E premte, 26.04.2024, 01:03 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Dr. Vasfi Samim Visoka: themelues i madh në sportin shqiptar (II)

E premte, 08.02.2008, 06:58 PM


Dr. Vasfi Samim Visoka: themelues i madh në sportin shqiptar (II)

Nga Besnik Dizdari

Më 1931 Dr. Samimi është transferuar në Tiranë për të punuar në drejtimin e blegtorisë në një nivel gjithnjë e më të ri, kur dihej se çfarë rëndësie të jashtëzakonshme kishte për Shqipërinë blegtoria. Simbas regjistrimit të tre vjetëve më parë (1927-28) dilte se Shqipëria kishte bukur 2 milion e 903 mijë e 274 bagëti kur popullsia ishte vetëm 833.618 banorë, e thënë ndryshe mesatarisht 3.4 bagëti i takonin një shqiptari të vetëm! Pa futur në këte shifër 30.000 kuajt për të cilët aq fort do të punonte Dr. Samimi; e doemos as mushkat, as gomarët dhe pelat!

E megjithate për çudinë e gjithë kësaj historie, Dr. Samimi, do të vijë në Tiranë për t’u bërë edhe Kampion i Shqipërisë për herë të parë dhe të vetme. Do të ishte një kampion sporti, një kampion futbolli. Merrej me mend që personalitetin e Dr. Vasfi Samimit, Kampionia e parë e saposhpallur e Shqipërisë, Sporklub Tirana, do ta kishte për nder ta përfshinte në themelet e ngrehinës së saj kulturore mbi të gjitha. Ishte fjala për portjerin, i cili një vit më parë kishte mbrojtur thuajse me heroizëm portën e skuadrës së Vlorës dhe i kishte blatuar Shqipërisë futbollistike një stil origjinal portjeri të vërtetë, stilin e portjerit modern të kohës, kur mendon që gjithçka ai e kishte sjellë prej Fenerbahçes të Stambollit…

Tirana dhe Sportklubi

Kampionati Kombëtar i Futbollit i Shqipërisë 1931, i dyti në histori, ka nisur më 19 prill 1931, dhe skuadrat do të luanin të ndara në dy grupe, A dhe B, ku në Grupin A kemi të bëjmë thjesht me një duel Tiranë- Shkodër dhe asgjë tjetër, megjithë rezistencën e admirueshme të skuadrës së Vlorës. Ndonëse tash kjo e fundit do të jetë pa protagonistin e saj Vasfi Samimi, i cili vesh fanelën më të famshme për Shqipërinë, ate të Sportklub Tiranës.

Rasti e fanelës së portjerit të Sportklub Tiranës 1931, është unikal (vetenak) në historinë e Kampionateve Shqiptare të viteve ’30. Nuk do ta kishte të lehtë ta “rrëmbente” fanelën e çmuar të Sportklubit as dhe një Dr. Samim. Porta e Kampione së re kishte gjetur mbrojtës të denjë dhe me të cilët ajo kishte fituar Kampionatin e vitit 1930. Ishin të mirënjohurit Abdulla Shehri dhe Rudolf Gurashi. Do t’iu hynte në mes Dr. Samimi.

Përherë e kam ndjerë se në librin “Historia e Kampionateve të Shqipërisë– Vitet ‘30”, faqet që përshkruajnë Kampionatin e vitit 1931, janë më të varfërat në emra, formacione e protagonistë. Dhe dihet se çuditërisht në shtypin shqiptar të kohës- burimi i vetëm ky për të mësuar atë histori të cilën Partia dhe Regjimi e patën zhdukë pa mëshirë deri ditën dhe orën e fundit të rënies së tyre, duke mbetur Shqipëria Komuniste i vetmi vend në Evropë që nuk i pranonte në histori Kampionatet Kombëtare të Paraluftës së Dytë Botërore - Kampionati i vitit 1931 është pasqyruar pa një kujdes në regjistrimin e historisë së tij statistikore. Dhe rëndesa më e madhe vjen prej kohës që térroi Shqipërinë e Mbasluftës. Ne qemë gazetarë të rinj, protagonistët po plakeshin. Ne pyesnim pak, e atyre iu ishte ndaluar të flisnin për Kampionatet e tyre. Madje i qe ndaluar të fliste e të komentonte për këto kampionate edhe tregimtarit më të mundshëm të tyre, të paharrueshmit Anton Mazreku. Gjithçka duhej të fillonte nga nëntori 1944. Histori tjetër të mëparshme nuk mund të kishte as sporti e as futbolli. Protagonistët heshtnin e ne nuk pyesnim. Tash ata ne nuk i kemi më. Merreni me mend se ç’libra të mrekullueshëm do të kishim shkruar për ato ngjarje të paharrueshme të rinisë sportive shqiptare që iu themeloi bashktadhetarëve të saj sportin kombëtar, nëse midis nesh, historianëve të rinj dhe këtyre themeluesve fisnikë, të kishte ekzistuar bashkëpunimi i përditshëm dhe regjistrimi i kësaj historie të rrallë. Mëkat!

Kësisoji, si autor, veçanërisht Kampionati 1931 më ka munduar më fort dhe sa herë që përshkohem në gjurmimin për pasurimin e arkivit tim e papritmas zbuloj një emër, një episod, duke ia arritur të përvijoj një skedë, ndjej sikur kam gjetë diçka të rrallë. Eshtë një ndjesi profesionale. E, duke shkuar mbas historisë së Doktorit tonë, sapo kam zbuluar skedën e ndeshjes së parë të të Kampionatit të Dytë, këte të 19 prillit 1931, atë Bashkimi Shkodran– Sportklub Tirana dhe me kënaqësi po e paraqes:

Shkodër, 19 prill 1931:

BASHKIMI SHKODRAN – SK TIRANA 1-0

B.SHKODRAN: Bushati, Luka, Gjeka, Staka, Halili, Kiri, Radoja, Koliqi, Shala, Golemi, Dervishi.

SK TIRANA: Shehri, Kajano, Çoku, I.Gjinali, Karapici, Hajnali, Kusi, Kosova, Stërmasi, M.Gurashi, Begolli.

GOLAT: Golemi 65’.

Siç shihet, në këte ditë të parë të Kampionatit, Bashkimi Shkodran merr fitoren e bujshme 1-0 me golin e të mirënjohurit Asim Golemit në të 65' ndaj kampionëve të Sportklubit, një fitore që bën bujë në gjithë vendin. Dhe befasia! Në portë është Shehri dhe jo Dr. Samimi apo Rudolf Gurashi!

Do të ishin kampionë të tre, megjithate. Ky është rasti vetanak që thamë më lart. Në një kohë kur figura e portjerit ishte ndër më të rrallat në shtrirjen e futbollit shqiptar, papritmas Sportklubi paraqet plot tre të tillë: Abdulla Shehri, Dr. Vasfi Samimi dhe Rudolf Gurashi! Si kanë luajtur, si janë shkëmbyer e zëvendësuar me njëri- tjetrin, janë pyetjet që i lindin vetvetiu historianit, sidomos kur ai ka fatin e keq që, si në këte rast, të ketë pak imtësina ndër duar. Shtypi i njeh që të tre si kampionë, çka vërteton se kanë luajtur të tre. Një gjë është: në 6 ndeshjet e luajtura në këte kampionat të rrufeshëm, porta e Sportklub Tiranës është prekur vetëm tri herë, pra ka pësuar vetëm 3 gola! Rast tejet i rrallë!

Ajo ka qenë një Tiranë e mbrojtjes së pakalueshme, ku porta duket se ka qenë më e sigurta. Mendja ta do se Dr. Samimi, që ka luajtur fare pak në këte kampionat, aq sa për t’u quajtur përjetë një Kampion i Shqipërisë, të ketë qenë edhe një lloj trajneri i portjerëve. Ai ishte 26 vjeç, e asokohe kjo moshë të emërtonte “veteran” të futbollit. Ishte i vetmi që zotëronte teorinë dhe praktikën e rolit të portjerit. Edhe në këte rast duke medituar para një fotografie të rrallë, ku Dr. Samimi ka dalë së bashku me portjerin tjetër, Rudolf Gurashin, po t’i vështrosh me një prirje imtimi, vëren se Doktori të duket sikur është në foto për të paraqitur jo vehten, por portjerin më pak të sprovuar Gurashi. Me tre portjerët e saj në një kampionat të vetëm, Sportklub Tirana do të arkivonte kështu titullin e saj të dytë mu falë sigurisë së madhe të portës së saj: vetëm 3 gola të pësuar!

E filluar gjithçka me ngjarjen e fortë të Shkodrës, papritmas do të ndodhë që Vlora e cila hesht duke mos luajtur javën e parë, shpërthen mbas shtatë ditëve, më 26 prill, kur krijon fitoren krejt sensacionale duke mundur Bashkimin Shkodran 2-1 para qytetarëve të saj, çka të duket si një dhuratë mu për ish portjerin e tyre Samimi, skuadra e re e të cilit para pak ditëve qe mposhtur në Shkodër. Mirëpo, kur vjen 3 maji dhe është takimi SK Tirana - SK Vlora, shpërthimi i Sportklubit është i pamshirshëm dhe nuk ka vend për një sentimentalizëm të portjerit, tash të Tiranës, Dr. Samimi. Eshtë një 5-1 dërrmues! Ndërkaq, vlonjatët, të pakënaqur me sa duket nga rezultati e gjykimi bashkë, braktisin fushën e lojës. Thuhet se e gjitha ishte shkaktuar nga një 11-metërsh, i padrejtë simbas vlonjatëve, të dhënë kundër tyre prej gjyqtarit anglez Oakley Hill. Vendoset përsëritja e ndeshjes! E, Kampionati i vitit 1931 do të hyjë në histori si Kampionati i disa kundërshtimeve kësisoji. Braktisje jo të pakta të fushave prej pakënaqësive ndaj gjykimeve, sjellje të ashpra lojtarësh, ndonjëherë edhe zënka. Në Kampionat shfaqet më fort se në asnjë tjetër ajo që Koloneli Hill, e përcakton kështu në kujtimet e tij:

“Futbollistët shqiptarë kishin ide të qarta për lojën, ashtu siç luhej ajo në atë kohë. Ata luanin një futboll të fuqishëm dhe të pastër. Problemi i tyre kryesor, fillimisht, ishte se prekeshin shumë nëse mendonin se ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. Kryenin shumë pak faulle të qëllimshme, por kur vinte puna tek dhënia e një penalltie apo tek anulimi i një goli, futbollistët e penalizuar jo vetëm që kundërshtonin energjikisht, por kishin edhe prirjen të braktisnin fushën e lojës. Të gjithë arbitrat kanë kaluar të njëjtën përvojë: instikti për të dyshuar se shqiptari tjetër favorizonte ndonjërën nga palët, ishte gjithnjë i pranishëm, por sigurisht që nuk e prisja këtë reagim ndaj meje”.

Dr. Samimi, i cili mbas do kohe do të bashkëpunonte jopak me Hillin për ta modernizuar Kampionatin Shqiptar, duke qenë një ndër kritikët dhe drejtuesit organizativ të Kampionatit, do të kontribuonte tejet në uljen e gjakrave falë një stili human të kritikave të tij, një kompetencë dhe autoritet që do të ndikonte jo pak për të arritur atë që Koloneli i famshëm Dayrell Oakley Hill e përcakton si “instinkti për të dyshuar se shqiptari tjetër favorizonte ndonjërën nga palët”.

Ndërkaq, para se të mbërrihet te përsëritja e ndeshjes me Vlorën, është 17 maji dhe SK Tirana - Bashkimi Shkodran 0-0, çast kur shkodranët janë më të fortë se kurr, të drejtuar prej trajnerit italian, të mirënjohur prof. Ratti-t, i cili është dhe kryeinspektor i edukatës fizike në prefekturën e Shkodrës. Duket sikur Sportklub Tirana ndodhet në prag të eliminimit, duke mbetur mbrenda Grupit pa arritur në fundoren për titullin. Kur në Shkodër mendojnë për titullin më fort se kurr. Po si dhe një vit më parë, mu java e fundit shuan shpresat shkodrane. Bashkimi Shkodran ka fatin e keq se i mbaron ndeshjet para SK Tiranës. Duhet të fitojë thellë me Vlorën më 24 maj, por arrin vetëm 2-1. Tash SK Tirana e ka historinë mbi duart e veta. E qetë, pasi kishte fituar në Vlorë 2-0, me bregdetasit jugorë, në Shallvare thuajse arrin shifrat 5-1 të ndeshjes së anuluar, teksa “i dhuron” SK Vlorës një 4-1 të pafjalë!

Kaq mjafton. SK Tirana dhe Bashkimi Shkodran përfundojnë në krye të grupit A me nga 5 pikë, por 3 gola më tepër i sigurojnë kampionëve nga kryeqyteti të drejtën e fundores së madhe për titullin. Në të vërtetë, forca qëndronte te golat e paktë të pësuar në ndeshjet e grupit prej treshes së portjerëve Shehri-Samimi-Gurashi: vetëm 2. Ashtu si një vit më parë në Vlorë, kur skuadra bregdetare edhe pse qe renditur e fundit, kishte qenë një nga skuadrat që kishte pësuar më pak gola, shkolla e Dr.Samimit po jipte frytet e veta edhe në shoqërinë tiranase.

Skuadra tjetër e fundores do të ishte fituesi i Grupit B, Teuta e Durrësit. Gjithçka fillon me një ndeshje të madhe për kohën edhe këtu, Skënderbeu– Teuta është një 2-2 dramatik ku shpëtimtarë për nënkampionët nga Korça bëhen golat e Teli Samsurit (në të 16' e 20') - figurë e madhe e futbollit të viteve 30'. Gjyqtari i ndeshjes, italiani prof. Lissoni, ndonëse është kryeinspektor i edukatës fizike për Korçën, është i drejtë deri në skaj. Teuta arrin barazimin ndonëse ishin thuajse ata futbollistë të një viti më parë, dhe, ndonëse vetëm pak ditë para fillimit të Kampionatit, ky Skënderbe kishte shkatërruar deri në 6-0 skuadrën “Piros” të Janinës, në një prej ndeshjeve të shumta ndërkombëtare të tij me skuadrat fqinje të Greqisë. Një javë më vonë Skënderbeu dorëzohet edhe në Elbasan 0-2, ndërkohë që Teuta vazhdon vrapimin e saj drejt vendit të parë në grup: 3-0 Muzakës së Beratit, 4-0 Elbasanit. Nga ana e tij, Skenderbeu shkatërron me 7-0 Muzakën e Beratit dhe ky është rezultati më i thellë i arritur deri në ato kohë në Kampionatet e Shqipërisë. Samsuri realizon 3 gola: në të 5', 58' 85', Barçi 2 gola: 3', 27' dhe Karoli (17') e Dishnica (48') nga një secili. Me 9 golat e tij Samsuri është shënuesi më i mirë i Kampionatit. Mirëpo, kur më 17 maj Skënderbeu shkon në Durrës, ndeshja është tejet e ashpër e, edhe pse Teli Samsuri është gjithnjë i papërmbajtshëm tek arrin të shënojë dy herë (27', 43'), durrsakët shkurtojnë menjëherë me Nushin (44') por punët ngatërrohen keq prej një goditjeje dënimi të dhënë për Durrësin në pjesën e dytë të cilën durrsakët e shndërrojnë në golin e barazimit: 2-2! Dhe Skënderbeu, braktis fushën! Por kësaj rradhe... 2-0 në tavolinë për Teutën! Kështu merrte fund ëndrra korçare megjithë kryeveprat e vazhdueshme të Samsurit, siç kam shkruar te libri “Historia ekampionateve të Shqipërisë – vitet ’30”. Mbas një jave ai shënon përsëri dy herë në fitoren 3-0 kundër Elbasanit, një ndeshje të cilën e gjykon italiani Camillo Steve, po kjo nuk mjafton. Në ndeshjet e fundit Teuta fiton 2-0 në Berat me Muzakën dhe po 2-0 në Elbasan me SK Elbasanin. Skënderbeut i mbetet barazimi nostalgjik 1-1 në Berat, ku për korçarët shënon me kokë as më shumë as më pak po bash ai që do të shpikte radiokronikën e futbollit në Shqipëri: Anton Mazrreku, drejtori i ardhëshëm i "Sportit Shqiptar".

XXX

Fundorja (finalja) për titullin është ajo SK Tirana– Teuta.

Kishim mbërritur te kjo fundore duke u shpalosur edhe një risi tjetër e këtij Kampionati të çuditshm shqiptar të vitit 1931 që do t’i jipte titullin e Kampionit të Shqipërisë, Dr. Samimit tonë: është fjala për dukjen më të shumtë se asnjëherë tjetër të të huajve në fushat shqiptare të futbollit. Trajnerë italianë si Ratti në Shkodër e Lissoni në Korçë, gjyqtarë anglezë si Hill dhe Emer, po dhe italianë si Camillo Steve e vetë Pasquale Lissoni…

Më 28 qershor 1931 në Fusha e Shallvares është fundorja e parë e titullit 1931, një fundore që do të regjistronte rastin më sensacional në historinë e futbollit botëror. Dhe me që jemi në histori portjerash, që është historia e protagonistit tonë, portjerit të Sporklub Tiranës, Dr. Samimi, edhe ky sensacion ka të bëjë mu me një portjer. Me të famshmin Niko Dovana të Teutës, të cilin qytetarët e Durrësit sot e kanë nderuar duke i vënë stadiumit të tyre emrin e tij– i dyti rast ky mbas atij të Selman Stërmasit që një stadium i sotëm futbolli mban emrin e një prej themeluesve të Kampionateve të Shqipërisë, atyre të Paraluftës.

I kthehemi episodit të rrallë. Sapo fillon pjesa e dytë e Mark Gurashi shënon menjëherë golin e parë, ndodh pra dhe çudia. Portjeri durrsak Dovana le vendin në portë dhe kalon në rolin e qendërsulmuesit duke e kthyer këte të fundit për të ruajtur katrorin midis dy shtyllave. Ishte si në pritje të një magjie. Dhe kjo mbrrin po prej Dovanës. Ai gjuan fort dhe mbasi një mbrojtës vendas i ndrron drejtimin topit, ky përfundon në rrjetë: 1-1! Janë minutat e fundit. Ndeshja elektrizohet dhe të dyja skuadrat kërkojnë të rrëmbejnë fitoren, por asgjë nuk shkon përtej këtij 1-1 të Shallvares, që normalisht ia lehtësonte jo pak punët Teutës në ndeshjen e kthimit në Durrës. Ajo ndjehej Kampione e Shqipërisë….

Ndërkaq, SK Tirana i kërkon Federatës anulimin e ndeshjes sepse simbas saj, kalimi gjatë ndeshjes i Dovanës nga portjer në sulmues, ishte jashtë rregullores. Ajo sulmon gjyqtarin Emmer si të njëanshëm, ndonëse ai ishte zgjedhur vetë nga të dy skuadrat për ta gjykuar këte ndeshje. Komisioni i Futbollit ndodhej i gjithi në fushën e lojës dhe gjithçka, sipas tij, ishte mbrenda rregullores.

Ky komison që kishte anuluar ndeshjen e 5-1 të Tiranës me Vlorën, që pa mëshirë kishte përjashtuar lojtarë, e kishte marrë disa vendime tejet të rrepta, i tillë është edhe kësaj here: i vendosur dhe i palëkundshëm në verdiktet e tij, por tash në një kah tjetër: për te ndeshja e Shallvares është krejt e rregullt.

Çka ishte ky Komision që me formën e sotme duhet pranuar si një lloj Komitetit Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit?

Ia vlen ta përimtojmë paksa këtu, sepse kemi të bëjmë me një shembull që i kundërvihet me kulturë e drejtësi edhe të sotmes. Komisioni përbëhej prej pesë anëtarësh dhe të pestë ishin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë me synimin e ruajtjes së një paanësie shembullore:

Kryetar i Komisionit është koloneli italian Consentini, anëtarë janë Petro Korçari i Korçës, Harilla Bakalli i Durrësit, Salvator Kurti i Shkodrës, Jakup Vrioni i Beratit, Ymer Sharra i Vlorës, Bahri Toptani i Tiranës. Njeri më qytetar se tjetri, po dhe përfaqësues të pesë qyteteve tradicionalë të futbollit. Krahasojeni tash atë me Komitetin Ekzekutiv të sotëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, këte të vitit 2007 të shekullit XXI.

I përbërë prej 11 anëtarësh, Komiteti Ekzekutiv i sotëm i FSHF ka vetëm dy anëtarë jo të kryeqytetit. Që do të thotë se bie fjala, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Korça, Kavaja, Berati, Lushnja, Lezha apo Gjirokastra – dhe jo vetëm këto - qendra të mirëfillta të futbollit kombëtar, historisë, traditës dhe të sotmes së tij, nuk përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv të FSHF së sotme. Njëanshmëri e njerëzve dhe e stilit brutal të Regjimit të shkuar! Kur bie fjala, Gjermania të 14 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së saj të Futbollit sot i ka nga 14 qytete apo krahina të ndryshme të Gjermanisë. Ndërsa Anglia të 20 anëtarët sot i ka nga 20 qytete apo krahina të ndryshme. Siç e kemi thënë kushedi sa herë, në Shqipëri prej këtyre të të 11-tëve të Komitetit Ekzekutiv të vitit 2007 tre trima i kemi me prejardhje nga Dinamo, njeri prej të cilëve madje një ish funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit të Regjimit! Ndërsa në Shqipërinë 1931 të Dr. Samimit ata ishin pesë qytetarë nobël të pesë qyteteve të ndryshme më të dëgjuar të Shqipërisë. Mbas pak kohe këtu do të vinte edhe një tjetër qytetar nobël: Dr. Vasfi Samimi. Ishim në vitet ’30 që për fat mbesin aktualë për vitet e dhjetvjetëshit të parë të Shekullit XXI…

I lëmë digresionet edhe pse kaq të dashtuna ato bëhen sa herë që me ta nënkuptohet diçka e jashtme e një subjekti të dhënë, veçse aq fort të lidhura me te, si në këte rastin tonë.

E prap te ndeshja vendimtare, fundorja e kthimit në Durrësin e 5 korrikut 1931. Teuta mendonte titullin, sepse as në Tiranë nuk kishte humbur, por kishte barazuar 1-1. Ndërkohë që e kishte skuadrën. Emrat ishin të shquar për epokën: Dovana– portjeri që po bëhej më i miri i Shqipërisë. Mandej me rradhë: Pizha, Tartari, Nushi, Moisiu, Tirana, Delvina… Dhe siç shkruan shtypi i kohës, "të pakët ishin ata që besonin në fitimin e Sportklubit, por tamam ky fakt e bën edhe më të shkëlqyer fitimin e bukur të skuadrës së Tiranës mbi ate të Durrësit."

Do të kishim një 3-0 për kryeqytetasit, çka e bën të heshtë deri në skaj qytetin bregdetar. SK Tirana është kampione për herë të dytë rradhazi.

Dhe me te një kampion për herë të parë: portjeri Dr. Vasfi Samimi me rolin e tij të veçantë, ashtu siç e kemi përvijuar tashmâ. Të tjerët janë pothuajse po ata djem të 1930-tës. Sportklub Tirana kishte kështu skuadrën më të sprovuar, çka në fund të fundit, e kishte treguar duke eliminuar dy rivalë të fuqishëm si Bashkimin Shkodran dhe Teutën e Durrësit, të cilën e shkatërron mu në Durrës deri në një 3-0 rrëmbyes! Ishte SK Tirana 1931 me thuajse të gjithë kampionët e 1930-tës. Shehri, R. Gurashi, Gjinali, Kajano, Dashi, Sabati, Çoku, Miha, B.Jolldashi, M.Gurashi, H.Begeja, Stërmasi, Karapici, Kusi, Hajnali, Agolli, Begolli, Agolli, Kosova.

Dhe me ta kampioni ynë i ri, por në një farë mënyre “veterani” ynë, i Fenerbahçes, Flamurtarit të Vlorës dhe SK Tiranës, Dr. Vasfi Samimi. Në tanësi, një numër tejet i madh i lojtarësh dhe tre portjerë mjaft të mirë: Abdulla Shehri- sundues i parë i portës, Rudolf Gurashi që po bëhej i famshëm dhe i sapoardhuri Dr. Samimi! Kur skuadrat e tjera mezi arrinin të kishin një portjer të vetëm! Pa harruar ndërkaq edhe dy kampionë të tjerë po të rinj, por “vendas”: Sabit Çoku dhe Halim Begeja- i pari një atlet rekordmen i Shqipërisë në garat e sprintit dhe në kërcimin së gjati, një figurë e madhe e nëpërkëmbur në gjithë vitet e Mbasluftës; i dyti një intelektual i futbollit dhe më mbas i vetë jetës shoqërore- politike të vendit në çaste udhëkryqesh të historisë shqiptare. E, “kapitenët” diheshin se cilët ishin: një Selman Stërmas e një Adem Karapic, zemra e papushueshme e SK Tiranës, siç i kemi përcaktuar me kohë.

Kur Sportklub Tirana mbërrin nga Durrësi në Tiranë mbas fitores, skenat janë krejt të rralla. Të gjithë lojtarët e Sportklubit, midis të cilëve është edhe personazhi ynë, Dr. Samimi, përshkojnë rrugët kryesore të qytetit si në një parakalim të papamë, origjinal, të flaktë, shpërthyes, të përshëndetur nga qindra kryeqytetas. Shtypi e përshkruan këte mbrëmbje si një dukuri që nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri. Një vit më parë në titullin e parë Sportklubin e kishte pritur vetë Mbreti Zog, kësaj here e priste një kryeqytet i tanë. Futbolli po hynte thellë në zemrat e një rinije shqiptare ëndërrimtare dhe e gëzueshme në vitet e para të një Shqipërie e cila në fund të fundit, falë mendjeve të ndritura të saj si një Dr. Samim apo një Selman Stërmas, po shkonte tek kultura, te dija, te sporti, te futbolli…

Skenat përfshiheshin kështu te titulli i vetëm i Kampionit të ri të Shqipërisë, “veteranit” të Fenerbahçes së Stambollit, Dr. Vasfi Samimit, ajo çka ai nuk ia kishte arritur ta shijonte as me klubin zâmadh të Bregut të mahnitshëm të Bosforit. Po i shijonte në Shqipërinë e tij të vogël. Kjo ishte Tirana dhe Sportklubi tij, besnik i të cilëve në mënyrën e vet, në kohërat e tij të gëzueshme dhe të trishtueshme, në kushte tejet të vështira dhe në ringjallje të fuqishme shpirtërore që vinin thjesht prej një vullneti të paepun, ai do t’iu qëndronte besnik gjithë jetën…

Ndeshjet e mëdha përmbyllëse të Dr. Samimit

Kështu ne po i afroheshim fundit dramatik, në kuptimin futbollistik, të vitit 1931, që do të jetë viti i mbylljes prej Dr. Vasfi Samim Visokës të jetës së tij futbollistike të drejtpërdrejt si ushtrim atletiko-teknik në terrenin sportiv. Do të ishte një mbyllje po kaq dramatike dhe krejt e veçantë. Kampioni ynë do të ishte protagonisti i madh i dy ndeshjeve po të mëdha – sintezë sa sportive po aq dhe e një simbolike historiko-politike të kohës, midis dy skuadrave që mbanin primatin e futbollit në duelin thuajse JugVeri, Sportklub Tiranës dhe Skenderbeut të Korçës.

Kemi të bëjmë me një Kupë që i kushtohet 8 tetorit, ditëlindjes së Mbretit Zog, saktësisht 36-vjetorit të lindjes. Një Mbret më i ri se kurrnjiherë dhe festat rinore që vetvetiu merrnin një kuptim po rinor dhe simbolik të të gjithë kontekstit të kohës. Kupën e vë gazeta e Tiranës “Ora” dhe ky duel i rrufeshëm Tiranë– Korçë përmban sinjifikativin e vetë zhvillimit që po merrte futbolli në Shqipëri. Në të dyja këto ndeshje që kundërshtojnë njëra tjetrën nga Shallvarja në Fushën e Korçës në kahjen e rezultatit dhe në ecurinë e zhvillimit të tyre, Dr. Samimi është portjeri i palëvizshëm i Sportklub Tiranës së sapo shpallur Kampione.

Ndeshja e parë, ajo e 8 tetorit 1931, në përkim të pagabueshëm të ditës së lindjes së Mbretit Zog I (8 tetor 1895) zhvillohet në Tiranë dhe njoftohet se numri i spektatorëve përbën rekordin e epokës: 8000 shikues! Merreni me mend se si do të ketë qenë Shallvarja e Tiranës në këte ditë të 77 vjetëve më parë, mu aty ku sot janë të ashtuquajturat Pallatet e Shallvares, ku është bar-restoranti “Taivan”, ku është rruga nevralgjike që të çon te ura e re që po ndërtohet, për të mbërritur te lagja e përtërirë ku kanë jetuar familjet e jerarkëve komunistë prej ku lindnin për natë idetë e tyre për shtypjen e këtij populli.

Disa herë jam përpjekur ta marr me mend Fushën e Shallvares dhe tash e kam të qartë se mu aty përpara ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Telekomit, ka qenë porta veriore e Fushës. Porta tjetër e fushës, ajo përballë, natyrisht përtej, njëqind metra larg, duke mbërritur deri afër Lanës së sotme, aty ku po ndërtohet ura e re. E gjithë rruga përpara Barit “Taivan” ka qenë pjesë e fushës. Mu aty ku fillojnë shkallët e para të “Taivanit” duhet të ketë qenë muri rrethues i Fushës, ose tribuna karshi, siç i themi sot. Me Ing. Orhan Sakiqin që ka pasë shtëpinë aty, pak a shumë kemi përcaktuar edhe se ku ka qenë mesi i fushës dhe ku ka qenë pika e gjuajtjes së këndit, në krahun e majtë të portës që portjerët e asokohe Dr. Samimi, Rudolf Gurashi, Niko Dovava, Abdulla Shehri, Klani Marjani, Kin Bushati, Ibrahim Dizdari, Asti Hobdari, Qamil Zebishti e kanë mbrojtur kushedi sa herë në vitet ’30, e prej ku Adem Karapici me shokë kanë dhënë topa të mrekullueshëm për golat e Riza Lushtës. Kam shkruar një herë se Rruga para “Taivanit” që sot quhet “4 shkurti”e meriton të thirret ”Riza Lushta”, më e pakta që mund të bëjmë edhe që t’iu afrohemi sado pak shqiptarëve tonë të Kosovës, të cilët i kanë vënë stadiumit të vjetër të Mitrovicës, emrin e Lushtës, njerit prej herojve të Shallvares së viteve ’30. E kam shkruar një gjë të tillë dy vjet më parë mbasi mësova emërtimet e 87 rrugëve e shesheve të Tiranës. Natyrisht asnjë sportist. Ishte vetëm emërtimi i një rruge për Dr. Isuf Dashin, mjekut të respektuar të Tiranës shekullin e shkuar. Një emërtim që ishte bërë për shkak të detyrës së tij humane. Shumë mirë. Pra jo si futbollist, apo themelues dhe tre herë kampion i Sportklub Tiranës (1930, 31,32) siç ka qenë Dr. Dashi. Asnjë figurë sportive tjetër nuk emërtohej. Pata gjetur plot 25 njerëz të kulturës. Dhe si gjithmonë shumica të lidhur me Rezistencën në “Luftën Nacional Çlirimtare” apo me “ndërtimin socialist të vendit” të Mbasluftës. Dihet, me gjithë përmirësimet Shqipëria është betonuar te historia e gjysmës së dytë të Shekullit XX. Për fat të mirë, këto dit dëgjuam diku se një rrugë e Tiranës ka marrë emrin “Sllave Llambi” – në nderim të kampionit dhe rekordmenit të madh të Shqipërisë së Para e Mbasluftës. E pra filloi?...

Kam shpresë se nuk do të vonojë edhe emërtimi “Dr. Vasfi Samimi”, i cili do të ketë një vështirësi megjithate, në përzgjedhjen emërtuese, kur kujton poliedricitetin e rrallë të protagonistit tonë të madh në shërbim të kombit. Në këte rast edhe për interpretimet e tij në skenën ekzotike dhe mitike të Shallvares së zhdukur të Tiranës. E, me këte rast, tek është edhe etimiologjia e Shallvares: “pantallona të gjana prej cohet a prej tjetër pëlhure”; it.”calzoni molto larghi, brachessa”, simbas veprës madhështore linguistike “Fjalor i Orientalizmave në gjuhën shqipe” të Tahir Dizdarit. Histori tjetër ndërkaq, ajo e pronësisë së vetë Fushës historike të Shallvares, gjithnjë simbas tregimit të Tahir Begut, siç i kemi thënë gjithmonë, për të cilën ka patur aq fort rivendikime. Rivendikime midis Esat Pashë Toptanit e pasanikut të Durrësit, Miltjadh Shallvari, çka për fat, mu në vitet ’30, u bë një çështje e përfaqësuar prej arbëreshit të famshëm Terenc Toçi, ministër i Ekonomisë Kombëtare më 1937, përveçse njeri i historisë sonë të periudhës së Luftës, po dhe të shkrimeve e të kulturës, të cilin gjyqi i pamshirshëm i vitit 1945 do ta dënojë me pushkatim. Eshtë po ai gjyq i “armiqve të popullit” që do të dënojë njëkohësisht edhe Dr.Samimim…

Pa e zgjatur më tej, Shallvarja e Tiranës sot “ndodhet” vetëm në historitë e shkrimeve tona. Eshtë e shndërruar me respekt të drejtë në rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”, ndonëse në thellësitë e saj, ajo ruan kujtime krejt të tjera, kujtime të një gëzimi të pamatë të rinisë së viteve ’30 të Shekullit XX…

XXX

Mbet mbas edhe ky digresion domosdoshëm historik, dhe i kthehemi 8 tetorit 1931. Kupa e gazetës “Ora” për ditëlindjen e Mbretit Zog. Një ndeshje e madhe e epokës. Katër ministra në tribunën e Shallvares: Said Toptani, ministër i Ekonomisë dhe kryetar nderi i Sporktlubit, Hil Mosi, ministër i Arësimit, Milto Turtulli ministër i Drejtësisë, Lame Kareco ministër i Financave si dhe Herman Bernstein ministër i SHBA në Shqipëri.

Dhe SK Tirana – Skenderbeu 3-0. Në portën e Sportklubit Dr. Vasfi Samimi i paprekshëm edhe kësaj rradhe. Për hir të së vërtetës të kësaj dite, edhe ngaqë përballë vështrimit të tij është rreshtuar një Sportklub i papërmbajtshëm, ndonëse Skenderbeu reziston tejet. Goli i parë kryeqytetas i përket minutës 43 dhe është një 11-metërsh i Hajnalit. Goli i dytë i përket minutës 53 dhe është e vepër e Selman Stërmasit, në një kohë që i treti është i minutës 85 dhe i shënuar prej Sabatit. Dhe një 3-0 tronditës i një dite festive të papame të kryeqytetit shqiptar. Duhet të studjosh atë epokë për të kuptuar se çka ishte një ndeshje futbolli kësisoji për Shqipërinë e Mbretërisë, në hapat e parë të saj në modenizimin më të mundshëm drejt caqeve të jetës dhe të zhvillimit shoqëror, ku sporti e futbolli po kërkonin të mbanin një peshë jo të vogël

Kthimi vendimtar i Kupës është mbas dhjetë ditëve, më 18 tetor 1931 në Fushën e Korçës. Rast për revansh korçar për të mos e lëshuar prej qytetit të jugut Kupën e Mbretit. Do të ishte një ndeshje ku dueli më i spikatun është ai mu ai midis Teli Samsuri - padyshim qendërsulmuesi më i mirë i Shqipërisë për kohën - dhe Dr. Samimit. Çudia është se ndeshja fillon me një gol të miqve, qysh në sekondat e para kur në minutën e parë shënon përsëri protagonisti i ndeshjes së Tiranës, i mirënjohuri Gjon Sabati – tri herë kampion me SK Tiranën. Skenderbeu nuk tronditet edhe pse rrufeshëm rifillon nga qendra. Në katedër ngjitet i papërmbajtshmi Teli Samsuri, talenti i madh, njeriu i jashtzakonshëm i cili do të japë jetën për Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Samsuri barazon me 11-metërshin e minutës 15, mbasi hipnotizon Dr. Samimin. Edhe më fort në të 80’ me golin e dytë. “Dr Samimi as nuk lëvizi nga vendi”, shkruan “pa mëshirë” “Gazeta e Korçës”. Dhe 2-1 për Skenderbeun, por që nuk mjafton, sepse ndeshja e parë është 3-0 për kampionët, të cilën edhe pse humbasin këte ndeshje të kthimit, rrëmbejnë Kupën e Mbretit mbrenda në Korçë, para pranisë së pamatë të qytetarëve të saj të mallëngjyer.

Po më e rëndësishme se kaq ishte se Sportklub Tirana dhe Skenderbeu i Korçës i kishin dhuruar futbollit shqiptar dy ndeshje të mëdha, të paharrueshme që për historinë tonë të shkruar sot, hyjnë me gjithë krenarinë e një zhvillimi në këte histori që i takon Dr.Vasfi Samim Visokës.

Të drejtuar prej dy gjyqtarëve të huaj, anglezit Oakley Hill dhe italianit Pasquale Lissoni, vlera e këtyre dy ndeshjeve, madje për kohën edhe të një shfaqjeje taktiko-teknike, edhe të një përgatitjeje krejt të veçantë, ato përfaqësonin mu ate që Oakley Hill e ka përcaktuar shumë bukur në kujtimet e tij të shkruara vonë Mbasluftës: “Futbollistët shqiptarë kishin ide të qarta për lojën, ashtu siç luhej ajo në atë kohë. Ata luanin një futboll të fuqishëm dhe të pastër”.

Ndërkaq, për fatin tonë gjetja e skedave të dy ndeshjeve përmbledh dokumentin e kohës aq të çmueshëm për historianin, sidomos kur ato përmbajnë emrat më të shquar të fillimit themelues të futbollit shqiptar. Tek janë:

Kupa e Mbretit 1931 e Gazetës “Ora”:

Ndeshja e parë. 08.10.1931. Tiranë. Shallvare:

SK TIRANA – SKENDERBEU 3-0

SK TIRANA: Dr. Samim, Çoku, B.Jolldashi, Kusi, Karapici, Miha, Sërmasi, Kosova, Hajnali, M.Gurashi, Sabati.

SKENDERBEU: Marjani, Bimbli, Çani, Xh. Dishnica, Petra, Karoli, Barçi, Teufik Agaj, Samsuri, A.Dishnica, Ypi.

GOLAT: Hajnali 43’ (11-m), Sërmasi 3’, Sabati 85’.

GJYQTAR: O.Hill / Anglia.

Ndeshja e dytë. 18.10.1931. Korçë. Fusha Sportive e Qytetit:

SKENDERBEU - SK TIRANA 2-1

SKENDERBEU: Marjani, Bimbli, Çani, Xh. Dishnica, Petra, Stassa, Karoli, Barçi, Samsuri, Teufik Agaj, Ypi.

SK TIRANA: Dr. Samim, Çoku, B.Jolldashi, Kusi, Karapici, Miha, Sërmasi, Kosova, Hajnali, M.Gurashi, Sabati.

GOLAT: Sabati 1’, Samsuri 15’ (11-m), 80’.

GJYQTAR: P.Lissoni / Italia.

Në të dy rastet emri i portjerit të SK Tiranës, i shkruhet “Dr.Samim”, pa iu shquar me “i”. Në këte origjinalitet e gjejmë të shkruar emrin e tij në shumicën e kohës.

Mu me këto dy ndeshje të mëdha të epokës merrte fund karriera e sportistit, e futbollistit Dr. Vasfi Samimi në rang kombëtar dhe ndërkombëtar (përveç historisë së Stambollit, më 6 prill 1930 ai kishte përjetuar edhe rolin e protagonistit të fitores 2-1 të Durrësit kundër Cërnagorac të Cetinës ku Niko Dovana kishte luajtur sulmues dhe Dr. Samimi portjer, një portjer më elegant se kurr: fanelë të verdhë tip golfi – modë evropiane edhe e stilit të epokës). Teuta e Durrësi bëhej ksisoji, klubi i katërt i tij mbas Fenerbahçes, Flamurtarit, SK Tiranës në ndeshje zyrtare. Ai kishte përmbledhur kështu, një histori të katërfishtë, tejet të pasur e kuptimplote për themelimet e futbollit shqiptar mbi të cilat kishte vënë shpirtin e tij, dijen e tij, kulturën e tij, shqiptarinë e tij.

Dr. Samimi e mbyllte kështu me dy trofe të pahaarrueshëm vitin e tij të fundit sportiv të ndeshjeve zyrtare: Kampion i Shqipërisë me Sportklub Tiranën dhe fitues i Kupës së Mbretit Zog I po me Sportklub Tiranën. Dhe vetëm kaq? Pyetje e vështirë vërtet. Sepse pasioni tij i vjetër kurr nuk do të shuhej dhe herë mbas here ai do t’iu afrohej doreza të portjerit, në ndeshje të rastit, shpesh disi edhe të çuditshme, amatore, befasuese, demostruese, veteranësh e të rinjsh. Tash e mbrapa përherë në rolin e mësuesit, të trajnerit, të improvizuesit, të demostruesit, këshilluesit, të teorikut dhe të praktikut. Një herë, siç do të më tregojë zootekniku Prof. Vehib Bleta, student dhe mik e koleg i Doktorit, në Shkodër ai do të ngrinte deri skuadrën e stallierëve, e me to do të nxitonte të vishte fanelën për t’iu demostruar gjuajtjen dhe pritjen e mundshme të një 11-metërshi!

Kjo ishte ajo, mos-shkëputja e përhershme prej pasionit të tij të parë.

Do ta mbyll kapitullin e Dr. Samimit – futbollist, me këte penelatë të mrekullueshme që e kam shkëputë këto dit prej shkrimit kushtuar Dr. Samimit, “poetit të jetës” siç e quan ai, të autorit të respektueshëm Gëzim Peshkëpia botuar në “Gazetën 55”:

“…Një buzëqeshje më bëri të kujtoj episodin e mëposhtëm: Më kujtohet kur isha adoleshent po loznim futboll në rugicën tonë. Pranë nesh u duk Doktor Samimi me çantë në dorë. Nuk hyri në shtëpi. Ndoqi për disa minuta lojën tonë duke bërë vërejtjet e tij. Mbasi u fut mbrenda doli përsëri i veshur me tuta dhe me dorezat e portjerit. Portjeri u spostua dhe ai zuri vendin e tij. Njeri prej nesh që luante me skuadrën e të rinjve të njërës prej skuadrave të qytetit, filloi të gjuante fort, mirëpo na la me gojëhapur. Ai priste të gjithë gjuajtjet dhe njëkohësisht tregonte stilin si duhet mbërthyer topi e kur duhej grushtuar. Saxho, gruaja e tij, mbështetur tek porta e ndiqte me sy dhe qeshte. Ajo u fut mbrenda dhe pas pak çastesh e ndoqi edhe ai. Ndodhesha pranë portës. Mbajti këmbët dhe më tha: “Goethe thotë: “tek çdo i rritur fshihet një fëmijë që nxjerr kokën here mbas here”. Një buzëqeshje tjetër…”.

Nuk kam se çka t’i shtoj më tej këtij episodi për portjerin tonë të vjetër dhe të parë të Shqipërisë, Dr. Vasfi Samim Visoka

Tash e ka fjalën themeluesi, organizatori dhe mendimtari i sportit shqiptar Dr. Vasfi Samim Visoka…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora