E premte, 19.04.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Sport » Sporti

Erkand Qerimaj, i katërti në Evropë

E shtune, 19.04.2008, 05:35 PM


Erkand Qerimaj
Shtangisti shqiptar ka humbur një medalje për peshë më të rëndë trupore

Erkand Qerimaj ka përfunduar jashtë zonës së medaljeve në Evropianin e Peshëngritjes, i penalizuar nga pesha më e rëndë trupore në stilin e shkëputjes. Pas dy gabimeve në provat e para, Qerimaj ka realizuar ngritjen e peshës 155 kg, aq sa edhe vendi i tretë dhe i katërt, që kanë pasur avantazhin e disa gramëve më pak. Pavarësisht përpjekjeve për të rikuperuar në stilin e shtytjes, edhe këtu Qerimaj është renditur i pesti, duke e mbyllur këtë aktivitet në vendin e katërt në dygarësh.

Në stilin e shkëputjes, Qerimaj ka hyrë në garë përkrah "të mëdhenjve", ndonëse vetëm 19 vjeç dhe nuk cilësohej si një pretendent. Peshëngritësi shqiptar ka dështuar në provën e parë prej 155 kg, pasi i ka shpëtuar shtanga nga duart. Por shembullin e Qerimajt e ka ndjekur edhe kampioni i botës në fuqi, bullgari Stoitsov, i cili ka gabuar dy herë radhazi në peshën 155 kg. Qerimaj gabon edhe në provën e tij të dytë, duke komplikuar vazhdimësinë në garë. Megjithatë, ai e kaloi problemin psikologjik që krijohet në situata të tilla, duke realizuar me sukses provën e tretë dhe duke u kualifikuar në dygarësh, ndonëse kjo e la jashtë zonës së medaljeve vetëm për peshë trupore më të rëndë se medalja e bronztë dhe vendi i katërt. Peshëngritësi shqiptar siguroi vendin e pestë, me të njëjtën peshë (155 kg) të realizuar nga rusi Jufkin dhe francezi Bardis i baterisë B, respektivisht i treti dhe i katërti, të cilët kishin peshë trupore më të lehtë. Megjithatë, surprizat do të vazhdonin me eliminimin nga dygarëshi të kampionit botëror Stoitsov, i cili dështoi në provën e tretë 158 kg, duke braktisur krejtësisht garën, si dhe kampioni olimpik në fuqi, Taner Sagir, i cili dështoi në tri provat e tij në stilin e shkëputjes. Medalja e artë u fitua nga armeni Kashatrian, i cili ngriti peshën 165 kg, ndërsa medaljen e argjendtë në këtë stil e fitoi rusi Perpetçenov, me 164 kg.

Në shtytje, Qerimaj vendosi peshën fillestare në 185 kg, duke e realizuar me sukses këtë provë të rëndësishme për vazhdimësinë e garës. Në provën e tij të dytë, shtangisti shqiptar vendos peshën 190 kg, duke e realizuar me sukses për të entuziazmuar të gjithë tifozerinë shqiptare të pranishme në Pallatin e Sportit. Qerimaj provon gjithçka për një renditje nderi, duke vënë në provën e tretë peshën 196 kg, por duket qartë se nuk ishte përgatitur për një peshë të tillë, duke dështuar në këtë provë. Gjithsesi, paraqitja e shtangistit shkodran mund të cilësohet si e suksesshme, duke parë se rezultati i tij personal më i mirë në këtë stil në arenën ndërkombëtare ishte 187 kg. Megjithatë, pesha 190 kg në stilin e shkëputjes i siguroi Qerimajt vetëm vendin e 5 në këtë stil. Në këtë stil, rusi Jufkin fitoi medaljen e artë me 200 kg, i ndjekur nga bashkëkombësi i tij Perpetçenov me 198 dhe armeni Kashatrian me 196 kg. Në dygarësh, Qerimaj me 345 kg arriti të renditej në vendin e katërt, ndonëse i shkëputur nga zona e medaljeve. Gjithsesi, kjo paraqitje përballë gjigantëve të shtangës në peshën 77 kg tërhoqi vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë, të cilët kanë parashikuar një të ardhme të ndritur për 19-vjeçarin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora