E merkure, 11.12.2024, 06:39 PM (GMT)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Në kërkim të medaljes së parë olimpike të Shqipërisë…

E merkure, 30.07.2008, 04:36 PM


Besnik Dizdari
Në kërkim të medaljes së parë olimpike të Shqipërisë…

Nga Besnik Dizdari

Qysh nga sot në “TemA”: PEKIN 2008: “Kur e rëndësishme nuk është të marrësh pjesë, por të fitosh”

- Midis 53 shteteve të sotme që ka Evropa, Shqipëria bën pjesë në 12 shtetet të cilët deri më sot nuk kanë arritur të fitojnë asnjë medalje olimpike

- Kësaj rradhe ajo shkon me delegacionin më të madh në histori. Janë 11 sportistë, 7 prej të cilëve kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre përmes kualifikimit me rezultate të normës olimpike të pjesëmarrjes dhe me e pakta pesë medalistë të nivelit më të lartë evropian e botëror

Nis Olimpiada. Ose ajo që zyrtarisht njihet si “Lojërat e 29-ta Olimpike”, Pekin 2008. Do të jetë tema e rubrikës sonë gjatë gushtit. Për “emblemë” kemi gjetur thënien e kundërt të Pier de Coubertin të shekullit XIX. Pra, jo që “e rëndësishme është të marrësh pjesë, jo të fitosh”, por që “e rëndësishme nuk është të marrësh pjesë, por të fitosh”. Sepse për hir të së vërtetës, na duhet që edhe ne ta pranojmë këte “shkatërrim” që bota moderne i bëri idesë së madhe të themeluesit të Olimpiadës, baronit të madh francez. Sidomos kur fjala është për Shqipërinë e vogël, e cila prej 53 shteteve të sotme që ka Evropa, ajo bën pjesë në 12 shtetet të cilët deri më sot nuk kanë arritur të fitojnë asnjë medalje olimpike.

Një pjesëmarrje historike për kah cilësia…

Kësaj rradhe ajo ka të veçantën e saj sepse shkon me delegacionin më të madh në histori. Janë 11 sportistë, çka do të thotë 2 më shumë më 1992 dhe 1996 kur me 9 pjesëmarrës qe vendosur “rekordi” i varfër i pranisë së Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Tash janë 11. Ndërkaq, më tepër se “rekordi i ri” me 2 sportistë më tepër se më parë, është një tjetër: për herë të parë Shqipëria shkon në Olimpiadë me 7 sportistë të cilët kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre përmes kualifikimit me rezultate të normës olimpike të pjesëmarrjes:

Sahit Prizreni (mundje e lirë), Dorian Çollaku (atletikë), Erkand Qerimaj (peshëngritje), Romela Begaj (peshëngritje), Gerti Trasha (peshëngritje), Elis Guri (mundje klasike), Lindita Kodra (qitje). Ndërkohë që edhe katër sportistë të tjerë, Klodiana Shala (atletikë), Edmond Topalli (xhudo), Rovena Marku (not), Sidni Hoxha (not), ndonëse shkojnë në Pekin si të ftuar, janë përzgjedhur falë rezultateve më të mira të tyre të arritura në gara të ndryshme ndërkombëtare. Kësisoji, duhet thënë se të 11 olimpistët shqiptarë për herë të parë në histori shkojnë në Olimpiadë falë rezultateve të tyre ndërkombëtare të njohura nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO).

Po ajo çka na duhet të shënojmë si edhe më të veçantë, më historike, është kjo tjetra: që për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, Shqipëria shkon në një Olimpiadë me e pakta pesë medalistë mirëfilli të garave të nivelit më të lartë evropian e botëror. Kështu, midis 11 olimpistëve shqiptarë ngjet që për herë të parë të bëjnë pjesë sportistë të tillë si Kampionia e Evropës në qitje Lindita Kodra; medalisti botëror (i treti në botë) i mundjes së lirë Sahit Przreni; medalisti evropian (i treti në Evropë) i mundjes klasike, Elis Guri; Kampionia e Evropës në peshëngritje, Romela Begaj; dy herë Kampioni i Botës për të rinj Erkand Qerimaj; Nënkampioni i Botës për të rinj Gerti Trasha. Dhe është mu ky treguesi më i madh në historinë modeste olimpike të sportit shqiptar. Në tanësi shihet se për herë të parë në histori Shqipëria shkon në një Olimpiadë duke patur me vehte: dy Kampione të Evropës, një Kampion të Botës për të rinj, një Nënkampion të Botës për të rinj, një të tretë të Botës dhe një të tretë të Evropës. Për të paditurit në këte lâmë, kujtojmë se ky është suksesi paraparak më i madh në historinë e sportit shqiptar. Themi paraparak, sepse vetëm mbas përfundimit të Lojërave të Pekinit do të mund të mësojmë nëse ka apo jo një sukses të drejtpërdrejtë olimpik të tyre.

Duket sikur u zgjatëm në këtë rreshtim historiko– statistikor, por e bëmë ngaqë trajtimi amatoresk, po shpesh i paditur, jo kompetent që iu bëhet treguesve të olimpistëve shqiptarë në shtyp dhe në televizion, ndikon gjithnjë e më keq në nxitjen që sporti shqiptar i takon të gjejë në opinionin publik. Ndodhemi kështu përballë një stadi të ri sportiv olimpik të vendit tonë të vogël, me shumë probleme ende të pazgjidhura ekonomike, sociale, e për rrjedhojë edhe sportive, e kësisoji nuk mund të themi se sporti ka zënë plotësisht vendin e tij dhe se e ka marrë ndër duart e veta rolin e tij të plotë. Po kjo nuk do të thotë se arritja paraprake olimpike me pjesëmarrjen më të nivelit ndërkombëtar që ka patur ndonjëherë Shqipëria, të zbehet kësisoji. Për fat të keq, shtypi dhe TV të gjitha energjitë kryesore sportive të tyre, nëse mund të përcaktonim kështu, i shtérrojnë duke u marrë me sportin e vendeve të tjera. Kjo ngjet vetëm në Shqipëri. Dhe përderisa shtypi shqiptar nuk fikson aspak përsëmbari deri dhe rezultatet e rekordet sportive kombëtare në të gjitha sportet, na bën të themi (dhe këte jemi në gjendje ta argumentojmë plot siguri) se Shqipërisë me 7 gazeta të përditshme sportive megjithate i mungon një gazetë mirëfilli kombëtare. Kur me “kombëtare” kuptojmë atë që fjalorët e japin shumë qartë, teksa e spjegojnë krejt thjeshtë:

“Ndjenjë, vetëdije e të qenunit prej të njëjtit komb, atdhetari, e lidhur me gjithë kombin me ndjenjë kombëtare, bashkatdhetarie… Skuadër apo sportist që përfaqëson kombin e tij në gara ndërkombëtare në një disiplinë të caktuar”.

Komentet e përimta në këte kah tash për tash na duken të tepërta…

Një histori shqiptare dhe një histori shqiptarësh…

Plot 11 sportistë të kombësisë shqiptare por të një shtetësie joshqiptare ia kanë arritur sot të vënë në gjoksin e tyre medalje olimpike. Të 11 këta musketerë kanë rrëmbyer plot 17 medalje olimpike të arta, të argjenta dhe të bronzta. Historia olimpike na tregon se për herë të parë një sportist shqiptar nga Shkupi me emrin Shaban Trstena arrin të triumfojë në Lojërat Olimpike, përmes titullit të Kampionit Olimpik, për fat nën flamurin e Jugosllavisë. Ngjarja epokale sportive për kombësinë shqiptare, ka ndodhur më 8 tetor 1984 në Olimpiadën e Los Anxhelosit dhe 19 vjeçari Shaban Trstena qe mbreti i një gare të ashpër ku merrnin pjesë 17 shtete. Sidomos dueli i tij i papërshkrueshëm me ish Kampionin Olimpik, japonezin legjendar Takada, e përfshin suksesin e tij në një prej ngjarjeve më të bujshme të historisë së dueleve të peshës 52 kilogram të mundjes së lirë të Lojërave Olimpike. Kjo është medalja e parë e artë e një shqiptari në Lojërat Olimpike. Tetë vjet më vonë, më 1992 në letrën që i dërgonte Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, Shaban Trstena shkruante “… Për mua i vetmi ngushëllim ishte në ato çaste të mbyllja sytë për një moment dhe të paramendoja sikur dëgjoja këngën e flamurit tonë kombëtar që ngrihej lart qiellit”.

Ndërsa medalja e parë olimpike (jo e artë) e një shqiptari në Olimpiadat i përkiste ngjarjes së 4 vjetëve më parë, në Lojërat e Moskës, më 1980 kur shqiptari tjetër po i Maqedonisë, Shaban Sejdiu, fitonte medaljen e bronztë në mundjen e lirë, por të peshës 68 kilogram, natyrisht gjithnjë për Jugosllavinë!

Rasti më i çuditshëm është se duke filluar pikërisht me Olimpiadën e vitit 1980, pa asnjë ndërprerje, sportistë të kombësisë shqiptare arrijnë të fitojnë medalje olimpike. Janë shtatë Olimpiada rradhazi dhe raca shqiptare tregon edhe ajo forcën dhe vokacionin e vet sportiv, pse jo, të një géni sportiv, të një vullneti e talenti të përmasave botërore, por gjithnjë nën flamurin e shteteve të tjerë. Ndërkaq, në të shtatë këto Olimpiada asnjë shqiptar i Republikës së Shqipërisë nuk ia arrin të fitojë një medalje të vetme!

Në gjithë këte kryqëzim të temës sonë, krejt paradoksi i saj gjithsesi mbetet shqiptar, të paktën për kah kombësia. Dhe këtu kryqëzohen dy periudha po aq të çuditshme. E para i përket shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës nën Jugosllavi. E dyta i përket shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë nën Greqi. Siç shihet, ndryshimi qëndron në ate që medalistët olimpikë të periudhës së parë (1980-88) janë të lindur dhe të formuar si shqiptarë në trevat shqiptare të përtej kufirit shtetëror. Ndërsa medalistët olimpikë të periudhës së dytë (1992-2004) janë të lindur dhe të formuar si sportistë pikërisht në tokën “zyrtare” të 28.794 kilometrave katrorë të Shqipërisë “së vogël” zyrtare!

Të dy palët i bashkon shqiptarësia, janë shqiptarë, madje shqipfolës dhe banorë të tokës shqiptare kudo e shtrirë qoftë ajo. Drama jonë historike takohet kësisoj në një dramë sportive të papame. Për një çast të duket si një kthim në lashtësi, kur do të gjesh paraardhësit të tokës ilirike si kampionë olimpikë, midis 287 olimpiadave të lashtësisë. Në vitin 516 para erës së re, në Olimpiadën e 66-të, qytetari Kleosten nga Epidamni ka fituar të artën në garën me kuadriga (karrocë me 4 kuaj). Ai është kampion edhe në pesëgarësh së bashku me Milonin e Krotonës, Timasitheon e Delfit e Tskyrosin e Himarës. Në Olimpiadën e 70-të, në vitin 500 para erës së re, Meneptolemi i Apolonisë është kampion historik në garat e fëmijëve. Ndërsa në Olimpiadën e 77-të të vitit 472, Aigiasi i Epidamnit është kampion olimpik në garën e vrapimit me armatim. Eshtë spektakolare fitorja e titullit olimpik në Olimpiadën e 109-të në vitin 344 nga iliri Arybasi, sepse arrihet në një garë që të bën nder të madh sportiv: pesëgarëshin. 200 vjet më vonë, më 123 para erës së sonë, në Olimpiadën e 161-të një tjetër ilir, Antipatri i bën historisë sonë një nder edhe më të madh kur fiton në vrapim.

Duken si përralla, por janë krejt të dokumentuara.

A është një vazhdim historie? Nuk mund ta themi. Vetëm pranojmë se më në fund, mbas një heshtjeje 2600 vjeçare, shqiptarët i janë kthyer medaljeve olimpike, të paktën në 28 vjetët e fundit të Olimpiadës së re, asaj moderne. Dhe përherë jo nën flamurin e Republikës së Shqipërisë! Këtu qëndron jo thjesht paradoksi, por fataliteti. Ose ndryshe: drama jonë edhe në këte fushë të jetës e historisë kombëtare.

Periudha e parë nën Jugosllavi përmblidhet në katër emra tashmà legjendarë: Shaban Sejdiu dy medalje bronzi në mundjen e lirë (1980 dhe 1984) në 68 dhe 74 kilogram; Shaban Trstena – Kampion Olimpik (1984) dhe Nënkampion Olimpik (1988) në 52 kilogram të mundjes së lirë; Azis Salihu fitues i medaljes së bronztë në boks (1984) të peshës +91 kilogram.

Mandej vjen periudha e dytë, ajo 1992-2004, e cila përmban në vetvete pjesën më të rëndë të dramës sonë sportive: olimpistët shqiptarë, të lindur e të formuar si sportisë në Shqipëri, dhurojnë medalje për Greqinë!

Pirro Dhima shpërthen në Barcelonë më 1992 me medaljen e artë në peshën më klasike, ate 82.5 kg, në rastin më vetanak në histori: të tre rivalët arrijnë nga 370 kilogram, pra Dhima, polaku Simion dhe Ibrahim Samadov i Rusisë nga Çeçenia! “Shqipëria në majën më të artë të podiumit, - shkruan “La Gazzetta del Mezzogiorno”, e përditshme italiane, në shkrimin me titull: “Himni grek, por Pirro është shqiptar”.

Këtu nis historia e “luanit të Himarës”, siç e ka përcaktuar Dhimën revista sportive më e madhe e botës, e famshmja “Sport Illustrated” e SHBA. Ka qenë saktësisht 3 gusht 1992, Barcelonë dhe 31 konkurentë të 26 shteteve. Një histori që e çon edhe në dy medalje të tjera të arta (1996 dhe 2000) – rast i vetëm në Olimpiada për një peshëngritës të së njëjtës peshë. Shqiptarësia e peshëngritjes greke nuk ndalon më: Olimpiada e vitit 1996 është një shpërthim i tani shqiptar: Pirro Dhima (Pyros Dimas) - Kampion Olimpik në 85 kg., Luan Shabani (Leonidas Sabanis) medalje argjëndi në 59 kg, Leonard Gogaj (Leonidas Kokas) argjënd në 91 kg; Agim Xhelili (Yorgos Dzelilis) i katërti në 64 kg dhe Viktor Mitro po i katërti në 76 kg! Ndërsa në Lojërat e Atlantës më 1996, patëm rastin të përjetonim boksin e një shqiptari kosovar të markës gjermane, Luan Krasniqi, Nënkampion i Botës, i cili fitoi medaljen e bronztë nën flamurin e Gjermanisë, pikërisht në peshën 91 kilogram ku medaljen e artë e fitoi boksjeri më i madh i botës Felix Savon i Kubës. Katër vjet më vonë, në Olimpiadën e Sidneit 2000, medaljen e tretë të artë të Pirro Dhimës e shoqëron e argjenta e dytë e Luan Shabanit (62 kg) dhe e argjenta e Viktor Mitros (77 kg).

Dhe befasia e befasive: në hudhjen e shtizës, Mirela Manjani nga Durrësi, e cila në Lojërat e Olimpike të Atlantës (1996) ishte renditur e 14-ta për Shqipërinë, shpallet Nënkampione Olimpike për Greqinë (67.51 m.)! Do të bëhej Kampione e Evropës dhe dy herë Kampione e Botës! Dhe ishte dhe është, ende kësaj dite rekordmene e Shqipërisë në hudhjen e shtizës!

Ky ishte paradoksi shqiptar olimpik që tashmà shpalosej në përmasa që për ne dukeshin biblike. Kur mbërrin Athina 2004 ndodhi që të kemi përsëri dy medalje “shqiptare”: Pirro Dhima - bronz në peshëngritje (85 kg) – katër medalje në katër Olimpiada rresht! Dhe Mirela Manjani bronz në atletikë (shtizë).

A duhet ta përmendim vazhdimisht këte “shqiptarì” të tjetërsuar? Apo duhet të qëndrojmë thjeshtë te vetëm dy rastet tona të pastra shqiptare, sidomos sot në atë që po i thonë epoka e globalizimit, kur kombësitë dhe shtetësitë po bëhen “lâmsh” në gjithë Evropën?

Një Shqipëri “e vetmueme”…

Dhe.. Ka qenë 1972. Ditë e 29 gushtit 1972. Olimpiada e Munihut. Pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në një Olimpiadë. Madje pjesëmarrje sensacionale. Në peshëngritje përfaqësuesi i Shqipërisë Ymer Pampuri arrin shifrat 127.5 kg. të stilit të forcës të peshës 62 kg. çka përbënte Rekord Olimpik. 27 vjeç djalë, peshëngritës i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), i cili vetëm pak më parë me 125 kg në stilin të ashtuquajtur të forcës, ishte shpallë Nënkampion i Evropës në Kostanca të Rumanisë zhvilluar më 13-21 maj 1972. Pampuri është pionieri i asaj që do të mbrrijë më vonë peshëngritja shqiptare: e treta në Kampionatin Evropian të Aalborgut në Danimarkë më 13-20 maj 1990 me Bashkim Sovjetik dhe Bullgari. Ka qenë kampionati i fundit ku Pirro Dhima i Shqipërisë arrin pesë rekorde kombëtare dhe dy vjet më vonë, në Barcelonë, tash nën ngjyrat e Greqisë, ai bëhet Kampioni i Parë Olimpik me prejardhje të plotë sportive nga Shqipëria.

Ngjarja e 29 gushtit 1972 - një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, ka ndërmes atë verë të 72-shit Ymer Pampurin, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jipet medalja. Kanë qenë nderet për Kampionin e Botës, Ymer Pampurin nga Shqipëria, medalja e Kampionit të Botës dhe diploma e titullit. Siç thotë statisticieni zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, Gottfried Schodl: “Pampuri është më 1972 me rastin e Lojërave Olimpike të 1972 Kampion i Botës në Forcë, në kategorinë 60 kg me 127.5 kg.”.

Ka ndodhur kështu sepse turneu olimpik 1972 ishte edhe Kampionat Botëror i vitit 1972. Pampuri është sot e kësaj dite i vetmi Kampion i Botës për të rritur i Republikës së Shqipërisë dhe i vetmi Rekordmen Olimpik nga Shqipëria, për fat një rekord i pathyer deri më sot për shkak të shkurtimit të stileve në peshëngritje nga tre në dy!

Dhe për një përkim befasues, mu këto ditë, në një prej historive më autoritare të sapobotuar për Lojërat Olimpike, gjej këte përkufizim jo pa peshë për arritjen e Pampurit në Mynih 1972:

“Kjo garë, - shkruhet në këte histori të freskët,- shfaqi dukjen e rrallë të një sportisti nga Shqipëria. Ymer Pampuri, një aktor cirku, thyen rekordin olimpik dhe në të vërtetë është ai që vihet në krye të garës mbas fitores së stilit të parë falë peshës së tij më të lehtë. Megjithate, dy stilet e tjerë nuk kanë një traditë në Shqipëri dhe ai nuk arrin më tepër se vendi i 12-të dhe i 10-të në këto dy stile. Dhe në tregarësh Pampuri renditet në vendin e nëntë”.

Viti 1972 është kësisoj, i vetëm, jo i ndarë: sepse këtu ka qenë e pranishme vetëm Shqipëria, pra jo “shqiptarët jashtë Shqipërisë”. Një pjesëmarrje që dhuron një rekord olimpik dhe për çudi një Kampion të Botës, Ymer Pampurin. Të tjerët, edhe ata historikë, sepse janë pjesëmarrës të parë në një Olimpiadë, nuk mbërrijnë lart. Qysh prej qitësit të famshëm për ne, Ismail Rama, në garën e pushkës 1x60 e deri te Fatos Pilkati, në pistoletë standart, te Afërdita Tusha po në këte garë dhe te Beqir Kosova në pushkë precizion, të cilët luhaten nga vendet 22 deri te i 60-ti.

Kjo është pesëshja e parë që regjistron pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në një Olimpiadë. Dhe vetëm kaq. Mbas saj vijnë 20 vjet heshtjeje, mospjesëmarrjeje të një Shqipërije, më e izoluar se kurrë.

Kthimi i bujshëm ishte lënë për më 1992, por gjeopolitikisht, kurrsesi nga ana sportive. Vetëm një vend i 9-të për peshëngritësin Fatmir Bushi në 67.5 kilogram (290 kg); një vend i 11-të i Sokol Bishanakut po në këte peshë. Shifra të larta të Dedë Dekajt në +110 kg (380 jg), e 14-ta Enkelejda Shehu në qitjen e pistoketës (575 pikë), i 30-ti Kristo Robo në pistoletë – siluetë. Dhe befasia e padëgjuar e garave të notit. Shqipëria “zbulon” një shqiptaroamerikan me emrin Frank Leskas, i cili nga përtej oqeanit vë kandidaturën për të na përfaqësuar në 50 dhe 100 metra stil i lirë (arrin 24” 75 dhe 55”78 – rekorde të papara shqiptare), por vetëm vend i 5-të dhe i 6-të i tij në bateri, eliminim dinjitoz në sportin e mahnitshëm të olimpiadave!

Përkimi është fatal. Shqipëria rrëmben një amerikano-shqiptar dhe i dhuron Greqisë Pirro Dhimën si Kampionin e Parë Olimpik që vjen nga Republika e Shqipërisë, kur vetëm 20 muaj më parë kishte përfaqësuar Shqipërinë e tij duke u renditur në katër më të mirët e kontinentit, në Kupën e Evropës!

Qysh në këte viti 1992 Shqiprëia, tash Demokratike, nuk mungon në asnjë Olimpiadë. Dhe duke mbetur te arritja tjetër e saj, që për te ende mbetet më renditësja. I përket vitit 2000. Kjo është Olimpiada kur një peshëngritës shqiptar, me emrin Ilir Suli, arrin të jetë në vendin e 5-të të peshës 77 kilogram: 355 kg (162.5 + 192.5). Sot e kësaj dite renditja më e lartë që ka mbërritur një shqiptar nën flamurin e Republikës së Shqipërisë në Olimpiada! Sepse edhe Ymer Pampuri më 1972 zuri vendin e 9-të në renditjen zyrtare olimpike të tregarëshit midis 13 pjesëmarrësve. Pak, shumë pak! Ose, s’ka ku shkon më pak. Republika e Shqipërisë është tejet mbrapa “shqiptarëve” në Olimpiada. Janë këta që triumfojnë rregullisht qysh nga vitit 1980. Në fillim shqiptarët e Kosovës dhe të trevave shqiptare të përtej kufirit shtetëror; dhe qysh nga 1992 shqiptarët e lindur si sportistë në Republikën e Shqipërisë, por “blatuar” Greqisë, së cilës me sa shihet, për herë të parë qysh nga 1992, në Pekin 2008 do t’i mungojë një medalje “shqiptare”.

Ndonëse kuptimi i 16 medaljeve “shqiptare” (kurr nuk do të mund t’i heqim këto thojza) janë një epokë. Madje një epokë shqiptare, ndonëse jo e Shqipërisë. Ai që nuk dëshëron ta pranojë, them se nuk e kupton vlerën universale të sportit, qoftë dhe me përdorimin e thonjzave. Tema tashma është e trajtuar dhe e shtérruar me kohë.

Sot janë plot 150 shtete të cilët kanë fituar medalje në 28 Olimpiada. Athina 2004 pati katër prej tyre që fituan për herë të parë medalje: Eritrea, Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbi & Mali i Zi, Paraguaj.

Në Evropë Shqipëria ende bën pjesë në “klubin e më të vegjëlve”, të vetmit të cilët deri më sot, në 112 vjet jetë të 28 Olimpiadave janë pa medalje. 12 evropianët e vetëm, midis 48 shteteve olimpike të kontinentit të vjetër që nuk kanë fituar asnjë medalje janë: Shqipëria, Monako, Andora, Lihtenshtejni, Moldavia, Bosnja – Hercegovina, Qipro, Islanda, Maqedonia, Malta, San Marino, Mali i Zi.

E pra, mos do të mund të kemi medaljen e parë të pastër shqiptare në një Olimpiadë? Ose medaljen e parë olimpike të Republikës së Shqipërisë? Në të vërtetë, përderisa Shqipëria shkon në Olimpiadë me Kampionë të Evropës dhe medalistë të Botës, nuk ka përse të mos mëtojë një synim të tillë.

Olimpiada e Pekinit kësaj here nuk do të ketë një pjesëmarrje shqiptare të ndarë. Me sa dimë, për herë të parë qysh nga 1992 në delegacionin olimpik të Greqisë nuk do të ketë asnjë shqiptar. Do të jetë një Shqipëri “e vetmueme” në kuptimin e mirë të fjalës. Do të jetë vetëm Republika e Shqipërisë. Dhe siç thamë, për herë të parë në histori ajo do të jetë me Kampion të Evropës e Kampion të Botës, me medalistë të Evropës e të Botës.

Kjo na bën të mendojmë se për herë të parë mu në Olimpiadën e Pekinit, Shqipëria nuk shkon thjesht për divizën e Shekullit XIX të Pier de Coubertin-it:: “E rëndësishme është të marrësh pjesë, jo të fitosh”. Na e do e mendja se kësaj rradhe Shqipëria shkon thjesht për të fituar diçka. Më saktë: për të fituar medaljen e parë të saj olimpike. Ose më e pakta për të mos mbetur te rekordi olimpik i Ymer Pampurit 1972 apo te vendi i pestë i Ilir Sulit 2000– arritjet e vetme të saj sot e kësaj dite. Dhe?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora