Sport » Sporti
Prizreni i 16-i, "vulos" dështimin shqiptar në Pekin
E merkure, 20.08.2008, 09:16 PM
Shqipëria mbyll aventurën në Lojërat Olimpike. Ëndrrat kuqezi për të arritur të paktën një vend nderi janë venitur, e kjo pas paraqitjes së dobët të mundësit Sahit Prizreni në peshën 60 kg stil i lirë (por edhe të tjerëve përpara tij). Pas shortit, flamurmbajtësi i vendit tonë në Pekin 2008, ishte kualifikuar direkt në raundin e parë dhe ndeshja e tij në 1/8 ka qenë kundër kampionit të Azisë, Bazar Bazarguruev, nga Kazakistani. Sfida ishte shumë e vështirë, edhe sepse kazaku, ashtu sikurse shqiptari, kishte fituar medalje bronzi në Botërorin 2007. Në fund, Prizreni, i cili gjatë gjithë qëndrimit në Olimpiadë ka vuajtur një dëmtim në gju, u largua nga tapeti me humbje. Në klasifikimin e përgjithshëm ai u klasifikua në vendin e 16 (mes 19 sportistëve që garonin në këtë peshë), ndërsa Bazarguruev në vendin e pestë. Ky i fundit humbi ndeshjen me japonezin Keniçi Jumoto, i cili fitoi medaljen e bronzit. Medalja e artë u fitua nga rusi Mavlet Batirov, ndërsa argjendi nga ukrainasi Vasil Fedorishin.
Me garimin e Prizrenit "vuloset" dështimi total i Shqipërisë që numëron vetëm pak performanca të kënaqshme. Rezultatet më të mira vijnë padyshim nga peshëngritja. Romela Begaj u rendit e gjashta në peshën 58 kg nga 12 sportistë që garonin, ndërsa Erkand Qerimaj i pari në baterinë "B" dhe i 13-i në klasifikimin e përgjithshëm. Mjaft mirë u paraqit edhe mundësi Elis Guri, i cili mposhti kampionin olimpik, egjiptianin Karam Kaber dhe e mbylli garën në peshën 96 kg. në vendin e tetë nga 20 pjesëmarrës. Edhe pse të klasifikuar në vendet e fundit, notarët Sidni Hoxha dhe Rovena Marku thyen rekorde kombëtare, ndërkohë që zhgënjyen totalisht qitësja Lindita Kodra dhe atletët Dorian Çollaku e Klodiana Shala.
REZULTATET E SHQIPËRISË
Peshëngritje
Romela Begaj, 58 kg: vendi i 6
Erkand Qerimaj, 77 kg: vendi i 13
Gerti Trasha, 69 kg: i skualifikuar
Mundje klasike
Elis Guri, 96 kg: vendi i 8
Mundje e lirë
Said Prizreni, 65 kg: vendi i 16
Not
Sidni Hoxha, 50 m/stil i lirë: vendi i 63
Rovena Marku, 50 m/stil i lirë: vendi i 58
Xhudo
Edmond Topalli, 81 kg: eliminuar në raundin I
Qitje
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: vendi i 40
10 m pistoletë me ajër: vendi i 35
Atletikë
Dorian Çollaku, çekiç: vendi i 28
Klodiana Shala, 400 m: vendi i 37