E hene, 29.04.2024, 03:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Thanas L. Gjika: Diktaturë e eger, tranzicion mashtrues

E merkure, 15.10.2008, 09:57 PM


Eugjen Merlika
DIKTATURË E EGER, TRANZICION MASHTRUES

 

(Shënime për veprën “ELEGJI PËR BREZIN TIM”  të Eugjen Merlikës)

 

Nga Dr. Thanas L. Gjika

 

Eugjen Merlika, djali i vetëm i ing. Petrit Mustafa Merlikës dhe i Helena (Gjika) Merlikës, është një nga shembujt e përkryer që vërteton fjalën e madhe: Liria jep rezultate. Themi një nga shembujt e përkryer sepse ndryshe nga të gjithë ata që filluan të sjellin kontributin e tyre në ecurinë e Shqpërisë drejt demokracisë mbas vitit 1990, ky intelektual e kishte marrë formimin e tij në kushte shumë e shumë më të  vështira se të tjerët.

Eugjen Merlika është bashkëmoshatar i diktaturës shqiptare, deri në vitin 1991 ai jetoi nëpër kampet e dëbim-internimit dhe provoi burgjet e Spaçit e të Zejmenit. Ai mundi të kryente me disa ndërprerje shkollën 7-vjecare e atë të mesme, duke lexuar e shkruar detyrat shkollore vetëm mbi krevat dhe mbi gjunjët e tij pranë një llampe me vajguri, pa pasur kurrë një tavolinë shkrimi, një abazhur, radio, makinë shkrimi, kompiuter, televizor, etj. Formimin e tij të vërtetë ai e mori me punën e tij këmbëngulëse autodidakte përmes leximeve dhe dëgjimit me vëmendje të madhe të bisedave të gjyshes, nënës, babait, xhaxhait dhe sidomos të të dënuarve të tjerë, klerikë e profesorë. Bisedat me të tillë njerëz i vlejtën atij më shumë se leksionet që patëm marrë ne në universitete.

Deri në qershor 1991, kur i kishte kaluar të 47-at, atij nuk i ishte lejuar të shkruante kujtimet e jetës, as të hartonte ndonjë artikull, analizë, etj. Mirëpo kapitullimi i diktaturës i dha Eugjenit të drejtën e të qenit qytetar i lirë, të cilën ai po e shfrytëzon me përkushtim të lartë qytetar. Në situatën e re ai përvec punës për të mbijetuar iu përvesh punës intelektuale për të kontribuar në emancipimin e shoqërisë shqiptare me gojë dhe me shkrim.  Shkrimet e viteve 1991-2004, të botuara në organe të ndryshme, ai i mbodhi në librin që kemi në duar dhe e hodhi në qarkullim për të përfituar gjithë ata që e lexojnë.

          Elegji për brezin tim është një vepër me vlera të shumanshme ku bie në sy lirizmi në rrëfime e përshkrime ngjarjesh dhe analiza e thellë në artikuj e shkrime problemore. Aty lexuesi njihet nga afër me jetën dhe punën e rëndë të të dënuarve  në kampet e dëbim-internimit, ku orari i ditës së punës fillonte në tre të mëngjezit me apelin e stërzgjatur dhe mbaronte në gjashtë të mbrëmjes, gjithnjë në prani të policëve të armatosur.

Në fillim kampet e dëbimit u konceptuan nga partia shtet si kampe të shfarrosjes së armikut të klasës, prandaj sot kur të dënuarit, që kanë mbetur gjallë, kërkojnë shpërblim për vitet e vuajtjes në kampin e Tepelenës për vitet 1949-54, u thuhet se nuk ka dokumenta për ekzistencën e atij kampi….

          Mjaft prekëse janë pjesët ku përshkruhet puna dhe jeta e mundimshme dhe fyese e të dënuarve në kampet e internimit dhe në ato të punës, ku nënat ishin të detyruara t’i linin fëmijët të lidhur në djep tërë ditën dhe kur ktheheshin në mbrëmje, disa i gjenin të vdekur. Skena që të kujtojnë tregimin e Migjenit Bukuria që vret. Fëmijët që i shpëtonin vdekjes rriteshin si qënie pa ëndërra, pa të ardhme, sa që shumë prej tyre nuk dinin, a duhej t’i falenderonin prindërit që i patën sjellë në jetë apo t’i qortonin për faktin se i kishin sjellë në një jetë aq të mundimshme…

Ushqimi për gjithë ditën ishte shumë i pakët: bukë misri me gramaturë të pakët, një tas me çaj e pak sheqer për mëngjez, një tas me supë bollguri plot krimba për drekë dhe pak gjizë e çaj për darkë. Për të plotësuar disi ushqimin njerëzit detyroheshin të mblidhnin në pyll lende lisi e barëra të ngrënshme. Në përbërjen e gjakut të popullit shqiptar deri më 1991 mungonin shumë vitamina e proteina, por këtyre njerëzve përvec mungesës akoma më të theksuar të vitaminave e proteinave në gjak, u mungonin edhe lëngjet në trup. Ata dalloheshin prej së largu për dobësinë fizike, prej së cilës disa vijojnë të vuajnë ende sot, si viktima të asaj jete.

Të dënuarit u mësuan me mungesat dhe kushtet e rënda të jetës, por, shton autori, më torturues ishte presioni psikologjik për t’i mbajtur ata nën presionin se do t’i arrestonin e burgosnin, jeta nën frikën e spiunllëkut prej bashkëvuajtësve a bashkëfshatarëve. Ai përmend arrestimin, gjyqin dhe burgun që pësoi si pasojë e spiunimit të një bashkëvuajtësi, më tej tregon për mbledhjet e detyruara të fshatarëve, ku i nxirrnin para sallës dhe duke i pështyrë, i demaskonin me shpifje si armiq që donin të përmbysnin pushtetin e popullit, që donin të sabotonin prodhimin, etj, etj. Të tilla poshtërsira i ndërpriste më në fund i deleguari i partisë, i cili për të treguar “zemërgjerësinë” e partisë, thoshte se nëna parti i falte, por ata duhej të punonin kokulur. Të tilla shfaqje poshtëruese skenoheshin me qëllime djallëzore: nga njëra anë ato trembnin fshatarët për të jetuar si pula të lagura; nga ana tjetër për t’i fyer kundërshtarët politikë të rregjimit.

Mirëpo drejtuesit e diktaturës së proletariatit, shton autori, nuk kuptonin se sa miopë po tregoheshin me këtë politikë poshtërimi. Ata po shkatërronin tiparet e karakterit të shqiptarit, tipare si mikpritja, mbrojtja e të dobtit, ruajtja e fjalës së dhënë, besimi tek Zoti, etj, etj. Duhej të vinte shëmbja e diktaturës që të zbuloheshin dëmet e madha që i pati shkaktuar sistemi diktatorial karakterit të popullit shqiptar:

Shqiptari, që nuk e kishte braktisur kurrë me dëshirën e vet atdheun, por kishte praktikuar vetëm kurbetin sezonal ose disavjecar, tani mori nga sytë këmbët, u shpërngul me kuc e me mac dhe u turr drejt botës së lirë si qeni i lëshuar nga zinxhiri.

Shumë shqiptarë, si nga ata që mbetën në atdhe dhe nga ata që u shpërngulën përvehtësuan si zanat vjedhjen, për të kapërcyer gjendjen shumë të varfër në të cilën ishin katandisur gjatë shpronësimeve të pafund të diktaturës.

Shumë të tjerë filluan të merren me ushtrimin e blerje-shitjes së drogës, të prostitucionit, të kalimit klandestin të njerëzish, pa menduar për dëmin që u shkaktonin viktimave.

Analizat e shumta që u bën autori shumë ngjarjeve të mbas 1991-it dëshmojnë për pjekurinë e tij, për shpirtin human, për superioritetin që ka njeriu i edukuar me frikën e Zotit, me besimin se një ditë do të japë llogari për gjithcka bën e thotë.

Eugjen Merlika jeton me shqetësimet dhe problemet e brendshme dhe të jashtme të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, në Shqipëri, Kosovë e gjetkaë. Atë e bën të vuajë cdo lajm i keq për popullin e tij dhe e gëzon cdo lajm i mirë. Po aq i ndjeshëm është ky autor edhe për problemet madhore të njerëzimit. Ai vuan dhe e dënon terrorizmin e terroristët që shkatërruan kullat binjake më 11 shtator 2001.  

Analizat e thella të fenomeneve shqiptare, përshkrimet plot dhimbsuri për njerëzit, hymnet që u thurr ai dy gjysheve të tij dhe nënës së vet, përvujtneshës së madhe Helena, pa kërkuar hakmarrje e shpagim, por vetëm duke kërkuar drejtësi e ndreqje të karakterit të shqiptarit, janë dëshmi e superioritetit të formimit mendor e moral të këtij njeriu.

Tematika e trajtuar në ato 285 faqe është shumë e gjerë. Leximi i veprës të mbush mendjen se një njeri i përvuajtur si Eugjen Merlika ka kaluar një shkollë të lartë të perfeksionimit shpirtëror, se ai është shenjtëruar gjatë atij kalvari dhe mund të mësohet shumë prej tij.

Kurajoja civile është një tipar dallues i autorit Merlika. Ai i drejtohet me letër presidentit Mojsiu për padrejtësinë e shpërblimit të pabarabartë për vitet e dënimit të Fatos Nanos dhe të dënuarve të diktaturës, ai demaskon z-njën Nexhmie Hoxha për intervistën që i dha gazetarit italian A. Purgatori në gazetën Corriere della Sera ku me paturpësi ajo theksonte se në kohën e saj nuk kishte skafistë. Merlika i përgjigjet se ajo nuk duhet të harrojë se në kohën e saj pasuria e popullit u shkri për ndërtimin e 600.000 bunkerëve, për rrethimin e vendit me tela me gjemba, për të paguar brenda e jashtë vendit puthadorët që propagandonin se Shqipëria ishte një eldorado, etj, etj.

Kulmin e vet aspekti analitik dhe kurrajoja qytetare e autorit Merlika e arrin në artikullin Mashtrimi i Madh. Në këtë shkrim autori padit me të madhe duke ia çjerrë maskën projektuesit të Katovicës shqiptare, Ramiz Alisë, i cili në vitin 1989 parashtroi para plenumit të KQ të PPSh projektin e tij për kapërcimin e Shqipërisë nga sistemi njëpartiak diktatorial në sistemin shumëpartiak, nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut. Me citate konkrete autori tregon se Ramiz Alia ndonëse pranoi humbjen dhe sugjeroi tërheqjen, në fakt ai thuri e vuri për zbatim një plan mashtrues për zbatimin e një loje politike djallëzore duke futur njerëzit e ish diktaturës në të gjitha partitë politike me qëllim që Shqipërinë e nesërme ta gëzonin, si po e gëzojnë, bijtë e nomenklaturës komuniste.

 Ky fakt zbulon shkakun pse prona nuk ka shkuar ende tek i zoti, pse sot dekorohen me medalje të larta ish sigurimsa e shërbëtorë të diktaturës së djeshme, pse nuk shpërblehen për vitet e burgut të dënuarit e kohës së diktaturës si u shperblye Fatos Nanoja për vitet e burgut që bëri në vitet e tranzicionit në kushte komode dhe pa kryer punë të detyruar, pse nuk gjejnë punë në atdhe të rinjtë shqptarë që kualifikohen jashtë shtetit, etj, etj.

Gjithë këto vlera të librit, si dhe shumë të tjera që nuk kemi mundësi t’i shtjellojmë këtu, tregojnë se Eugjen Merlika midis intelektualëve të sotëm shqiptarë zotëron një nivel të lartë atdhetarizmi, intelekti dhe karakteri, se për njerëz të tillë ka nevojë shoqëria jonë për të kryer proçesin e domosdoshëm të shkëputjes rrënjësore nga komunizmi dhe mendësia e tij që ende vijon të frenojë ecjen përpara të Shqipërisë.

          Për vlerat e mëdha që ka ky libër, Ministria e Arsimit duhet ta ribotojë me fondet e veta në mijra kopje dhe ta shpërndajë anë e kend atdheut si dhe në Kosovë, Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët sot.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora