Editorial
Alma Lama: A duhet të tremben shqiptarët nga i ashtuquajturi “minishengen”?
E hene, 11.11.2019, 10:43 PM
A duhet të tremben shqiptarët nga i ashtuquajturi “minishengen”?
Nga
Alma Lama
Ka
një proçes që po shkon përpara në Ballkanin Përendimor, ndonëse ngadalë dhe pa
dinamizmin e dëshirueshëm. Ai është proçesi i Berlinit, i iniciuar nga
Gjermania në gusht të vitit 2014 dhe mbështetur fuqishëm nga vendet kryesore të
BE-së si Franca, Austria, Italia, Anglia, Polonia, etj, përfshirë edhe
strukturat e Bashkimit Europian. Tashmë ka një numër marrëveshjesh të
nënshkruara nëpër samitet e organizuara në këto vende, dhe mbi të gjitha ka një
filozofi të përbashkët: të ndihmohet rajoni të dalë nga mosmarrveshjet e
mprehta politike, vështirësitë ekonomike dhe të parapërgatitet për të hyrë në
Bashkimin Europian.
Disa
nga gjashtë vendet e BP tashmë janë në një shkallë të avancuar të proçesit të
integrimit, si Mali i Zi dhe Serbia. Mbetet e fundit Kosova, e cila megjithëse
ka nënshkruar MSA-në, ka si barrierë përpara njohjen e pesë vendeve, mirëpo
derisa ky problem të zgjidhet, duhet të plotësohen standartet e kërkuara dhe
për këtë nuk e pengon askush.
Tashmë
janë dhënë edhe miliona euro për të mbështetur disa projekte infrastrukturore
që do të lidhin vendet e rajonit, për të lehtësuar kështu edhe shkëmbimet
tregtare dhe për ta bërë një vend më tërheqës për investime; ka edhe
institucione rajonale që janë hapur për të vënë në jetë projektet e proçesit të
Berlinit.
Pa
dashur të zgjatem, do të theksoj një argument që është me rëndësi për t’i dhënë
përgjigje pyetjes që shtrohet në titull, e që lidhet me nxehjen e gjakrave në
rajon për një iniciativë që rrënjët i ka në proçesin e Berlinit.
Në
korrik të vitit 2017 në Trieste u mbajt Samiti i radhës, ku morën pjesë
përfaqësuesit e gjashtë vendeve të BE-së (Italia, Franca, Gjermania, Anglia,
Austria dhe Kroacia) dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit
Përendimor. Disa javë përpara këtij Samiti, u diskutua për nënshkrimin e një
marrëveshjeje, e cila do të krijonte një treg të përbashkët rajonal sipas
modelit të BE-së.
Ashtu
sikurse tani, edhe atëherë u shfaq në horizont frika nga fantazma e
Jugosllavisë dhe më shumë sesa një projekt që bashkonte rajonin, përfaqësuesit
e BE-së e kuptuan se ishte si një iniciativë që i hidhte benzin zjarrit të
pashuar ballkanik. Kosova kundërshtoi fuqishëm këtë iniciativë me argumentin e
mosnjohjes nga Serbia dhe Bosnja, si dhe vështirësitë që këto dy shtete po i
krijonin edhe në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA. Si përfundim,
vendet e BE-së nuk u tërhoqën plotësisht nga iniciativa, por e modifikuan atë
dhe në një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik për zhvillimin e një Zone
Ekonomike Rajonale, bazuar në rregullat e CEFTA-s dhe BE-së dhe parimeve që
reflektohen në MSA-të e që mundësojnë rritjen progresive të qarkullimit të lirë
të mallrave, shërbimeve, investimeve, punëtorëve të specilizuar, në përputhje
të plotë me agjendën e secilit vend.
Kjo
zonë e përbashkët do të krijonte mundësinë e krijimit të një tregu të
përbashkët prej 20 milion banorësh, gjë që do të ndikonte edhe në tërheqjen e
investimeve direkte nga jashtë. Në përfundim të Samitit theksohej se kjo nuk do
të ishte as një alternativë e integrimit europian, e as një strukturë paralele,
por do të shërbente për të forcuar kapacitetet ekonomike të vendeve të
Ballkanit Përendimor për të përmbushur kriteret ekonomike europiane, dhe të
implementonin legjislacionin europian në nivel rajonal, përpara se t’i
bashkoheshin BE-së. Përfaqësuesi i Kosovës, atëherë kryeministër, z. Isa
Mustafa e nënshkroi këtë marrëveshje, ashtu sikurse të gjithë përfaqësusit e
vendeve të tjera të rajonit, me përjashtim të Bosnjës.
Pra
heqja e barrierave dhe lehtësimi i lëvizjes se njerëzve dhe mallrave në kalimet
kufitare ishte thelbi i marrëveshjes, gjë që është edhe thelbi i iniciativës së
të ashtuquajturit “minishengen” por që për shkak të pjesëmarrjes së vetëm tre
vendeve, më mirë të quhet Trojka ballkanike. Kjo iniciativë siç edhe pritej
është përkrahur si nga BE-ja ashtu edhe nga SHBA, siç pritet të përkrahet çdo
iniciativë bashkëpunimi që vjen nga vetë rajoni, të cilin prej dekadash të
vetmit që mund ta bëjnë bashkë dhe ta ulin në bisedime janë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
Me pak fjalë, të shohësh bashkë presidentin e Serbisë Vuçiç, Kryeministrin e
Shqipërisë Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev, duke lëvizur
drejt bashkëpunimit rajonal pa ndërmjetësim, dhe duke u mbështetur në proçesin
e Berlinit, është një pamje shumë pozitive.
Por
ku qëndron problemi?
Duke
pasur parasysh proçesin e shpjeguar më lart, lehtësimi i qarkullimit të
njerëzve dhe mallrave, punëtorëve dhe studentëve siç u përmend në deklaratën
pas Samitit të Ohrit nuk mund të jetë një gjë e keqe në vetvete. E keqja e
këtij proçesi është se Trojka vetëm sa e ka vërtetuar edhe një herë tjetër se
liderët ballkanikë nuk mund të ulen në një tryezë pa ndërmjetësim nga
përfaqësuesit BE-së. Tre vende të tjera të rajonit, Mali I Zi, Bosnja dhe Kosova
refuzuan pjesëmarrjen. Por themra e Akilit në të gjithë këtë debat është Kosova
dhe raportet e saj me Serbinë.
Kryeministri
i Shqipërisë Edi Rama, po kritikohet ashpër në opinion publik, me akuzën për
anashkalim të Kosovës, por ajo që po anshkalohet në këtë debat, në të vërtetë
është dialogu që ka ndodhur ndëmjet Kosovës dhe Serbisë prej vitit 2011 dhe 32
marrëveshjet që i kanë nënshkruar, disa prej të cilave kanë të bëjnë pikërisht
me qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.
Qyetarët
e Kosovës dhe të Serbisë mund të lëvizin me karta identiteti, ndërmjet këtyre
dy shteteve, por në bazë të marrëveshjes së vitit 2011 për lirinë e lëvizjes
(http://ëëë.kryeministri-ks.net/…/Konkluzionet_perfundimtare…) në kufi ata
duhet të pajisen me dokumenta hyrëse-dalëse, një proçedurë absurde që lidhet me
mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Ndërsa një shtetas i Shqipërisë apo i ndonjë
vend tjetër, nuk mund të hyjë në Serbi nga kufiri me Kosovën por duhet të
shkojë nga Maqedonia, pasi Serbia nuk e njeh kufirin e Kosovës me Serbinë,
ndërsa në kufirin Kosovë-Shqipëri nuk kanë akses. Procedura e dokumenteve
hyrëse e dalëse është e detyrushme edhe për mallrat që transportohen , targat e
makinave të Kosovës etj.
Kosova
pra, që ka barriera të shumëfishta, është e para që duhet të zgjidhë njëherë e
mirë, problemin e lirisë së lëvizjes në raport me Serbinë. A është i gatshëm
Vuçiç, që ta ofrojë këtë mundësi, nëpërmjet marrëveshjes së “minishengenit”? Po
shqiptarët e Shqipërisë a mund të shkojnë në Serbi nëpërmjet Kosovës, pas kësaj
marrëveshjeje? Po mallrat, makinat, kontrollet sanitare? Nëse përgjigjet janë
po, kjo do të ishte një arritje historike, nëse janë jo, kjo është edhe një
farsë tjetër ballkanike.
Deri
tani kemi parë përfaqësues të Kosovës që kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë
iniciativë; kemi dëgjuar nga deputetë e ministra deklarata që hedhin baltë mbi
qeverinë shqiptare, duke harruar se proçesi që ka dëmtuar në mënyrë të
pakthyeshme integritetin e Kosovës, nuk është “minishengeni”, por projekti i
ndarjes së Kosovës ndërmjet Thaçit dhe Vuçiçit, që u përgadit në takime
sekrete, siç e kanë pranuar edhe vetë, e u elaborua në forume ndërkombëtare.
Kjo iniciativë, i bëri të prekshëm kufijtë e Kosovës, një gjë e përjashtuar në
mënyrë kategorike dhe vulosur me shpalljen e pavarësisë. Ky është një gabim i
pafalshëm historik, për të cilin ende askush nuk ka dhënë llogari.
Të
kthehemi tek “minishengeni”. Me refuzimin e kësaj iniciative Kosova ka gabuar.
Përfaqësuesit e saj është dashur të vënë në provë Serbinë, për këtë ndërmarrje.
Nëse ajo do të refuzonte, iniciativa do të kompromentohej automatikisht. Edhe
Vucic do të pësonte fiasco në tentativën e tij të vazhdueshme për tu shituar
lider i moderuar përpara BE-së, ndërkohë që luan paralelisht edhe me kartën
ruse. Në këtë mënyrë Kosova nuk do të shihej si refuzuese e bashkëpunimit, siç
po shihet nga faktori ndërkombëtar që prej vendosjes së taksës 100%. Kosova ka
shumë nevojë për mbështetjen e vendeve të BE-së, ndryshe nga Serbia.
Kosova
pra, në bashkëpunim me Shqipërinë do të duhej të ndërtonin një strategji për të
shkuar me një qëndrim në iniciativën rajonale që në vetvete është pozitive.
Mirëpo raportet e acaruara nga amatorizmi politik, tashmë kanë pamundësuar një
gjë të tillë. Mendoj se kryeministri shqiptar duhet të presë krijimin e
qeverisë së re, përpara se të organizojë samitin e ardhshëm, dhe të shoshiten
njëherë e mirë pozicionet, avantazhet dhe disavantazhet e kësaj iniciative.
Kosova vendos vetë për të ardhmen e saj, dhe ankesat që u panë nëpërmjet disa
reagimeve, dëshmojnë se ndjen pasiguri në mënyrë të panevojshme. E sa për
gogolin e Jugosllavisë, është një frikë e pabazë që nuk ndihmon kthimin në
racionalitet.