E merkure, 24.04.2024, 10:40 AM (GMT+1)

Sport » Sporti

Erkand Qerimaj: Të paktën në 8-she

E premte, 01.08.2008, 10:51 PM


Erkand Qerimaj
Nga Bledar Kuka
  
“Pekin 2008”, do të mbushë 20 vjeç ditën që do të garojë për medalje

Erkand Qerimaj është njëra nga shpresat më të mëdha të sportit shqiptar në Lojërat Olimpike që fillojnë më 8 gusht. Peshëngritësi, që do të mbushë 20 vjeç në ditën e garës në kryeqytetin kinez, shpreson shumë që të arrijë një rezultat historik për Shqipërinë, ndonëse druhet ta thotë me zë të fortë. Ndonëse vetëm 20 vjeç, ai ka provuar shumë medalje, që nga tri të artat në Kampionatin Europian të Dortmundit më 2003kur ishte 14 vjeç, e deri tek titulli i nënkampionit botëror për të rinj arritur pikërisht këtë vit. Ndërsa priste në “Chauteau Linza” që të nisej për në Pekin, ai pohoi se do të ishte i kënaqur edhe me një vend të tetë në Olimpiadë ...

-Erkand, si e prisni aktivitetin më të rëndësishëm në karrierën tuaj?

“Jam shumë mirë. Jam stërvitur seriozisht dhe për fat nuk kam ndonjë dëmtim. Mendoj se jam në formën më të mirë që kam qenë ndonjëherë. I druhem pak rrugës së gjatë sepse unë do të garoj ditën e dytë të Olimpiadës, biles atë ditë do të mbush 20 vjeç. Shpresoj t’i bëj vetes dhe tifozëve ndonjë dhuratë ...”.

-E mira është të flasim realisht, por pyetja nuk shmanget dot: A mund të pretendoni për medalje?

“Besoj se edhe mund ta arrij një medalje, por duke qenë se Olimpiada është gara më e fortë nga të gjitha, edhe me një hyrje në tetëshe do të isha i kënaqur. Nuk është pak”.

-Disa nga sportistët e delegacionit olimpik kanë shprehur edhe pakënaqësi të ndryshme. Ju a keni të tilla?

“Jam i kënaqur që po stërvitem me trajnerin tim, Zef Kovaçi, që për mua është ndër më të mirët. Kushtet mund të quhen mesatare, flas për palestrën dhe të tjera si këto. Natyrisht, që të arrish rezultat të mirë olimpik duhet të kesh staf më të madh sesa ky që kemi ne. Në këtë drejtim kemi mungesa të mëdha, por nuk dua të justifikohem nëse nuk do të arrij rezultat. E thashë se synoj të paktën 8-en dhe i qëndroj kësaj fjale. Por unë mërzitem për një gjë tjetër ...”.

-Çfarë?

“... Ne po ia kushtojmë jetën sportit. Unë jam ende 20 vjeç, por do të vazhdoj edhe më tej. Dikur, edhe në kohën e komunizmit, sportistët e elitës kishin një status më të mirë sesa statusi mesatar, kurse ne jemi më keq se mesatarja. Unë duhet të falënderoj dhe të kënaqem që AMC-ja më siguroi një shtëpi, më jep 400 euro rrogë në muaj dhe më paguan lekët e telefonit, se po të ishte për rrogën e shtetit, federatës a ku e di unë, as nuk mund të bëhej fjalë për sport. Kam shumë rekorde të pashpërblyera, ose që i shpërblejnë vonë. Ne, kur bëjmë sport, stërvitjen dhe garat i bëjmë në data të përcaktuara qartë, përse duhet të na vonojnë kaq shumë?”

Skeda personale

Emri: Erkand; Mbiemri: Qerimaj; Sporti: Peshëngritje: Pesha: 77 kg; Shtatlartësia: 1.65 m; Ditëlindja: 10.08.1988; Vendlindja: Shkodër; Trajner: Zef Kovaçi; Rezultatet: kampion i Europës (tri ari) U15 më 2003, nënkampion i Europës U17 më 2005, nënkampion i Europës U18 më 2005, nënkampion bote për të rinj më 2006, nënkampion bote për të rinj 2007, nënkampion bote për të rinj 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora