E premte, 19.04.2024, 07:41 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Arsyeja e Triumfit Olimpik të Kinës Popullore

E hene, 01.09.2008, 10:03 PM


Arsyeja e Triumfit Olimpik të Kinës Popullore

Nga Besnik Dizdari

Kapitulli I

Ndoshta katër janë të shpejtat që më bënë përshtypje rreth Kinës së sotme:

E para: pritja tejet qytetare dhe fisnike në Ambasadë për marrjen e vizës.

E dyta: kur shkova në Pekin dhe ecja nëpër qytet, vetëm foto e Mao Ce Dunit në sheshin Tien An Men më kujtonte se isha në një vend komunist, sepse gjithçka tjetër ishin si në çdo vend perëndimor.

E treta: kur ne do të hynim përshembull, në restorantin e një mesdite apo mbrëmbjeje të mikpritjes së rrallë kineze, deri sa shkoje te tryeza ku do uleshe, e pakta katër vajza të hijshme të drejtonin për te vendi: njëra sapo i afroheshe restorantit, e cila me dorë dhe buzëqeshje mirësie të tregonte kahun e mbërrijtjes; mbas saj vajza tjetër që të tregonte shkallën e hyrjes; mandej vajza e tretë që të bënte me dorë që të kishe kujdes vetë shkallët, që të mos të ngatërroheshin këmbët, siç ndodh shpesh kësisoji; dhe mandej sapo kaloje pragun për te salla, vajza tjetër që të shoqëronte për te tryeza yte.

E katërta: dikur në vitet “e arta” të miqësisë shqiptaro-kineze ne thonim se kinezët janë të gjithë njësoj në pamjen nga jashtë, tash zbulova se ata ishin krejt ndryshe nga njeri tjetri.

Sigurisht që me këto katër përshtypje pamore, nuk dua të them se në to mund të gjesh shkaqet e triumfit olimpik të Kinës. Mirëpo, them se edhe mbrenda këtyre lexuesi mund të nënkuptojë të paktën disa arësyena të triumfit olimpik të Kinës: saktësi, rregull, seriozitet, ndryshim për te e sotmja, po dhe traditë.

Kisha me thënë se tri kanë qenë majat e Pekinit 2008: triumfi sportiv i Kinës të ashtuquajtur Popullore, 8 medaljet e arta të notarit Michael Phelps dhe 3 medaljet me tre rekordet botërore fenomenale, siç thuhet, të vrapuesit xhamajkian Usain Bolt, tema të shtérruara në dy shkrimet e fundit të “TemA”-s. Mbi të gjitha, triumfi medalist i Kinës përbën ngjarjen epokale të vetë historisë së Olimpiadave. Sepse kemi një shtet fitimtar për herë të parë në historinë e njerëzimit dhe për arësyen e arësyeve, se për herë të parë mbas 20 vjetëve, qysh nga 1988 me Bashkimin Sovjetik, një vend mirëfilli i sistemit komunist fiton Olimpiadën dhe se po për herë të parë në histori kombi me popullsinë më të madhe, në këte rast Kina, rrëmben pa mëshirë Lojërat Olimpike.

1971: një triumf i Kinës që kërkohej në Tiranë…

Merreni me mend tash se çdo të kishte ndodhë në Shqipëri sikur Kina të kishte fituar, ta zëmë, Olimpiadën e Mynihut 1972. Merreni me mend, se si do t’i kishim konsumuar ne, tastierat e makinave të shkrimit duke përimtuar epërsinë e “sistemit të vetëm” komunist Kinë– Shqipëri, edhe në sport. Mirëpo, asokohe kjo nuk mund të ndodhte për dy arësye: sepse Kina nuk ishte anëtare e CIO-s, dhe se në fillimin e viteve ’70, Kina ende ishte nën peshën e plagëve të tmerrshme prej revolucionit kulturor proletar.

Dhe i kthehem mu fillimit të viteve ‘70. Shteti me të cilën Kina Popullore kishte edhe marrëdhëniet më të ngushta sportive, qëlloi të ishte Shqipëria. Në Tiranë nuk mund të pushonte në këte periudhë ardhja e ekipeve sportive të Kinës. Të pambarim. Atletë, basketbollistë, volejbollistë, futbollistë. Me sa dukej, Shqipëria nënkuptonte Evropën për Kinën sportive të asokohe. Puna mbërriti deri aty saqë Kina për të rimbëkëmbë futbollin e saj gjithashtu të shkatërruar, do të kërkonte trajner nga Shqipëria: Loro Boriçin e madh, i cili kishte luajtur edhe me Lazio të Romës!

Në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70, Kina kërkonte doemos të fitonte kohën e humbur dhe sa më shpejt që të ishte e mundur të sfidonte botën ndërkombëtare sportive. Ia kishte arritur me vetëm dy atletë, në dy gara simbol të Mbretëreshës së sporteve, t’i bënte ata të përmasave botërore: Nih Çih Çin (Ni Chih– Chin) në kërcimin së larti me 2 metra e 29 centimetra – rekord botëror, dhe para tij Çen Çia Çuan (Chen Chia Chuan) në 100 metra me 10.0 sekonda – barazim i rekordit botëror. Vetëm këta dy sportistë ishin sfida e Kinës njëmiliardëshe ndaj sportit kapitalist botëror, apo atij revizionist sovjetik.

Do t’i dërgonte në Shqipëri të dy. E ndërsa Çen Çia Çuan erdhi si trajner i Kombëtares së Kinës më 1971, mbasi ai e kishte ndalë veprimtarinë e tij si atlet, Nih Çih Çin erdhi si rekordmen jo zyrtar i botës në kërcimin së larti. Ai dha një shfaqje spektakolare për shqiptarët, duke vendosur për stadiumet tona katër rekorde që sot e ksaj dite mbas plot 37 vjetësh nuk ka mundur t’i thyejë askush për tokën shqiptare.

Nih Çih Çin e kishte “thyer” rekordin botëror të 2.28 të Valeri Brumel, më 8 nëntor 1970 në Çansha me 1 cm., 2.29. Kishte një datëlindje, çmerisht, siç thotë Koliqi, të barabartë me Brumelin: 14 prill 1942 të dy! Dhe të dy ishin 184 cm shtatlartë dhe peshonin nga 82 kg! Dhe për çudi shkolla ishte e njëjtë: edhe për Nih Çih Çin ajo ruse, kur ai qysh 18 vjeç djalë kishte marrë leskionet e saj.

Kinezi i madh i atletikës mbërrin në Shqipëri mbas nëntë muajve të rekordit të tij, korrik 1971, me ekipin kombëtar të Kinës. Më 16 korrik 1971 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, në prani thuajse të të gjithë Byrosë Politike të PPSH: Adil Çarçani, Beqir Balluku, Manush Myftiu, Ramiz Alia, Spiro Koleka, Abdyll Këllezi, Kadri Hazbiu (kësisoji të rradhitur nga shtypi) arrin 2.25 metra, duke na mahnitur.

Si gazetar i “Bashkimit” e kam ndjeur garën mu te pedana e kërcimit. Madje në pushim në të ndërmjeme të garës, kam arritur të shkëmbej me atletin e jashtzakonshëm po të një thjeshtësie të rrallë, edhe një bisedë të shkurtër përmes përkthimit të kolegut Enver Muça dhe të fotografohemi drejtpërsëdrejti gatë këtij bisedimi të shkurtër me te, siç shihet qartë në foton për mua historike që po botoj mbas 37 vjetësh, sepse protokolli i rreptë i asokohe nuk lejonte asesi që gazetari të bëhej “personazh”, qoftë edhe rastësisht. Kur ka mbaruar gara e jashtëzakonshme e 2.25 metrave që për Evropën përbënte rezultatin më të mirë të vitit 1971, kam nxituar në redaksi dhe kam botuar skicën kronikale të shkurtër me titullin “Përgatitja dhe thjeshtësia e atletit kinez”, të shoqëruar me një foto të tij së bashku me rekordmenin tonë Skender Balluku, i cili atë 16 korrik 1971 arrinte 1.93, plot 33 centimetra larg kinezit legjendar. Kryeredaktori i paharrueshëm i “Bashkimit”, Niko Nishku, e vendosi në faqen e parë skicën, një ndër shkrimet më apolitike që mund të merren me mend për kohën.

Dhe më mbas shfaqja spektakolare e Nih Çih Çin: si një kaskadë: 2.25 metra në Shkodër më 23 korrik, 2.25 metra në Elbasan më 30 korrik dhe po 2.25 metra në Korçë më 4 gusht 1971! Ishte një demonstrim i papamë force! ATSH-ja ndërkaq, bënte punën e vet duke ia transmetuar botës ngjarjen sensacionale për vetë historinë e atletikës botërore. Në të vërtetë ekipi kombëtar i Kinës nuk kishte ardhur në Shqipëri thjesht për miqësinë shqiptaro-kineze. Kishte ardhur për të sjellë në Evropë Nih Çih Çin-in, i cili gëzonte një formë të jashtëzakonshme sportive dhe 2.25 metrat e tij katër herë mbrenda 20 ditëve të vetme, çudisnin Evropën!

Zyrtarisht rekordi botëror i Valeri Brumelit (2.28 më 1963) sapo kishte rënë kur më 3 korrik 1971 amerikani Pat Matzdorf kishte mbërritur 2.29 në Berkeley të Kalifornisë. Më saktë, Matzdorf kishte barazuar “rekordin” 2.29 të Nih Çih Çin, arritur prej këtij të fundit në Çansha më 1970. Sekreti duhej marrë me mend: Kina kishte sjellë Kombëtaren e saj në Tiranë të Shqipërisë për të thyer rekordin botëror vetëm mbrenda pak ditëve mbas rekordit të amerikanit. Qysh në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, Nih Çih Çin kërkon stekën në lartësinë 2.30, që ishte 1 cm mbi rekordin e tij dhe të Matzdorfit të vetëm para 13 ditëve në Berkley. Dukej qartë se gjithçka ishte e paramenduar me stilin e saktësisë “prapaskenore” të shkëlqyer kineze: një rekord i thyer jashtë Kinës, madje mu në Evropë! Për fat, Nih Çih Çin nuk ia arrin për pak gjë, ndonëse për 2.30 ai përpiqet edhe në tri garat e tjera “shqiptare”. Niveli ende i ulët i pedanave të kërcimit në Shqipëri, ka qenë shkaku i vetëm i mosarritjes. Nih Çih Çin ishte në ditë të jashtëzakonshme të nivelit të tij. I arritur katër herë mbrenda 20 ditëve në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë të Shqipërisë, 2.25 metrat e tij të mahnisnin. I gjithë ekipi kinez njinjisohej (identifikohej) me rezultatin e Nih Çih Çin. Përshembull, Marjeta Pronjari (Zaçe) fitonte në kërcimin së larti (1.75) ndaj kinezes U Fu Shan, Rauf Dimraj fitonte në 800 metra (1.55.8) ndaj kinezit Çan Li Hsien (1.57.4) - dy shembuj këto sa për të vërtetuar “vetminë” e rekordmenit të madh në formacionin e madh kinez.

Të gjitha këto dukej se nuk kishin rëndësi për kinezët, qëllimi kryesor i të cilëve ishte thyerja e rekordit të amerikanit Matzdorf mu në Shqipërinë e vogël, por të Evropës. Katër herë 2.25 metra ishin sfida e qëndrueshmërisë të Nih Çih Çin të Kinës Popullore, e cila nuk pranonte të ishte anëtare e IAAF (Federata Ndërkombëtare e Atletikës së Lehtë) për arsyet që do t’i kujtojmë më poshtë.

Ndërkaq, nuk harrohej megjithate, “politika në plan të parë”. Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu pret ekipin e atletëve të Kinës dhe përqafohet me Nih Çih Çin. Gjest që vetvetiu përbënte respektin për kryeministrin e Kinës, Çu En Lai, i cili 20 dit më parë, 12 korrik 1971, kishte bërë zakonin e çuditshëm kinez duke zbritur në fushën e blertë për t’u përqafuar me futbollistët e Labinotit të Elbasanit në stadiumin e Pekinit, mbas një ndeshjeje të këtyre të fundit me skuadrat kineze gjatë turneut të atjeshëm.

Nih Çih Çini do të vijë në Shqipëri edhe më 1973, po me ekipin kombëtar të Kinës, por tashmâ si drejtues, ndonëse me kërkesën e shqiptarëve demonstron kërcime jogaruese në së larti. Kina donte Evropën sportive përmes Shqipërisë, por hapat e ecjes së saj ende ishin të vogla. Puna kishte mbërritur deri aty saqë bie fjala, Kombëtarja e Shqipërisë fiton 74-70 me Kombëtaren e Kinës në basketboll!

Të gjitha këto sot përbëjnë histori të rralla, vërtet tashmâ të harruara, por që mpleksen me gjeopolitikën sportive të Kinës së “diplomacisë” së famshme “të pingopongut”, që shpejt do të trondiste tejet Partinë e Punës së Shqipërisë dhe Enver Hoxhën. Në këte 1971, Shqipëria kishte lëshuar terrenet e saj sportive për të ringjallë një lavdi sportive kineze, që megjithate duhej të priste Shekullin XXI për t’u shndërruar në një lavdi të mirëfilltë sportive në gjithë botën. Ishte një tjetër Shqipëri dhe një tjetër Kinë…

Kina e fillimit olimpik, Taivani i Kuomintangut dhe Kina Popullore

Historia olimpike Kinës nuk ka të bëjë me Shqipërinë.

Më 1924, në Olimpiadën e Parisit, Kina dërgon tre sportistët e saj të parë, të cilët marrin pjesë në turneun jozyrtar olimpik të tenisit. Në Olimpiadën 1932 të Los Angeles, atleti Liu Changchung është sportisti i parë kinez, i cili merr pjesë në Lojërat Olimpike (100 dhe 200 metra). Mbërrin viti 1936, viti i pjesëmarrjes së gjërë olimpike të Kinës, Berlin i Gjermanisë. Me 69 sportistë: në atletikë, not, basketball, futboll, peshëngritje, boks, çiklizëm. Kina është e pranishme edhe në Olimpiadën e Londrës, 1948, sepse duheshin edhe 15 muaj që të lindte Kina Popullore. Duhej të vinte viti 1949 që të prishej gjithçka.

Tre vjet më vonë ne Helsinki 1952, tash Kina Komuniste, thirret dhe shkon në Olimpiadën finlandeze. Ngjet ndërkaq, që CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) fton edhe ishullin e Taivanit si përfaqësues i Kinës së Kuomintangut. Lindin kështu dy Kina Olimpike. Dhe Kina Komuniste që heq dorë! Më 19 gusht 1958 Republika Popullore e Kinës pret marrëdhëniet m CIO-n. Tash, rradhazi në Lojërat Olimpike kombi kinez do të përfaqësohet me Republikën e Kinës Kombëtare të Taivanit të Chiang Kai-shekut të qeverisë së Kuomintangut.

Eshtë 1960. Papritmas, në Lojërat Olimpike të Romës, Yang Chuan-kwang i Taivanit bëhet kinezi i parë i cili fiton një medalje olimpike: argjend në dhjetëgarësh mbas amerikanit legjendar Rafer Johnson. Tetë vjet më vonë, gjithnjë si përfaqësuese e Tajvanit, Ju Zheng bëhet femra e parë kineze e cila fiton një medalje olimpike: bronz në 80 metra me pengesa.

Sa do të zgjaste kësisoji? “Dy Kinat” do t’i afroheshin diplomacisë megjithate. Në 30-vjetorin e Republikës Popullore të Kinës, tetor 1979, Komiteti Ekzekutiv i CIO-s, lëshon rezolucionin e tij për përfaqësimin e Kinës në Lëvizjen olimpike përmes të cilit pranohet që tash e mbrapa Taivani të merrte pjesë me emrin Komiteti Olimpik Kinez i Tajvanit me një flamur dhe emblemë ndryshe nga ai i deriatëhershëm. Viti 1980 shënon vitin e pjesëmarrjes së Kinës Popullore në Lojërat Olimpike: ishin të ato të Dimrit, Lake Placid. Janë 28 sportistë kinezë për 18 gara. Wang Guizhen arrin rezultatin më të mirë për Kinën në histori: e 18-ta në slalom për femra! Mbas pak është 1980 i Lojërave Olimpike të Moskës. Kina është midis 61 shteteve që bojkotojnë për shkak të pushtimit të Afganistanit prej BRSS.

Sulmi kinez ishte lënë për të filluar dhe për të vazhduar pa ndërprerje më 1984, Lojërat Olimpike të Los Angeles. Delegacion me 353 vetë, 224 sportistë në 15 sporte. Xu Haifeng bëhet përfaqësuesi i parë i Kinës Popullore që fiton një medalje të artë: në qitje me pistoletë e lirë për meshkuj. Xu Xiaoxuan bëhet femra e parë kineze që fiton medaljen e artë në histori, qitje në pistoletë 3x20.

Ajo është një pjesëmarrje gati e bujshme: Kina renditet e katërta me 15 medalje ari, por edhe për shkak të bojkotimit të Olimpiadës amerikane prej rreth 15 shteteve satelite të BRSS. Ora e së vërtetës matëse për sportin kinez do të jetë Olimpiada e Seulit 1988, ku Kina pëson një tronditje të papritur: vetëm 5 medalje ari dhe vendi i 11-të, ndonëse di të ruan gjakftohtësinë e saj të mirënjohur. Dhe e lë për katër vjet më vonë që të rifillojë ciklin e saj të papërmbajtshëm, i cili ka këte rrjedhë të frikshme:

* Barcelonë 1992: Kina – e katërta mbas BRSS, SHBA, Gjermanisë me 16 medalje ari!

* Atlanta 1996: Kina - e katërta mbas SHBA, Rusisë, Gjermanisë me 16 medalje ari!

* Seul 2000: Kina – e treta mbas SHBA, Rusisë me 28 medalje ari!

* Athinë 2004: Kina – e dyta mbas SHBA me 32 medalje ari!

* Pekin 2008: Kina – e para me 51 medalje ari, para SHBA (38) dhe Rusinë (23)!

Asnjëherë në historinë e Olimpiadave nuk kishte ndodhur që një shtet të shfaqej për herë të parë te vendi i parë me një epërsi kaq të dukshme medaljesh, mbrenda vetëm pesë Olimpiadave pjesëmarrëse. Kemi të bëjmë me tronditjen më të madhe që ka pësuar sporti olimpik, madje sporti botëror, teksa mbas trinomit historik SHBA-BRSS-RDGJ, i shndërruar mbas rënies së Murit të Berlinit në SHBA-Rusi-Gjermani, të shfaqet kaq rreptësisht një superfuqi tjetër sportive. Ky është “Marshimi i Madh” që prishi baraspeshat sportive të botës së sotme dhe që lindi një hegjemoni të re në gjithë planetin sportiv: Kinën Popullore!

Një kthim mbrapa te Lufta e Ftohtë

Nëse do të kërkonim të bënim një krahasim, është mjaft interesant fakti që tregon se gjithçka kineze olimpike ka mjaft të përafërta me rastet e Mbasluftës së dytë, ato të Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane. Ndonëse në këte treshe ka një ndryshim të qensishëm politik. Nëse Gjermania është një shtet i cili nën kuadrin e diktaturës naziste kishte fituar bujshëm Olimpiadën e Berlinit 1936, dhe që menjëherë Mbasluftës dënohet ashpër me mospjesëmarrje, BRSS dhe RDGJ janë shtete të diktaturës së mirëfilltë në sukseset e tyre që nuk do të vononin. Gjermania (Perëndimore) e Mbasluftës së dytë, e cila me një shpejtësi të rrufeshme po ndërtohej si një vend demokratik, megjithate nuk lejohet të marrë pjesë në Lojërat e Londrës (1948). Vjen në ato të Helsinkit (1952) dhe renditet vetëm e 28-ta pa asnjë ari, por me 7 argjendi dhe 17 bronzi. Kur mbërrin Olimpiada e Melburnit (1956) kemi ngjarjen e paprecedent të bashkimit të dy Gjermanive RFGJ + RDGJ, dhe vend i 7-të i saj në renditje me 7 medalje ari. Muaji i mjaltit vazhdon edhe më 1960 dhe 1964 kur Gjermania e bashkuar në sport është në katërshen më të mirë të medalistëve.

Mirëpo, tek është 1968, me rritjen deri në absurd të Luftës së Ftohtë dhe Gjermania që ndahet në dy edhe për Olimpiadën. Këtu nis sulmi i shfrenuar i Republikës Demokratike Gjermane, e cila e kthen sportin në demonstrim demografik, politik, gati biologjik! Ende lufta kundër dopingut nuk i kishte arritur majat dhe vetëm më vonë u fol për dyshimet ndaj RDGJ-së olimpike e cila nuk përmbahej. Vitet 1968-1988 janë kështu vitet e shpërthimit gjermanolindor në Olimpiadat, të një shteti me vetëm 16 milion banorë i cili në sport sfidon gjithë botën: në pesëshe të botës më 1968 në Meksiko. E treta me 20 medalje ari më 1972 mu mbrenda “armikes” RFGJ, në Mynih. E dyta në Montreal të Kanadasë me 40 medalje ari, vetëm 9 më pak nga i pari që ishte BRSS. E dyta në Moskë me 47 medalje ari. Mospjesëmarrje më 1984, por prap i dyti më 1988 në Seul mbas BRSS me 37 medalje ari! Dhe mu këtu shuarja. Sepse shuhet vetë RDGJ. Rilind Gjermania e bashkuar, dhe tash kemi të bëjmë me shoqërinë kapitaliste, tek e cila nuk sundon “politika në plan të parë” edhe në sport.

Pak a shumë në këte kah përmbajtjeje do të ndodhë edhe me një diktaturë tjetër, me atë të BRSS, që e lamë për në fund, si shembull tipik të përdorimit të sportit për demonstrim të sistemit politik.

E rifillon në Helsinki 1952: i dyti me 22 medalje. Melburn 1956: i pari me 37 medalje ari. Romë 1960; i pari me 43 medalje ari. Tokio 1964: i dyti me 30 medalje. Meksiko 1968: i dyti dhe 29 medalje ari. Mynih 1972: i pari me 50 medalje ari. Montreal 1976: i pari me 49 medalje ari. Moskë 1980: i pari me 80 medalje ari. Seul 1988: i pari me 55 medalje ari. Barcelonë 1992: i pari dhe plot 45 medalje ari. Por kësaj rradhe jo si BRSS, por si Komuniteti i Shteteve të Pavarur.

Ky është fundi i BRSS dhe fundi i epësisë sportive të BRSS, ashtu si dhe të RDGJ. Ndonëse Rusia qysh atëherë është përsëri në treshe, doemos në largësi medaljesh, e nuk arrin më asesi tek vendi i parë. Le të ëndërrojmë për një çast një rikrijim imagjinar të BRSS dhe le të rradhisim medaljet e arta që ish republikat sovjetike fituan në Pekin 2008: Ukraina 7 medalje ari, Biellorusia 4, Gjeorgjia 3, Kazakistani 2, Azerbaixhani 1, Uzbekistani 1, Letonia 1, Estonia 1. Që bëjnë plot 20 medalje ari të fituara prej tyre. Po t’i bashkonim këto me 23 medaljet që sapo fitoi Rusia, do të kishim 43 medalje ari të BRSS virtual, i renditur i dyti mbas Kinës dhe mënjanim i pamëshirë i SHBA (36 ari). Do të thërrisnin në kupë të qiellit po të ishim satelitë të tyre, siç dhe kemi qenë: “Rroftë epërsia e shoqërisë komuniste që prej sportit të masave të gjëra punonjëse ka nxjerrë këta sportistë të mrekullueshëm që triumfojnë ndaj sportit borgjezo-kapitalist!”.

Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike i Partisë Komuniste (b) të BS, qysh nga 1952 dhe deri më 1992 ka fituar plot 7 nga 11 Olimpiadat e zhvilluara! E pra, mos ngjason rasti i BRSS (si dhe ai i “Nënkampiones” së bujshme RDGJ) i një politike e gjeopolitike komuniste të etjes për demostrim, me triumfin e Kinës 2008?

Nuk është një pyetje fort e lehtë për t’iu përgjigjur menjëherë, sepse ndonëse në të dy apo këta tri shtete sundonte një parti e vetme, Partia Komuniste në pushtet, ndryshimet në këte hark kohor 16-vjeçar përballë shembullit kinez të një partie të vetme, madje po komuniste, megjithate themi se janë gjigande dhe nuk mund t’i rrijnë fort përkrah njëra- tjetrës. Megjithëse ende nuk është rrëzuar plotësisht mendimi i dikurshëm “se diktaturat dijnë ta bëjnë mjaft mirë sportin”…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora