E hene, 10.08.2020, 11:35 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt

E enjte, 09.07.2020, 05:59 AM


FLETËRRUFEJA KUNDËR ERNEST KOLIQIT DHE MARTIN CAMAJT

Nga Frank Shkreli

Miqtë e mij mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn.  Pikëspari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në mërgim por edhe të tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si tradhtarë dhe kolaboracionistë -- gjatë Luftës së dytë Botërore dhe menjëherë pas Luftës II si dhe gjatë luftës së ftoftë 1945-90.  As rruga drejtë zyrave ku Tare thotë se i ka “zbuluar” dokumentet, nuk është aq e pa njohur për të tjerë individë të interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin.  Gjithashtu, në këtë shkrim nuk ka asgjë të re mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vet Koliqi dhe Camaj nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë -- të dhëna këto disa prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre.

Unë kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin disa herë gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970 dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim.  Asnjëri as tjetri, kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre publike ose zyrtare, përfshirë bashkpunimin me agjencitë perçendimore për të rrëxuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kështuqë, shkrimi “Dritëhije në histori” megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë as origjinal.  Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.  Ata që nuk kanë hequr gjë nga ai regjim --siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i ideve të tija -- mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Evropë ose në Amerikë në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimi komunist, Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar madje edhe me vdekje ose dërguar në kampe përqendrimi të afëtmit tuaj, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Nuk do punonit ju me perendimorët për të rrëxuar atë regjim, duke i ditur krimet e tija kundër popullit të vet dhe familjeve tuaja – për të bashkpunuar,pikërisht, me këta perëndimorë të cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?

Këto punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës.  E vërteta është se ajo ishte një periudhë e luftës së ftohtë kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me diasporën shqiptare por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në Evropën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi ndërkombëtar.  Duke lexuar shkrimin në fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për “tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit, Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të ditëve të fundit.  Ky artikull i gjatë – i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit – por për nga mesazhi definitisht është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt – por, fatkeqësisht, ndodhë jo në kulmin e luftës së ftohtë, por në kohën e sotëme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit – në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate “imperialiste” ushtarake e botës perëndimore që strehoi kundërshtarët e komunizmit, si Koliqat edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime për antarësim në Bashkimin Evropian.  Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Aron Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të djallëzuar në pikëpamjet e tyre.

Botimi i shkrimeve të tilla – siç duket në vijim –pasi botuesi premton pjesën e dytë së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën enveriste dhe krimet e saja duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që bredhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa përspektivë.   Më thoni zotërinjë të ndershëm, nëqoftse ju ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Marin Camaj?

Mua nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim fletërrufe nuk mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave shqipe.  Po të mund të bëhej një gjë e tillë do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk do ia dalin as Auron Tare me shokë.  Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre aq më e fortë bëhet mbështetja për ta dhe për veprat e tyre.

Por gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptarë anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë është ajo që vihet re si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri -- madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike për të krahasuar xhelatin me viktimën – me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi e Camaj – kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të minimizohet.

Ernest Koliqin, ashtu siç e njoha megjithse për një kohë të shkurtër, nuk do të shqtesëohej për hiç për shkrimin e Tares.  Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit me 3 dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, I shpreh këto ndjenja:“Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.

Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik.  Në bashkpunim me aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë jo si evropianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten.  Ndryshe nga auron taret e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkpuntorin e tij të ngusht në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe viteve të gjata në mergim.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora