E marte, 16.04.2024, 12:08 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Maria Sharapova, kukulla e vogël e tenisit

E shtune, 26.01.2008, 05:27 PM


Përveçse është e vetmja femër mes 25 sportisteve më të paguara në botë, atletja më seksi dhe një ndër 50 femrat më të bukura, biondja ruse me sytë bojëqielli, Maria Sharapova, është edhe finalistja e turneut Australian Open që po zhvillohet këto ditë në Melburn. Misi rus do të ketë përballë një tjetër mis, serben brune Ana Ivanoviç, ndaj shumë meshkuj e kanë cilësuar këtë si "finalja e miseve". Pasi mundi belgen e pamposhtur të Uimbëlldonit të një viti më parë, me 32 ndeshje të fituara, Justine Henin, Sharapova kërkon të harrojë me çdo kusht janarin e një viti më parë, ku Serena Uillimas i rrëmbeu trofeun në finale. Pas këtij viti, objektivi është i qartë: kërkon të koleksionojë edhe trofeun e Australia Open, pas atij të Uimbëlldonit në vitin 2004 dhe US Open në vitin 2006. "Jam kthyer në formën time më të mirë pas një viti për t‘u harruar nga dëmtimi në shpatull. Jam e etur për fitore", deklaroi ajo, pasi shkatërroi në gjysmëfinale belgen Justine Henin. Edhe pse vetëm 20 vjeçe, siberiania, rezidente në Florida prej disa vitesh, është kthyer në objektin e dëshirave të miliona meshkujve në botë. Sa herë që zbret në fushë, fotografët, sponsorët i kanë sytë te pozat dhe kontratat vetëm me të. Maria Sharapova tani konsiderohet si një seks simbol falë një fiziku perfekt dhe një buzëqeshjeje për t‘u pasur zili. Sponsorë, publicitet, shërbime fotografike e propozime ekstrasportive nuk mungojnë kurrë, sepse klasi, bukuria dhe talenti që mëshirohen tek ajo është trinom që në çdo çast të jetës të siguron para, sukses dhe famë. Po kush është në të vërtetë Maria Sharapova? Edhe pse thotë se nuk mban mend shumë nga vitet e fëmijërisë të kaluara në Rusi, ato që tregon janë të mjaftueshme. "Nuk kam shumë kujtime nga Siberia. Ajo që kujtoj me saktësi është momenti kur ne vendosëm që të largoheshim drejt Amerikës. Kujtoj mamin dhe të afërmit e mi që më përgatisnin valixhen e rrobave, ndërsa lotët nuk u pushonin për asnjë çast. Dija që nuk po shkoja në Florida për t‘u bërë aktore apo balerinë, por po shkoja për të luajtur tenis", tregon ajo. Por më të vështira ishin vitet larg nënës sime. Flisja me të në telefon një herë në gjashtë muaj, por mund t‘i shkruaja letra në çdo kohë". I ati, Juri Sharapov, është fansi i saj më i madh. Çdo janar ai nuk e lë asnjëherë vetëm Mashan, që për të sigurisht që është tenistja dhe vajza më e mirë në botë. Është kudo pranë saj për ta mbështetur, pavarësisht nëse fiton apo humbet. Ka qenë i vetmi që ka analizuar çdo top të sajin që nga mosha 4 vjeçe. Por edhe e ëma, Yelena, është gjithashtu një tjetër fanse e madhe e saj. Në prill të vitit 1986 ajo u takua me Jurin dhe vendosën të lidhnin kurorë në Bjellorusi, qytetin e tij të lindjes, ku gjyshja e Marias administronte një dyqan të madh ëmbëlsirash. Babai i saj ishte vetëm 26 vjeç kur reaktori numër katër i Çernobilit, që ishte vetëm 100 milje larg, shpërtheu duke shkatërruar gjithçka. Vetëm tre muaj pas kësaj katastrofe, kur Yelena ishte shtatzënë, udhëtuan drejt qytetit industrial Nyagan, në Siberinë perëndimore.

Dimri i acartë në Niagan ishte më i ftohti që kishin përjetuar ndonjëherë. Pasi gjeti punë në një zonë naftëmbajtëse dhe u rregulluan në një apartament me të afërmit e Yelenas, në prill të vitit 1987 do të vinte në jetë Maria. Bukuroshja bionde kaloi dy vitet e para të jetës në këtë vend të shkatërruar, deri sa familja hoqi mënjanë lekët e nevojshme për të lëvizur drejt Sochit, vendlindja e Yevgeny Kafelnikov, një nga tenistët më të mirë rus. Pasi u miqësua me të atin e Yevgeys, në qendrën ku luhej tenis, Maria bashkë me të atin filloi të vinte rregullisht aty. Ishte pikërisht ai që i dha Marias, atëherë vetëm katër vjeçe, një raketë tenisi, me të cilën luajti ndeshjen e saj të parë me një mur në parkun e lagjes së saj. Maria, bashkë me prindërit, jetonin në një shtëpi të vogël në katin e katërt të një pallati, rreth gjysmë ore larg qendrës së tenisit. Dëbora e ashpër e dimrit nuk e pengonte të atin ta çonte vajzën për t‘u stërvitur në murin e parkut. I ftohti i acartë kishte bërë që në park të ishin vetëm ata të tre, Maria, babai dhe muri i parkut. "Është ftohtë babi", qahej ajo, ndërsa ai i thoshte: "Mos qaj zemër". Maria ishte vetëm gjashtë vjeçe kur të dy së bashku vraponin për të kapur autobusin për të shkuar në stërvitje, ndërsa ai i përsëriste vazhdimisht: "Mjaft qave Masha, po shkojmë të bëjmë stërvitje". Mësimet më në fund ishin përvetësuar. Disa muaj më vonë, Maria, së bashku me të atin, u nisën drejt Moskës për një test që kampionia ruse e tenisit, Martina Navratilova, do të zhvillonte me të. Pas disa orësh, teksa e shihte Marian e vogël të luante, Martina i tha të atit se Maria, vajza kishte një talent të jashtëzakonshëm, por që i duhej patjetër dikush që ta stërviste në mënyrë profesionale. U duhej të niseshin drejt Floridës. "Familjes sime iu desh të kursente rreth një vit për të mbledhur lekët e nevojshme për vizat dhe biletat. Për mamin ishte e pamundur të siguronim një vizë, ndaj asaj i duhej të qëndronte në shtëpi. Nuk e pashë nënë time për dy vjet rresht, pas ndarjes në aeroport", tregon Maria. Më pas ajo rrëfen se ishte viti 1994, kur së bashku me të atin, që kishte në xhep vetëm 700 dollarë dhe nuk dinte asnjë fjalë anglisht, fluturuan drejt Majamit. "Pasi qëndruam disa ditë në Majami, një mbrëmje morëm autobusin dhe u nisëm drejt akademisë së tenisit ‘Nick Bolletieri‘. Ishte errësuar dhe dera e akademisë ishte e mbyllur. U kthyem në hotel dhe vendosëm të shkonim sërish një ditë më vonë", kujton. Pasi i dha Marias një raketë në dorë dhe i bëri disa ushtrime, një trajner do i thoshte të atit: "Është shumë e vogël, kthehuni pas dy vjetësh. Këto dy vite do të ishin më të vështirat për të dhe të atin. "Babai bënte çfarëdo lloj punësh, ndërsa unë në vitin 1995 nënshkrova për IMG-në dhe fillova të punoja me Robert Lansdorp në akademinë ‘Bolletieri‘". Edhe pse ende e imët, në moshë 9 vjeçe ajo kishte gjetur rrugën e saj, që do të pasonte e mbushur plot suksese. Në vitin 2000, kur ishte vetëm 13 vjeçe, ajo do të fitonte kampionatin e "Under 16", në vitin 2002 do të ishte tenistja që do të mbërrinte deri në finalen e të rinjve në turneun Australian Open. Vetëm në vitin 2003 ajo do të fitonte turneun e parë për të arritur në Tokio, që do të pasohej një vit më vonë me fitoren e Uimbëlldonit. Kur e pyet tani për vendimin e të atit për ta çuar drejt Floridës përgjigjet: "Ajo që bëri im atë ishte një sakrificë e jashtëzakonshme dhe tani kur kthehem në akademi shoh plot fëmijë të vegjël në të njëjtën situatë si unë shumë vite më parë dhe ndiej një ankth brenda vetes". Por tani ato vite kanë kaluar dhe Maria nuk është më ajo vajza e vogël që ia merrte vendimet babai. Tani mund të zgjedhë vetë, dashurinë, sponsorët, gjithçka që ajo mendon se është e mirë për të. Kur e pyesim se si e ka gjetur Maria dashurinë e jetës së saj, ajo përgjigjet: "O Zot, kjo është një pyetje e pazakontë. Nuk e di, por mendoj se e rëndësishme është të mos e kërkosh, në fund të fundit unë jam vetëm 20 vjeçe. Tani më pëlqen të jem e dashuruar dhe të martohem vetëm me jetën time". A e ka menduar ndonjëherë se të gjithë djemtë që i vërdallosen e bëjnë se e duan për para apo sepse është një teniste e famshme dhe vajzë e mrekullueshme?

"Besoj se duhet të besosh verbërisht te njeriu me të cilin vendos të rrish. Unë nuk jam fallxhore apo psikiatre, ndaj nuk mund t‘iu tregoj nëse ata më duan për atë që jam, apo për Marian që shohin në televizor, që luan dhe fiton para. Dhe nëse dikush nuk më do për atë çka kam brenda meje, më duhet t‘i them lamtumirë dhe të takoj dikë tjetër që është në gjendje të shohë brenda meje". Por, a e ka Maria dikë që dashuron me gjithë shpirt, me të cilin ndan gjithçka. "Jo, akoma jo. Ndoshta pas 5 vjetësh do ju tregoj gjithçka". Ju pëlqen të jeni e famshme? "Më pëlqen... Po për mua fama është (mendohet)... mendoj se kjo fjalë është një klishe, sepse në fund të ditës unë jam si çdo njeri tjetër. Megjithatë është mirë të jesh e njohur për atë që bën. Po problemet me paparacët? "Nuk kam asnjë problem me ta". Jeni ndër vajzat më të preferuara të kopertinave, po nëse një ditë do t‘ju propozohej të pozoje për "Playboy", do ta bëje? "Jo, kurrë, sepse nuk kam nevojë as për famë dhe as për para". Si do të jetë jeta e Marias pasi të heqë dorë nga tenisi? "Do ta heq raketën nga dora kur të mos mundem më. Më pëlqen të jem një nënë e përkushtuar me shumë fëmijë dhe të bëj vetëm gjëra që më bëjnë mua të lumtur".

Po për momentin me kë jeni e dashuruar? "Me qenin tim. Kam dashuri të madhe për kafshët, sidomos për qentë. Emri i tij është Dolce. Nëse do të doja një djalë kaq shumë sa dua qenin tim, të siguroj se do të ndihej shumë keq, sepse jam vërtet shumë e dhënë pas tij. E dua vërtet shumë", tregon ajo. E kush nuk do ta kishte zili qenin e saj, me siguri të gjithë meshkujt e kësaj bote do të donin të ishin si ai...

Maria, makina që prodhon dollarë

Bukuroshja Sharapova nuk fiton vetëm trofe në tenis, por siguron edhe kontrata marramendëse nga sponsorë të fuqishëm, edhe pse është vetëm 20 vjeçe. Kështu, me kontratën 4-vjeçare të nënshkruar me "Sony Ericson", Sharapova është konfirmuar si tenistja më e paguar në botë, përfshi edhe Roger Federer. Ajo është gjithashtu atletja femër më e paguar në botë. Në vitin 2006, CBS ka vlerësuar se të ardhurat e saj i kalojnë 20 milionë dollarët në sezon. Ndër sponsorët e saj më të mëdhenj mund të përmenden: "Colgate-Palmolive", "Honda", "Nike", "Microsoft", "Pepsi" dhe "TAG Heuer". Pasi fitoi turneun e Uimbëlldonit në vitin 2004, edhe pse vetëm 17 vjeçe, ajo nënshkroi një kontratë njëvjeçare me shtëpinë e prodhimit të makinave "Honda", ndërsa në prill të 2006-ës nënshkroi një kontratë trevjeçare për një vlerë 12 milionë dollarësh nga kompania e prodhimit të makinave luksoze "Land Rover". Për më tepër mori falas një "Land Rover Sport" në Florida dhe mund të drejtonte kur ajo të dëshironte një "Land Rover Discovery". Gjiganti amerikan i telefonisë celulare "Motorola", jo vetëm që i ofron falas telefona celularë, por paguan edhe faturat e të gjitha bisedave që bën gjatë gjithë vitit rusja e bukur, ndërkohë që Maria merr një pjesë nga të ardhurat e dounlodimeve HelloMoto/Maria. Edhe me pijet Maria nuk është keq. Pija e famshme energjike sportive "Gatorade", një produkt i "PepsiCo" dhe e përdorur gjerësisht nga sportistët, ka si imazh të saj, midis dhjetëra sportistëve të mëdhenj, edhe Sharapovën. Edhe "Tropicana", lideri në prodhimin e lëngjeve të frutave, sidomos atij të portokallit, i ofron falas ruses simpatike gjatë gjithë vitit pijet e saj. "Nike" vesh Sharapovën, "Prince Sports" sponsorizon raketat që ajo përdor dhe "Canon" ka si imazh Marian për produktet e kamerave. Të gjitha këto kontrata marramendëse e kanë shndërruar Sharapovën, sipas "Forbes", në sportisten femër më të paguar në botë, me fitime që shkojnë deri në 20 milionë dollarë në vit. Një ndër 50 femrat më të bukura në botë, në 2007-ën pozoi me bikini për revistën "Sports Illustrated" dhe për të katërtin vit radhazi u cilësua edhe atletja më seksi në botë nga "Maxim Magazine".

Bamirëse

Por edhe pse deklaron se dëshiron të fitojë gjithmonë e më shumë, Sharapova është edhe një bamirëse e madhe. Në vitin 2006 biondja ruse themeloi dhe inauguroi një fondacion me emrin e saj për të luftuar varfërinë dhe për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Por, pavarësisht se admirohet nga publiku amerikan, nuk gëzon një famë të mirë mes atleteve të tjera. Sharapova frekuenton shumë rrallë ambientet ku takohen tenistet e tjera dhe mikja e vetme e saj është Maria Kirilenko. Ajo konsiderohet edhe si atletja që bërtet sa herë që gjuan një top, duke i shqetësuar shpesh kundërshtaret. Ulërimat e saj kanë një fuqi 102.2 decibel, më shumë se ato të një sirene policie.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora