E premte, 22.11.2019, 12:48 AM (GMT)

Personalitete

Fran Gjoka: Njeri i mirë dhe specialist i rrallë

E diele, 20.10.2019, 04:53 PM


Njeri i mirë dhe specialist i rrallë

Profil, kushtuar ekonomistit të shquar lezhjan Gjergj Biba

Nga Fran Gjoka

Në jetë na qëllon rasti të takojmë njerëz, të cilët kanë qenë dhe janë gjithnjë të përkushtuar për të përmbushur me nder detyrat e tyre ndaj shoqërisë dhe shtetit, duke vënë mbi gjithcka interesat e larta të popullit dhe të atdheut. Janë njerëz të thjeshtë, vepra e të cilëve nuk ka bujë e zhurmë, por kalon në heshtje dhe me dinjitet, teksa kontributi i tyre me kalimin e kohës sa vjen e bëhet më i madh e më i ndritshëm. Ndër  këta njerëz, spikat edhe emri dhe personaliteti i z.Gjergj Biba, ekonomist i shquar në rrethin e  Lezhës, mbi të gjitha njeri i mirë, i ditur dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohin. Shkollën fillore dhe atë 7 – vjecare, Gjergji e ka kryer në Zejmen të Lezhës, në vendlindjene  tij, kurse arsimin e mesëm të përgjithshëm, në gjimnazin “Hydajet Lezha”. Mbaroi shkëlqyeshëm, kurse dëftesën e tij të pjekurisë e shoqëron motivacioni: ”Nxënës i shkëlqyer në sjellje dhe në mësim”. Ndërkaq ai do të ishte ndër ata që do të meritonte të shkonte për studime në Fakultetin Ekonomik, dega “Ekonomist i përgjithshëm”, të cilin e  përfundoi me suskes të plotë në vitin 1969, e ku u pajis, krahas përgatitjes profesionale, edhe me një bagazh të lavdërueshëm kulturor dhe human, duke  farkëtuar brenda vetes dëshirën për t`i shërbyer doemos me dinjitet punës për të cilën përfundoi shkollën, por edhe humanizmit, dashurisë dhe përkujdesjes për jetën e njerëzve, vecanërisht për ata në nevojë.

Sikur të kishim ca më shumë specialistë si Gjergj Biba në finacat shqiptare!

Që në fillimet  e punës, Gjergji emërohet me detyrën “Shef Plani” në një prej ndërmarrjeve kryesore të rrethit dhe, me vonë në Nil Prodhime me të njëjtin profesion. Një specialist si Gjegji binte në sy për cilësinë e lartë të punës së tij, ndaj, ndonëse shumë i ri, e emëruan ekonomistë në Komitetin Ekszekutiv të Rrethit, teksa për vlerat dhe përgatitjen e tij të lartë profesionale e përzgjodhën duke e aktivizuar deri edhe Institucioni i lartë i Kontrollittë Shtetit, në detyra të ndryshme jo vetëm në Lezhë por edhe në shumë ndërmarje të vendit, ku problemet ishin të mëdha dhe delikate. Në vazhdim u emërua shef page në  ndërmarjen bujëqësore më të madhe të rrethit Lezhë, e cila aso kohe drejtohej nga i mirënjohur Sali Kupati. Duke qenë kërkues ndaj vetes, Gjergji punoi me pasion në  fushën e studimit të kategorizimit të vendeve të punës për secilin punonjës.

Me inteligjencën dhe punën e palodhur, ai dha një kontribut të cmuar si shef e menaxhues i suksesshëm i pagave të punonjësve. Punonjësit e ndërmarjes, gra dhe burra, të rinj dhe të vjetër, shihnin te Gjergji një djalë me vizon të gjerë, me qëllime të mëdha që i kishte vënë vetes për të bërë më të mirën dhe më të mundshmen në jetën e tij. Nuk e bënte këtë për interesa të vogla dhe meskine, nuk e bënte sepse e detyronte kush, por ishte vet ndershmëria dhe koncepti i tij për jetën dhe respekti për njerëzit, ishte vet qenia e tij humane dhe e pajisur plotë mirësi dhe vlera, që e detyronte të merrte përsipër angazhime të mëdha e të vecanta në punë dhe në jetë. Ai e ndjente për detyrë t`i ndihmonte njerëzit, të shkrinte aftësitë e tij që ata të kualifikoheshin në punë dhe në profesion. Duke qenë vet një ekspert dhe specialist i nivelit të lartë, ai mendonte me të drejtë se, edhe të tjerët mund dhe duhej të ecnin përpara që, bashkërisht të kontribuonin në kryerjen me suskes të detyrës dhe të angazhimeve që ka një profesionist i vërtetë. Ndërkohë që Gjergji nuk e ndërpriste asnjëherë punën për vetkualifikimin e tij me të rejat dhe me arritjet moderne bashkëkohore në profesion, duke studjuar literaturë të zgjedhur dhe duke njohur përvojat më të përparuara. Kështu, për 40 vjet, ky njeri punoi dhe sakrifikojë nga vetja, kurse gjithnjë në suksese përfshinte kolegët dhe punonjësit, duke u shprehur me respekt për ta dhe duke nënvizuar se “Ishin një brez të rinjësh puntorë, që kanë merituar vazhdimisht respekt dhe nderim.”

Duke ndjekur në përfytyrim rrugën plot pasion dhe përkushtim të Gjergjit si financier dhe ekonomist, them me vete se në cdo kohë, por vecanërisht tashmë kur kemi hyrë në rrugën e  ekonomisë së lirë të tregut, profesionistë si Gjergj Biba janë të nevojshëm, madje të domosdoshëm për të vënë mbi shina ecjen më përpara dhe më të sigurt. Nëse do të kishim sa më shumë njerëz të atillë, me atë  ndjenjë detyre, doemos që edhe punët e  drejtimit dhe të menaxhimit, por edhe marrëdhëniet që krijohen në adminstrata dhe zyra shteti me njerëzit, do të ishin shumë më efektive, zgjidhjet do të vinin në mënyrë të vetvetishme dhe s`do të ndodhte që, emërohen ne poste kyce individë, njerëz që nuk kanë asnjë kualifikim apo nuk dinë si drejtohet apo menxaxhohen punët në administratat vendore. Zgjedhja  e njerëzve, sidomos përmes konkurseve të ndershme, do të shmangte ato raste kur zyrat dhe dikasteret mbushen me militiantë poltikë, që dinë mirë vetëm punë e partisë, dinë të thurin llafe pa fund duke u treguar të papjekur deri dhe agresivë, ndërkohë që njerëzit kanë nevojë për zgjidhje praktike, konkrete. E duke menduar këto mendoj sesa i rëndësishëm do të ishte përfshirja e specialistëve dhe njerëzve me ndershmëri të lartë në profesione dhe zyra shteti, ndaj me vete unë dhe të tjerë themi:”Eh, more Gjergj, sikur të kishim ca më shumë njerëz si ty në zyra dhe në financat shqiptare, do të kishim shumë e shumë arritje dhe përparime!”

Nuk na kërkohet të përmbysim malet, por të tregohemi njerëz me vlera

Historikisht në Zejmen kanë punuar dhe kanë jetuar njerëz fisnikë dhe mikpritës, me dashuri dhe respekt ndaj mikut, njerëz që motivonin dhe zbukuronin jetën  duke i ardhur në ndihmë e duke mbështetur njëri-tjetrin në halle dhe në vështirësi. Ndryshe, pa këto cilësi dhe karaktaristika, populli nuk mund të mbijetonte, kështu me një unitet dhe miqësi të fortë mes tyre, ata ecën në jetë, i qëndruan pushtimeve të huaja, rezistuan dhe, bashkërisht luftuan për liri e pavarësi. Kështu dhe në kohë paqe, për ta ruajtur paqen, duke qendruar vazhdimisht të bashkuar por dhe duke i edukuar  cilësitë e vyera te brezat e rinj që vinin, te fëmijët,  te nipërit e stërnipërit. Këto cilësi trashëgonte edhe familja e Gjergjit, prindërit e tij me emër të mirë, të cilët përmenden gjithnjë për mikpritjen dhe miqësitë. E, doemos, “molla bie nën mollë” dhe, kësisoj, edhe Gjergji trashëgoi ato cilësi të rralla të prindërve, sikurse i edukon sot ato cilësi te fëmijët dhe te brezi  i ri. Në jetë nuk na kërkohet të përmbysim male, por të tregohemi njerëz me vlera, të jemi shembull në punë  dhe në jetë, por dhe të motivojmë jetën tonë duke treguar dhe prezantuar cilësitë më të mira, duke i përcjellë ato te brezat. Ndaj, jo vetëm në fshat e krahinë, por edhe në shoqërinë e Gjergjit nuk u shfaqën kurrë ndasitë, urrejtjet, armiqësitë, zilia dhe egoizmi, ato, përkundrazi janë luftuar duke vënë përballë tyre sjelljen dhe shembullin më të mirë të paqes, qetësisë, thjeshtësisë dhe përparimit.

Gjergji i ka respektuar gjithnjë vlerat e vërteta edhe gjatë procesit të punës me njerëzit me të cilët punonte, duke i dhënë hakun gjithësecilit, por edhe duke qenë kritkë ndaj padrejtësive, cenimit të unitetit të fshatit dhe të krahinës, gjithnjë me rolin dhe protagonizmin e tij në radhë të parë. Ndaj dhe punën e Gjergjit, kurdoherë të vlerësueshme, e vëzhgonin fshatarët dhe punëtorët dhe, thuajse vahdimisht ishte emri i tij i mirë lakohej për t`u zgjedhur, sic ishte rasti që vetëm 26 vjec u zgjodh anëtar i Këshilllit Popullor të Rrethit të Lezhës, si përqafësues i Bregut të Matës. E, kudo që ai emërohej, në institucione apo ndërmarrje të rethit,  i priste buzagaz edhe punët më të vështira, nuk mërzitej dhe nuk dëshpërohej, përkundrazi vlerësonte respektin,besimin dhe konsideratën e lartë për të dhe shumëfishonte forcat për të bërë më të mirën që mundej.Me punën dhe qëndrimin e tij,ai arriti të bëhej i njohur si një specialist i një niveli kombëtar. Madje edhe pas viteve 90-të Gjergj Bibën e kemi parë si shef plani në ndërmarrjen ushqimore Lezhë, në Telekom dhe, në vazhdim e thirën si shef finace në Sigurimet Shoqërore ku duhej një mjeshtër dhe specialist  i vërtetë. Aty Gjergj Biba punoi e kontribuoi deri sa doli në pension.

“Kam studjuar me Gjergj Bibën”

Është për t`u përmendur fakti që, kur për arsye të përgatitjes së lartë shkencore, Gjergj Biba u emërua mësues specialist pranë shkollës së mesme pa shkëputje nga punë në Lezhë, e ku jepte me kompetencë të plotë lëndët Organizim e Planifikim, leksionet e Gjergjit kanë qenë gjithnjë mbresëlënëse  për nxënësit e atëhershëm, sot kuadro me rëndësi, të cilët të gjithë e kujtojnë dhe sjellin ndërmend vlerat dhe aftësitë e mësuesit të tyre të rrallë, i cili duke zbatuar metoda të afirmuara dhe të perparuara të pedagogjisë dhe profesionit, u kishte përcellë edhe atyre vlera të mëdha, duke i bërë ata edhe më të ditur, më të mencur, më të aftë për të realizuar detyrat dhe për të treguar dhe prezantuar veten dhe personalitetin në  shumë fusha të jetës. Shprehja “Kam studjuar me Gjergj Bibën”, mori atëherë një përhapje të gjerë, madje me krenari ta thonë edhe shumë njerëz sot në Lezhë.

Kurse unë, autor i këtyre radhëve, sjellë në kujtesë fjalët e mësuesit të madh lezhjan Mark Vui, i cili më thoshte: “Jam krenar për  Gjergjin, që mbështet dhe inkurajon të rinjtë, jo vetëm për shkollim, por edhe për kulafikim të vazhdueshëm”.

Cilësitë dhe aftësitë, Gjergji ka ditur t`i tregojë krahas të tjerave edhe si një gazetar i zoti, duke trajtuar dhe prezantuar tema me subjekt ekonomik, duke dhënë rrugëzgjidhje të thjeshta dhe të suksesshme, që ndihmonin ecurinë e punëve dhe të problemeve të ndërlikuara.  Atëherë Gjergj Biba ka qenë  i pranishëm në gazetat e njohura “Bashkimi”, “Puna” dhe “Zëri i Popullit”, por, edhe sot, ai është i pranishëm në gazetat e kohës, kur në qendër është demokracia, jetë e njerëzve në liri dhe ekonominë  e tregut e, ku Gjergj Biba, shprehet bindshëm dhe me vlerë në artikujt e tij.

Kur  e vlerëson për shembullin e tij  të lartë në jetë, Gjergji nuk rri dot pa thënë me modesti se ka qenë nxënës i gjimnazit “Ydajet Lezha”, ku kanë studjuar shumë e shumë emra të shquar. Aso kohe gjimnazi “Ydajet Lezha” ka qenë “Harvardi” apo “Oksfordi” i kohës, sepse mësuesit aty ishin profesionistë të zotë e të mrekullueshëm, por edhe sepse aty jepte mësim dhe kryemësuesi lezhjan, “Mësuesi i Popullit” Mark Vuji, i cili e udhëhoqi për 25 vite me radhë atë tempull dijesh, duke krijuar breza të artë të arsimit të Lezhës, sot të njohur edhe në Shqipëri. Ata breza që studjuan aty, ashtu si dhe Gjergj Biba, nuk i harron askush, përkundrazi e përmendin me mburrje shkollën e tyre të nderuar. E shohin gjimnazin si shkollën themel ku ata u mbështetën për të ecur edhe në universtitete të ndryshme të vendit, vecanërisht në Universitetin e Tiranës, ku edhe Gjergji kujton me mall rektorin e shquar K. Ylli, dekanin L. Xhuvani, profesorët V.Nace e K. Dedej, ky i fundit njëri prej hartuesve të shkëlqyer e të palodhur të teksteve shkollore. “Ne, - thotë Gjergji, - kujtojme me krenari dhe respekt të madh këta pedagogë e shkencëtarë shqiptarë, sepse tek ata ne gjetëm frymëzim të pashembullt në veprimtarinë  shkencore”.

Edhe në pension njeri i admiruar nga të gjithë

Me Gjergjin kam njohje 20-vjecare dhe them me bindje se, mbi të gjitha ai është njeri me vlera të spikatura dhe të dukshme,teksa më vjen mirë që këto cilësi të larta të tij i shprehw edhe një komunitet i tërë dashamirësish. Edhe pse sot ka dalë në pension, përsëri në jetën shoqërore dhe publike Gjergji është një person për t`u admiruar, intelektual i mirë, qytetar cilësor, prind dhe atdhetar me zemër të madhe. Ai merr pjese aktivisht në gëzimet apo hidhërimet e të tjerëve dhe përpiqet me të gjitha forcat që të ndihmojë ata për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe më të mundshme, qofshin ato zyrtare apo shoqërore. Kur bisedon me Gjergjin ai gjithnjë shprehet: “Në radhë të parë duhet të jesh njëri”. Vlerat humane, ai i shpreh në jetën e  përditwshme, në familje, në rrethin e shokëve dhe të miqve të shumtë, duke u treguar i urtë, i kujdesshëm dhe i përkushtuar ndaj familjes dhe të afërmëve të tij. Ndjen dëshirë të rrish në tavolinë me Gjergjin, të bashkëbisedosh me të, ai nuk të ndërpret kurrë fjalën, të jepë kurajë, besim e optimizëm, të lë të flasësh ti dhe, kur fillon ai, ke qejf ta dëgjosh. Është me vend të shkruash për njerëzit që e meritojnë, breza të tillë është vështirë të vijnë me këtë  vullnet dhe pasion e të vihen plotësisht në shërbim të shoqërisë. I nderuar është ky njeri edhe në jetën bashkëshortore, teksa djali dhe dy vajzat jetojnë jasht Shqipërisë. Ai sot është një baba dhe gjysh shembullor. Duke i jellë në bashkëbisedë fëmijët, mbesat dhe nipat e tij, atij i ndritin sytë nga dashuria për ta dhe  i quan “embëlsira e shpirtit”.

I uroj gjithnjë Gjergj Bibës shëndet të plotë, jetë të gjatë e të frytshme. Shoqëria dhe komuniteti ku ai jeton,  ka gjithnjë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT