Editorial
Enver Bytyçi: Opozitarizmi kundër Hitlerit, mësime nga vitet 1930!
E merkure, 10.07.2019, 10:16 PM
Opozitarizmi kundër Hitlerit, mësime nga vitet 1930!
Nga
Enver Bytyçi
Pasi
Adolf Hitleri vendosi regjimin e tij diktatorial nacional-socialist në
Gjermani, gjermanët reaguan kundër këtij regjimi me të gjitha mjetet e
mundshme. Në fakt regjimi hitlerian erdhi në pushtet në vitin 1933 përmes
zgjedhjeve të lira në vend. Manipulimi me nacionalizmin, përfitimi nga
ndëshkimi i pamerituar i Gjermanisë në Konferencën e Parisit, kriza ekonomike
dhe kriza e besimit te Republika e Vajmarit, e cila shihej si produkt i
vullnetit të atyre që ndëshkuan vendin me të padrejtë pas Luftës së Parë
Botërore, i dhanë shansin Adolf Hitlerit të ngjitet në pushtet në mënyrë
legale, përmes zgjedhjeve parlamentare.
Por
me të ardhur në pushtet, hapi i parë i tij ishte eleminimi i parlamentarizmit,
fillimisht me imponime arrogante në emër të "nacionalizmit" e
"të së drejtës", më pas me miartimin e ligjit, përmes të cilit i
hiqej e drejta parlamentit të nxirrte ligje e presidentit të nxirrte dekrete.
Kjo e drejtë i kaloi qeverisë, dmth diktatorit. Hapi tjetër i regjimit të
Hitlerit ishte shkarkimi i presidentit të Republikës dhe përfundimisht
eleminimi i këtij institucioni të pavarur, pavarësisht faktit se presidenti
ishte zgjedhur me pëlqimin e tij. Pas kësaj Hitleri futi në dorë gjithë
sistemin, qeverinë, parlamentin, gjyqësorin dhe e shndërroi Gjermaninë në një
vend tipik diktatorial.
Ndërsa
hapi i tretë ishte eleminimi i opozitarizmit, lufta kundër çdo kundërshtimi
politik ndaj vendimeve, dekreteve dhe urdhërave të Fuehrerit (Udhëheqësit)! Me
këtë rast diktatori gjerman akomodoi rregullat edhe për veprimtarinë e shtypit.
Qëllimi i tij ishte unifikimi i mendimit politik, ideologjik dhe kulturor të të
gjithë gjermanëve, krijimi i një rendi indoktrinues të padepërtueshëm nga
opozitarizmi dhe ndikimi i sistemit demokratik në vendet e tjera.
Për
implementimin e politikës së tij në vendosjen e regjimit diktatorial
nacional-fashist, Hitleri, përveç përdorimit të ushtrisë, krijoi reparte
speciale, si SS-të, të cilat i përdori kryesisht kundër atyre që i rrezikonin
pushtetin. Urdhëroi përdorimin e ushtrisë në raste të tjera për qëllime të
tilla. Ndërsa në anën tjetër krijoi ministrinë e propagandës, me të cilën ushqente
qytetarët e vendit të tij me ëndërrën e Gjermanisë si sunduese e tokës dhe e
qiellit. Vendosja e regjimit nazi-fashist në Gjermani nuk u vendos në një ditë.
Ky regjim u vendos në një periudhë kohore prej së paku 4-5 vitesh, hap pas
hapi, duke eleminuar në mënyrë sistematike çdo hapësirë lirie në vend.
Në
këto kushte lindi nevoja për qëndresë opozitare, për kryengritje opozitare.
Qëndresa filloi në disa forma. Fillimisht u krijua bindja e pathyeshme se kursi
i Hitlerit çonte në një katastrofë për shtetin dhe për vetë Gjermaninë. Pas
kësaj filloi rezistenca. Distancimi nga kursi hitlerian ishte forma e parë e
rezistencës. U distancuan nga kursi diktatorial personalitete të shquara të
politikës, si psh ish ministri i ekonomisë në qeverinë e Hitlerit, Carl
Friedrich Geordeler, ministri i financave Popitz ose industrialisti i famshëm
Robert Boch, të cilët shpallën kundërshtitë e tyre të hapura kundër politikave
totalitare të udhëheqësit. Më tej u rebeluan shumë diplomatë, ndër të cilët
ambasadori gjerman në Romë, Ulrich von Hassell dhe ai në Moskë, Fridich Werner.
Kundërshtitë
ndaj kursit të Hitlerit u shtrinë te kisha katolike dhe ajo protestane. Emra të
njohur të kishës si Ditrich Bonhoeffer ose Alfred Delp iu kundërvunë
përpjekjeve hitleriane për të shtyp me dhunë opozitarizmin dhe liritë qytettare
të gjermanëve. Ndërkohë jo pak gjyqtarë, prokuurorë dhe avokatë të njohur
shpallën publikisht pikëpamjet e tyre kundër regjimit dhe folën për rrezikun që
ky regjim përbënte për shtetin e së drejtës. E më tej akoma, rezistenca u shtri
deri te industrialistët dhe bankierët, sindikatat, lëvizjet liberale, partitë
politike të ndaluara ose të nxjerra jashtë sistemit, në universitete e në
shkolla e deri te vetë ushtria. Gjeneralë dhe oficerë të lartë gjermanë kundërshtuan
me forcë planet e Hitlerit për ta rrezikuar Gjermaninë me aventurën e çmendur
të pushtimeve në gjithë botën.
Kur
rezistenca nga brenda dhe nga jashtë hasi në dhunën e ashpër të regjimit të
Hitlerit, opozitarizmi në Gjermani u realizua në mënyrë të fshehtë. U krijuan
gruoe dhe formacione ilegale antiregjim në lagjet e qyteteve, në administratën
shtetërore, në ushtri, kudo ku ishte e mundur. Format e organizimit ishin të
tilla që të bindin sa më shumë njerëz për atë se "Regjimi hitlerian ishte
shndërruar në një rrezik katastrofal për Gjermaninë, për të drejtën, liritë dhe
qytetarët e vet".
Lëvizja
ilegale erdhi si pasojë e pamundësisë për të vazhduar rezistencën me mënyra
tjera. Sepse Hitleri më së shumti reagoi me reaksione joligjore, atentate,
aksidente, dhunim e diskreditim të elementëve kundërshtarë, duke e motivuar
gjithçka si një rezistencë të pamoralshme, të diskredituar, të pavlerë,
pambështetje, të pamotivuar në emër të kombit e të shtetit. Në këto kushte
ilegalët gjermanë erdhën në përfundimin se Hitleri dhe regjimi I tij ishin
simbiozë e pandashme. Për pasojë nëse eleminohej Hitleri binte dhe ngrehina që
ai kishte ngritur. Prandaj dhe më 20 korrik 1944 Lëvizja për Kryengritjen
Gjermane organizoi një atentat kundër diktatorit gjerman. Atentati dështoi dhe
dhuna e Hitlerit pas tij ishte shembullore. Vrasje pa gjyqe dhe dënimë të
ashpra.
Lëvizja
antihitleriane e gjermanëve nuk ishte masive, por ata që e kundërshtuan ishin
të vendosur që ta çonin deri në fund misionin e tyre për një Gjermani të lirë e
demokratike. Kjo lëvizje ishte më shumë konspirative, sesa e hapur dhe
demonstruese, ishte më shumë e dhunshme, sesa paqësore. Dhe megjithëse këto
tipare në veprimin opoozitar parimisht dënohen, aksioni opozitar gjerman kundër
Hitlerit nderohet e respektohet masivisht në Gjermani.
Edhe
Hitleri, ashtu si gjithë diktatorët, veprat e dhunshme në reagimin ndaj tij i
quajti akte barbare të ekstremizmit dhe terrorizmit, i konsideroi si vepër të
armiqve të jashtëm e të brendshëm dhe bazuar në këtë lloj retorike burgosi dhe
ndëshkoi e dënoi me mijëra kundërshtarë të tij politikë. Edhe Hitleri përdori
të gjithë mekanizmat, prpagandën, repartet speciale, policinë, gazin
lotsjellës, ujin, tanket dhe ushtrinë kundër atyre që ngrinin krye ndaj tij.
Edhe Hitleri u përpoq që të shpallej si mesia e Gjermanisë dhe e botës, si
njeriu "shpëtimtar" për kombin gjerman dhe për botën.
Por
Adolf Hitleri pati idealisht një ndryshim nga disa diktatorë të kohës së sotme:
- Nuk e çoi ndërmend që në këmbim të favoreve për veten dhe pushtetin e tij,
tiI japë një fuqie tjetër territore të Gjermanisë! E megjithatë, lëvizja
hitleriane ka hyrë në histori si një lëvizje progresiste, ndërsa regjimi i
Hitlerit përshkruhet si një regjim i zi!