E shtune, 27.04.2024, 07:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Enver Kushi: Nga Çamëria mora me vete një degë ulliri dhe një gur dhe ia çova babait

E shtune, 18.10.2008, 10:00 AM


Nga Albert Zholi
 
Ju e kishit dëgjuar nga tregimet e babait tokën dhe shtëpinë e të paëve të tu, Mund të na përcillni impresionet kur vizituat Çamërinë?

Po. Ishte një ditë e nxehtë gushti rreth 18 vite më parë. Mbaj mend se ndërsa trageti la pas Korfuzin dhe unë vështroja brigjet e Çamërisë, si në jermi thashë fjalët: “Të kisha sytë e babait dhe nënës time! Sytë e tyre të kisha me vete që të çmalleshin...”. Impresionet? Ato i kam shprehur në reportazhin “Guri dhe dega e ullirit”, botuar në librin tim të fundit “Apokalips”. Spatari i të parëve të mi m’u duk vuv... Ai kishte rreth 50 vite që nuk kishte dëgjuar “gluhën” e banorëve të tij, të qarat e fëmijëve, kësodhet, këngët e vallet në dasma... Mbaj mend gjithashtu se duke ecur kuturu, gati-gati si në endërr, në një nga vendet nga ku duket deti Jon e tutje Korfuzi, kam qëndruar duke thirrur me zë të lartë: “Ku është kali? Kali i bardhë, që hingëlliu natën kur u vra Selmani i rrethuar nga zervistët . Po varri i tij ku është? Po varret e tjerë?... Ku janë varret e të parëve të mi? Varret kërkoj... Të vdekurit e mi kërkoj! Mos m’i fshihni ata. Rrënjët e mia mos m’i fshihni! Rrënjët kërkoj... Rrënjët. Mos m’i fshihni rrënjët!” Pastaj si kujtim mora me vete një degë ulliri dhe një gur. Mbaj mend se kur ia tregova babait tim, më besoni, ai qau si fëmijë. Gurin e kam vënë në një kornizë dhe nëna ime 80 vjeçare flet me të sikur të ishte njeri...

Në libra ke shkruar bukur për dashurinë. Sot si do ta përshkruani dashurinë për Çamërinë?

Është diçka sublime, nga ndjenjat më të bukura që e shoqëron çdo çam nga momenti i ngjizjes, të qarat kur del nga barku i nënës e gjatë gjithë jetës, deri kur përcillet me lot për në banesën e fundit. Pa dashurinë njerëzore, bota do të ishte si pa dritën e diellit apo ajrin  jetëdhënës... Ndrësa dashuria për Çamërinë ka një veçanti për çdo çam. Unë mendoj se ekziston dashuria e vërtetë... Letërsia që nga Homeri e deri më sot, e ka bërë dashurinë pjesë të pandarë të saj, duke  na dhënë mrekullinë e kësaj ndjenje nga më të mrekullueshmet e njeriut...
Lexoni lirikën popullore shqiptare dhe do ta gjeni atë të shprehur në format dhe mënyrat nga më befasueset.

Jemi peng të klasës politike. Pse?

Sepse politikës së sotme shqiptare i mungojnë shumë gjëra e mbi të gjitha dimensioni dhe shëmbëlltyra e prekshme evropiane... Ajo vuan makthet e së kaluarës 50 vjeçare, hijet dhe fantazmat e saj. Ajo vuan edhe nga ca sëmundje të tjera ose më saktë, në të  reflektohen edhe psikologjia alla shqiptare provinciale si dhe ca dobësi të  karakterit të shqiptarit, që Faik Konica, ndoshta nga të parët, i ka thënë dhe shkruar hapur në veprën e tij. Mjafton vetëm një ditë të dëgjosh politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave, do të kuptosh sa larg Evropës janë, ndonëse betohen e stërbetohen  për të, për portat e saj dhe që prej 16 vitesh vazhdojnë të enden nëpër terr në kërkim të çelësave për t’i hapur ato porta... Politikës shqiptare i mungon dimensioni human e social, ndonëse në programet e partive politike dhe fjalimet e  politikanëve shqiptarë, nuk mungojnë betimet e stërbetimet për popullin, zbutjen e varfërisë, rritjen e mirëqenies, lumturinë... Dhe më paradoksalja: partitë e majta në Shqipëri, qoftë në pushtet dikur e sot në opozitë, përveç fjalëve e programeve limonadë, janë shumë larg shtresave të varfra. Ata, janë nga më të pasurit dhe liderët e tyre “gromësijnë” nga bollëku. E mbi të gjitha, politikës shqiptare i mungon konsensusi, mirëkuptimi, marrëveshjet e mëdha politike... Çdo ditë, javë muaj apo vit, ajo shton muret ndarës, beton, ndarjen mes saj, vë barriera të pakapërcyeshme mes “vendit”. Thua se nuk kanë dalë nga i njëjti bark nëne, që quhet Shqipëri, nga i njëjti e nuk i përkasin një kombi e populli...

Kohët e fundit shihet se problemi çam për herë të parë u bë objekt diskutimi edhe tek mediat greke. Mendimi juaj për këtë moment?

Ne e kemi diskutuar edhe disa kohë më parë. Tashmë po ndërgjegjësohen edhe vetë historianët apo intelektualët grekë. Më lejo të bëjë një parantezë: Një nga apostujt e shqiptarizmës, engjëlli mbrojtës i shqiptarëve, Naim Frashëri shkroi mes shumë veprave të tjera, edhe poemën “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” Poema u shkrua në gjuhën greke. Ndonëse i shkuar mbi një shekull më parë, në një kohë kur në Ballkanin tonë tragjik, gatuheshin teoritë ultranacionaliste e shoviniste, që drejtoheshin kundër shqiptarëve, Naimi ynë, me shpirtin e tij të madh dhe largpamësinë gjeniale, bënte të kundërtën. Ai u drejtohej grekëve fqinj, trima e të zgjuar, për miqësi e harmoni...Por në të kundërt të dëshirës së apostullit tonë dhe të opinionit të shëndoshë  grek, veçanërisht i gjithë shekulli XX, ishte i hidhur, tragjik në marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve tanë. Koka të nxehta të  politikës shoviniste greke, do të hidhnin vështrimin përtej rrugëve e rrugicave që na bashkonin, përtej sinoreve që në shekuj kishin qenë jo vija ndarjeje, por bashkimi. Dhe ndodhi ajo nuk duhej të ndodhte: masakrimi, dëbimi me dhunë i një popullsie të  pafajshme, kriminalizimi i saj etj. Etj. Ky është realiteti. Kjo është e vërteta. Pohimi i këtij realiteti dhe i të vërtetave të hidhura, pohimi dhe jo mohimi i krimit të kryer, dënimi i atyre që i kryen ato, janë sa njerëzore, aq dhe civile. Që këtu e shoh unë prologun e zgjidhjes së çështjes çame. Pastaj vinë hapat e tjerë, siç do të ishte p.sh. lejimi i çamëve, veçanërisht atyre të moshave të mëdha, për të shkuar në Çamëri, për të shuar mallin, apo të venë një lule në varret e të parëve të tyre. E më pas? Le të ringjallen miqësitë e vjetra mes çamëve myslimanë, çamëve ortodoksë, grekëve dhe vllahëve të Thesprotisë. Vitin e shkuar në Tiranë kam takuar një grup turistësh çamë nga Paramithia, Gumenica e Margëlliçi, disa prej të cilëve me përmendin me mall shumë emra familjesh çame myslimane që kishin miqësi. Zgjedhjet e mëdha siç është problemi çam, nisin ngadonjëherë jo nga politika dhe politikanët, por nga njerëzit e thjeshtë. Ndoshta kjo që them unë mund të tingëllojë si utopi... Por jo. Vite më parë jam tronditur nga një letër, që vinte përtej brigjeve të lumenjve të mi Kalama e Aheron. Letra ishte shkruar nga Tula Stefanidhu (Malakata) nga Margëlliçi i Thesprotisë, ku ajo shpreh bukur humanizmin, dashurinë dhe dhimbjen për fatin e shoqes së saj të fëmijërisë; çames të bukur muslimane... Politika e sotme greke dhe populli grek ka nevojë për këto mesazhe. Problemi çam tashmë është një realitet konkret, për të cilin as nuk mund të heshtet dhe aq më keq të mendohet se mund të mbyllet. Zgjidhja e tij kërkon vullnet të mirë nga qeveritë tona, gjakftohtësi, mirëkuptim reciprok, humanizëm. Le t’ia nisim nga gjërat në dukje të thjeshta, vizitat reciproke, ftesat në dasma, shkëmbimet e ansambleve dhe grupeve folklorike çame... Atje kemi varret e të parëve, vallet dhe dasmat e lëna përgjysmë, amanetet, miqtë e të parëve tanë... Koha punon për miqësinë dhe afrimin e popujve tanë. Pra edhe njëherë...Koha punon për Çamërinë por dhe ne duhet të punojmë të gjithë përë të sidomos ne çamët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora