E hene, 18.11.2019, 07:02 AM (GMT)

Editorial

Nikë Gashaj: Politika e kuadrove

E hene, 12.08.2019, 07:46 PM


POLITIKA E KUADROVE

Nga Nikë Gashaj

Njohjet empirike dhe teorike tregojnë se  drejtimi i politikës së kuadrove në Ballkanin Prëndimor, në shumë raste bëhet me mjete të tilla të cilat etika normative i ka hedhur poshtë si jomorale dhe të cilat janë të etiketuara në kodin e civilizimit (karrierizëm, oportunizëm, pranimi në statusin e “përcjellësit oborrtar“ të funksionarëve me influencë, pranimi i të gjitha formave dhe mënyrave të sjelljeve dhe të veprimeve të cilat janë të domosdoshme para investiturës apo inagurimit në një pozitë si kuadër dhe dëshmimi i cilësive të tilla pas marrjes së detyrës në formë të konfirmimit të dëgjueshmërisë absolute, vetëmohimi i individualitetit, madje edhe në situata të parrezikshme dhe pa pasoja për autoritetin e promotorëve të tyre si kuadro dhe prirjeve të tyre të shumta, të cilat tradicionalisht konsiderohen si të padenja për njeriun si “qënie publike“).

Ndërkaq, sipas kritikuesve të politikës së kuadrove, pikërisht mjetet publikisht të anatemuara më së tepërmi kontribuojnë dhe kanë efekte në karrierën personale të kuadrove. Për këto efekte negative promotorët e kuadrove shpeshherë heshtin. Për ata është me rëndësi që të vijnë deri te kuadrot e dëgjueshëm.

Ata të gjithë atyre që i zgjedhin në poste të ndryshme ua vënë në dijeni domosdoshmërinë e sjelljeve të tyre dhe konsekuencat e mosbesimit ndaj klaneve të tyre. Këtu është fjala për një pantomimë të llojit të vet apo të aktorëve imitues.

Kuadrove të zgjedhur në këtë mënyrë iu duhet të kyçen në një lojë memece për të cilën janë të “përgatitur“ mirë dhe me lehtësi bëjnë publikisht deshifrimin e gjesteve të promotorëve të tyre, respektivisht të politikës, dëshirave, synimeve dhe qëllimeve të dirigjentëve të tyre politikë. Nga kuadrot e zgjedhur vetëm se kërkohet të jenë lojalë ndaj aksioneve dhe veprimeve të promotorëve të tyre, si çështje a priori të rëndësishme dhe të arsyeshme.

Politika e kuadrove e mbështetur mbi këto baza dhe parime nuk mund të jetë lëndë e objektivitetit shkencor, por mbahet në suaza të voluntarizmit politik, ku nuk mund të vendosen kurrfarë rregullash racionale të lojës. Sipas njohjeve shkencore baraspesha e politikës adekuate të kuadrove, do të duhej kërkuar në parimet konstante.

Qëllimi është së paku vendosja e dy kritereve ekzakte të zgjedhjes së kuadrove. I pari do të përfshijë veçoritë, cilësitë dhe vetitë personale të kandidatit për funksion publik, kurse i dyti do të përmbajë programin dhe garancinë të cilën kandidati duhet ta ofrojë për realizimin e tij.

Në qoftë se nisemi nga kriteri i parë, do të vërehet lehtë se ai bën pjesë në standarde për të cilat mendimi politik ka luftuar qysh nga modelet antike deri te pikëpamjet bashkëkohore mbi “njeriun politik“ si personalitet publik.

Pa marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme se cili do të ishte tipi ideal i personalitetit për kuadër politik, gjatë historisë në vazhdimësi janë nënvizuar cilësitë e “përshtatshmërisë publike“.

Në atë kuptim dhe drejtim më së pari janë përcaktuar cilësitë e dëshirueshme të kuadrove politikë (nderi, thjeshtësia dhe modestia, gatishmëria për sakrifica personale në emër të interesit publik, vetëmohimi nga privilegjet materiale, të cilat do t’ua sjellë funksioni publik, arritja e popullaritetit me shëmbëlltyrën e vet personale etj.).

Në daullen e kuadrove

Ndërkaq,  kërkohet edhe struktura mentale, e cila ideologjisë përkatëse i ka garantuar se e ka fituar njeriun e duhur (lojal ndaj programit partiak dhe aksioneve vijuese, prijës dhe avangardist, i shquar dhe i dalluar me veti dhe cilësi të dëshiruara morale dhe politike, i vendosur dhe guximtar, si dhe optimist ndaj misionit të vet profetik). Sot nuk ka parti politike e cila politikën e kuadrove nuk do ta mbështesë në kërkesën që anëtarët e udhëheqësisë së saj të posedojnë tërësinë e këtyre cilësive dhe që në opinionin publik njëkohësisht të quhen dhe si “qytetarë të respektuar“, si dhe “njerëz partiakë“.

Këto statuse nuk janë të pajtueshme dhe të paarritshme në qoftë se opinioni publik bindet se “njerëzit partiakë“ kontribuojnë në ngritjen e interesave shoqërore në një nivel më të lartë dhe njëheri të mos përfaqësojnë vetëm interesat grupore dhe personale, të cilat për momentin do të jenë të përdorshme, por në esencë me një përcaktim jo të vërtetë, do të mund të prezantohen si historike. Është normale që të parashtrohet pyetja:

Çka ndodhë në qoftë se raportet reale paraqiten në një projeksion të kundërt? Kjo pyetje na drejton në një psikologji të tillë, ku thuhet: “Merre tërë atë çka funksioni ta mundëson dhe ofron në një afat të shkurtër apo të gjatë.

Një psikologji e tillë është e pranishme te një numër i madh i kuadrove politikë në vende të Ballkanit Perëndimor, prandaj kryesisht dhe tek kuadrat politik shqiptar. Te kuadrot e tillë është humbur besimi në mundësinë e ndikimit real në rrjedhat e ngjarjeve shoqërore dhe është rrënjosur një bindje se promovimi i mëtejshëm i kuadrove varet vetëm nga dëgjueshmëria dhe servilizmi poltronik në raport ndaj strukturave dirigjuese politike, respektivisht nga qendrat e forcave politike joformale.

Është fatkeqësi, mjerim, brengosje dhe shqetësim kur në opinionin publik dëgjohet që dikush ka ecur përpara dhe është promovuar në politikën e kuadrove vetëm e vetëm se është djalë apo dhëndër i “Zotit me influencë“, ose për faktin se është shumë i dëgjueshëm, poltron dhe animues.

Shpeshherë për ndonjë funksionar politik dëgjohet komenti se e ka “shkrirë dijen“.

Ajo në mënyrë paradoksale përputhet me të vërtetën prozaike se ajo “dije“ nuk është teorike, profesionale dhe shkencore, por ka një karakter utilitar-praktik dhe se deri te promovimi si kuadër ka ardhur më tepër në bazë të “konstruktivizmit“ personal në raport ndaj percepsionit të grupeve dhe kuadrove dirigjues dhe me influencë, si dhe në bazë të prirjes për delendisje dhe shpifje “ndërmjet katër mureve“, e shumë më pak ose aspak sipas cilësive të vlerës personale dhe aftësive profesionale.

Në horizontin politik ka qenë dhe është i pranishëm preokupimi i vetëm relevant: “për t’u bërë funksionar, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë“. Nën presionin e një psikoze të tillë, apinioni merrë pjesë në investiturat apo inaugurimet groteske, qesharake dhe hierarkike, të cilat në “forumet koordinuese të kuadrove“ janë të përcjella dhe të shoqëruara me një opurtunizëm të dukshëm dhe të prirë nga dëshira dhe kërkesa e një rrethi të ngushtë të atyre që kanë influencë në politikën e kuadrove në mjedisin përkatës.

Kurse, opinioni publik i cili  ka mundësi që të vie në shprehje, politikën e tillë të kuadrove e pret me përqeshje dhe tallje, shpoti e ironi, karikaturizëm dhe injorim. Edhe pa një lamentacion emotiv mbi situata të tilla të neveritshme dhe të gërditshme, gjithmonë ka qenë dhe është vështirë të kuptohet racionalisht se si “kadroviku“ i zgjedhur në dikasterin e komunikacionit në rëndin e ardhshëm të zgjedhjeve mund të kalojë në dikasterin e shëndetësisë, ose nga sektori i arsimit të kalojë në sektorin e industrisë apo të bujqësisë dhe pikërisht në të gjitha nivelet e “establishmentit të kuadrove“?

Nuk është ecur larg

Nën presione të shumta, pretendimet e personave gjysmakë dhe karrieristë për funksione si e drejtë natyrore, e cila nënkuptohet me hyrjen në “rrethin e të zgjedhurve dhe të dalluarve”, me kohë i fiton format e investiture apo inaugurimeve masive hierarkike. Ritualet e tilla  përsëriten prej një periudhe zgjedhore në tjetrën dhe kaherë kanë fituar veçori ceremonial dhe kanë filluar të konsiderohen si “normale”. Shqyrtimi kritik i tyre, në rastet më të mira, konsiderohet jo me vend nga pikëpamja e bontonit zgjedhor partiak dhe shtetëror, respektivisht të miratimit të heshtur të rregullave të lojës.

Mirëpo, rregullat e tilla për kurrkënd më nuk janë sekrete, meqënëse opinion publik e ka hetuar se në implementimin e politikës së kuadrove më tepër ka ardhur në shprehje parimi i dëgjueshmërisë absolute, vetëmohimi i personalitetit, lojaliteti i verbët dhe cilësi të tjera të ulëta morale dhe politike, ndërsa, në anën tjetër, më pak është respektuar dhe respektohet parimi i aftësisë profesionale në punë dhe virtytet morale e njerëzore. Nuk ka vlerësim objektiv periodik të suksesit të punës së tyre politike.

Lënda e vërtetë e interesit nuk ka qenë sendërtimi i programit të marrë përsipër, ndonëse kuadrot politike kanë qenë dhe janë të preokupuar me luftën e brendshme për pushtet ndërmjet grupacioneve të ndryshme partiake dhe shtetërore.

Filozofia i liberalizimit borgjez ka qenë e bindur se me sistemin shumëpartiak është gjetur definitivisht modeli adekuat dhe i drejtë i politikës së kuadrove.

Mirëpo, në Europën Juglindore, andaj dhe në vendet shqiptare, sikurse e vërejnë studiuesit e politologjisë në vend të njohjes burimore të elektoratit me cilësitë dhe karakteristikat e kandidatëve politikë, shtabet partiake me zhurmën dhe agresivitetin e reklamave, me politikë mashtruese arrijnë të tejkalojnë në një masë të madhe mundësinë e vlerësimit dhe gjykimit racional të trupit votues.

Liderët politikë, të cilët bashkëpunëtorët e vet gjithnjë e më tepër i  zgjedhin sipas lojalitetit të dëshmuar dhe më pak sipas aftësive të tyre, sikurse thotë H. Markuze, votuesit i kanë prurë në një situatë, që atyre t’u ofrojnë të zgjedhin midis shkallëve të ndryshme të “mediokërve”, që ua oforojnë partitë politike nëpërmjet të listave të kuadrove, por kurrsesi ato nuk e gjejnë mënyrën e kapërcimit të atyre “kufizimeve dhe dobësive evidente kolektive”.

Vlera e vërtetë (e jo ideologjike) e demokracisë në fushën e politikës së kuadrove vërehet në aftësinë e saj për një qasje radikale të inovacionit të cilësive dhe përmbajtjeve të saj.

Një inovacion të tillë paraqet ideja mbi “programet zgjedhore”, si parakusht i kandidimit për funksion publik. Programet e tilla duhet të kalojnë nëpër një verifikim të vërtetë profesional dhe politik. Mbi përshtatshmërinë politike dhe profesionale të projekteve të afruara duhet të debatojnë subjektet e ndryshme, e në rend të parë ato profesionale, autoritative dhe kompetente. Në këtë mënyrë do të zbritet ndikimi i qarqeve të ngushta politike, ku gjithmonë është e mundshme prania e subjektivizmit të vlerësimeve të programeve zgjedhore të sipërpërmendura. Kështuqë para një tribunal të gjerë vështirë se do të mund të falsifikohen dhe të kalojnë bartësit e alternativave arkaike, të platformave dogmatiko-burokratike, politikat joreale, interest personale si dhe ithtarët e marrjes jokritike dhe të verbët të zgjidhjeve të huaja.

Ndërkaq, nuk do të kalonin as “bandidët në radhët e veta”, gjysmakët, mediokërt dhe karrieristet e sëmurë, të cilët deri më tani e kanë pasur përkrahjen e dirigjentëve të piramidës politike, që gjatë tërë kohës së punës së tyre politike, nuk janë përmendur për kurrgjë tjetër veç për prishjen e çdo gjëje që e kanë prekur.

Përshtatshmëria ideologjike dhe profesionale e projektit dhe vlerësimi politiko-moral i personalitetit të kandidatit për funksion publik nga ana e një rrethi të gjerë shoqëror, në thelb do të dallohej nga koncepti i “përshtatshmërisë politiko-morale” që  bëhet më së shumti në rrethe të mbyllura dhe që kryesisht caktohet dhe vlerësohet nga këndi dhe prizmi i lojalitetit dhe i dëgjueshmërisë personale.

Raporti ndaj përgjegjësisë

Reformat shoqërore, ekonomike dhe politike si prezumime të veta kryesore kanë profesionalizmin, eksperiencën, motivimin, me fjalë të tjera kuadrot e afta dhe profesionale, e jo zgjedhjen e tyre sipas simpatisë së promotorëve kuadrovikë.

Jemi të mendimit se përcaktimi për programe zgjedhore dhe për individë me aftësi dhe përgatitje profesionale, si dhe moralisht të pastër, e jo a priori për persona politikisht të “besuar” dhe të “përshtatshëm”, do të mund të ishte një hap përpara në evitimin e dobësive evidente në drejtimin e politikës së kuadrove. Prezantimi i programit është veprim dhe akt publik. Ai në pikëpamje profesionale dhe morale i obligon mbartësit e tij. Implementimi i programit krijon një bazë ekzakte për promovimin e mëtejshëm eventual të kuadrove, kurse në anën tjetër mosrealizimi i programit ka si rrjedhim dorëheqjen nga funksioni, votimin e mosbesimit, ose mospërsëritjen e mandatit.

Personaliteti i cili vjen në ndonjë post udhëheqës, nëpërmjet investiturës hierarkike nga “lart”, pa obligim që ta arsyetojë dhe ta shpjegojë programin e vet, nuk e ka një raport adekuat ndaj përgjegjësisë.

Madje edhe në qoftë se e kthen prapa dhe e shkatërron “firmën” në krye të së cilës vie, ai e ka në dijeni se megjithatë, vetëm me kusht që të mos bëjë ndonjë gabim politik serioz, se përndryshe në vend të bursës së punës, e pret një avancim kuadrovik edhe më i mirë e më i lartë.

Kundërshtimet e “programeve zgjedhore”, të cilat duhet të vlerësohen nga organet dhe institucionet kompetente dhe autoritative – profesionale, sigurisht do të rrjedhin nga ajo kategori e njerëzve nga strukturat të cilat për novacione të tilla nuk kanë afinitet as energji, ose, ç’është më e keqe, më e dëmshme dhe më fatale, ata nuk kanë dije as njohuri elementare. Ata nuk e shohin (ose nuk duan ta dinë) se rutina e inercia, mosha dhe topitja, plogështia e apatia, ngurrimi dhe indiferenca, si dhe ngulimi mbi mënyrën e mendimit arkaik, nuk janë cilësi të përshtatshme për zgjidhjen e asnjë problem dhe çështjeje shoqërore dhe për tejkalimin e krizës shoqërore, meqënëse rrjedhin nga “papërgjegjësia e organizuar” dhe nga “jomoraliteti struktural” (Mils).

Karakteristikat e lartpërmendura negative janë pengesë në rrugën e zhvillimit të kulturës materiale dhe shpirtërore, respektivisht ato nuk mund të jenë alternativë e inovacioneve të reja programore dhe sfidave kohore, dhe as të rëndësisë së marrjes përsipër të përgjegjësisë personale.

Mirëpo, në anën tjetër, nuk ka arsye që të mos besojmë se pikërisht këto cilësi të inovacionit të “programeve zgjedhore”, edhe përkundër obstruksionit të ithtarëve të ideologjisë së vjetër burokratike, do të hasim në përkrahjen e një pjese kreative dhe dinamike të kuadrove politike.

Në të ardhmen, është e domosdoshme që të krijohet një vetëdije e tillë politike se në postet për vende udhëheqëse në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, kandidatët duhet që cilësitë e veta profesionale, entuziazmin, etosin e punës dhe patosin moral ta vërtetojnë dhe ta dëshmojnë në konkurencën e barabartë, duke mos iu referuar

“përshtatshmërisë politike” neokomuniste.

Ajo do të ishte një paralajmërim se kriza morale mund të tejkalohet dhe se prej saj mund të dilet me parimet e reja të politikës së kuadrove.

Në atë mënyrë do të zhdukej tipi i padenjë “xhoker-funksionarit”, i cili mund të paraqitet në çdo post me një seriozitet të dukshëm pas të cilit fshihet në një shkallë edhe më të madhe e më të dukshme mosdija e tij e përgjithshme dhe profesinale. Me fjalë të tjera,  do të eliminohen kandidatët të pa aftë, jo profesional, kuazi intelektual, si dhe personat e pamoralshëm, mbartës të krimeve dhe punëve të shëmtuara, të  korrupcionit dhe dukurive të tjera negative. Fatkeqësisht ka raste që personat e tillë janë të kyçur në politikë dhe gjoja duan me u marr me çështjen kombëtare. Në filozofin politike, kuadrat e tillë quhen”malli prej materialit të dobët”, kurse në gjuhën popullore për ta thuhe se janë”as ujë as vënë”.

Është e njohur se kuadrot në çdo sistem politik paraqesin një faktor kryesor të zhvillimit të mëtejshëm, prandaj dhe tek shqiptarët, politika e kuadrove ka një rëndësi të madhe, meqënëse përmes saj duhet të sigurohen kushtet për sendërtimin e detyrave dhe qëllimeve të transicionit shoqëror dhe të konsolidimit politik.

Promovimi i personave “kameleonë”

Në ndërtimin dhe sendërtimin e politikës së kuadrove në shoqërinë shqiptare duhet të nisemi veçanërisht, nga këto parime:

a) planifikimi afatgjatë dhe drejtimi adekuat mbi politikën e kuadrove;

b)uniteti i qëllimeve dhe terësia e parimeve të politikës së kuadrove, demokratizimi dhe konsekuenca në realizimin e tyre;

c)transformimet demokratike, rotacioni dhe lëvizja e kuadrove.

Ndërkaq, propozimi i kandidatëve për poste përgjegjëse të punës dhe për funksione duhet të rrjedhë nga një debat demokratik dhe i argumentuar, mbi baza të parimeve dhe kritereve të përcaktuara në organe dhe institucione përkatëse. Në këtë mënyrë duhet të pamundësohen tendencat e privatizimit, të monopolizimit, të familjarizimit dhe grupimit mbi baza jo të  shëndosha dhe primitive të politikës së kuadrove.

Nga ajo, se si drejtohet politika e kuadrove, në një masë të madhe varen edhe rezultatet në sendërtimin e reformave shoqërore, ekonomike e politike, sepse këto procese të tranzicionit nuk mund të realizohen me anë të deklaratave, frazave, rezolutave dhe me mashtrime, e me kopili e dinakëri reciproke, por vetëm me njerëz të rinj, me ide të reja dhe rezultate konkrete.

Për një kohë të gjatë, politika e kuadrove nuk është përpjekur, por edhe tani nuk synon që personat kompetentë të zgjedhen në vende udhëheqëse të punës, por i kanë angazhuar dhe i angazhojnë individët poltronë, animues dhe gjysmakë.

Mu për këtë arsye shoqëria jonë ka përjetuar një krizë ekonomike, sociale dhe politike. Mund të konstatohet se një politikë e tillë e pavolitshme e kuadrove ka qenë edhe pasojë e rënies së vlerave morale në  shoqëri.

Kriza e moralit padyshim ka ndikuar në sistemin e arsimit dhe të kulturës. Është e njohur se pa një sistem të vlefshëm juridik dhe moral, nuk mund të flitet për ndërtimin dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe progresive. Ndonëse, në shumë tubime dhe në fjalën e shkruar janë bërë dënime dhe kritika të shumta të moralit të dyfishtë. Megjithatë, jemi dëshmitarë se edhe në shoqërinë shqiptare  ekziston një moral i tillë.

Atij, pa dyshim, i kontribuojnë dukuritë e korrupsionit, mitit, krijimit të “lidhjeve” mbi parimin “do ut des” (unë ty, e ti mua), si dhe një sërë dukurish të tjera negative.

Rreziqet më të mëdha të një shoqërie janë: burokratizmi dhe primitivizmi politik. Zgjedhja në ndonjë funksion,  parimisht, ka qenë dhe është ikja nga puna prodhuese, synimi për privilegje sa më të mëdha dhe të ndryshme (vetura e re, kabineti i ri dhe luksoz, sekretarja elegante, reprezentimet e shtrenjta etj.).

Shpeshherë personat në udhëheqësi janë identifikuar dhe identifikohen me funksionet që kanë ushtruar apo ushtrojnë, duke i keqpërdorur ato, para së gjithash për kënaqjen e interesave personale, grupore, të klaneve që u takojnë, duke i lënë shpesh interesat e përgjithshme në planin sekondar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT