E marte, 19.03.2024, 10:49 AM (GMT)

Sport » Sporti

Erkand Qerimaj, kampion i trefishtë i Europës

E shtune, 20.09.2008, 02:41 PM


Kampioni i Evropes, Erkand Qerimaj
Nga Aida Tuci

Peshëngritësi shkodran shpallet fitues i medaljes së artë në tri stilet në Kampionatin e 34-t Europian për të Rinj

Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj shpallet kampion i trefishtë i Europës në Kampionatin e 34-t Europian të Peshëngritjes për të Rinj, që po po zhvillohet në qytetin e Durrësit. Qerimaj tri medalje të arta në stilin e shkëputjes, shtytjes dhe në dygarësh, duke mos pasur asnjë rival potent në peshën 77 kg ku konkurron.
Peshëngritësi shkodran garoi në peshën deri 77 kg së bashku me 18 sportistë të tjerë nga vende të ndryshme të Europës. Ai la pas peshëngritësin Andrej Mollçanov nga Rusia me 332 kg dhe Agasi Aghasian nga Armenia me 327 kg. Konkurrimi për Qerimajn nis me 146 kg në provën e parë, që i realizon lehtësisht. Në provën e dytë Qerimaj, që shfaqet ambicioz për podin e artë, kërkon 151 kg. Për një shkëputje të përqendrimit, ai e humbet këtë provë që e realizon gjithsesi në provën e tretë. Me 151 kg në stilin e shkëputjes Erkand Qerimaj ngjitet në podin e fituesit të medaljes së artë, pasi peshonte rreth 300 gramë më pak se ndjekësi i tij më i afërt, bjellorusi Kazimir Fitneser, që e mbyll këtë stil po me 151 kg. Në vend të tretë, me medalje bronzi klasifikohet rusi Andrej Mollçanov më 150kg. Në stilin e dytë, atë të shtytjes, Erkand Qerimaj ka dominuar totalisht, duke mos pasur asnjë rival potent në këtë stil. E nis me 181 kg në provën e parë dhe e realizon me sukses. Ndërkohë që dy ndjekësit e tij, rusi Andrej Mollçanov dhe turku Semih Jagxhi e kishin mbyllur konkurrimin në këtë stil me 182 kg, të realizuara në provën e tretë dhe të fundit, Qerimaj ende nuk kishte bërë provën e tij të dytë, ku që me 185 kg ai është fituesi i medaljes së artë. Vetëm për ambicien e tij personale si sportist ai kërkon në provën e tretë 190 kg, edhe pse tashmë e kishte siguruar të artën. Por shtanga kësaj radhe i vjen e rëndë, kështu që këtë stil e mbyll me 185 kg, duke u ngjitur në podin e fituesit të medaljes së artë edhe në këtë stil e për rrjedhojë edhe në dygarësh me 336 kg. Nuk i ka munguar në konkurrimin e tij të fundit në kategorinë e të rinjve peshëngritësit Qerimaj edhe tifozëria e tij e zjarrtë. Dhjetëra sportdashës nga Shkodra iu bashkuan entuziazmit të sportdashësve durrsakë në shkallët e pallatit të sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Menjëherë pas përfundimit të garës, Erkand Qerimaj falënderoi trajnerin, mjekët e skuadrës dhe të gjithë shqiptarët. Me tri të arta Erkand Qerimaj mbyll përfundimisht konkurrimin si peshëngritës me kategorinë e të rinjve, duke premtuar të njëjtin sukses edhe në kategorinë e të rriturve, së cilës i përket tashmë edhe në të ardhmen. Në vendin e dytë dhe fitues i medaljes së argjendtë për peshën 77 kg u rendit rusi Andrej Mollçanov me 332 kg në dygarësh, ndërkohë që medaljen e bronztë e fitoi peshëngritësi nga Armenia, Agasi Aghasian me 327 kg në dygarësh. Peshëngritësi tjetër që konkurroi një ditë më parë në peshën 77 kg në baterinë B pas përfundimit dhe të garave të djeshme të baterisë A u klasifikua në vendin e 10-të me 293 kg në dygarësh. Po dje, kanë konkurruar dhe dy peshëngritëset femra, Maria Veli dhe Manjola Karaj, në peshën 69 kg. Veli është renditur në vendin e 6-të, me 80 kg në shkëputje, 103 kg në shtytje dhe 183 kg në dygarësh, ndërsa Manjola Karaj në vendin e fundit me 54 kg në shkëputje, 65 në shtytje dhe 119 në dygarësh. Te femrat Shqipëria nuk ka patur asnjë pretendim për medalje.

Tabaku, medalisti surprizë

Për ekipin tonë kombëtar konkurrimi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj ka përfunduar një ditë para mbylles së aktivitetit. Të fundit në konkurrim për kombëtaren tonë ishin Ervis Tabaku në peshën 85 kg dhe Endri Karina në peshën 94 kg. Interesant është gara e peshëngritësit Ervis Tabaku, i cili në fakt ka konkurruar një ditë më parë, ku në baterinë e tij B ka dalë i pari, por pas përfundimit dhe të baterisë A, që u zhvillua dje pasdite, Ervis Tabaku ka rezultuar fitues i medaljes së bronzit në stilin e shkëputjes me 157 kg, duke lënë pas shumë peshëngritës të baterisë A dhe i 5-ti në stilin e shtytjes me 188 kg. Edhe në dygarësh Tabaku është klasifikuar në vendin e 5-të, mes 21 peshëngritësve pjesëmarrës në këtë peshë. Ndërkohë, Endri Karina, i fundit konkurrent për ekipin tonë në peshën 94 kg, e ka humbur krejt qetësinë në konkurrimin e tij. Në stilin e shkëputjes Endri Karina ngre 145 kg në provën e parë dhe humbet dy provat e tjera në tentativat për të ngritur 150kg dhe 151 kg. Në stilin e shtytjes, që në provën e parë, Karina realizon me sukses 177 kg. Në provën e dytë dështon në përpjekjen për të ngritur 182 kg dhe habit në fakt kur në provën e tretë kërkon 185, duke shfaqur pretendime për zonën e medaljeve. Në këtë provë bën gabimin me absurd kur ngre 185 kg në këtë provë, por e rrëmben entuziazmi dhe në vend që ta hedhë shtangën para këmbëve të tij, e hedh prapa krahëve, duke shkaktuar faull. Sigurisht, ky bagim naiv i kushtoi Karinës medaljen e bronzit dhe e mbyll konkurrimin e tij në vendin e 6-të me 145 kg në shkëputje, 177 në shtytje dhe 322 kg në dygarësh. Medaljen e artë në këtë peshë e fitoi Soslan Gaglojev Rusi me 163 kg në shkëputje, 193 kg në shtytje dhe 356 kg në dygarësh, i ndjekur nga Aurimas Didebalis i Letonisë me 150 kg në shkëputje, 193 kg në shtytje dhe 343 kg në dygarësh dhe në vend të tretë me medalje bronzi renditet gjeorgjiani Vazha Govgaxe i Gjeorgjisë me 158 kg në shkëputje, 180 kg në shtytje dhe 338 kg në dygarësh.

Ekipi kombëtar i meshkujve një ditë para përfundimit të aktivitetit është në krye të klasifikimit të medaljeve

Shqipëria kërkon dhe të artën ekipore

Edhe pse Kampionati i 34-t Europian mbyllet sot, një ditë para përfundimit të tij, shpresat se Shqipëria mund të marrë medaljen e artë edhe si ekip janë shtuar pas 3 medaljeve të arta të peshëngritësit Erkand Qerimaj. Shqipëria është në kuotën e 5 medaljeve të arta, 2 argjendi dhe 4 bronzi deri tani, duke shkuar në total në kuotën e 11 medaljeve. Ndjekësja më e afërt e saj është Armenia dhe Moldavia, përkatësisht me 3 medalje ari secila. Por ndërkohë që këto dy shtete kanë konkurrentë dhe në dy peshat e fundit 105 kg dhe +105 kg, garat e të cilave zhvillohen sot, Shqipëria të paktën për një ditë është në krye të klasifikimit tek meshkujt. Megjithatë, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka bindjen se, pavarësisht dhe dy peshave të fundit, Shqipëria do ta ruajë kreun e klasifikimit në kategorinë e meshkujve me 5 medalje ari. Dy prej këtyre medaljeve janë fituar në ditën e dytë të garave nga peshëngritësi peqinas Daniel Godelli, i cili u shpall fitues i medaljes së artë në stilin e shtytjes dhe në dygarësh dhe fitues i medaljes së argjendtë në shkëputje. Ndërsa 3 të artat iu shtuan ekipit dje nga konkurrimi i talentit shkodran Erkand Qerimaj, i cili i ngjit tri herë në podin e fituesit të medaljes së artë. Me tri medaljet e arta që arriti të fitojë Erkand Qerimaj, Shqipëria shkon në kuotën e 11 medaljeve ne total, duke qenë pretendente edhe për të artën europiane.

Dekorohen Ymer Pampuri dhe Asim Belinova

Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, ka nderuar me “Medaljen e Nderit” dy prej figurave më të shquara të peshëngritjes shqiptare, kampionin olimpik Ymer Pampuri dhe ish- peshëngritësin Asim Belinova me motivacionin për “Kontributin e lartë në zhvillimin e sportit të peshëngritjes në Shqipëri”. Dekoratat dy figurave të shquara të peshëngritjes shqiptare ua dorëzoi vetë presidenti i Federatës Europiane, Antonio Urso.

Presidenti Urso “dekoron” FSHP-në për organizimin

Presidenti i Federatës Europiane, Antonio Urso, nuk ka munguar as edhe një ditë gjatë zhvillimit të Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të Rinj, duke qenë prezent në çdo moment në sallën e pallatit të sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit. Me sa duket, përkushtimi i tij kishte si qëllim vëzhgimin deri në detaj të organizimit të këtij aktiviteti nga federata shqiptare, duke pasur në mendje një tjetër projekt me federatën tonë, atë të organizimit të Kampionatit Europian për të rritur në vitet e ardhshme. Pak më vonë, në konferencën e tij për shtyp në një nga mjediset e pallatit të sportit të qytetit të Durrësit, ai jo vetëm do të fliste me superlativa për organizimin perfekt të Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të Rinj, por premtoi se Federata Europiane e sheh Shqipërinë si kandidaturë për organizimin e kampionatit europian për të rritur edhe në kategorinë e të rinjve në vitet e ardhshme. “Nota ime për organizimin e Kampionatit Europian të të Rinjve nga Federata e Peshëngritjes është 11,”-përmbledh në fund përshtypjet e tij kreu i Federatës Europiane të Peshëngritjes Antonio Urso.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora