E enjte, 28.03.2024, 10:52 PM (GMT)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Epoka e Lah Nimanit…

E hene, 11.08.2008, 02:39 PM


Epoka e Lah Nimanit…

Lah Nimani
Nga Besnik Dizdari

“Olimpiada dhe shqiptarët” nuk është një temë e madhe. Kjo sepse juridikisht shqiptarët nuk kanë një histori të madhe olimpike. Ndonëse 16 medalje olimpike prej shqiptarëve jo nën fanelën e Shqipërisë, kanë një histori vërtet të madhe olimpike. E, në këto ditë të Pekin 2008, vetvetiu e ndjej se i duhen bërë ndere kujtimit të trajnerit të vetëm të kombësisë shqiptare i cili ia arriti të prekë olimpin e sportit botëror. Kësisoji kur kujtojmë se Lah Nimani është i pari dhe i vetmi trajner i kombësisë shqiptare, i cili me djemtë e përgatitur prej tij arriti deri te medalja olimpike, madje dhe ajo botërore.

Papritmas për rastin e tij fatal, Lah Nimani u nda nga jeta në shkurt të këtij viti në Oklahoma të SHBA, ku jetonte. U nda nga jeta në moshën 69-vjeçare mu në këte vit olimpik, prej një fati të pamshirshëm të nanës natyrë, si për të dashtë ta njehsonte famën e tij olimpike me olimpizmin që kulmon në vitin 2008.

Në telegramin që Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, i dërgon familjes së tij, përmblidhet në pak rreshta kuptimi i nderimit të madh të trajnerit mitik për shqiptarët:

“Pranoni ngushllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të bashkëfamiljarit tuaj, z. Lah Nimani, themelues i shkollës së boksit në Kosovë dhe trajner me nam ndërkombëtar. Lajmin për vdekjen e tij e morëm me pikëllim të thellë, por jemi të bindur se virtytet, angazhimi dhe sakrifica e tij për sportin e Kosovës do të jetojnë gjatë në kujtimin e të gjithë qytetarëve të Republikës sonë.

Me respekt, Dr. Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”.

1.

Ishte lamtumira e parakohshme për Lah Nimanin- trajneri më i suksesshëm që kombi shqiptar mund të ketë patur ndonjëherë në rang olimpik. I përket Kosovës. Madje për të qenë më të saktë nga ana juridike, shtetase e sportive së bashku, Lah Nimani i përket sportit të ish Jugosllavisë – një prej vendeve shumëkombëshe më sportive që ka patur Evropa. Po në fund të fundit, Lah Nimani i përket shqiptarëve të Kosovës, sportit të shqiptarëve të Kosovës, Kosovës sot shtet i pavarun. Humbja e parakohshme e tij tronditi mjedisin sportiv dhe shoqërinë kosovare, teksa kujton se me emrin e këtij protagonisti të madh të sportit, lidhen ngjarje botërore sportive jo thjesht të Kosovës e ish- Jugosllavisë, por edhe ngjarje të rangut mesdhetar, evropian, botëror dhe olimpik.

E kam njohur paksa Lah Nimanin disi shpejt, pa ndejë me te, në Lojërat Mesdhetare më 1987 në Latakia të Sirisë, ku Shqipëria merrte pjesë për herë të parë. Kanë qenë dit e net të paharrueshme. Kosova ziente tashmâ. Në dukje të jashtëme sporti nuk të joshte te një ndikim. Në fshatin olimpik të Latakias, ku vilat sportive të lidhuar të gjitha bashkë zgjateshin bregut të detit, kombësitë fqinje përmes Mesdheut, dukeshin se ishin bërë një. Jugosllavia synonte medalje të shumta (ajo do të fitonte plot 53, forcë e katërt mbas Italisë, Francës dhe Spanjës) dhe boksi ishte ndër shéjat më të lakmueshme të saj. Ishin shqiptarët. Lah Nimani ishte trajneri i tyre, trajneri i spikatun i boksit për gjithë Jugosllavinë. Në ekipin e Jugosllavisë ishin boksjerët shqiptarë, të cilët në mbrëmbje vinin në dhomën tonë, aty, në bregun e Latakias siriane. Mungonte Lah Nimani, të cilin unë e vështroja disi nga larg tek kalonte aty pari, mbasi e kuptonte mirë se djemtë e tij ishin aty, në dhomën e sportistëve të Shqipërisë. Folëm vetëm një herë në këmbë shkurt, gati si një përshëndetje. Detyra e tij drejtuese nuk ia lejonte asesi që të shkelte protokollin e rreptë të Jugosllavisë datuar 1987, kohë kur Kosova e tij ishte gati në një shpërthim të dytë. Ndonëse ne ishim po aq nën vështrimin e rreptë të njerëzve të Sigurimit që na shoqëronin, madje shefa të lartë të Sigurimit të Tiranës, e bashkëpunëtorëve të tyre mbrenda ekipit sportiv, duke nisur qysh prej drejtuesit më të lartë të delegacionit shqiptar, ecejake e udhëtime jo pak enigmatike, në të cilat ne sigurisht ishim tepër larg për t’i përimtuar qoftë dhe me mendje. E kam thënë edhe një herë tjetër: Dossier-i i sportit të Shqipërisë së izoluar Komuniste asesi nuk është hapur!?...

Sidoqoftë, për fatin e detyrës së profesionit, unë isha disi më i lirë. Dhe kam shkuar posaçërisht për të ndjekur takimet e shqiptarëve të Kosovës në mbrëmjen e paharrueshme të medaljeve të tyre. E kam përjetuar gjithçka si të ishin të mitë, të ekipit tim. E vërteta është se turneu i boksit të Latakias ka qenë një triumf i gjithi jugosllav. 8 medalje me 4 ari, 2 argjendi, e 2 bronzi. Më mirë se asnjë shtet tjetër. Shqipëria komuniste, më “komuniste” se Jugosllavia, vazhdonte të ndalonte ushtrimin e boksit, por përveç 4 medaljeve të boksjerëve Zivadinovic, Salijevski, Dobrasinovic e Damir Skaro, ishin edhe ato të katër shqiptarëve të Kosovës të cilët i jepnin Jugosllavisë 4 prej 8 medaljeve të saj të këtij sporti, madje dy ari prej të katërtave: Agim Latifi ar në 67 kilogram, dhe i famshmi Azis Salihu ar në +91 kg. Mandej argjend Fatmir Makolli në 71 kg dhe bronz Afrim Majanci në 60 kg. Mjeshtri i i tyre skalitës kishte vetëm një emër: Lah Nimani.

E kisha parë Lah Nimanin përmes ekranit të vogël në Kampionatin Botëror të Beogradit më 1978, e në mos të më ngatërrohet kujtesa, edhe në Lojërat e Olimpike të Moskës e të Los Angeles. E kisha fiksuar prej kohësh. Energjik, këshillues, parashikues, plot gjakim (pasion), shqiptar i vërtetë i një temperamenti. Kështu e përjetoja edhe në mbrëmbjen e Latakias. Mandej takimi përsëri me boksjerët kosovarë mbas medaljeve të tyre…

Kur më 1999 do të organizonim Çmimin “Anton Mazreku” në Prishtinë për të nderuar punën e kolegëve Agim Binaku dhe Hivzi Krasniqi, të cilët përveç të tjerave, edhe në kushte lufte bënë gazetari sportive, veprimtaria e parë kjo prej shqiptarëve të Tiranës në Kosovën e Mbasluftës, i kemi kujtuar shpejt të gjitha këto. Sepse në ceremoninë e “Grandit” në Prishtinë kishin ardhur edhe kampionët e mëdhenj, madje edhe legjendarë të tillë si nënkampioni i botës Mehmet Bogojevci, Azis Salihu - bronzi i paharruar i Olimpiadës së Los Angeles, Kampioni i Mesdheut Afrim Majanci, miq të mij të vitit 1987 të Lojërave të Latakias, në netë siriane të paharrueshme, disi ilegale në bisedat tona deri përtej mesnatës, për Kosovën, në dhomën tonë pak të mënjanuar, kur këta boksjerë të mrekullueshëm nuk flisnin për boksin me ne, por për një të ardhme kësisoji, atëherë ëndërr e largët…

Dhe Latakia është vetëm një pjesëz nga ajo që unë e po e quaj “epoka e Lah Nimanit”.

Lah Nimani kishte lindur me 15 shtator të vitit 1939 në Kostërc të Skenderajt, dhe do të bëhej njeriu i cili, siç e përcaktojnë gazetarët e Kosovës, “me punën e tij të palodhshme në zejen e trajnerit të boksit në vitet ‘70-‘80 dridhi boksin e ish Jugosllavisë”.

Ishte profesor i edukimit fizik për kah profesioni, mbasi kishte mbaruar Fakultetin e Kulturës Fizike në Beograd. Ishte njeriu i cili do të skaliste yjet shqiptare të boksit të klubit të Prishtinës të Kosovës, asokohe të Jugosllavisë, në fund të fundit të një klubi etnikisht të pastër shqiptar, të cilit titizmi i kishte vënë emrin sllav “Radnicki”! Ishin Bogujevci, Gashi, Hashani, Salihu, Peci, Rexhepi, Buzolli, Hajdini, Latifi, Makolli, Majanci e të tjerë, me të cilët ky Radnick shqiptar kishte fituar pesë herë titullin e Kampionit të Jugosllavisë, 6 herë atë të Nënkampionit dhe 3 herë të vendit të tretë. Siç e shihni, para futbollit të Prishtinës së Fadil Vokrrit me shokë, forcë e kombit shqiptar si një sfidë nën Jugosllavi, ka qenë boksi i Lah Nimanit. Si sfidë të pashlyeshme e ka përjetuar me sytë e tij një herë edhe ky që po shkruan këtu, përmes transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv në bojkotimin zhurmëmadh të ekipit të Prishtinës në mes të ndeshjes me Buducnostin në Titograd për njëanshmëri gjykimi. Ajo ka qenë sfida e vazhdueshme e një Lah Nimani thuajse javë për javë gjatë kampionateve jugosllave të boksit ku Prishtina iu kishte prishur gjumin sunduesve.

Lah Nimani është njeriu i katër olimpiadave: Montreal 1976, Moskë 1980, Los Angeles 1984 dhe në mos gaboj, edhe Seul 1988! Si i tillë, si olimpist, natyrisht jo si kampion mirëfilli i terrenit sportiv, por si trajner i madh, së bashku me Pirro Dhimën ndoshta është njëri prej dy shqiptarëve të vetëm në histori të pranishëm në katër olimpiada.

Shpërthimi i Lah Nimanit në sferën ndërkombëtare nis me sensacionin që e ka emrin Mehmet Bogujevci. Mbas Ymer Pampurit – Kampion i Botës më 1972 në peshëngritje, Bogujevci është shqiptari i dytë që arrin te një medalje botërore. Ngjarja e projektuar prej Lah Nimanit i përket majit të vitit 1978 në Kampionatin Botëror të boksit zhvilluar në Beograd. Eshtë një shpërthim befasues i boksit të Kosovës: Mehmet Bogujevci është Nënkampion i Botës në peshën e tij dhe sensacioni tjetër që shfaqet te emri i një 18-vjeçarit i cili quhet Sami Buzolli, ndoshta debutesi më shpërthyes i Kampionatit në këte moshë. Ishin gjashtë Nënkampionë të Botës për Jugosllavinë: Shaqirovic, Ristic, Bogujevci, Perunovic, T.Kacar, Vujkovic.

Unë mundoja të gjurmoja sado pak Bogujevcin, për fat, jo përmes transmetimit të komentatorëve të shquar të Prishtinës, Veli Vraniqi e Agim Kasapolli, sepse në Tiranë nuk shihej televizioni i Prishtinës. Ndërkohë që përimtimin e çka ndodhte në Beograd ia arrija kryesisht përmes gazetës “Rilindja” të Kosovës, të cilën e lexoja me një autorizim në Bibliotekën e Tiranës! Këtu është dhe cikli i shkrimeve të mrekullushme të gazetarit ndër më të mëdhenjtë e Kosovës, të respektueshmit Fehmi Sejdiu. Dhe falë “Rilindjes” unë mësoja për sportin dhe sportistët e Kosovës. Në këto shkrime kam gjetë dhe përkufizimin e Sejdiut për tre trajnerët e Jugosllavisë Toma Hladni, Bruno Hrastinski dhe Lah Nimani “të cilët, - siç përcakton Sejdiu, - nuk i ka bota”. Në këto shkrime kam gjetë ndërkaq, dhe përcaktimin e vetë Bogujevcit për trajnerin e tij të paharrueshëm Lah Nimani, kur thotë: “…Lahut (Nimanit) që nuk më ndau prej vetes si të isha mik e gjak i tij dhe që mu dhemb sa askush tjetër, sepse tre muajt e fundit nuk e bëri gjumin gjumë, nuk mundi të flejë nga dhimbjet e duarve, të cilat ia shkaktova duke e sjellë në to në stërvitje…”

Ky ishte Lah Nimani, i cili, nënvizon kolegu Sejdiu, “sapo erdhi në krye të klubit, Radniçiki (Prishtina e asokohe e boksit) si pedagogu shumë i rryer ia bëri me dije Mehmetit se pa punë, pa stërvitje të rregullt nuk mund të arrihet maksimumi që kërkohet prej tij, prej një talenti sikurse ishte ky”.

Të paharrueshme duelet e Beogradit të një Bogujevci të papërmbajtshëm, gjithnjë duke u nxitur aq fort prej trysnisë së zërit të palodhshëm të trajnerit Lah Nimani: “Ashtu Mehmet, yti është, dora e djathtë gjithnjë duhet të shkojë më lart, vepro me te… Më shpesh lëshoje të majtën, por vetëm atëherë kur ta bësh një hap mbrapa” (Nga shkrimet e F.Sejdiut).

Ky ishte zëri i Lah Nimanit, sugjestionues, i fortë, gjakues, “më temperamenti prej të gjithëve”, siç theksonte shtypi jugosllav për trajnerin e madh.

2.

Bogujevci ishte prekja e parë e botës. Mandej Olimpiada me një protagonist historik të dalë prej laboratorit të Lah Nimanit. Ishte Azis Salihu, 280 ndeshje, 250 fitore, 28 humbje, 2 barazime, bronz i Kampionatit të Evropës më 1981, tri herë Kampion i Ballkanit, pjesëmarrës i pafat edhe i Olimpiadës së Moskës 1980. Ky do të ishte njeriu i parë i racës shqiptare, i cili do të merrte një medalje olimpike i drejtuar prej një trajneri shqiptar. Kur ka ardhur për herë të parë në Tiranë më 1991, katër vjet mbas Latakias, i kam kushtuar editorialin e “Sportit Shqiptar”. Ky ishte gjigandi Azis Salihu, shqiptari i Kosovës, natyrisht nën ngjyrat e Republikës Federative të Jugosllavisë, i cili ishte ngjitur në podiumin e Olimpit modern.

Por duhet thënë se më parë se viti 1984 i medaljes së Azis Salihut, në Lojërat Olimpike të Moskës 1980 kishte ndodhur një episod, të cilit për besnikëri e vërtetësi historike ne nuk mund t’i shpëtojmë asesi.

Eshtë fjala për Turneun e basketbollit të femrave të Olimpiadës së Moskës, ku mbasi fiton 68-65 me Hungarinë, Jugosllavia zë vendin e tretë dhe fiton medaljen e bronztë. Së bashku me të bronztat e tjera të ekipit jugosllav Djuraskovic, Becirspahic, Bjedov, Mitic, Ozegovic, Pekic, Tonkovic, Djurkovic, Despotiovic, Majstorovic dhe Perazic, është edhe basketbollistja që vinte nga skuadra e Universitetit të Prishtinës, Jelica Komnenovic. Mbas kësaj fitoreje, shtypi kosovar i bëri një jehonë të madhe Komnenovicit duke përcaktuar fjalë për fjalë se: “Jelica Komnenovic është e para e cila i solli sportit kosovar medaljen olimpike”. Kjo është më se e vërtetë, madje e paluajtëshme. Nuk dimë më tepër se kaq për këte sportiste të mrekullueshme me një emër sllav, por me një mbiemër që pavarësisht mbrapashtesës sllave, në rrënjë si Komnene nuk mund ta quajmë të tillë, përderisa historia na kujton historiann bizantine Ana Komnena (1083-1148) bijë e perandorit Aleks Komnenie marrë edheme historinëe Shqipërisë. Një gjë është e vërtetë. Ajo që e thotë vetë shtypi kosovar i vitit 1980: “Në Lojërat e 22-ta Olimpike që para katër ditësh përfunduan në Moskë, Kosova për herë të parë pati sportistët e vet në olimpiadë. Ishin këta: basketbollisjtja Jelica Komnenovic dhe boksierët Mehmet Bogujevci dhe Azis Salihu.”

Ndërkaq, jam përpjekur të shkoj deri tek futbollisti i famshëm Fahredin Jusufi, i cili është “larg nga “Zubin Potoku pranë Dragashit në Kosovë” (një zonë pak a shumë në perëndim të Mitrovicës) – siç e thotë fjalë për fjalë historia më e re e Partizan të Beogradit, e botuar prej vetë klubit popullor të Jugosllavisë e Serbisë, kampion olimpik me Jugosllavinë më 1960. Nuk e di, ndonëse më se një herë qysh në vitet’70 në shtypin e Kosovës e kam gjetë si shqiptar të mirëfilltë Jusufin, njeriun të cilit Flamurtari i Vlorës do t’i shkaktonte dramën e jetës si trajner i Partizan të Beogradit në eliminimin e bujshëm në Kupën UEFA 1987.

Dhe i kthehem “epokës së Lah Nimanit”.

Në Olimpiadën e Moskës, Limani sjell kështu dy “djemtë”e tij, Mehmet Bogujevcin dhe Azis Salihun. Mehmet Bogujevci arrin vendin e pestë në peshën 68 kilogram në një garë të ashpër midis 29 boksjerëve, duke mbetur mbas katër medalistëve Aldama i Kubës, Mugabi i Ugandës, Kruger i RDGJ dhe Szczerba të Polonisë (në boks ka gjithmonë dy medalistë të bronztë). Kjo është renditja më e lartë që kishte mbërritur një shqiptar deri asokohe në Olimpiadë (Pampuri më 1972 kishte qenë vetëm i 9-ti). Edhe kjo renditje hyn në olimpin e trajnerit Lah Nimani. Salihu ndërkaq, është vërtet i pafat në peshën e tij mbi 81 kg. Ai mposhtet në eliminatore prej rusit Zayev që bëhet nënkampion olimpik. Ishte një grup i hekurt prej 14 boksjerësh, ndër më të mëdhenjtë në historinë e boksit botëror, ku kampion është “madhëria e tij” Teofilo Lorenzo Stevenson i Kubës e ku pa medalje mbetet edhe një Francesco Damiani i Italisë!

Historia e madhe e medaljes së parë olimpike prej një shqiptari të një trajneri shqiptar, mbetej të ishte Olimpiada e Los Angeles, gjithashtu e bojkotuar po me egërsi si dhe të tjerat prej Shqipërisë së Enver Hoxhës. Për fat, falë Kosovës martire, shqiptarësia ishte në Olimpaidë.

Gara historike i përket katërshes Biggs (SHBA), Damiani (Itali), Salihu (Jugosllavi-Kosovë), Wells (Britani e Madhe. Kur në vendin e pestë mbetet as më pak e as më shumë por mu i famshmi Lennox Lewis (SHBA)!

Dhe medalja e bronztë është e Azis Salihut të madh të Lah Nimanit po të madh – medalja e parë olimpike e një shqiptari të tokës shqiptare të Kosovës Sepse më parë, më 1980 një i madh tjetër, Shaban Sejdiu, shqiptar i Maqedonisë, kishte fituar medaljen e bronztë në mundjen e lirë dhe kjo duhet konsideruar medalja e parë e një djaloshi shqiptar në histori. Mu këtu fillon ajo që më 1992 do të shpërthente rradhazi me Pirro Dhimën, Luan Shabanin, Viktor Mitron, Leonidha Gogën, Mirela Manjanin çka, siç kemi shkruar me kohë, së bashku me shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë Shaban Sejdiu, Shaban Trstena, Azis Salihu e deri te Luan Krasniqi i Gjermanisë, e çojnë në 16 numrin e medaljeve olimpike të fituara prej shqiptarëve të jofanelës së Shqipërisë.

Këtu, me Olimpiadën e Los Angjeles me medaljen e bronztë historike të Azis Salihut, Lah Nimani i vë vulën epokës së tij.

Kjo është olimpiada ku në tanësi është një shpërthim “shqiptar”: Azis Salihu bronz në boks, Shaban Sejdiu bronz në mundjen e lirë, por Shaban Trstena mbërrin deri në ar në mundjen e lirë! Dhe një rrallësi e politikës së kohës: kryetar i Lidhjes për kulturë fizike të Jugosllavisë ishte çuditërisht një shqiptar i Kosovës, Daut Jashanica, i cili përveç të tjera ishte pjesë e delegacionit olimpik të Republikës Federative në në Los Angeles ’84. Politika e famshme e Titos e bashkim vëllazërimit…

Dhe Azis Salihu – i pari shqiptar i Kosovës që fiton një medalje olimpike në një sport vetjak! Një histori kapricioze por sa e bukur. Salihu kishte lindur në Banullë të Lipjanit më 1954, kalon me familjen në Shkup ku nis boksin. Eshtë për tre vjet anëtar i ekipit shkupjan. E rrëmben Kabllovi i Zvetozarit. Por siç ka deklaruar vetë Salihu “kur Prishtina u bë anëtare e Ligës së parë Federative, shpreh dëshirën për t’u bërë anëtar i Prishtinës, e ku sapo atë e mori nën komandë trajneri Lah Nimani, ai mori rrugën kah olimpi i boksit”.

Los Angjeles 1984 është bronzi i tij mbas duelit historik me Kampionin e Botës, Bigg të SHBA, në gjysmëfundoren dramatike që do të mbante në ankth mijërat e shikuesve amerikanë. Ky ishte Azis Salihu i mjeshrit Lah Nimani, i cili do të arrinte rekordin vetanak (unikal) duke mos humbur asnjë ndeshje për katër vjet me rradhë!

Kur është kthyer nga Los Angeles, Azis Salihu është pritur si një triumfator në Prishtinën e gushtit të vitit 1984. Po aq dhe trajneri Lah Nimani. Kanë qenë kohë kulmore, sidomos për boksin e Kosovës, kampion në fuqi dhe sundues i të të gjthë rangjeve të Jugosllavisë, e cila në boks i kishte pasë plejadat e saj të mrekullueshme sllave rradhazi në Evropë, Botë, Olimpiada: Krizmic, Sretunovic, Vujin, Parlov, T.Kacar, Rusevski, Ristic, Vujkovic, S.Kacar, Josipovic, Rexhepovski, Puzovic, D.Skaro. Tash, prej këtyre emrave të olimpit botëror të boksit të sfiduar prej boksjerëve të Kosovës, mund të kuptoni më mirë se çka qe sfida e Lah Nimanit me boksjerët e tij. Me medaljen e bronztë të varun në gjoks, Azis Salihu do t’i deklaronte Fehmi Sejdiut të “Rilindjes” se: “Ky është sukses i klubit tim Prishtina, ku u afirmova, përparova, u aftësova; i trajnerit Lah Nimani, i cili me mjeshtri m’i sistemoi të gjitha dobësitë që i ka boksjeri i ri dhe më orientoi kah sukseset, fitoret”.

Në të vërtetë ajo ishte sfida që mbështillte epokën e Lah Nimanit, njeriut që drejtonte me një forcë mbinjerëzore majën e sportit të Kosovës sfidues nën një Jugosllavi, ndonëse ende pak kush mund të mendonte se shpejt, vetëm mbas 6-7 vjetësh, ajo do të shpërbëhej, për fat, për të vonuar tejet Kosova, por sot shtet i pavarun.

Federata e Boksit të Kosovës e ka shpallë Lah Nimanin, kryetar nderi të Federatës së Boksit të Kosovës, me një përkujtim kuptimplotë. Të duket ende pak për njeriun, i cili krijoj ate që ne e përcaktojmë si epokë sportive e rangut botëror për Kosovën, në fund të fundit, për shqiptarìnë sportive, përderisa mbërriti te medalja e parë e dalë prej talentit të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë bashkë.

Për fatalitet, Lah Nimani nuk e mbërriti Olimpiadën e vitit 2008. Ka mbetur medalja e tij e parë olimpike, e projektuar nën siglën e sportit të tokës shqiptare: “Kosovë”. Shqipëria ende nuk ka hyrë në librin artë të Olimpiadave. Falë Azis Salihut dhe Lah Nimanit ka hyrë Kosova. Kam përpara botimin e vitit 2008 të “The complete book of the Olympics”, libri më i autoritar i Olimpiadave, shkruar nga historiani i shquar i olimpizmit, amerikani David Wallechinsky, i cili më 1991 krejt papritmas më ka ardhur në zyrën e “Sportit” në Tiranë për të shkruar për Ymer Pampurin katër rreshta në një edicion të asokohe të librit të tij të famshëm, si dhe për të më nderuar personalisht përmes një shkrimi për Shqipërinë në “New York Times”! Me skrupulozitetin e historianit që ndjek përditë dhe ecurinë e gjeopolitikës botërore, ai ka bërë dhe aktualizimin në librin e tij të 2008-ës. Kur mbërrin te Azis Salihu, pranë siglës “YUG” (Jugosllavi”, ai ka vënë edhe atë “Kosovo” (Kosovë), siç e shihni edhe në botimin tonë të marrë nga libri në fjalë.

“Olimpiadën tjetër do të jetë edhe Kosova”, tha gjatë ceremonisë së çeljes së Olimpiadës së Pekinit televizoni i RAI-t. Na duket gjatë, por do të presim. Me shpresë se ndoshta mund të nisë edhe një epokë mirëfilli olimpike shqiptare, qoftë nën Shqipëri, qoftë nën Kosovë me burrat e saj, njëri prej të cilëve qe dhe Lah Nimani, kosovari i madh i Skenderajt, personifikimi i asaj që Dr. Vasfi Samimi e ka përcaktuar si vendosmëria e burrit kosovar për të cilin thotë: "Eshtë i fortë, i pastër, fisnik, impozant, simboli më fisnik i shëndetit, fuqija jetike, sigurimi i racës dhe dinamoja biologjike e kombit."

24 vjet mbas medaljes së parë olimpike shqiptare të Azis Salihut të epokës së Lah Nimanit, për fat shqiptarët gjithnjë presin, ende presin në kërkim të sadopak olimp, duke marrë kështu përherë e më tepër rëndësi e vlerë ajo që për ne është thjesht “epoka e Lah Nimanit”…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora