Editorial
Ndue Dedaj: Vendimet për qytetin i marrin qytetarët
E marte, 19.05.2020, 08:26 AM
VENDIMET PËR QYTETIN I MARRIN QYTETARËT
NGA
NDUE DEDAJ
Ka
një keqkuptim të madh në këtë vend, sikur politika qeverisëse ka një mandat të
mbinatyrshëm, për të bërë ç’të dojë me qytetet, rrugët, sheshet, objektet dhe
institucionet e tij. Shembulli i dominimit të pushtetarëve në punët e qytetit
është Tirana. A thua se vetëm ata janë të interesuar për ndryshimin, kurse
qytetarët jo! Qytetarët e Tiranës nuk janë pyetur dhe dëgjuar për asnjërin nga
projektet e realizuara vitet e fundit. Përndryshe, Sheshi “Skënderbej” nuk do
të ishte me aq shumë kurriz, parku i Liqenit nuk do të ishte me aq shumë beton
etj. Teatri Kombëtar nuk do të ishte një histori dështimi, por suksesi. Brenda
dhe jashtë kontekstit të Teatrit të saposhembur, qyteti është i qytetarëve dhe
janë ata që vendosin se çfarë duhet ndërtuar dhe çfarë jo. Nuk është e drejta,
as e Qeverisë dhe as e Bashkisë, të realizojë projekte pa vendimarrjen e
qytetarëve. Por këtu tek ne ka një logjikë tjetër nga normalja. Qeveria bën të
fortin, jep troje, lumenj, pyje, miniera, leje të palejueshme.
Jep
konçsione ekonomike dhe merr “konçensione” politike, si të jetë ndonjë perëndi
mbi tokë dhe jo një e mandatuar për të shërbyer qytetarët. Kryebashkiaku i
Tiranës, ditën e shembjes së Teatrit, në mesditë, kërkoi mendimin e publikut,
qytetarëve për projektin e ri. Të cilëve qytetarë? Të atyre që ua shembi
godinën sy në sy, me forcën e Policisë, duke dhunuar veprimtarë, gazetarë, të
rinj art- dhe kryeqytetdashës? Kjo më e pakta është hipokrizi. Dihet fort mirë
se deri më sot, prej njëzet vitesh, vendimet për Tiranën i ka marrë vetëm një
individ, ish - Kryebashkiaku Rama, prej shtatë vitesh Kryeministër. Dhe jo
vetëm për kryeqytetin, por dhe për qendrat e tjera urbane të Shqipërisë.
Nomeklaturat veçsa i kanë formalizuar vendimet e tij, për të qenë në rregull me
Gazetën Zyrtare. Kjo është çështja. Konstruktorët, urbanistët dhe arkitektët
nuk pyetën, thjeshtë konsiderohen zbatues të planeve të qeverisë dhe ky është
një paradoks. Në këtë histori, opozita nuk ka bërë më të mirën, megjithatë ka
qenë gjithnjë aty ku ka vendin, duke denoncuar aferat e pushtetarëve, të cilët
e shohin pushtetin si të “trashëgueshëm”. Është kjo arsyeja që politika është
gjithnjë e fshikulluar, nga i madh e i vogël.
Politika me fytyrë
“djalli”
Sikur
dhe vetëm një njeri të mendojë keq për politikën shqiptare, problemi qëndron.
Lë që me të nuk janë të kënaqur as vetë “prodhuesit” e saj, ku politikanët e
mirëfilltë numërohen me gishtat e dorës, ndërsa zaptuesit dhe shpërdoruesit e
politikës janë ngritur… në sistem. “Kur imagjinoj djallin, ai më shfaqet më
fytyrën e politikës shqiptare”, shkruante një adoleshente 13-vjeçare nga
Tirana, në një ese të përhapur pardje në rrjetet sociale. Nuk mund ta përjetosh
pa trishtim këtë frazë që përmban revoltën e një fëmijë për politikën. Një
fëmijë si rregull është krejtësisht jashtë politikës, ai nuk ndikohet prej saj,
nuk e kupton, nuk është pjesëmarrës në politikë, nuk voton etj.
Mjafton
kaq që klasa politike të mbetet në klasë, që politikanëve t’iu vijë rëndë (për
etikë e shmang gjithnjë fjalën turp) që kanë krijuar te fëmijët një përceptim
të tillë. Ky padyshim është një alarm në fushën e edukimit. Po rrisim në 2020-n
një brez që e sheh politikën si një gjë që bën keq. Vajza reagimin e saj e
kishte nga prishja e Teatrit, të cilin e kishte vizituar me mësuesen e klasës
së parë, ku, siç shkruan ajo, përrallat dhe ëndrrat e saj bëheshin realitet.
Tani zhgënjimi i pamerituar.
Duam
apo nuk duam, një shoqëri e politizuar rrit fëmijë të ngarkuar politikisht, çka
do të thotë se dhe politikanët e dy a tre dhjetëvjeçarëve të ardhshëm të
shekullit XXI do t’i kemi të politizuar. Ku vemi kështu? Çfarë do të të ndodhte
nëse fëmijët dhe të rinjtë evropianë apo amerrikanë do të kishin një përceptim
të tillë për klasën politike në vendet e tyre? A do t’ia lejonte vetes
Kancelarja Merkel, që në sytë e fëmijëve gjermanë të ishte një “djall”? Po
Makron, Trump, Jonson?...
Përgjigja
atje nuk ka nevojë për fjalë.
Ka humbur besimi se
politika mund të ndryshojë
E
para, ngaqë shinat janë shtruar mbrapsht nga ustallaratët dhe “etërit” e
djeshëm e sotëm të politikës së tranzicionit, që gjithë ditën i hakërrehen
njëri - tjetrit “Ti po shkel Kushtetutën”, kur janë ata që në vitin 2008 bënë
marrëveshjen e gllabërimit të politikës nga vetë ata, më fuqinë që iu dha
kryetarëve të partive për të bërë listat e deputetëve etj. Kaq e thjeshtë
është, pushteti i pakufizuar dërmon demokracinë dhe institucionet partiake dhe
shtetërore.
E
dyta, mund t’ia vësh emrin si të duash një kaste të pasuruarish përmes
tenderave (për ta përdoret rëndom termi “oligarkët”), që kontrollon pushtetin
dhe qeverisjen, pa të cilën nuk mund të vihet në pushtet. Ajo komandon
zgjedhjet, hashashin, tenderat, koncesionet, hidrocentralet, mineralet, të
gjallët dhe të vdekurit. Vetëm tërmetet, përmbytjet dhe pandeminë e
Coronaviruesit jo. E lidhur ngushtë me pushtetin, ajo duhet thirrur me emrin që
ka, mafia, ku e vetmja shpresë për luftimin e saj është një drejtësi e re e
dalë nga Vetingu.
E
treta, sjellja prej të fortësh e pushtetarëve, që vetëm diktojnë dhe asnjëherë
nuk dëgjojnë, dëshmon rënien e demokracisë. U shkua deri aty sa u urdhërua prej
tyre sajimi i një Parlamenti kukull, pa identitet politik dhe integritet moral.
Mazhoranca, pa iu dridhur qërpiku, mori gjithë pushtetin vendor, një vit më
parë, duke e quajtur këtë uzurpim si një gjë normale; për çudi, nën hijen dhe
diellin e ndërkombëtarëve. Një pushtet që përvetëson institucionet e shtetit,
nuk i ka problem muret, aq më tëper ato prej qerpiçi.
Ec,
pastaj, e beso se politika mund të ndryshojë, me këtë klasë politike, diku
thellësisht e korruptuar dhe diku tjetër pa dinamikën e nevojshme.
Por,
gjithësesi, duke nxjerrë mësime nga gabimet e veta dhe të qeverisjes autokrate,
opozita është e vetmja mundësi për ta ndryshuar përmes protestës qytetare
“karuselin” e politikës shqiptare, duke mos harruar askush se busulla është
Europa dhe nuk ka një rrugë tjetër veç saj.