Editorial
Alfred Papuçiu: Shqipëria dhe Europa, perspektiva e integrimit
E marte, 18.06.2019, 09:08 PM
Shqipëria dhe Europa, perspektiva e integrimit
Nga
Alfred Papuçiu
Po
e ndjek me interes si çdo shqiptar debatin
e shfrenuar lidhur me mundësinë apo jo që Shqipëria të bëjë pjesë në
familjen europiane të Brukselit. Gjakrat janë ndezur dhe shkohet deri atje, sa
“për inat të sime vjehrre”, disa janë gati “të flenë me mullixhinë”. Gazetat
shqiptare shprehin mendime të kundërta dhe botojnë shkrime të analistëve, si
dhe deklarata të atyre që janë “kundër” apo “pro” përkatësisë europiane të
Shqipërisë. E kuptoj se për interesat e tyre politike, grupime të caktuara
përpiqen të imponojnë argumentet e tyre. Por këtu nuk është fjala për interesat
politike, ekonomike, sociale vetëm të një grupimi, qoftë ky i së majtës, i
qendrës apo i së djathtës, ”për të marrë pjesën e luanit” e ku ta di unë, por
kemi të bëjmë me interesat e ligjshme të gjithë kombit, popullit shqiptar:
mundësinë e futjes në Bashkimin Europian, paçka se ai është shumë larg së qeni
i përkryer. Ëndrra europiane e brezave të tërë, rilindësve e më vonë, siç duket
për egoizëm të disave do të shtyhet akoma. Në këtë kor futen dhe grupime të
caktuara europiane, qofshin në Bruksel, Strasburg, Luksemburg etj., që kanë
frikë siç duket nga ideja e “Shqipërisë së Madhe”, e cila në fakt nuk shtrohet
tani. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete mike që i kanë rritur shkëmbimet e
tyre, që flasin një gjuhë, ashtu siç është Zvicra me Italinë, Austrinë,
Francën, Gjermaninë, Lihtenshteinin, ku flitet respektivisht italishtja,
gjermanishtja, frëngjishtja, romanshë dhe popuj të këtyre vendeve kalojnë
lirisht dhe janë vendosur atje ku kanë gjetur punë apo ku kanë interesa dhe
jetë më të mirë. S’ka gjë më të mirë se Rruga e Kombit apo nisma të tjera që
ndihmojnë dy vendet për shkëmbime ekonomike, tregtare, kulturore etj.. E kam
ngritur prej vitesh dhe miqtë tanë të një multinacionaleje amerikane ku unë kam
punuar në vitet 2000 e kanë ngritur, se porti i Durrësit duhej të ishte kthyer
prej kohësh në një “silos” ku të stokoheshin mallrat që do vinin nga gjithë
bota dhe pastaj të shkonin me rrugë tokësore edhe në Kosovë e Maqedoninë e
Veriut. Këtë rol e ka luajtur deri-diku porti i Selanikut apo porte të tjera në
Ballkan.
Prej
mëse 40 vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, përkthyesit, botuesit,
funksionarit ndërkombëtar, dikur në Shqipëri dhe aktualisht në Zvicër. Kam
bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shkrime dhe botime në shtypin zviceran dhe në
atë të organizatave ndërkombëtare, si dhe në shtypin shqiptar. Këto vitet e
fundit, më tepër jam i prirur të shkruaj dhe të debatoj edhe me miqtë e mi për
Europën dhe kombin tonë. Sidomos në këto çaste, kur Veriu i industrializuar nuk
është akoma i prirur të pranojë peshën në rritje dhe ndihmesën që japin fuqitë
e reja të “Europës tjetër” jashtë saj dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër
të ri midis Veriut dhe Jugut. Vetëm Shtetet e Bashkuara, në erën e Klintonit,
Bushit, të Obamës dhe tani të Trump-it mund të krahasohen si komb, ndërsa
Europa e të 27-ve, përveç disa përjashtimeve, me Francën dhe Gjermaninë, është
akoma shumë larg që të cilësohet një ditë si “Shtetet e Bashkuara të Europës”.
Kontrasti është i madh midis kontinentit amerikan dhe Europës, për arsye se
europianët e Brukselit refuzojnë të përballojnë situatën e tanishme që evoluon
dita- ditës. Nuk mund të vësh në asnjë mënyrë, siç vënë në dukje analistët,
Presidentin amerikan Trump me drejtuesit e Komisionit Europian, të atrofizuar
dhe burokrat, apo me protokollin e tij i shkon për hosh nostalgjikëve të epokës
së merhumit. A nuk ishte ajo “Europë e kamur” që e mbante të mbyllur Shqipërinë
për dekada të tëra, duke mos folur për të dhe shumë europianë nuk e dinin ku
binte Shqipëria dhe shqiptarët, si e dëshironte E.H? A mos do ajo akoma, për
hir të disa zotërimeve apo privilegjeve që kanë fituar funksionarë të saj diku
në Jug të Europës, ta shtyjë “në kalendat greke” futjen e Shqipërisë në
Bruksel, që i takon “de jure”? Apo për t’i bërë qefin duke e joshur klanin
serbomadh, apo ndonjë shtet “superfuqi” që i shkon pas ?! E dimë se Tito me
politikën e tij” të paangazhuar” të hapjes, çoi emisarë të tij burra, gra dhe
vajza të reja, në shumë vende europiane, të cilët pasi mbaruan studimet dhe u
bënë profesorë, ekonomistë, mjekë apo u martuan me vendës, tani hapur apo edhe
në mënyrë të zhdërvjellët bëjnë politikën e Serbisë.
Europës
i duhet përsëri një staf me vizion të qartë dhe që është i paanshëm, pasi ajo
po paguan anonimatin burokratik të drejtuesve të saj me çmim të lartë.
Duke
qenë jashtë në diasporë, më tepër kam mbajtur rolin e spektatorit dhe jo të
protagonistit të ngjarjeve të këtyre viteve, sidomos pas viteve ‘90. Detyrat që
kam pasur si funksionar ndërkombëtar i pavarur në disa organizma të sistemit të
OKB-së, nuk më linin kohë të merresha me analiza e shkrime për shtypin
shqiptar. Natyrisht, kam ndjekur në çdo hap gjendjen në Shqipëri, analizat e
bëra nga dashamirët e saj, por edhe të atyre dashakeqëve që sa vijnë e
pakësohen. Kam shkruar edhe me mllef, por edhe me argumente kundër tyre, siç
vazhdoj edhe tani, kur është sidomos çështja e mbrojtjes së interesave të
kombit dhe padrejtësive që i bëhen atij nga disa qarqe vendimmarrëse europiane
apo nga disa fqinj keqdashës. Kam shkruar dhe e theksoj edhe sot për
domosdoshmërinë e ekuilibrit të politikës sonë të jashtme, sidomos me fqinjët
tanë, qofshin të Jugut, Veriut, Lindjes apo Perëndimit. Edhe për një politikë
largpamëse me europianët. Kam shkruar edhe për Amerikën dhe qëndrimet pozitive
të administratës së presidentëve Klinton, Obama e Trump. Për mua mbetet vendi i
parë në botë, i paarritshëm, i lirisë dhe demokracisë. Kam shkruar edhe për
Zvicrën që kur shkon në fshatin zviceran, se qytete të mirëfillta mund t’i
quash pa hezituar, shikon në ballkonet e shtëpive, krahas luleve
shumëngjyrëshe, edhe flamurin e Kantonit dhe atë të Zvicrës. Midis Zvicrës dhe
vendeve fqinje tani ka vetëm kufij fiktivë. Fqinjë të mirë që ngrenë së bashku
dolli, qofshin këta zviceranë, francezë, edhe shqiptarë. Kufijtë ndahen vetëm
nga breza tokash me grurë apo lule dhe aty-këtu ka forca lëvizëse, që natyrisht
kontrollojnë hyrjen e keqbërësve të mundshëm.
Kjo
më bën në këto çaste të mendoj edhe për kombin tonë: tashmë ai nuk është më “i
mbyllur hermetikisht” si dikur, por i hapur, paçka se shumë bashkëkombës të mi
detyroheshin akoma deri para disa vitesh të mbanin radhën me orë të tëra, ditë
dhe muaj, për të marrë një vizë për të shkuar në Europën e 27-shes. Jo për
turizëm, por për të punuar dhe për t’u rraskapitur… Ata shkojnë tani lirshëm.
Kam
punuar në organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në
Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare
të Punës, në OMS, me kolegë të vendeve të botës dhe nuk kishim asnjë kompleks
për njëri-tjetrin. Punonim si vëllezër dhe ndihmonim njëri-tjetrin, ashtu siç
më kujtohet kur isha gazetar në Shqipëri, ndihmonim njëri- tjetrin, me Kastriot
Gjinin e ndjerë kompozitor, me Shaban Muratin analist të zotin etj.. Ambicia
ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë, që është
futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam pasur fat dhe e them
sinqerisht, siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombës dhe ish-kolegë të mi, që
kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratike,
si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Në Zvicër kam vazhduar edhe një
universitet të dytë, duke shtuar njohuritë e mia juridike, politike, ekonomike,
rajonale për Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet,
Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de
Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont.
Emri
“Europë” është shumë i lashtë dhe e gjejmë te Herodoti. Sipas legjendës, Europa
ishte një princeshë feniciane që ia kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të
Olimpit. Europa ishte dhe Iliria, Dardania, shumë më parë se treva që u krijuan
në Europë më vonë.
E
përsëris, e kam shprehur dhe e shpreh hapur dhe pa ndonjë nëntekst, pasi i
gëzoj prej vitesh të gjitha të drejtat te shteti multietnik zviceran: kam një
simpati të veçantë për Zvicrën dhe ministren e saj të Jashtme, Micheline Calmy-
Rey, ish-presidente e Konfederatës Zvicerane, jo sepse më ka dërguar një letër
të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen
e interesave të vendit të saj. Atë e respektonin dhe e respektojnë akoma edhe
përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës apo të
qendrës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Ajo më shkruante për
rrugën që duhet të ndjekë Kosova dhe Shqipëria për në Europën e Brukselit.
Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, është në “Europën tjetër” si dhe
Shqipëria, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj. Por ajo ka marrëdhënie
të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europën e Brukselit, apo edhe më
larg. Zëri i saj dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të
doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e
Ballkanit. Nuk mund të rri pa përshëndetur hapat e guximshëm të ministrit të
Jashtëm të Kosovës, të përkushtuarit fisnik, Bexhet Pacolli, i cili ka bërë dhe
bën aq shumë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në shumë shtete
të botës. Një shembull tepër domethënës në këtë kohë të tranzicionit të kombit
tonë të lashtë në Europë. Ai është tepër largpamës dhe me vizion të qartë për
të ardhmen e Kosovës martire.
Ndonjë
parlamentar që e njoh dhe dikur na ka thënë se “ju të diasporës jeni jashtë loje
dhe nuk duhet të jepni mendime për kombin”, tani mund të përtypet. Atij i
kujtoj se Zvicra i quan bashkëkombësit e saj të vendosur jashtë territorit
helvetik, në Europë, Argjentinë, Amerikë, Kanada, Tailandë, Singapor e gjetiu,
si “ambasadorë të nderuar” të Zvicrës apo “Zvicra e dytë”. Janë mbi 700 mijë
zviceranë që jetojnë jashtë shtetit. Popullsia zvicerane tanimë ka arritur
rreth 8 milionë banorë, midis të cilëve 20 për qind janë të huaj. Do të kisha
dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe misioneve
tona: se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme,
për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani
kur na bëhen padrejtësi, për shtyrjen e futjes së Shqipërisë në Europë?! Ato
vende si Italia, Portugalia, Spanja etj., kur hynë në rrugën demokratike, kanë
pasur dhe kanë fatin të mos kenë fqinjë “që të qajnë ditën dhe të fusin thikën
natën”. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara
të Europës, pa Shqipërinë, Kosovën dhe ndonjë vend tjetër të Ballkanit? Jo,
duhet të veprojmë së bashku, me maturi dhe pa mllef, për të mirën e kombit, sa
nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhshëm shqiptarë, duke na
cilësuar si “të mefshtë”, që kemi parë vetëm interesat e ngushta vetjake. Të
shohim së shpejti flamurin tonë me shqipen dykrenore, krahas atyre të kombeve
të tjera që e përbëjnë atë në Bruksel, ashtu siç e shohim me krenari në Kombet
e Bashkuara në Nju Jork, në Gjenevë apo në selinë e NATO-s dhe organizmave të
tjera ndërkombëtare, ashtu siç e shohim në Rokfeler Center e gjetiu në botë. Me
të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan
marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli
përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e
vetmja kishë “ortodokse” duke u ndarë nga Roma dhe megjithëse reforma u imponua
në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit
janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e
moralit kristian njihen kudo. Me gjithë shumëllojshmërinë e gjuhëve dhe të
dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në
gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe
poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke,
legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa
popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo
gjuhë nga më të vjetrat indoevropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra
mijëra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetëra dekadash;
a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të
kombit tonë që kanë dhënë për Europën; ato sakrifica të popullit të vuajtur
shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore; ajo ndihmë që iu dha italianëve gjatë
“kapitullimit” të Italisë që u strehuan te vatrat e shqiptarëve të thjeshtë?
Për ata shqiptarë që në vitet ‘90 u larguan nga Shqipëria për të parë një jetë
më të mirë. Një fenomen i tillë ishte parë edhe në shekullin e XIX me
emigracionin e dhjetëra mijëra europianëve në Amerikë, tokën e premtuar. Shumë
grekë, sidomos intelektualë, por gjithashtu muratorë, fshatarë janë kudo në botë.
Në rast se shkoni në Florida, ju mund të shihni ata që ndërtojnë “billdingjet”
janë grekë; ka shumë restorante greke me “buzuqe” dhe një lagje e tërë greke. I
njëjti fenomen ndodhi me italianët në vitet e parat ë shekullit XX. Si edhe
francezët që janë kudo në botë; me zviceranët që siç e përmendëm më sipër janë
mbi 700 mijë, jashtë kufijve të Konfederatës Helvetike. Autoritetet e këtyre
vendeve, ambasadorët e akredituar atje, si edhe shtypi, nxjerrin në pah
cilësitë e këtyre “përfaqësuesve të denjë” të Francës, të Greqisë, të Zvicrës,
të Spanjës…Dhe kjo me të drejtë. Mjaft më me korniza e ndarje kufijsh për
popujt e Ballkanit! Edhe ata meritojnë të shohin diçka më tepër, për vete dhe
fëmijët e tyre. Shqipëria dhe Ballkani të mos bëhen pré e keqdashësve që hedhin
vetëm anatema ndaj popujve të tyre mikpritës, bujarë, punëtorë, që kanë të
drejtën të lëvizin në Europën që u përket jo vetëm gjeografikisht, por edhe
ligjërisht. Europa është e ardhmja jonë dhe jo më nostalgji.