E diele, 28.04.2024, 06:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Një bashki në Itali kujton sot piktorin Lin Delia e fraçeskanin At Zef Pllumi

E shtune, 18.10.2008, 10:06 AM


Nga Gazeta 55
 
Të shtunën me datë 18 tetor bashkia e Antrodokos në Itali, organizon tubimin “Antrodoko, vend miqësie e pikëtakimi ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”. Takimi u kushtohet Lin Delisë, piktor, Atë Zef Pllumit, frat françeskan e Lukë Kaçajt, bas, që të tria figura të njohura të kulturës e të jetës shpirtërore shqiptare.
Tubimi organizuar nga bashkia e qytetit të vogël lacial Antrodoko, në bashkëpunim me muzeun e qytetit, i cili mban emrin “Lin Delija-Karlo Çezi”, si edhe me shoqatën kulturore “Lin Delija” dhe shoqatën tjetër kulturore “Schola cantorum”, do të presin një delegacion nga Shqipëria, në të cilin do të ketë përfaqësues të politikës, e të kulturës shqiptare.
Takimi, organizuar me nismën e Armando Nikoletit, kryetari i shoqatës “Lin Delija” është një rast i mirë për të përforcuar dialogun ndërmjet dy vendeve mike, një dialog i pasur ky në lidhje kulturore e shpirtërore e që kësaj radhe do të ketë si temë kryesore kujtimet lidhur me këto tri personalitete të rëndësishme të jetës shqiptare.
Gjithashtu me këtë rast në mjediset e shoqatës “Lin Delija” do të çelet edhe një ekspozitë e përgatitur nga Fabio Grasi dhe Federica Mançini me dokumente nga arkivat e Paskuale Kiupi dhe Armando Nikoleti. Ndërsa “Schola Cantorum” do të përkujtojë basin Lukë Kaçaj nëpërmjet ekzekutimit të disa pjesëve nga repertori i saj. Festimet do të mbyllen me vizitën në qendrën e në muzeun e qytetit të Antrodokos kushtuar Lin Delisë dhe Karlo Çezit, nën drejtimin e znj. Antonela Muzi.
Papa në 10 vitet e encikiklës “Fides e ratio”: Kisha mbron forcën, jo arrogancën, e arsyes/Kisha mbron me forcë arsyen e besëlidhjen e vet me fenë kundër rrezikut të dyfishtë të arsyes së ligsht , e paaftë të gjejë të vërtetë, e të një arsye arrogante që do të donte të zëvendësonte Zotin në jetën e njeriut. Kështu tha Papa në fjalimin e tij drejtuar sot paradite në Vatikan pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar organizuar nga Universiteti Papnor i Lateranit, më rastin e përvjetorit të botimit të Enciklikës “Fides et Ratio” (Feja e Arsyeja). Benedikti XVI nënvizoi “aktualitetin” e rëndësishëm të Enciklikës Fides et Ratio të Gjon Palit II edhe për ditët tona, sepse ky dokument “karakterizohet për hapjen e madhe ndaj arsyes, sidomos në një periudhë në të cilën teorizohet ligështia”: “Kisha....ka dashur ta mbrojë forcën e arsyes e aftësinë e saj në arritjen e së vërtetës, duke e paraqitur akoma edhe njëherë fenë si formë të veçantë të njohjes e diturisë, në saje të së cilës arsyeja hapet ndaj së vërtetës së Dëftuar Hyjnore (krh Fidet et radio, 13). Lexojmë në Enciklikën e përmendur se duhet të kemi besim në aftësinë e arsyes njerëzore e kështu të mos i vejmë vetes qëllime tepër modeste. ”Është pikërisht Feja ajo që e provokon dhe fton arsyen të dal nga izolimi e të rrezikohet (flijohet) vullnetarisht për gjithat që është e bukur, e mirë dhe e vërtetë. Kështu feja bëhet avokate e bindur dhe bindëse e arsyes’ (n.56)”. Sot - vijoi Papa Benedikti XVI - “është verifikuar një rrëshqitje nga një mendim kryesisht spekulativ në një mendim më shumë eksperimental. Kërkimi është zhvilluar sidomos në vështrimin e natyrës duke tentuar të zbulohen sekretet. Dëshira për të njohur natyrën pastaj është shndërruar në vullnetin për ta riprodhuar atë”: “Ky ndryshim nuk ka qenë pa dhimbje: evoluimi i koncepteve ka prekur marrëdhëniet ndërmjet fesë e arsyes me qëllim që të sjell njërën dhe tjetrën të ndjekin rrugë të ndara e të ndryshme. Arritjet shkencore e teknologjike, me të cilat feja është përherë e më tepër e ftuar dhe e provokuar të ballafaqohet, ka modifikuar konceptin e lashtë të arsyes; në një farë mënyre, e ka mënjanuar arsyen që e kërkonte të vërtetën e fundit të sendeve për ti krijuar hapësirë një arsyeje që paguan për të zbuluar të vërtetën e mundshme të ligjeve të natyrës”. Këndej ripohohet rëndësia e kërkimeve shkencore dhe e zbulimeve të saj: “Feja, nga ana e saj, nuk i frikohet progresit të shkencës e zhvillimeve në të cilat çojnë arritjet e saj, kur këto kanë si finalizim ( cak të vetin) njeriun, mirëqenien e tij dhe përparimin e mbarë njerëzimit. Siç përkujtonte autori i panjohur i Letrës së Diognetit: ‘Pema e dijes nuk vret, por pa dëgjesa. Nuk ka jetë pa shkencë, as shkencë të sigurt pa jetë të vërtetë’ (XII,2.4). Megjithatë, ndodhë, që jo gjithmonë shkencëtarët i orientojnë kërkimet e tyre për këto qëllime. Fitimi i lehtë apo, edhe më keq, arroganca për të zëvendësuar Krijuesin, nganjëherë luajnë, roli vendimtar”. Mendjemadhësia e arsyes - pohon Papa - “mund të marrë karakteristika të rrezikshme për vet njerëzimin”. Nuk është fjala për të “kufizuar kërkimin shkencor”, por për të vigjiluar në mënyrë që t’i përmbahet “brazdave të shërbimit të saj për të mirën e njeriut”. Shkencëtari pastaj duhet të ketë një qëndrim të përvuajtur sepse “nuk krijon asgjë”, por thjesht “zbulon” të vërtetën që veç ekziston në natyrë të krijuar prej Zotit.
Imzot Miliore në OKB: shteti i së drejtës ndihmon zhvillimin ekonomik/“Rëndësia në rritje e shtetit të së drejtës” edhe për ekonominë u nënvizua dje nga kryeipeshkvi Çelestino Miliore, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, i cili foli në Asamblenë e 63-të të Përgjithshme në Nju Jork. Kriza aktuale ekonomike, nënvizoi imzot Miliore, vë në dukje se është i nevojshëm një shtet më i mirë i së drejtës, për të ndihmuar jo vetëm daljen prej problemeve aktuale, por edhe formimin e një sistemi më të drejtë ekonomik global. Në vendet në zhvillim, shteti i së drejtës mund të sigurojë rritjen shoqërore dhe ekonomike, ndërsa në vendet e zhvilluara, me shumë qëndrueshmëri dhe drejtësi ekonomike. Sipas imzot Miliores, shtet i së drejtës do të thotë, para së gjithash, respektim i të drejtave të njeriut. Por as kjo nuk mjafton. Të drejtat e personave, shpjegoi Vëzhguesi i Vatikanit, nuk janë thjesht një grumbull me norma ligjore, por përfaqësojnë vlera themelore. Këto vlera duhet të njihen nga shoqëria, përndryshe rrezikojnë të zhduken edhe nga tekstet legjislative. Më pas, imzot Miliore trajtoi disa aspekte të veçanta të shtetit të së drejtës. Kujtoi lidhjen e ngushtë me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që sivjet mbush 60 vjet. Pastaj mbrojtjen e personave, që është përgjegjësi e çdo shteti, por që kërkon ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, kur një vend nuk është në gjendje ose nuk dëshiron ta marrë përsipër këtë përgjegjësi themelore. Në këtë pikë, imzot Miliore theksoi se rruga për t’u ndjekur nuk është vetëm ajo e aksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo përdorimi i forcës, por edhe rruga e bashkëpunimit. Së fundi, sistemi i traktateve dhe i konventave ndërkombëtare, për të cilat imzot Miliore nënvizoi se nëse largohen nga qëllimet fillestare të palëve, humbin legjitimitetin dhe i shtyjnë vendet të mos i ratifikojnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora