E premte, 26.04.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Golemi: Mao Ce Duni ndikoi për ndërprerjen e boksit në Shqipëri

E shtune, 18.10.2008, 12:06 PM


Ahmet Golemi:  Ç’është ky sport, kështu do të na pakësohen kinezët. Ne duam të shtohemi, jo të pakësohemi.

Mao Ce Duni ndikoi për ndërprerjen e boksit në Shqipëri

Nga Albert Zholi
 
Dhe vitet rrjedhin ashtu natyrshëm, duke marrë me vete ngjarje, emocione, të fshehta, peripeci, pa ditur që koha si gjykatësja më e mirë nxjerr në pah ato ngjarje që njeriu nuk ka dashur t’i dijë për jetën e vet. Kështu është dhe me jetën e boksierit, shkrimtarit, komentatorit Ahmet Golemi. Askush nuk mund ta besojë se ky njeri kaq i qeshur, kaq fisnik, kaq i dashur, kaq energjik, ka kaluar vite të tëra burg në emër të absurdit. Por ai asnjëherë nuk është ankuar, asnjëherë nuk ka fyer, asnjëherë nuk ka sharë apo ofenduar edhe ata që e kanë denoncuar apo dënuar padrejtësisht. Hakmarrja është larg tij.  Përkundrazi ai ka ditur të falë. Të falë. Brenda tij gjallon një cilësi që rrallë njerëz e kanë. Këtë e bëjnë njerëz me zemër të madhe, njerëz vizionarë, të emancipuar, të dashuruar me jetën dhe njeriun. Dhimbjet e jetës ai i ka mposhtur me punë, me studime, krijimtari, dashuri njerëzore. Në pamjen e tij kurrë s’mund të perceptosh se Ahmeti me dashamirësinë e një fëmije mund të jetë marrë me boks. Me sportin më burrëror. Me sportin që kërkon përgatitje fizike, por që sipas tij, është kaq sport njerëzor sa dhe noti, atletika apo çiklizmi. Sipas tij, boksi nuk ka asgjë të egër, të vrazhdë, përkundrazi, tek burrëria qëndron dhe dashuria njerëzore e këtij sporti të vështirë. Burri i fortë (sipas tij), di të dojë dhe ledhatojë më mirë se kushdo, pasi tek burrëria është lidhur pazgjidhshmërisht fisnikëria dhe ndjeshmëria më e sinqertë e njeriut. 
 
Flitet shumë për jetën tuaj. Jetë si një film hollivudian? Mund të në çoni paksa në këtë jetë që të zbulon shumë dhimbje?

Eh! Një jetë interesante që askush nuk mund ta besojë. Me origjinë jemi nga Gjirokastra nga familjet e pasura të Gjirokastrës (nga nëna), familje patriotësh intelektualësh, familja e dëgjuar e Çelo Picarit, ndërsa babai nga Golemi, nga fisi i Çobo Golemit një patriot i dëgjuar dhe ky. Ne jemi tre vëllezër, vëllai i madh ka lindur në Golem aty ku ha pula gur. Më vonë babai im për arsye ekonomike, kaloi në disa vende të Shqipërisë (para çlirimit),  për t’u marrë me tregti. Shkoi në Delvinë në një fabikë vaji, më vonë erdhi në Durrës ku hapi një kafene dhe pastaj u puq me 3 kunetërit dhe vendosën të shkojnë në Amerikë. Por u vonua vapori dhe babai im vendosi të mos shkojë. Në këtë kohë i thonë të hapë një dyqan në Burrel. Një dyqan kafeje pasi nuk kishte kafene në Burrel. Dy kunetërit ikën, babai u vendos në Burrel. Kafeja e Haxhi Golemit quhej. Pra unë kam lindur në Burrel në vitin 1936.
Vëllai i mesëm filloi të fliste gegërisht pasi ne na thoshin toskë. Në vitin 1943 Burreli u dogj, në luftën midis partizanëve dhe trupave gjermane. Aty nuk mund të rrihej më. U detyruam të largoheshim dhe u vendosëm në Tiranë. U vendosëm në pallatet Moskat. Këtu babai hapi sërishmi një lokal me ushqime të çastit si qofte bërxolla, ku shumica hanin dhe pinin veresie. Reforma agrare i dha 40 dynym mbrapa stadimiut Dinamo sot.

Ku i filloi mësimet e para për boksin Ahmeti?

Në shkollën “11 Janari”. Aty fillova shkollën fillore. Qysh fëmijë u futa  në rrethin e boksit në Shtëpinë e Pionierit. Profesor Rexhep Rama ka qenë ai që më ka ndihmuar dhe më udhëzoi drejt rrugës së bukur të boksit. Ai më zbuloi si talent në Shtëpinë e Pionierit. Ai më ndihmoi për të fituar dhe bursën për Institutin e Fizkulturës. E mbarova shkollën në vitin 1955. Isha vetëm 19 vjeç. Mbas Institutit punova 20 vjet mësues në Tiranë.

Kur e ke zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare të boksit profesionist?

Po zhvillohej Spartakiada e Shoqërisë Sportive Puna dhe profesor Rexhep  Rama më zgjodhi mua dhe Xhabir Manxhelakun (Krujën) për të marrë pjesë nga Shtëpia e Pionierit. Ne hapëm Spartiakadën. Ishte pikërisht shkurti i vitit 1950. Ne dolëm me kanotiere dhe me mbathje. Na pritën me duartrokitje. Xhabiri doli kampion. Ishin emocione të paparashikueshme, pasi ishte hera e parë që dilja në një aktivitet me përmasa të tilla. Ishim 14 -vjeçarë. Po këtë vit, në maj të vitit 1950, në  Elbasan u zhvillua Kampionati Kombëtar i Boksit të parë për të rinj, ku dola kampion. Isha në klasë të 6-të. Dola kampion në peshën 45 kg, ndërsa Xhabiri në peshën 45-48 kg. Fitoret vazhduan. Në vitin 1951 dola kampion në Korçë përsëri në këtë Kampionat.

Kush ishin trainerët që ju çuan drejt fitoreve në ring?

Unë kam pasur dy trainerë. Njerëz të mirë, intelektualë të sinqertë, njerëz me botë të gjerë që rrallë gjen sot. I pari ishte Rexhep Rama dhe i dyti shumë i mirënjohuri Ali Kastrati.

Sa kohë zgjati karriera juaj në ringun e boksit?

Si boksier profesionist (në se mund të shprehem kështu) zgjati nga viti 1954 deri në vitin 1963, kur u ndërpre boksi. Ndërsa si sportist në ring nga viti 1950 deri në vitin 1963, pra afërsisht 13 vjet me doreza. Ato doreza që i vura në moshë të njomë, i vara pa dashur në kulmin e sukseseve.

Trofetë

Plot 9 tituj, pesë herë kampion i vendit dhe katër herë nënkampion.

Titujt

Në vitin 1963 më akordohet titulli “Mjeshtër Sporti”, ndërsa në vitin 1993 “Mjeshtër i Merituar i Sportit”

Cilat janë disa nga veçoritë e sportit të boksit. Çfarë duhet të ketë një sportist që merret me boks?
Në radhë të parë përgatitje fizike. Boksi është sport i rëndë dhe do një përballje me vendosmëri: pra boksieri duhet të jetë dhe atlet, duhet të ketë kërcimshmëri, lëvizshmëri, si dhe përgatitje teknike. Kjo ka elementët e saj si një sport i veçantë. Një element është boksimi në distancë që kërkon intuitë dhe vendosmëri. Pastaj janë dhe elementët psikologjik. Duhet të përballosh goditjet duhet të besosh në vetevete, në forcën e grushtit, teknikën e tj. Të mos hutohesh. Boksi është një sport që të do gjithmonë vigjilent me një përgatitje psikologjike maksimale. Një sekondë vendos fatin e ndeshjes. Nqs nuk u tregove i vëmendshëm kundërshtari e shfytëzon këtë sekond dhe të rrëmben fitoren. Për këto elementë në vitin 1957 jam cilësuar boksieri më i mirë i Kampionatit. Unë e kam hobi boksin. Nuk mund të rri pa të.  E nisa që i vogël. Për mua është një sport burrëror. Kam dal në ring me besim. Se vetëm do të fitoj. 
 
“Knokdaun” dhe “knokaut” a i ka njohur në ring Ahmeti?

Në sport jo, por në jetë po. Pra, asnjë kundërshar në boks nuk më ka rrëzuar në këtë mënyrë, ndërsa në peripecitë e jetës jashtë teatrit boksor,  po.

Sigurisht që ju keni pasur dhe kundërshtarë që i kujtoni si të vështirë?

Sigurisht kisha shumë, pesha ime ka nxjerrë boksierë të talentuar. Në përgjithësi vendi ynë kishte boksierë të shkëlqyer. Do të veçoj Mehmet Kryeziun, Niko Milen, Ymer Reçin dhe Selim Bardhetin.

Kur ishit në Institut a e vazhduat boksin dhe me kë klub u angazhove?

Kam një diçka në këtë moment. Pra, kur isha në Institut, në vitin e dytë, prof. Rexhep Rama më ngarkoi detyrën e Instruktorit në Shtëpinë e Pionierit për boksin. Pra dhe vazhdoja mësimet dhe jepja mësim si instruktor. Ishte një detyrë që më pëlqeu shumë dhe unë e bëja me shumë kënaqësi. Këtu u futa dhe trainer në shoqërinë “Puna”. Në atë kohë kishte 4 lloj organizimesh për sportin, që ngriheshin mbi baza ndërmarjesh apo profesionesh, si marangozët, mekanikët, ndërtuesit etj..ishin dhe klubet Partizani dhe Dinamo.
 
Kur u bëtë pjesë e klubeve të dëgjuara?

Pikërisht në këto vite. Nga “Puna” kalova në vitin 1955 me Tiranën dhe në vitet 1956-57 me “Partizanin”.

Po takimin e parë ndërkombëtar kur e ke luajtur?

Pikërisht në Kirovakan, në qytetin e Armenisë sot. Ish- shtet i BRSS (dje) që është në kufi me Iranin. Ne në fakt aty shkuam për të marrë përvojë. Ky vend ka pasur të zhvilluar gjimnastikën si Republikë. Dhe boksin. Bile në këto dy sporte ka pasur shumë kampionë. Armenia si shtet kishte 2 milionë banorë dhe kryeqytet Erevan me 200 mijë banorë. Këtu u zhvillua një minikampionat me pjesëmarrsit e vendeve ish-komuniste. Ne ishim gjithsej 8 veta dhe fituam 6 ndeshje dhe humbëm 2 ndeshje. Pra 6-2. Ndeshjet e tjera i zhvilluam në Erevan. Bëmë shumë bujë pasi fituam ndaj shumë boksierëve. U shqetësua dhe Moska me këtë fitore. Të gjithë pyesnin, ku i nxori boksierët ky vend i panjohur? Ne shkuam me emrin “Të rinjtë e boksit të Tiranës”. Në Erevan ne zhvilluam tre takime të ndryshme ndërkombëtare. Në takimin përfundimtar ne zumë vendin e tretë pas Letonisë, Bullgarisë, vende që kanë pasur boks të zhvilluar. Në Erevan unë humba një ndeshje me pikë. Këtu morëm mësime me një nga trainerët më të mirë të Erevanit.

Po në Tiranë kush ishte ndeshja më e fortë?

Në vitin 1958 në Stadiumin “Qemal Stafa” u zhvillua një ndeshje midis ekipit tonë “Shpresa” dhe ekipit “Shpresa” të Hungarisë. Mua më ra me boksierin më të fortë. Në pamje të parë ai nuk ta mbushte mendjen. Mendova se do ta hedh menjëherë në tokë. Në fakt e rrëzova në tokë, por gjyqtarët rusë thanë se është goditje e parregullt. Kështu fitoi hungarezi me pikë. Pas këtij takimi zhvilluam dy muaj stërvitje për të shkuar në Gjermani ku do të zhvillohej sërishmi një turne me vendet ish- komuniste, ku do të vinte dhe ekipi Hungarez. Llazer Pap ka qenë boksieri më i famshëm i këtij vendi, 3 herë kampion Olimpik. Por çuditërisht, mua nuk më çuan në Gjermani për çështje biografie!!! 
 
Pra këtu morët “Knokdaun”-in dhe “knokaut”-in e parë të jetës?

Po. (qesh). Ishte çudi pasi unë kisha shkuar disa herë jashtë. Kur m’u prish biografia menjëherë? Kjo më goditi rëndë. Ishte viti 1961. Kjo bëri që të heq dorë nga boksi. Më vinte të qaja. Atëherë u detyrova të merrem vetëm me detyrën e trainerit. Në vitet 1962-63 vazhdova këtë detyrë. Pikërisht viti 1963, ka qenë viti dramatik për boksin.

Pse…?

Në vitin 1963 do të zhvillohej Olimpiada Aziatike, në Indonezi. Ekipi ynë Kombëtar po përgatitej, por mua sërishmi nuk më aktivizuan. Më dukej sikur të gjithë më shihnin me dyshim. Por pikërisht ishte ky vit që sporti i bukur i boksit të mbyllej.

Arsyeja?

Në Janar të vitit 1964, boksi nuk doli në kalendarin e vitit sportiv në Shqipëri. U habitën të gjithë, por ne që merreshim me këtë sport burrëror më shumë. Futbolli dhe boksi në atë kohë ishin sportet më të përhapura, më popullorët. Arsyeja doli më vonë. Shkas ishte bërë Kina. Në Librin Universitar kisha blerë një revistë kineze. Aty tregoheshin midis të tjerave dhe boksierët kinezë. Në vitin 1963, në Pekin u zhvillua kamionati i parë i boksit kinez. Në këtë kampionat organizatorët kishin ftuar dhe Mao Ce Dunin. Ai kur pa këtë lloj sporti, ku sportistët merrnin grushte nga njëri- tjetri, u tha organizatorëve. Ç’është ky sport, kështu do të na pakësohen kinezët. Ne duam të shtohemi, jo të pakësohemi. Pas kësaj vërejtjeje në Kinë u ndalua boksi. Atëherë marrëdhëniet tona me Kinën ishin të shkëlqyera. Ky moment ndoshta ndikoi edhe në boksin shqiptar, pasi, sa u ndalua në Kinë, ky sport burrëror u ndalua të ushtrohej edhe në Shqipëri. Pra u hoq si një sport agresiv. U quajt borgjezo-revizionist.

A ndiqej nga udhëheqësit shqiptar ky sport?

Nga Hysni Kapo. Ai ishte një nga udhëheqësit kryesorë pas Enver Hoxhës. Por nuk di se çfarë roli luajti ai në këtë mes.

Si e prite këtë moment?

Nuk e di ç’të them. Nuk mund të flisje në atë kohë. Shumë gjëra i bluaja me vete. Më vinte shumë keq për ata talente të reja që kisha stërvitur dhe që tashmë nuk do ta shkelnin më tapetin e ringut. Ndërsa vetë kisha hequr dorë përfundimisht nga ndeshjet me doreza në tapet. Më kishin mënjanuar në kulmin tim, në kohën kur sukseset ishin të njëpasnjëshme.

A mund të na përcjellësh momente nga ndeshja më e bukur që ke bërë brenda vendit?


Do theksoj...Ne kishim vetëm një fitim në atë kohë, vetëm anën morale. Unë isha në peshën 63-65 deri 67 kg. Isha shumë njerëzor në ndeshje. Pesha ime kishte shumë rivalitet. Me ata që jam ndeshur, sot janë me titullin “Mjeshtër i Merituar”. Kanë qenë shumë ndeshje. Në një Spartiakiadë në vitin 1959, ku kishte dhe një delegacion rus, unë mora medalje duke u shpallur dhe sportisti më i mirë. Por do të veçoj ndeshjet me boksierin durrsak Selim Bardheti. Ishte një boksier energjik, ezmer, cigan, që arriti shumë shpejt rezultate të shkëlqyera. Ai në vitin 1959, doli kampion në Spartakiadë. Mundi Dhimitër Cekanin dhe Bejkush Birçen. Doli nënkapinon në Gjermani dhe fitoi në Tiranë me hungarezët. Sërishmi doli kampion në vitin 1960. Ndërsa në vitin 1961 erdhi për ndeshje miqësore me mua në Tiranë. Erdhi për të fituar, pasi unë isha një peshë më lartë. Ai kishte marë një suitë me vete. Shumë nga shokët bile dhe prindërit. Unë e munda pastër. Ai e kundërshtoi fitoren time. Nuk e pranoi. Më ftoi në Durrës në vitin 1962. Unë nuk shkova. Vjen sërishmi në Tiranë në këtë vit. Për çudi më merr raundin e dytë. E them raundin e dytë pasi unë në gjithë karrierën time sportive si boksier  i kam fituar gjithmonë dy raundet e para. Pra, asnjëherë nuk kishte ngjarë të më merrnin kundërshtarët një nga dy raundet e para. Në këto raunde unë transmetoja dinamikë, presion për të arritur fitoren më vonë. Selim Bardheti në atë ndeshje ma mori raundin e dytë. Menduan se pas marrjes së këtij raundi, unë do ta humbja ndeshjen. Por edhe atë ndeshje unë fitova pastër. Gjithashtu në 50- vjetorin e Pavarësisë ndeshem sërishmi në Vlorë në Spartiakadën speciale me të. Fitova sërishmi. Kështu u vendos fitorja ime me këtë sportist të talentuar. 
 
Pas mbylljes së sportit të boksit iu përkushtuat letërsisë. Si filloi rruga juaj e krijimtarisë?

Doja të plotësoja një boshllëk. Unë gjithmonë lexoja shumë. Vëllai im i madh ishte i apasionuar pas librit. Ai sillte në shtëpi gjithmonë libra të verdhë që ishin të ndaluar për atë kohë t’i lexoje. Lexoja Shekspirin, Ibsenin, Tolstoin, shkrimtarët francezë etj… Herë pas here dhe i konspektoja këto libra. Gjeja gjëra interesante.
 
Po gjatë kësaj kohe a u njohët me krijues të tjerë?

Unë në këtë kohë mora shtëpi në lagjen “21 Dhjetori” dhe kisha afër dhe Kadarenë. Tek Lidhja e Shkrimtarëve të parë që ishte tek Teatri Kombëtar ngjitur (aty ku ishte Bingo Ylli), vinin dhe loznin shah Vath Koreshi, Teodor Laço, Llazar  Moçka, Dionis Bubani që luanin mirë të gjithë. Pas sallës së madhe ishte një dhomë e vogël që mblidheshim gjithmonë dhe loznim. Aty vinte edhe Ismail Kadare. Disa herë kam luajtur dhe me të. Një ditë pas lojës e shoqërova deri tek kryqëzimi i rrugës ku hyje në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ai më thotë se “ke sjellë një poemë, e cila do të botohet të dielën. Më tha dhe Dalan Shapllo që është me talent ky djalë. Sidomos ato vargjet popullore ishin të veçanta. Momenti kur nëna ndahet nga Zonja Çurre. M’u bë qejfi që kryeredaktori Dalan Shapllo mbështeti mendimin tim për këtë poemë që të botohej”. E ndjeva veten mirë, pasi Ismaili ishte njeriu që e donte shumë sportin e boksit. Xhek Londoni, Bajroni, Ohendri, Eminguej kanë shkruar për boksin libra të rrallë, por edhe kanë ushtruar boks (Xhek Londoni dhe Eminguej), më thotë një ditë Kadareja. Një sport që të nxit, të motivon. Unë kisha shok vëllanë e Ismailit, Shahinin, i cili kishte televizor në atë kohë dhe ne shihnim boks. Aty mblidheshim unë, Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Qamil Buxheli etj… shkrimtarë të dëgjuar. Shikonim ndeshjet e mëdha Xhoxh Frezer, Muhamet Ali etj…

Çfarë nxitje të dha ky takim ?

Atë natë nuk fjeta gjumë. Ismaili më dha një mësim të mirë dhe më hapi një rrugë të re. Çfarë mund të shkruaja për boksin? Më lindi ideja për një tregim për boksin. Halim Petrela më dha një nxitje për tregim, si një rast i rrallë i boksit sepse ishte shumë teknik. Humbja e parë në ndërgjegjen time ka qenë humbja e tij në një ndeshje ku unë isha trainer i tij. Unë nuk doja ta pranoja humbjen e tij. Kur e pyetën Halimin përse e humbe ndeshjen (sepse ai u rrëzua) ai u përgjigj (ndryshe nga sa i thashë unë, se u rrëzua) sepse më goditi keq kundërshtari. Unë doja që ai të gënjente. Të thoshte se u rrëzova. Ai u tregua më i ndërgjegjshëm se unë. Pra atë kohë po dilte një brez i tërë bokiserësh të shkolluar, të cilët ishin jo vetëm të aftë, por edhe të ndërgjegjshëm. Kjo ishte fabula e tregimit tim, i cili u botua në gazetën “Drita”, ku Kadareja më ndihmoi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora