimin e I.Qemalit, ku me shumë vështirësi u lejua një flamur shqiptar vetëm mbi “Plakun” (pseudonimi i I.Qemalit).

A janë të ndërgjegjshëm shqiptarët mbi shtrirjen e plotë të pushtimit?

Qysh me ikjen e trupave austrohungareze, si dhe atyre franceze nga Shqipëria, shfaqet një rrezik i ri, shumë më i madh se ai i 1912-’13, ku Italia zë vendin e tyre, pra të gjithë territoret shqiptare, si dhe përgatit një qeveri kukull proitaliane në Durrës, fakt që do të çonte në një reaksion i pjesës tjetër të patriotëve, e stimuluar fuqishëm kjo nga konsulli anglez Iden, që çoi në Kongresin e Lushnjës, që njihet tashmë gjërësisht si antiitalian. Pikërisht në këtë Kongres urgjent dhe të fshehtë do të ndalohej kategorikisht të përfaqësohej Vlora, pasi fati i saj prej 1915 dihej tashmë. Për çudinë historike këmbëngulja e kreut të Kongresit, Aqif pashë Elbasani, mbështetësi nr. një i I.Qemalit ishte të rishikohej për një fazë të dytë pjesmarrja e përfaqësuesëve të Vlorës, pasi dështimi do të përmbyste gjithçka, ndërsa këmbëgulja dhe lëvizja e rrezikshme për të përfaqësuar Vlorën, madje nga ai vetë, vinte nga ish-kundërshtari i I.Qemalit, ish-ministri i thesarit të Qeverisë Vlora, Bektash bej Cakrani janë në një dialog rrënqethës dhe sot, jo vetëm për kohën: “Ndaj me anë Aqif Pasha i tha se ishte me aqë rrezik ajo që kish marrë përsipër im vëlla, sa italiantë mund të vijin për tre sahat dhe puna më këtë kohë të ligë, vente e gjitha më lumë! -Të shohim ndonjë methodhë tjatër mos ndes se këjo që ti ke marrë ti përsipër. Se të përfaqësoç vlonjatësotë, ikën llafi dhe nukë mund të bëjmë këtej luftë e andej kuvëndë më një vënd, sikur s’e di dhe kohnë e ligë që n’a është shtruar më sofër! - Kush do vejë t’u thotë ti Aqif Pashë? Se sa ke bërë për vlonjatë më atë kohë, sa bëtë ato bëtë me t’a e ti e di! Pa unë nukë e bëj për vlonjatë Pasha, se në arçin nuk e di fare kë do cakëtojnë, po për Vlornë e asaj ditë përmëndet! E qysh thua, t’a lëmë thonjtë e italianëvet se mos n’a vijnë ata këtu e pastaj t’u themi atyrej se nuk e dijim që do vinit, vjen erë kjo Pasha! Ti u je bërë strehë më ç’do kohë atyrej, lere nashti se e mbaj unë përgjegjësinë! Dhe po ngjau ndonjë hata e s’keni përfaqësonjës kaza t’onë, bëni si bëni me këta që keni, por po e lamë sotë, e kemi qarë nesër Vlorë e Kaza Pasha! (Hajredin bej Cakrani, “Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë, 2017)

Përse krerët e përçarë në Vlorë, janë aq të qartë ndërkombëtarisht?

Krerët e Kongresit, një vazhdimësi e atyre të Pavarsisë, me përjashtime të vogla të atyre të krishterë korçarë kryesisht, ishin pothuaj si në rastin e pavarsisë pjetarë të klasës aristokrate perandorake, me dominime pronash, për rrjedhojë dhe popullsie fshatrash të tyre, tipar perandorak feudal administrativo-ushtarak. Për lexuesin e thjeshtë titulli aristoktat perandorak “Bej” është e një feudali që zotëron territore të mëdha bujqësore, si dhe popullsi katundesh bujqërish që merren me kultivim, pra ekuivalenti (për marrveshje fjale) i titullit perëndimor “Kont” me të njëjtin funksion. Po kështu titulli “Agë” ishte i feudalit zotërues të territoreve më të pakta, por të rëndësishme si vendndodhje në lidhje me rrugët e transportit, si dhe territore malore si kullota etj, ekuivalenti “Vikont”, natyrisht i një vendi të vogël si i yni. Pikërisht krahina e Labërisë, e palakmuar nga feudalët e mëdhenj për shkaqet që shpjeguam, dominohej e dirigjohej nga këta, natyrisht jo vasalë të të parëve, por si natyrë jo e re janë në një lloj gare mes tyre. Me ardhjen me vonesë të delegatëve të Vlorës, shkak që thuhet se filloi Kongresi me një javë vonesë, në një kohë që ngjarjet rrokulliseshin me orë, u bisedua veçmas. Kjo është një periudhë, mendoj, e lënë enkas në errësirë dhe e trajtuar me ndonjë fjali në histori, fakt që shumë të rinj se njohin fare, po më keq akoma dokumentacioni shqiptar është fare i mangët, pasi e kërkonin sekretet e kushtëzuara të situatës.

Në ndihmë na vjen mbi perudhën e Kongresit të Lushnjës, ku u mor vendimi për të shpëtuar Vlorën, dhe organizuar vetë luftën, kujtimet e pjesmarrësve e dëshmitarëve okularë, si Hajredin bej Cakranit, më shkruar më 1932, dhe Ago Agaj, shkruar në Florida, më 1966, ky i fundit totalisht hollësitë mbi luftën. Këtu fillon dhe davaritet mjegulla se nuk kemi të bëjmë me “urrejtje pushtuesish” sido që ushtria italiane nuk mund të kish emër tjetër. Një shkak i brendshëm do të ishte ai që gjatë kremtimit të përvjetorit të pavarsisë 1919, ku paraqitet një incident, i pazbardhur, por që ka të ngjarë që iu faturua me të drejtë palës italiane, e cila e fuqizuar mjaft dhe duke parë natyrën joreale të popullsisë së qytetit Vlorës e krahinës së Labërisë, i bëri llogaritë gabim. Flamuri shqiptar, send i shenjtë e i vyer për vendasit, u lidh në bishtin e një qeni, i cili kaloi përpara tubuesëve, duke shkaktuar revoltën. Shkak i jashtëm do të ishte ardhja e një misionari të shtetit amerikan dhe i dërguar i presidentit Uillson, Jozef Hevrin, të cilit i paraqitën vërejtjet dhe ankesat krerët e qytetit, që duke treguar shkallën e civilizimit të një Shqipërie totalisht orientale, edhe me anë të një delegacioni femëror në frëngjisht, që s’ishte gjë tjetër veç zonjat e tyre. Kjo ngjarje solli një ndryshim të madh në ndërgjegjen shqiptare, pikërisht në momentet kritike të K.Paqes, për fatin e Shqipërisë aty, ku një grupim i madh patriotësh shqiptarë, kërkon me shumë pak diplomaci shtetit amerikan që Shqipëria si protektorat të jetë e SHBA, jo Italisë, mes fituesëve, por që gjeti refuzimin amerikan, (“Rezoluta e Vatrës” Nju Jork, 31.12.1960), ndoshta për faktin se SHBA erdhi në konferencën 6 mujore të paqes, me status neutral.

Përse “Çështja Vlora” nuk u diskutua në rreth të gjërë?

Në një rreth të ngushtë, qysh në Kongresin e Lushnjës diskutohet përtej asaj që po ndodhte, mes S.Delvinës, A.Toptanit, A.Zogollit, M.Turtullit, çështja “Vlora” gati enigmatike dhe e pazgjithshme si problem, që me këmbënguljen e S.Delvinës sigurohet pjesmarrja edhe e Bektash Cakranit, që megjithë divergjencat historike të tij me Vlorën, ishte pika kyçe e një strategjie të afërt e asaj status-quo-je të kohës Shqipëri-Vlorë. Delegatët e Vlorës kryesohen në një takim, që për shkak të sekretit të planit u pritën vetëm nga kryeministri S.Delvina dhe ministri i brendshëm A.Zogolli, dhe që ishin nga krerët dominantë të kohës, si Osmën Haxhiu, një feudal i fshatit Armen që kish qënë për çudi i preferuari i fanatikëve famëkeq të Haxhi Qamilit, të cilin e vendosën në krye të qytetit, pasi shkarkuan I.Abdullahun, por dhe pushtetar në kohën e italianëve qysh nga 1914. “Ata që vajtnë që nga Vlora me Qazim Aga Koculnë, me Osmën Aga Haxhinë e me të tërë e që i priti tok me Amet Benë, se tjertë i vështrojin si lyer. -Aha, janë këta të Vlorës dhe ikin atças! Pa t’u japin ndonjë kafè as bëhej llaf e këta mbeti që t’i hakërryeshin e t’i zëbrasnin dufin e të tjerëve më Këshilln’ e Madh: -Ç’ka bërë Qeveria jote zoti Kryeministër për Vlornë? T’a them unë hiçë gjë! Pa Sulejman Beu më siklet j’a ç’pjegonej: -Që kaqë herë ka kërkuar Qeveria Vlornë, po ajo do bëjë doemos atë është e mira për shpëtimin e sajë dhe po t’a dojë sahati dhe me gjak!” (H.bej Cakrani, po aty) Tejet të irrituar me indiferentizmin e pjesës tjetër të pushtetit delegatët lebër, u njohën me përpilimin e një plani për të trajtuar çështjen “Vlora”, në një kohë të paimagjinueshme, ku më entuziasti do të thosh mbase do lihet të funksionjë Ura e Mifolit me pjesën tjetër të Shqipërisë, ndërsa më skeptiku, do të shprehej se kjo punë ishte e vulosur nga Fuqitë, që e kthente vetëm fuqia e Zotit.

A mund ta ndihmonte “Qeveria Delvina” Luftën e “pamundur” të Vlorës?

Ndihma e qeverisë Delvina do të ishte tepër sekrete, pasi shfaqej menjëherë në skenë konflikti ndërkombëtar Itali (plus Vlorë) – Shqipëri, prandaj ajo do të konsistonte në ushqime dhe armë, e kanalizuar po përsëri fshehtas në krahinën e Mallakastrës, kufiri verior i Labërisë. Kjo paraqitej si problem me shumë të panjohura me konfliktin luftarak disaditor të qeverisë Vlora me ish-ministrin e saj mallakastriot B.Cakrani në Cakran, me shumë viktima  në shtator 1913, ku dilte e paqartë pozita dominante e tij dhe Mallakastrës, që sipas shumë skeptikëve, mund të manipulohej, që do të thoshte dështim, pasi ai vetë ishte senator. Për këtë gjë u nis vetë kryeministri S.Delvina në Cakran, në një takim sekret me të. Por B.Cakrani e zgjeroi takimin për të treguar se i ka të gjithë mbështetës, jo për të nxjerrë sekretin e kryeministrit, duke i përforcuar praktikisht atij mënyrën si do të veprohej. Pas këtij takimi në fund të shkurtit 1920, surprizues për kryeministrin, i shoqëruar nga njerëzit e vet dhe nga krerë vlonjatë, si I.Abdullahu etj. kërkoi të mblidhte krerët e disa fshatrave të Labërisë në Lepenicë të Vlorës. Sipas librit “Rilindasi i Vlorës” fq. 248 “Të nesërmen më 27 shkurt, me kuajt që u ngrehën, Sulejman beu dhe ne (I.Abdullahu, etj) kaptuam lumin e Vjosës në Selishtë, në Sevaster, Velçë, dhe mbërritëm në Lepenicë ku na priste paria e fshatrave” tregohet se kryeministri S.Delvina u fut në trevën e Vlorës e Labërisë, totalisht nën juridiksionin italian kjo, por që kundërshtohet nga një e dhënë tjetër; Së pari xhaxhaji nuk e la Sulejman Delvinën të vente në Vlorë, me gjithë se Vlonjatët këmbë ngulën, se mbante përgjegjësi, pasi që i pari Vau i Selishtës, që kalon mileti për në fshatërat e Vlorës, ishte në çifligjet e T’ij. Sa x’brisje mat’anë ishte posta Italjane e Selenicës, dhe në mos spiunohej nga vëndasit, Italjanët mjaft t’a kontrollonin Krye Ministrin dhe aq donin t’a merrnin rob dhe t’Ua tregonin Evropës. Ç’do gjë mbyllej kështu pa filluar. I kësaj mëndje ish dhe Ministri i Brëndshëm Ahmet Zogolli që dërgoji 14 vetë të tjerë të armatosur e me kuaj atë ditë e që j’U bashkuan atyre që e shoqëronin, ndërsa vetë e priste në Lushnje.” (K.Cakrani, po aty)

Me gjëndjen e atëhershme opsioni i parë ishte më i rrezikshmi për tu realizuar, ndërsa ky i dyti duket më i pranueshëm për një qeveri të re me mision të tillë, por nuk është këtu ky problemi delikat që shtrohej. Duhej që krerët vendas, tejet të përçarë, të krijonin një lloj beslidhje për të pasuar si fazë tjetër organizimi i luftës, tjetër vështirësi serioze kjo, pasi ambjentimi, do ta quaja për marrveshje fjale, me italianët, sillte një problem jo të vogël në thirrjen e popullsisë nën armë, përballë një ushtrie të mirorganizuar prej 20-25 mijë trupash, që pas rinjohjes së stërmundimshme të shtetit shqiptar (pa hiderlandin e Vlorës) ishin grumbulluar në krahinën e Labërisë, si dhe qytetin e Vlorës, me shtab qëndror, në Kaninë. Mundësi praktike fitoreje luftarake nuk duhet të ketë patur, por qeveria e Tiranës dhe krerët e Vlorës ranë në një mendje që të krijohej një si “Komitet i Mbrojtjes Kombëtare” që do të pasohej me të tillë, sipas trevës; “Qazim Bej Koculë me Spiro Koleknë nga Bregu j’a kishin thënë Sulejman Beut (Delvina) se duhej të krijoheshin komitete të mbrojtjes kombëtare, që t’i dëftenin miletit të tërë, se kurë gjithë Shqipërija po bëhet javash-javash e nevej nën Itali nukë durohet, ndaj duhej të fitohej kjo Kaza! (H.bej Cakrani, po aty) Vetëm tashmë përvijohet rëndësia e këtij konflikti të pazakontë, që minimalisht të krijonte faktorin vendas si të pavarur e mohim të tutelës italiane, dhe maximalisht zhurma ndërkombëtare që do të bëhej, të kthehej në problem për zgjidhje, pasi nuk ka fantazi infantile të mendojë fitoren e vendasve, gjë që e gjejmë në një dialog jo të zakontë vëllezërish; “Je vete Bektash Bej? paktën sa dij unë nukë është e shkruar e s’ka bërë vaki ndonjë herë që më një Kaza të kacafyten njëzetë mijë ushtëri, me sa njers mund’ mbëledh' Osmën Agai (Haxhiu) me Brahim Effendinë (Abdullahu) e Hamza Aganë (Isai) më atë vëndë! Pa do dhe një gjë tjatër mijë vjet e jo sotë, kurë nukë j’a dilje dotë ushtërive se ishin shumë i gjëjnë ku shkon uji e j’a pret, nga vinë buka e j’a ç’katërron, ku janë xhephanetë e j’a prish a j’a merr! Po këto as i ke dorë e as bëhen më një ditë. Edhe ushtërinë e Nemses (Austrohungarisë) të kishe do lloisur mirë ku i ka krahtë e dobët, ku duhet qëlluar me topa e rrahur vëndë, nga mund’ t’i vijë ndihma, janë hesape këto dhe mua nuk del asnjë po e do me kartëra! Kështu me zëmër dalë ku të dalë, është tjatër punë! (H.bej Cakrani, po aty)

A mund të ishte i hapur apo i fshehtë Kuvendi i Barçallasë?

Deri tani kemi saktësuar idenë, organizimin dhe planin e luftës, totalisht nga krerët, kryesisht bejlerë e agallarë Labërie që do të mbajnë këtë peshë lufte, direkte, krejt e papërballueshme, por dhe larg atyre klisheve të deritashme “U ngrit populli si një trup i vetëm përballë pushtuesit..etj.etj” Qysh të vegjël në muze, me naivitetin e moshës e bënim pyetjen; “Po pushkët ku i gjenin këta që luftuan një ushtri kaq të madhe?” Dhe ciceroni që dinte pak më shumë se ne, na recitonte këngën popullore; “Në mos kini armë, gjeni/ja rrëmbeni atij qeni..” që ne na linte fare të paqartë në ikje. Duke u prirur nga parimi “Atdheu mbi të gjitha!” në krahinën e Mallakastrës B,Cakrani filloi të mbledhë jo vetëm 1500 pushkët austriake Steyr dhe Graz që kishte blerë dhe shpërndarë qysh më 1911 për Kryengritjen e Toskërisë, por dhe armatim dhe municion i shumtë i lënë pas tërheqjes austriake, duke i dërguar këto në Vlorë. Si tregues historik edhe këtë e gjejmë në një nga këngët e shumta popullore të trevës, karakteristikë e vendasve, që flet për betejën e Sherishtës (Qishbardhë); Te Sherishta mu te fiku/ja bëri yxhym armiku/ja bëri se kështu i thanë/se shqiptarët aty s’janë.. dhe përfundon me; ..me plumb të austriakut, u hapën llapën e barkut”. Për sa i përket eksperiencës së luftës së pari do të thirreshin nën armë vetëm burrat që ishin provuar në luftë, pasi djemtë nuk do të lejoheshin aty. Kjo për të mbajtur familjen dhe siguruar vazhdimësinë, në rastet e të rënëve. Së dyti pjesmarrja deri në fund të L.I.Botërore në luftrat krah Turqisë, për shkak se shteti shqiptar tejet i dobët dhe pa institucione, detyronte shqiptarët të mendonin dhe vepronin për akoma Perandorinë, shfaqej eksperiencë aktuale.

Me urgjencë u thirr një takim me krerët e fshatrave të krahinës, pas takimit në Tiranë; “Kishin qënë dhe më Tiranë po vetëm Sulejman Beu me Amet Benë e dijin sagllam se u vete më vesh italianëvet, pa aty këta thanë: -Po na ndihu Qeveria e Tiranës, hallall, jo po ne nukë kemi vdekur se dy duar për një kokë janë dhe këtë hërë ja shuhemi nevej, ja ata fare! Pasi kishin marrë llafnë shumë të ndezur se të gjithë aty ishin të parisë, bënë bè më kuran, thertë e dyfek, vraftë!” (H.bej Cakrani, po aty). “Këtu flasin përfaqësonjësit e zgjedhur të një populli të lirë, flasin agallarët e fundit të Labërisë, flasin ata që e përfunduan me nder  e lavd historinë shekullore të asaj klase për lirinë e vendit të tyre.” (Ago Agaj “Lufta e Vlorës” Florida, 1966)

Sa penguan Luftën e Vlorës kontradiktat mes krerëve vlonjatë?

Por kontradiktat shfaqen të thelluara qysh në ngritjen  e “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” në Barçalla, Dukat, ku për çudi dukatasit vendas vijnë të fundit, shkak për kohën konflikti i padukshëm e bejlerëve “Vlora”. Përfaqësuesi më i spikatur, Eqrem bej Vlora, një austrofil, i cili i rritur në një civilizim gjermanik dhe me kulturë të gjerë vieneze, duke kërkuar ngritjen e një lloj kulture europiane në Shqipëri, po negocionte në këtë kohë me Italianët vepra konkrete, si rindërtimi i Kalasë së Kaninës dhe një sërë veprash që i shërbenin Shqipërisë. Deri këtu kushdo mendje e qytetëruar botërore do ta quante jo vetëm normale, por tepër progresiste përpjekjen e restaurimit apo aplikimit të kulturave, tek një vend thellësisht feudal i tipit lindor. Ishte pjesë e domosdoshme e problemit marrveshja me fuqinë e dhe mendimin të bejlerëve të Vlorës me ndikim të jashtzakonshëm mbi gjithë Jugun, prandaj organizatorët i drejtohen me shpresë të plotë botës, dijes dhe shpirtit shqiptar të pinjollit Eqrem bej Vlora, takim nga i cili dalin të zhgënjyer, arsye kjo që tregon se edhe njerëz skajshmërisht të ditur, e shihnin të quhej pak, aventurë kjo ndërmarrje: “Pas kafesë, Eqerem beu filloi. Një herë një mbret, të cilit i dilnin ëndrrat, pa një të tillë ku ra një shi, dhe uji i tij do të tërbonte njerëzit. Mbreti foli me të shpejtë sadrazemin që të krijoheshin rezerva për pallatin në rast se ndodhte. Ngjarja ndodhi dhe njerëzia pinë dhe u tërbuan, pallati u mbyll i gëzuar, por populli i zemëruar u mblodh u mblodh para pallatit. Mbreti u detyrua ti sqarojë se duhet të shkonin në shtëpi, sa tu dilte tërbimi, por populli kur dëgjoi këtë fjalë filloi sulmin. Atëhere mbreti mori një shtëmbë me ujë të tërbuar dhe e piu, dhe pas tij gjithë oborri. Kështu u vendos harmonia mes tyre.. Unë nuk pi ujë të tërbuar. Sikur pakëz shpresë të shikoja, u betohem nuk do tja lija në dorë as Koculit, as Kokoshit, e as ndonjë tjetri..” (Ago Agaj, po aty) Mendohet se këtu e ka zanafillën e këtij konflikti edhe vrasja e Siri bej Vlorës, vëllait të Xhemil bej Vlorës pronari i shtëpisë ku u ngrit flamuri, me shkak se kish ndërhyrë tek dukatasit për një përçarje të fundit në organizimin e luftës: “Nga sa muartëm vesh kur mbarojë lufta e shuma dukatasve kishin dëgjuarë të vëllanë e Xhemil Beut, Serri Benë që të mos vejin më atë mbëledhje. Po ata më fund këthyhen mëndje dhe vajtnë, dhe më vonë Serri Benë e vranë.” (H.bej Cakrani, po aty)

III

Lufta e Vlorës rrodhi prej Kongresit të Lushnjës

A përbën ushtarakisht tradhëti “dezertimi” pasi lufta ka filluar?

Nga Kastriot BIMO

Divergjencat shfaqen pa fund, por ato më të mëdhaja qysh në fillim të luftës, ku Komandanti i Përgjithshëm, Ahmet Lepenica, një major (bimbash) i ushtrisë turke tërhiqet pas ditës së gjashtë. Ai kishte treguar aftësi ushtarake në Bullgari në vitet 1877, kur patriotët bullgarë po bënin të pamundurën për shkëputje, duke komanduar njësitë elitare të batalioneve të snajperëve (nishanlli tabor). Heroi bullgar Kristo Botev, komandant forcash ushtarake vritet nga një plumb snajperi në gjoks, por Lepenica vazhdon edhe pasi krijohet shteti shqiptar në shërbim të armatave turke, pikërisht në divizionin 19 përkrah Ataturkut, ku pas një beteje ai i dhuron shpatën e vet, në shenjë mirnjohje. Në Luftën e Vlorës, pa dorëheqjes, vendin e tij e zë Qazim Koculi. “Vunë kumandant Amet Bej Lepenicnë nuk kish shkollë, po i prerë për luftë! Se fundja ç’do u dëftente lebërve, që në të shumën i dinë vetë të gjitha?!” (H.bej Cakrani, po aty) Por në Labërinë e Shqipërisë krenaria i bën të gjithë komandantë, po të kemi parasysh ato 4 vargjet çudibërëse, njëkohësisht për periudha të tëra, të mallkuara të Nolit, për këtë të vërtetë të trevës. Megjithatë qysh në fillim, çuditshëm shqiptarët i tregojnë ato 6 vjet bashkjetesë edhe në letrën ultimative dërguar gjeneral Piaçentinit, komandant i armatës, përkthyer nga Ulisse Bosio, një biznesmen italian atashuar prej vitesh në Vlorë me njohuri të mëdha, ku tregohen të kujdesshëm duke ja lënë diplomatikisht Italisë fajin, pasi marrin vesh rishtaz ndarjen qe i është bërë nga Traktati i Londrës: “Kur u shkarkua ushtrija Italjane në Vlorë më 1914, Komanda e saj me çpalljen zurtare që bëri, n’a siguroi në emër dhe nder të kombit Italian që Italia e lirë nuk ka mentim  të zaptojë Vlorën dhe shkau i shkarkimit t’ushtris ishte për të siguruar strategjikisht gjendjen ushtarake  për propabilitete të ndonji luftë që mund të ngjaste në mes t’Italis dhe t’Austris..” Dhe pastaj vazhdon; “Nga shkarkimi ushtarak qi u ba dhe ka 5 vjet që ka dëruar mjet presioni qi i asht bërë dhe po bën Qeverrija Italiane Vlorës së Shqipnis e cilla ësht djepi i Indipendencës, e cila po qeverriset si nji ma e qelbula koloni, tue n’a muhuar administratën dhe flamurin shqiptar me kondicione ma të këqija se Qeverrija Turke kur dominonte Shqipërin. Të ashtuquajtura liridashëza qeverri italiane pa far turpi kanë marr  ndarjen e Shqipnis me traktat të mëshehtë.. tua prishë nji traktat qi e kishte firmuar vetë në London..” si dhe thekson thelbin e çështjes; “Por qeverija Italjane sa do e madhe që është nuk mundet t’a ndalojë popullin e vogël të Shqipnis, të vdesi për idealin e lirisë së tij..”(Ultimatum, drejtuar Gjeneral Piaçentini, Vlorë, 20.5.1920”Ago Agaj, po aty) Ky fakt, kapërcen kufijtë e imagjinatës, por kompleton në mënyrë më klasike me fitoren e luftës më pas, duke e futur në histori unikale atë luftë, si thamë, fillim e fund.

Zhvillimin e betejave të Luftës së Vlorës, si kronologji dihen tashmë, por ne do të ndalojmë në përfaqësimin e Komisionit, emër me të cilin thirrej në popull komiteti “Mbrojtja Kombëtare” jashtzakonisht kuptimplotë për misionin.

Ishin të vetdijshëm krerët e luftës për fundin e saj?

Këta krerë që mund të ishin vrarë të tërë në këtë konflikt të paimagjinueshëm statistikisht, si ka ndodhur në jo pak luftra, por që koha i rreshtoi nën lavdinë e saj, dhe të asnjë shqiptari-lepur që kërkon t’ua japë apo jo atë, a thua se kanë në dorë rrotullimin e planetit; Ata ishin shqiptarët që nuk pritën nga historia për atdheun më 1920 dhe atje ku janë nuk mund të presin kurrë lavdi nga e sotmja; Ata do të fyheshin së bashku me betimin dhe vetë atdheun;

Osman Haxhiu-Picar, Qazim Kokoshi-Vlorë, Alem Mehmeti-Tragjas, Beqir Sulo Agalliu-Vlorë, Ali Beqiri- Velçë, Murat Miftari-Tërbaç, Hamit Selmani-Dukat, Hysni Shehu-Sevaster, Myqerem Hamzarai-Kaninë, Sali Bedini-Armen, Qazim Koculi-Kocul Azbi Cano-Mavrovë. Megjithë organizimin e një lufte krejt të pabarabartë, si dhe pavarësinë e marrjes së vendimeve të çastit, ishin komandantët ushtarakë ata që do të mbani mbi shpinë aventurën e luftës, po të quhet kaq. Për veprime operacionalë çeta të mëdha të përbëra nga ato të fshatrave përreth, do të mbanin peshën kryesore në goditjen e armikut në gjatësinë Vlorë-Tepelenë;

1-Çeta-Shullërit Komandant Kalo Telhai(dha dorëheqjen pas 6 ditëve) - Barjam Qamili, Ramica-Caush Tafili, Elmas Ademi, Bashaj, Zigur Lelo, Zyber Musai, Dushan Qamili, Matogjin-Demir Mystehaku, Velçë-Caush Mehmeti, Hasan Hyso, Vajzë-Çoban Nuredini,

2- Çeta-Kudhës Komandant Rrapo Çelo, Sevaster-Hamit Mahili Dushkarak-Qëndro Fega, Shkoza-Kanan Maze, Mane Aliu Rexhepaj-Halim Rakipi, Mërtiraj-Salo Islami,

3- Çeta-Dukat Komandant Sheme Sadiku, Dukat-Hodo Zeqiri, Muhamet Maze, Tragjas-Yzeir Muço, Sinan Mete, Radhima-Bilbil Sinani, Xhafer Asllani, Imer Radhima,

4- Çeta-Lumi Vlorës Komandant Sali Vranishti, Vranisht-Azem Sulo, Daut Seferi, Bolenë -Mato Robi, Kallarat-Feim Çelo, Tërbaç-Selman Hyseni, Selam Abazi, Lepenicë-Sheme Jazo, Gjorm-Selam Hasani, Gumenicë-Bajram Mehmeti, Deli Bajrami, Lapardha- Selim Suleimani, Drashovicë-Hysni Fallani, Vërmik-Neim Braka, Brataj- Memo Meto, Kuç-Xhafer Aliko,

5-Çeta e Fëngut, Komandant Muço Aliu, Treblovë-Hakim Hyseni, Kocul-Lilo Hakani, Bylysh Latifi, Mavrovë - Isuf Rustemi, Romës- Mehmet Musai, Mallkeq-Mehmet Selimi, Armen-Fejzo Islami, Karbunarë- Muhamet Cenaj, Gërnec- Dushan Kaçi,

Në Kaninë ishte vendosur shtabi i armatës italiane, dhe çetat e saj operonin në Xhyherinë, Babicë, Qaf e Koçiut, ku si njohës terreni kanë dhe pronat aty;

Kanina-Komandant Beqir Velo, Muhamet Bedini, Mustafa Bimo Topalltia- Kom. Neki Hoshtima Narta- Kosta Mano Çeprat- Vesel Çeprat Trevllazri- Kom. Qazim Ismaili, Ahmet Hoxha

Në ndihmë Luftës së Vlorës, i erdhën shumë çeta nga të gjitha anët e vendit:

Çeta e Salarisë që komandohej nga Selam Musai

Kurveleshi- Kom. Riza Runa me tre çeta qe komandoheshin nga Cano Duka, Muslin Kaçupi dhe Shaqo Llapi ndersa Selam Musai me 5 luftetare nga Salaria u inkuadrua ne Forcat e Kurveleshit.

Mallakastra- Kom. Bektash Cakrani, Kamber Belishova, Hysni Toska

Skrapari- Kom. Riza Kodheli

Berati-Komandantë Seit Bej Toptani, Izedin Bej Vrioni

Peqini-Kom. Adem Gjinishi

Gjirokastra- Javer Hurshiti, Xhevdet Picari

Çamëri-Alush Seit Taka, Muharem Rushiti

Korça Kom. Kapiten Ferit Frashëri Sami Koprencka, Tosun Selenica

Tirana-Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Bej Libohova, etj.

Sa ndikoi qëndrimi i vetë italianëve në humbjen e luftës së tyre?

Kjo është e pamjaftueshme për të evidentuar ngjarjet e Luftës së Vlorës, por ne do të përqëndrohemi tek strategjia dhe mënyra e goditjes së armikut, me shpresën se do të arriheshin fitore modeste, dhe duke përshkallëzuar aksionet, do të vendosnin në vështirësi komandën e trupave italianë në Vlorë. Trupat italiane duke u grumbulluar nga “Shqipëria” në Vlorë si dhe të shpërndarë në tërë krahinën e Labërisë, ishin të mbështetur nga autoblinda dhe aviacion, prandaj nga aksionet më brilante dua të veçoj atë që krijoi një paralizë në ushtrinë italiane, hedhjen në dorë dhe në erë të depove të tyre të armatimit, në Panaja; “Gjëmimi e flaka e depove më të mëdhaja të Luftës së Njëzetës e tundën vëndë aq fortë, sa kuaj e ç’do gjë muarr’ arratinë nga data! Pa flakë aqë mëdha vejin gjer qiell, nuk kemi parë ndonjë herë më dynja.”(H.bej Cakrani, po aty). Krejt e pamundur nga një sulm i jashtëm me ato armë që dispononin, forcat mallakastriote që mbronin vijën e frontit nga Gjoli i Nartës deri në Llakatund hyjnë në bisedime më ushtarakun arbëresh Xhovani Valencia komandant i depove, i cili arriti që ti dorëzonte pa luftë, dhe pas marrjes së armatimit, ato u dogjën duke shpërthyer. Për këtë veprim në kohë lufte, shteti italian e dënoi atë me vdekje dhe familjen e tij e izoloi, duke e survejuar vazhdimisht. Pas mbarimit të Luftës së Vlorës një mik i tij nga Vlora shkon në Itali dhe mes aventurave e peripecive të shumta, arrin të marrë familjen e tij duke e sjellë atë në Vlorë. Megjithatë këmbëngulja e shërbimeve italiane bëri atë ta vrasin, natyrisht me anë të vendasve në Vlorë disa vjet më vonë; “Valenca nukë iku dotë nga Vlora me atë bëri, po tijtë nuk j’a harruanë atë punë dhe dy a tri vjet më vonë, prunë njerst e tyrej dhe e vranë Vlorë. Për atë njeri më ka ardhur keq vërtet me bè, pa mbaso për vlonjatë një italian pak se u kish zënë vëndë! Dhe njëqind vjet që dorë e tyrej i qante këto pas krahëve!” (H.bej Cakrani, po aty)

A është e barazvlefshme tradhëtia e dezertorit në mes të luftës?

Por pikërisht para se të ndodhte kjo, u duk dhe incidenti më serioz i luftës, pikërisht në forcat mallkastriote që kishin ardhur duke luftuar brenda terriroreve të përmendura të Vlorës, buzë Vjosës, dhe ku forcat e komanduara nga Ali Nezha dhe Kamber Belishova, tërhiqen natën nën kundërsulmin italian, madje duke e kaluar dhe Urën e Mifolit. Kjo meqënëse pas ishte lumi, por duke rrezikuar kështu vijën e frontit, e cila zgjatej deri në Llakatund; “Nga ish natë kur pushuan pushkët ata Topalltisë e trevllazriotë që ishin hazër, zunë nga një istikam me të ç’pejto dhe hapnë zjarr nga ç’do vënd, kështu që italiantë e quajin se ishim ne, po kishim këmbyer vëndë ndaj mbetnë atje ku ishin. Po të ish ditë a të kishin kupëtuar gjë italiantë e të kapëtojin më këtë krah, anës e anës, Bunavi, Llakatund e u dilje tërë çetave tona kishin bërë istikam gjer Qafë Koçiut nga prapa krahëve! Dhe atças mbyllej Lufta e Njëzetës, doemos për italiantë e kushedi kur iknin, a s’iknin më, s’i dihej..” (H.bej Cakrani, po aty) Kjo arsye e bëri gjykatën e luftës të ekzekutonte Ali Nezhën dhe shkarkonte Belishovën menjëherë; “Kur vajtmë e poqëm Kamber Benë, si nukë kish njeri aty, im vëlla Bektashi e mbërtheu për fyti dhe kur nxorri koburen unë thashë se e vrau! Bëra t’a heq, po ai i tha: -Më mirë po të vras unë ballas që nashti, se të të vrasë gjyqi i luftës pas kurrizit si tradhëtor dhe nashti do marrë unë, se u llafosa me t’a e do të të vë më istikam të parë që të vriteç, se e ke hak!” (H.bej Cakrani, po aty) Por procesi zinxhir i ngjarjeve solli një fenomen përmbysës, tashmë  jo në fushën ushtarake, por atë shtetërore, pasi duke mos pasur besim, megjithëse B.Cakrani vendosi komandant i forcave të Mallakastrës Hysni Toskën me përvojë luftarake, u detyrua të hynte vetë për siguri në luftë. Ministri ndërlidhës Spiro J. Koleka kundërshtoi, sepse kjo sillte një problem mjaft të madh, pasi kompromentohej direkt Qeveria e Tiranës, ku senatori i saj Cakrani dilte i implikuar në luftë; “Po qe se do futet tërë Shqipërija këtë luftë, t’a bëjmë me ç’pallje dhe i ke këtu të tërë! Por po qe si tha Sulejman Beu vete sikur vrit veten! Spiro Koleka që kishte ardhur nga Tirana për Korfus. -Edhe këjo n’a duhet italiantë thonë se qënka vetë Qeveria e Tiranës, tha bregasi i shkretë, se nashti edhe këjo n’a mungon! lëfton Tirana s’bëhet llaf, ja senatori vetë dhe atças n’a ç’pall luftë dhe nevej si vëndë e shkoi e vate gjithë ajo që ngrehëm me mundim!”   Mëgjithë rrezikun B.Cakrani shkoi në front për tu përgjigjur për forcat e Mallakastrës; “Bektash Beu u sos Llakatund ku i dha karar dhe vetë i kontrollonte, ditë natë, se punët të duajn’ në kokë, po ai nuk luajti nga Llakatundi ku kish bërë shtabin breg Rashës gjer’ sa mbaroi a u mbyll Lufta e Vlorës.” (H.bej Cakrani, po aty) Të rënët në luftë, pasi ishte vendosur rregull i rreptë, që do të tregonin veten vetëm burrat me përvojë luftarake, jo djemtë që veç vazhdimësisë, do të mbanin në vend të etërve tashmë familjen si thamë, ishin të shumtë, problem tjetër ky që i shtohet situatës së nderë të Komisionit, që  tashmë duke nuhatur fitoren e afërt, drejuan shikimin “postwar” (paslufte).

A mund të ishte heroi i Luftës së Vlorës luftëtari nga Salaria?

Nga çetat ndihmëse të ardhura nga trevat e jugut të Labërisë, konkretisht Tepelenës emri i një bariu nga Salaria Selam Musai, u bë ikona e luftës papritur, vetëm se heroizmi dhe deliri i madhështisë së cituar, të vendasve, në këtë pikë kritike nuk përbënte më garë tashmë. Si bari, ai ishte i pajtuar nga bejlerët e Vlorës, dhe pikërisht Xhafer bej Qishbardha, për furnizimin me produkte blegtorale atë. Sipas tregimeve të gruas së Xh.Qishbardhës më 1978, thuhej se ai vinte me karvane me produkte blegtorale, ku me një listë një herë vetë Xhafer beu i gjeti mangësi në kërkesat e bëra, kjo nga që Selami nuk dinte shkrim e këndim, dhe “tërë inat” qëllonte me kamzhik çizmet e veta, ndërsa plaku i shkurtër dhe i urtë dëgjontë në këmbë. Pastaj duke ikur i shoqëruar nga qehajai (kujdestari pronësor) ujë në djersë i tha atij, se i sjell unë që nesër, o turk i perëndisë, i thuaj beut!” Ndërsa elementi heroik i “zënies së topit nga grika” mendoj se i është dashur kompletimit të heroit, ndërsa nga pjesmarrësit dhe dëshmitarët në këtë luftë mësojmë edhe një tjetër version; “Selami me dy niviciotë kapëtuan gjerdhet me tela për në Vlorë, ku vejin gjer në Budak e Mesovun. Po atë natë u kthyen pa Selamin dy djemtë, kështu që u nisnë prapë sa ra nata. Nuk e gjetën më edhe pas lufte që e kërkuan, dhe u tha se e kishin djegur italjantë me benzinë.(H.bej Cakrani, po aty) ”Pëveç treguesit të humbjes së depos së armëve, goditjes që nga Tepelena e deri në Kotë e Gjorm, ku vetëm robërit e luftës i kalonin dhjetra mijë, kryengritësit lebër për çudi i grumbulluan në fshatin Vajzë, ku vetëm çeta e Rexhep Sujmanit vendas, sa i kqyrte, pasi prapavija si ushqime dhe spital ishin të paprekura; “Më të mbaruar të Luftës së Madhe të Mbretërive, italiantë kishin lënë me Nemsen andej lart kufirit tyrej me të, më një lumë që e thoshin Izonco nja dyqint mijë shpyrt, njëzet herë më shumë se ishte ushtëria e tyrej më Vlorë, a dhjetë e më shumë herë sa Vlora vetë me gjithë kaza. Vlorën e quajn’ nëpër gazetat e tyrej me emërin e asaj luftës së nëmur të tyrej, Kaporeto shqipëtare! Që thoshin ahere se pas asaj që hëngrën nga, janë bërë squat dhe kur e shohnë pisk punën, ngrënë duart përpjetë e rrinë si shqerra.” (H.bej Cakrani, po aty) Kjo rënie e papritur  brenda një kohe të shkurtër të pjesëve elitare të ushtrisë italiane solli ndikimin tashmë të një faktori të jashtëm, çuditërisht të vetë Italisë, ku në parlamentin e saj socialistët kërkonin ndërprerjen e luftës dhe armëpushim, duke sjellë një kolaps të plotë që në furnizimin e ushtrisë dhe pezillimin e lundrimit drejt Vlorës nga portet italiane; “Ky dhe sotë është krye Itali e ulërin e bërret më radio (Musolini), ahere sa ishte futur parlement dhe i kish rënë si zali kur dëgjoi se italiantë ishin marrë vesh me ca fshatarë, gjithë ajo perandorijë dhe do ikënin nga Vlora, më për t’a qarë atë Kaza që e quajn’ te tyrejn!” (H.bej Cakrani, po aty)

Përse nacionalistët italianë ishin kundër braktisjes së luftës?

Poeti i spikatur italian, nacionalist me emër të madh në qarqet e larta italiane, Gabriele D’Annunzio, krijon me urgjencë një lidhje jashtshtetërore me destinacion ndihmën e ushtrisë dhe interesave italiane në Vlorë, krejt e gabuar kjo për një nacionalist, që nuk mund të përmirsojë imazhin e kombit të vet, në shpinë të të drejtave të kombeve të tjerë. Pas ndërprerjes së furnizimeve, ai ndërmori vetëm me jahtin e vet një udhëtim për në Vlorë, me qellim ndihmën e ushtrisë italiane me 10 milion fishekë. Në këtë pragdështimi me mungesë municioni e ndërprejen e ndihmave nga shteti i vet, me rënien e pikave më të rëndësishme strategjike ushtarake, me rënien rob të shumicës së trupave, me moralin e një ushtrie të rënë në kurth nga të gjitha anët, si dhe e detyruar edhe nga shteti i vet, kërkoi armëpushim, por me gabimin e fillimit, se kushtet do ti vinte ajo vetë: “Një ditë kur nga Komisjoni n’a vjen haberi se italiantë kishin ardhur një herë me Bozion përpara. Pasi ishin fjalosur të mbajin Sazanë, Skelnë dhe Karaburunë e të pushojin luftën, po t’anët i përzunë atças! Po këtë herë sa kish hyrë gushti dhe nuk kish më muhabete, jo të mbajim këtë e të lëshojim atë dhe Bozio ua ç’koqiti tamëm këtë radhë. Se po të n’a zinte vjesht’ e parë, aha dhe dimrin e kishje kurriz, pa s’dihej si mirr lufta dhe thanë: N’a lini kohë sa heqim njers e plaçkë ndonjë muaj të paktën!” (H.bej Cakrani, po aty) Festën e fitores në Sheshin e Flamurit lebërit e shpalosën, si e donte zakoni duke e pasuar me mbi 4000 bagëti të therur, menuja historike e trevës; “Nashti me shesh të Vlorës ish bërë mizë lisi, mbaso më shumë së më 912 me Smail Benë, se kishin zëbriturë gjithë fshatërat! Pa po prunë të shohin ç’bëhej dhe ata që qenë plagosur, ca që s’rrijin dot me arabara e ca që mbahen më këmbë. Më erdhi vërtet keq që si ndonjë vit para kur erdhmë për kallur dhè Ismail Benë, po këta italianë ishin i vijin radhë vlonjatë, u thoshin ç’të bëjnë, qysh të iknin, qysh të flasin e ç’famur të mbajnë!” (H.bej Cakrani, po aty) Simboli i burrërisë dhe heroizmit të kësaj lufte u bë me propozimin e duhur të Hamza Isait, për shuarjen e kontradiktave mes lebërve të ndarjes së lavdisë, iniciuar nga vetë Komisioni, fenomenin, me ngritjen e një varri imagjinar i Selam Musait në Qafën e Koçiut, vendi i betejës finale; “Hamza Agai (Isai) mbaso bëri gabim që më luftë të Vlonjatëve, vuri theror plakun Tepelenas. Pse pak leber u vranë e u prenë me ushtërijnë italiane e ranë theror? Po ata si i bëjnë puntë vetë, e bitisën dhe këtë, që ishte barabar me luftën e Labërinë vetë.” (H.bej Cakrani, po aty)

A përbën diferencë brezi që zhvilloi luftën unikale të Vlorës, nga Vlonjatët?

Ky brez i kësaj treve që shkroi këtë histori, nuk mund të errësohet apo eklipsohet, si katërcipërisht ndryshe ndodh në çdo vend të botës për lavdinë kombëtare, nga thuaj të gjithë, përfshi dhe pasardhësit që përputhen lehtësisht me pushtetet e çdo kohe. Dihet se lavdia e saj u eklipson të tyren, ndaj veprojnë prej dhjetra vjetësh me “kodin e heshtjes” me çdo kusht ta harrojnë atë që është pjesa më e ndjeshme e krenarisë legjitime të Labërisë dhe e mbarë Shqipërisë. Këtu lapidari përkujtimor, në kundërshtim edhe me kohën e diktaturës, është rrënuar i rrethuar nga shtëpi e ndërtime pa leje, pranë gërmave e numrave të rëna të së cilit, kullosnin disa bagëti, tablo e përvajshme kjo krahasuar me këmbënguljen hebreje për të vendosur memorialë në të gjithë botën. Vetëm kaq do të mjaftonte të përmendnim frazën therëse të Kemansosë; “Bota me baltë bën heronj, ne heronjve u hedhim baltë! Krerët lebër të kesaj kohe, vetë historia i rreshtoi në skenë për ti shpërblyer me të vërtetën, që ata e kthyen në aq pak kohë në lavdi! Asnjë nuk duhet të krehohet me ta vetëm në përvjetorë në një ditë kremtimi, kur një jetë e dhjetra vjetë e ka baltosur veprën e tyre brilante kombëtare, në një kohë që vetë zhvilluan luftra përçarëse, duke u vënë në shërbim të armiqve më të egër të historisë shqiptare, Sllavëve! “Paritë e agallarëve e fshatërat më radhë dëftuan më këtë luftë që është e rrallë në llojin e sajë trimëri të pa shoqe. Se nuk muarr urdhëra nga njeri, as bënë muhabet me mbretëri, lëmë këtë e të marrim atë, po të tërë fshatëratë bënë çudinë! Ata nuk i mori njeri me pahir, po për vatanë vendosnë d'enregistrer toutes volontaire, (Të regjistroheshin të gjithë vullnetarë – frëngj.) (H.bej Cakrani, po aty) Domosdoshmëria e përkujtimit të saj, si element kryesor i barazvlefshëm, siç theksuam, me atë të pavarsisë qytetit të flamurit, nuk do të mund të bëhej me mosmirnjohje e bukshkalësi nga bijtë, pasi madhështinë e ngritën etërit mbi shpatulla. Kohën e bëjnë njerëzit! “Do s’do njeri, ata lebër u vranë e u prenë, se mund’ mos vejin fare më luftë tek kishin ndënjur kaqë vjetë tok me italiantë, s’mund të prisheshin nga mëndë se u tha njëri a ca vetë, hajde se do vdesim! Po atë udhë burrash e zgjuadh’ vetë dhe bënë atë edhe sotë, si do që isha aty vetë, më shumë më duket si një sahat që n’a i dërgoi një Zot i madh!” (H.bej Cakrani, po aty)

Do të konsideroheshim mëkatarë nqs. nuk do të përmendnim shpirtin e flaktë kombëtar të Ali Asllanit, me këngën elitare luftarake “Vlora-Vlora” e kënduar nga gjenerata vlonjatësh, pa e ditur autorin; “Ata e bënë dhe ujdisnë atë vjershë kish bërë ato ditë shkronjëtori Ali Aga Asllani dhe e bënë hymn, si frëngjtë asokohe marsejezën!” (H.bej Cakrani, po aty) Pa e tëpruar, atij brezi lebërish homazh nuk i shkon ti bëjë asnjë pasardhës i tyre i sotëm, sepse ja bënë vetë vetes, dhe koha si të vërtetën e madhe, që u dha emrin lavdi, duan apo s’duan këta të dytët, me gjithë vargjet e Nolit; Halim Xhelo Tërbaçi, ai si punë segretari më komisjonë, dolli një shkronjëtor i thekur e shkruaj’ gazetnë e tij “Politika” Vlorë, se po ka një vënd e quajën Sparthë, ka dhe një e thonë Labëri! E po ka një Thermopile atje, ka dhe një Qafë Koçiu Vlorë!” (H.bej Cakrani, po aty)

Ja që gjeneratat janë të përkohshme, Atdheu është i përjetshëm!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora