E premte, 26.04.2024, 03:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Hajrije Rondo: Tana është roli im më i spikatur

E diele, 19.10.2008, 09:33 AM


Hajrie Rondo
Hajrije Rondo: Ajo është emblema e karrierës time. Atë e kanë deklaruar dhe specialistë të mirëfilltë

Tana është roli im më i spikatur

Nga Albert Zholi
 
130 role 38 vjet karrierë. Ky është bilanci i jetës artistike (arkivi i karrierës) së artistes së shquar të teatrit dhe skenës shqiptare Hajrije Rondo. Jeta e saj deri në ngjitjen në skenë është mjaft interesante. Sipas saj, Delvina qyteti i lindjes i ngjizi brenda vetëvetes dashurinë për aktrimin, për të vazhduar studimet në Tiranë dhe për të vazhduar rrugën e suksesit në Fier. Ajo përjetoi vitet më të bukura me Teatrin Bylis, vitet në të cilat kjo trupë u kthye në një shkollë të vërtetë për teatrin shqiptar. Energjike, këmbëngulëse, e palodhur, studiuese këto janë tiparet kryesore të Hajrijes. Roli i Tanës tek komedia “14 vjeç dhëndërr”, sipas saj mbetet roli më i dashur për të, por dhe më i spikaturi dhe i shumë duartrokituri nga spektatori. Në këtë intervistë ajo rrëfen gjithë rrugëtimin e saj skenik në gjithë hapësirat mbarëshqiptare.

Ju në asnjë rast nuk e keni lenë pa e përmendur vendlindjen tuaj...
(Më ndërpret duke qeshur dhe fillon këndon )...

Delvinë e bardha Delvinë,
zambak e ke historinë...

Jo se është qyteti ku kam lindur unë, por me të vërtetë është një qytet interesant, qytet i vogël me histori të madhe. Të gjithë flasin bukur dhe mirë për vendlindjen e tyre, por Delvina mbetet një qytet interesant në të gjitha kohërat. Qytet që do këngën, do zhvillimin, qytet me ndjenja të theksuara patriotike. Sazet e Delvinës dhe kënga polifonike delvinjote, mbeten si thesare të kulturës shqiptare. Dhe vendi ku është ndërtuar qyteti është shumë i veçantë. Mes kodrave. Babai im është nga fisi i Veizajve i dëgjuar. Në Kolovrisi e kishim shtëpinë e të parëve. Ishim derë e rëndë atëherë. Kishim një shtëpi 3 katëshe, e cila në sistemin komunsit u rrënua. Rrethuar me male. Vend që të  bën të fantazosh.

Pra, këtu lindi Hajrija...

Po, në këtë vend, në këtë qytet, ditën e parë të pranverës së vitit 1951. Atëherë nuk kishte mami dhe unë dhe të gjithë motrat dhe vëllai im lindëm në shtëpi 6 fëmijë 5 motra dhe një vëlla, nën kujdesin e Baxhisë. Baxhia ishte mami popullore që e nderonin dhe e respektonin në gjithë Delvinën. Baxhi do të thotë. Mëmë zonjë.

Ujë vrisi piva dhe u ngopa
Buruar nga i rëndi Sopot
Malet fushat dhe pemët e paqes
Thitha ajrin e tyre dhe bukurinë magjiplotë


Deri në moshën 18 vjeç unë u rrita dhe mësova në Delvinë.

Pra, keni ende nostalgji për ato vite fëmijërie?

Po. Ishin vite që më mësuan shumë gjëra. Isha çapkëne e hedhur. Kisha shumë qejf të lexoja, recitoja, të krijoja, këngëtare  dhe ushtroja fzizkulturën (vrap dhe kërcim së larti).. Recitoja vjersha para klasës dhe të gjithë më duratrokisnin. Që në klasë të parë fillore lindi dëshira ime për t’u bërë aktore. Shikoja filmat e kohës si “Grada e Re” me Oleg Koshevoin dhe flija me ëndrrën për t’u bërë aktore. Filmi “Kaçubej” më pëlqente shumë. Nuk lija film pa parë dhe pse ishim të varfër. Kur nuk kisha lekë, i vidhesha rojes së derës tek kinemaja poshtë këmbëve të të rriturve. Nuk mund të rrija pa parë filmat e rinj. Mahnitesha pas ekranit. Kinemaja ishte një ndërtesë e vjetër me tavan llamarine.

Nga fisi a kishit ndonjë pjestar që dallohej për humor?

Babai im kishte shumë humor. Nga ai humori popullor tipik delvinjot. Kishte mënyrën e tij të të bërit humor, atë të zmadhimit të fabulës së humorit kur e gjente në jetën e përditshme. Kishte shumë sponanitet në humor. Por ishte dhe këngëtar shumë i mirë.

Babai juaj nuk ishte konservator duke pasur parasysh Delvinën si qytet?

Jo, babai jo. Ai biles krenohej kur ne jepnim koncerte dhe shokët i thoshnin që vajza jote na kënaqi mbrëmë me atë koncertin. Apo vajza jote luan shumë bukur në skeçe. Vehib e ke të talentuar vajzën i thoshin ai kënaqej.  Vëllain e kisha pak fanatik. Punoja dhe lexoja shumë dhe bëja hartime shumë të mira. Hartime u bëja dhe shokëve dhe shoqeve të klasës.

Dhe rruga drejt Institutit të Arteve…

Konkurrova në Sarandë. Atë ditë më shoqëroi vëllai. Kisha veshur një fustan të bukur me vija. I vjetër, por i bukur. Ma kishte dhuruar motra e madhe. Më dukej fustani më i bukur në botë. Më vonë, pas konkursit, pasi më kishte dëgjuar pas derës në konkurrim, vëllai më tha se ti ishe më mirë nga të gjitha dhe pse nuk kishe veshje të bukura si të tjerat. Në autobuz të pashë që fustanin e kishe qepur  tek supi me dorë më tha si i zënë në faj.

Si ishte ajo ditë?

Më e bukura. Më emocionuesja. Para se të hyja, fillova të dridhesha. Në komision kryetare ishte Drita Agolli që më vonë do ta kisha pedagoge. Bashkë me të ishin dhe Misto Zoto dhe Vladimir Prifti. Konkurruam 20 vetë. Fituam unë dhe një shoqja ime e klasës. Komisionit i kishte folur Thoma Milaj, regjisori i estradës së Sarandës për mua.

Nga Delvina në Tiranë. Nga jugu, në zemër të Shqipërisë?

Ditët e para më dukej se isha në ëndërr. Një ëndërr e gjatë. Isha e ndrojtur. Ne vinim nga provinca dhe nuk ishim ambientuar me zhurmën, madhësinë, aktivitet e Tiranës. Na dukej si një qytet i largët për ne. Por me vete kisha dëshirën e madhe për tu bërë një aktore dinjitoze. Ky ishte dhe amaneti i prindërve. Kisha sedër, ambicje, emocion. Gjaku i brendshëm,  geni ta krijon vetiu këtë lloj ambicie në emër të së mirës. Më jep pak talent i tha njeriu vlerës, si t’i kërkonte miell hua. Por s’të jap dot mor i uruar se është në gjak dhe është në thua.

Si do ta përshkruanit jetën në auditorët e Institutit?

Në kurs kam qenë me disa që sot janë personalitete. Me Vera Grabockën. Ishte vajzë simpatike, e veshur bukur. Përdorte shumë çimçakiz kur ne nuk i njihnim. Kjo për asrye se kishte prindërit ambasadorë. Ajo vishte geta të bukura kur bënim skerm, ne vishnim tuta të vjetëra. Ajo na meret dhe në shtëpinë e saj, ku ne kalonim çaste shumë të bukura. Ishte dashamirëse. Njëkohësisht në kurs kisha Kujtim Cashkun. Jorgaq Tushën, etj…

Disa nga rolet tuaja në shkollë?


Mulliri i Kostë Barbit ishte roli im i parë. Ishte roli i një vajze, ku tema e dramës ishte nga LANÇ.  Isha në vit të dytë. Ky rol duket se më hapi rrugën e skenës. Në fillim ndieja stepje. Pastaj… “Mosha e Bardhë” e Mihallaq Luarasit. Në këtë dramë kisha rol kryesor, sërishmi rolin e një vajze. Nga roli në rol e ndjeja veten më të sigurt. Tek “Regjizori”  i Gogolit që e vuri në skenë Birrce Hasko, kisha një rol karakteri. Gruan e një mekaniku. Kishte një rebelim kjo grua pasi i kishin hequr burrin nga puna. Në përgjithësi gjatë studimeve kam luajtur role karakteresh.

Pedagogët sigurisht luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen e studentëve, kryesisht në aktrim. Ç’do të thoshit për pedagogët tuaj?

Do veçoj Drita Agollin dhe Birçe Haskon. Drita ishte një pegagoge kërkuese. Punonte shumë me studentët. I njihte shumë mirë elementet e historisë së aktorit. Ndërsa Birçja ishte shumë kërkues. Serioz. Por edhe njerëzor. Nuk të falte në mësim, por të jepte gjithçka dinte. Fliste me kompetencë. Të gjithë ende thonë “lum ata ata që 4 vjet i shoqëron pedagog Hasko”. Stundentët që dalin nga Birçja janë shumë konkretë. Studentët e tij  krijojnë marrëdhënie të vërteta, janë shumë njerëzor.

Nga këto role a more ndonjë vlerësim nga pedagogët?

Sigurisht. Ne pas çdo shfaqje bënim analizën. Analizë të hollësishme. Pastaj konkursi që fitova ishte prova më e mirë. Atëherë pavarësisht  se ishte sistem që dështoi, ku rol edhe në dranaturgji luante heroi pozitiv kërkesa ishte e madhe. Nuk kishte miqësi, hatëre, apo rryshfet për të fituar për aktrim. Absolutisht jo. Shkolla kishte kërkesa. Kishte rregulla. Kishte analiza. Jo kushdo mund të luante role, pa qenë e provuar dhe me shumë talent.

Mbas Institutit si vazhdoi jeta skenike e Hajrijes?

Unë që në shkollë isha e dashuruar me një djalë. Kështu që unë u martova pavarësisht se prindërit e të dy familjeve nuk donin. Prindërit e mi nuk donin pasi ai ishte nga Himara dhe himariotët mbaheshin  si njerës me biografi të keqe (eh, sot këto duken si ëndrra), pasi në 2 dhjetor të vitit 1945, ata kishin votuar kundra sisetmit komunist dhe kishin të gjithë familjet nga një pjestar jashtë shtetit. Por edhe prinëdrit e tim shoqi nuk donin pasi ishim myslimanë, pra për shkak të fesë edhe pse isha artiste. Pra në vitin 1972 u vendosa në Fier dhe ku bashkë me tim shoq flinim, në hotel Turizmi. Nuk kishim se ku tjetër. Gjithë rroga ime shkonte në pagesën për fjetje. Im shoq punonte në naftë dhe njëkohësisht ishte dhe sportist. Ishin kushte të paimagjinueshme. Këtu sakrifikova dhe fëmijën e parë vajzën 10 ditëshe. Sepse të tilla ishin kushtet. Më vdiq nga një grip. Ishte një dhimbje e madhe. Më vonë linda një vajzë dhe një djalë. Fëmijë që më dhanë gëzim të paparë. Ata janë drita e madhe në kërkimet e roleve të reja në jetë.

A e kishte fituar në atë kohë Fieri atë emër të madh që ka dhe sot për estradën dhe teatrin ?

Atëherë “Bylis” sa ishte formuar, kishte një vit. Nardi Poro, Koço Papadhopuli dhe Hatixhe Bendo, ishin aktorët e parë me shkollë të lartë, të tjerët ishin pa shkollën e lartë, por aktorë të mirë të talentuar. Kështu filloi të marrë formë teatri Bylis. Më vonë erdhi dhe Fatos Sela si i “dënuar”. Një aktor i talentuar ky, që në Tiranë kishte lënë gjurmë.

Kush e ngriti nivelin e teatrit në Fier?

Ardhja e regjisorit Pëllumb Kulla. Pëllumbi ishte dhe regjisor i mirë, por edhe krijues i talentuar. Ai u bë protoganist që ne të merrnim atë famë të madhe në vitet 1978-‘80.

Roli i parë me këtë trup?

Në fakt roli i parë  m’u dha në një dramë, e cila nuk u vu në skenë pasi në provat gjenerale nuk u aprovua. Sekretari i parë e ndaloi pasi nuk dilte roli i njeriut të partisë i edukuar me këto mësime. Unë atëherë isha shtatzënë. Kështu që roli i parë erdhi për mua tek drama “Heronjtë e Linasit” e Sulejman Pitarkës. Bënte fjalë për dy heronj të naftës që vdiqën mes flakëve që të ruanin pronën e përbashkët. Pra të shuanin flakët e zjarrit që kishte pushtuar një pus nafte. Unë kisha rolin e gruas së një prej personazheve. Kjo dramë u prit mirë. Fieri ishte lidhur me teatrin dhe nuk kishte vend tjetër ku të shkonin njerëzit për t’u argëtuar.

Roli më i spikatur në ato vite?

Në dramën “Gjëmimi i atij dimri”. Ishte një nga dramat më të mira që kemi vënë në skenë. Kjo ishte një vepër e Teodor Laços ku ne do të konkurronim në festivalin e teatrove në Tiranë. Fliste për Luftën N-Çl. Dhe pse nuk zumë çmim të veçantë ne spikatëm si teatër dhe pse trupë e re. Këtu kisha dy role. Isha vetëm 25 vjeç. Konkretisht ishte viti 1975. Dhashë të gjithë arsenalin dhe bagazhin tim. Ishte hera e parë që prezantohesha në Tiranë. Ishte përgjegjësi për të ardhmen time.

Kulmi i karrierës sipas mendimit tuaj?

“Klithma e një nëne të marrë”. Ishte një monodramë. U realizua në vitin 2006. Autori i saj është Odhise Plaku. E kam dhënë në Lushnjë, Fier, Tiranë, Vlorë, zgjat një orë e një çerek. Mora çmimin e karrierës në Festivalin e Momodramës. Eshtë një monodramë që prek problemin më të madh të shoqërisë postkomuniste, atë të prostitucionit.

Po në komedi kë rol do të veçoje?

Tanën, Tanën e famshme tek “Përrallë nga e kaluara” : Tana ajo është emblema e karrierës time.
Nuk po e them unë. Atë e kanë deklaruar dhe specialistë të mirëfilltë.

Tanën e ke.......

(...Më ndërpret)...Tana ishte pengu im. E kisha lexuar këtë vepër dhe në imagjinatën time shfaqej Tana sikur ta luaja në film apo teatër. Çdo aktor ka ëndërrimet e veta. Mua ky rol nuk më shqitej. Dhe zoti ma solli tek dera.

Si ndodhi?

Ishim me pushime në plazh në Himarë me tim shoq. Sepse ne aty kemi shtëpinë e të parëve e të tim shoqi. Ishim në Jalë. Aty takojmë rastësisht Dhimitër Anagnostin ishte me Rozën. E pyes se përse po punon dhe më thotë se kam në duar “14 vjeç dhëndërr” të Çajupit, por duke e çuar më tej duke e përpunuar më tej skenarin. Xhirimet do të jenë në Gjirokastër dhe në Zagori tek origjina e Çajupit. Nuk e pyeta më tej. Pas ca kohësh me një aktore më dërgoi skenarin, pa më thënë për rolin. Midis të tjerash mora vesh se për rolin e Tanës po merrte në kinoprovë dy aktore midis tyre dhe aktorja që më solli skenarin. Para vitit të ri ai vjen në Fier për vizitë në shtëpinë time. E pritëm së bashku me tim shoq si mund të pritej më mirë në atë kohë. Duke biseduar ai më thotë e lexove skenarin. E lexova i thashë. Si t’u duk roli i...(unë e ndërpreva) Kotes i them. Pse, i Kotes dhe jo i Tanës më thotë? Por ju për Tanën keni marrë në kinoprovë aktore të tjera i thashë. Jo, më tha. Tanën do ta luash ti. Bile, nuk më mori as në kinoprovë. Ishte një moment magjik. Brenda zieja nga gëzimi. Më ishte realizuar një ëndërr e madhe. Tana…Ai i kishte bluar me kohë rolet pavarësisht se bënte dhe kinoprova.

Një jetë e ngjeshur artistike. E lodhshme, plot lëvizje. Si do ta përshkruaje?

Jeta imë është vrap, është kros. Kudo që shkoja fëmijët i merrja me vete. Vajza thuajse vinte gjithmonë me mua.I zinte gjumi në makinë. I çoja në shkollat dhe çerdhet e qyteteve ku luanim. Në të ftohët, në mes të vapës, unë me fëmijët me vete. Shkolla e tyre ishte aty ku ishte nëna. Pra, sa muaj rrija unë me xhirime aq ditë ata rrinin me mua në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, etj..fëmijët e mi janë rritur si “Biri i regjimentit”. Unë u kam munguar shumë fëmijëve, edhe burri pasi ai ishte trainer. Unë i merrja unë me vete, ai nuk i shikonte. Fëmijët edhe kështu u bënë shumë të mbarë. Nuk më kanë nxjerrë asnjë problem
 
Folëm përgjithësisht për dramën dhe komedinë. Po rolet e filmit nuk i prekëm. Le të flasim pak dhe për këtë gjini?

Sigurisht. Kam momente shumë prekëse, shumë interesante. Në vitin 1980, ftohem të marrë pjesë në filmin “Vëllezër dhe shokë”,  të Dhimitër Anagnostit. Unë në këtë film luajta MARËN një fshatare. Isha 30 vjeç. Ishte roli i parë në film. Aty mora vesh që të luash film duhej parë me rrënjë biografia. Pra, derisa mora rolin, oficerët e sigurimit shkuan në Delvinë disa herë, pasi thuhej se kisha cen në biografi. Me hezitim të madh m’u dha e drejta. Këtu dua të përmend një moment. Vite më parë ishte realizuar  filmi “Thirrja” që kishte personazhe kryesore Justina Aliajn, këngëtare dhe aktore e madhe. Këtu ndodhi çudia, pasi dhe pse u luajt dhe u harxhuan miliona lekë, filmi nuk u vu në skenë, pasi Justina ishte këngëtare e festivalit të 11-të. Ky film u bë nga e para me aktore tjetër.

Si filloi ëndrra jote e filmit tek “Vëllezër dhe shokë” pasi biografia u rregullua?

Ditën që do të filloja për herë të parë xhirimet, ishte një ditë e keqe. E fillova keq për të më prirë e mbara më vonë. Do xhironim në Nartë. Erdhën dhe më morën në teatër në Fier. Binte shi i imët. Në Levan makina rrëshqet dhe futet midis dy makinave të tjera. Desh na bënë petë. Ishte 7 mars 1980. Unë u dëmtova në faqen e djathtë, poshtë afër buzës. Shenjë që e kam dhe sot, ku duket si rrudhë. Më çuan në spital dhe më qepën. Pas 20 ditësh kur u shërua plaga fillova xhirimet në Nartë. Në këtë film luajta rolin e Marës. Ishte një rol interesant që më bëri për vete.

Pra ky ishte roli i parë i si aktore filmi?

Si rol të parë do të thoja isha figurante në filmin “Yjet e netëve të gjata” të Dhimitër Gjikës. Aty kisha rolin e një figuranteje në një dhomë fshati, ku gratë e fshatit punonin triko për partizanët. Në dhomën që thurrnin në rol gjatë këngës ishte dhe një grua e dobët nga Korça. Por kur ajo këndonte zërin e kisht si bas. Nuk mund ta besoje që ajo grua e dobët të kishte  atë zë. Unë kur e dëgjoja qeshja.Tina ishte në avlëmënd duke punuar qilim. - Unë isha afër oxhakut. Prisha tre dubla. Viktori më bërtiti. Qava. Nuk e bëra me qëllim.

Filmi më i bukur si rol?

“Vëllezër dhe shokë” i Dhimitër Anagnostit, rol i plotë.
 
Idhujt e tu të skenës?

Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, etj..Ndërsa nga të hujat Ana Manjani. Thonë që i ngjaj (duke qeshur). Mjeshtri fotografisë në një film më  kanë thënë për herë të parë Ana Manjani. Sofia Loren është dive, por ajo nuk do ishte kjo pa Karlo Pontin, burrin e saj. Ndërsa Ana ishte e vetme, me punën e saj, figurën karakteret, se kishte burrin regjisor. Pra i ka ngjitur me vullnet, punë, pasion shkallët e vështira të skenës dhe ekranit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora