Sport » Sporti
Haliti braktis atletikën shqiptare: Jam 100% italian
E merkure, 16.01.2008, 07:43 PM
18-vjeçari vendos rekord dhe synon "Pekin 2008" me Italinë
![]() |
Eusebio Haliti |
Mediat italiane e kanë cilësuar historik rezultatin e Halitit në kampionatin italian të sallave të mbyllura. Në turneun e zhvilluar në Ankona, sportisti që përfaqësonte klubin "Pol. Roço Scotellaro" të Materës, ai ka fituar pa vështirësi garën e 400 metrave, duke dhënë kohën 48"86, që është rekordi i ri italian për të rinj në këtë disiplinë. Kjo kohë është 26 të qindtat më e shpejtë se rekordi i vjetër i vendosur nga Danilo Bertaxha në vitin e largët 1983. Federata Italiane e Atletikës nuk e ka homologuar ende zyrtarisht kohën e regjistruar nga atleti shqiptar, vetëm për faktin se ky i fundit nuk ka ende nënshtetësinë italiane. Por kjo gjë do të bëhet shumë shpejt, duke parë edhe të ardhmen e siguruar të Halitit, i cili në tetorin e vitit të kaluar fitoi titullin kampion të Italisë për këtë grupmoshë në kategorinë e 400 metrave me pengesa.
Vetë atleti ka shprehur hapur dëshirën për të qenë pjesë e kombëtares italiane, duke harruar "të kaluarën" e tij shqiptare. Ai është i sigurt se mund të thyejë rekorde të tjera në të ardhmen. "Ky është vetëm fillimi. Këtë vit dua të shënoj arritje të tjera, duke filluar nga sigurimi i titujve italianë në garat e 400 metrave dhe të 400 metrave me pengesa që do të zhvillohet në Rieti. Falënderoj trajnerin tim, Antonio Ferro, i cili më ndjek me profesionalizëm në stërvitje dhe në gara. Nëse nuk do të marr nënshtetësinë italiane, është e sigurtë se do të marr pjesë në Olimpiadën e Pekinit në muajin gusht si pjesë e përfaqësueses shqiptare. Por ëndrra ime është të vesh fanellën e kaltër, pasi unë e ndjej veten 100% italian", u shpreh ai për mediat italiane, pas garës së dy ditëve më parë. Pas formës së shfaqur gjatë vitit të fundit, Haliti duket se e ka garantuar të ardhmen e tij në kombëtaren italiane të atletikës. Askush nuk duhet të çuditet për një gjë të tillë, pasi drejtuesit e atletikës shqiptare kanë preferuar të qëndrojnë indiferentë ndaj talenteve shqiptare gjatë viteve të fundit, duke u përqendruar më shumë në "luftën për kolltukë".