E enjte, 31.10.2024, 11:44 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Homazh për poetët

E hene, 17.07.2017, 07:30 PM


Në 40 vjetorin e rënies

Homazh për poetët

Nga Reshat Kripa*

U vranë poetët. Përse u vranë? Mos vallë kishin kryer ndonjë krim? Jo. Ata shkruanin vetëm vargje. Shkruanin për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ata mbijetuan. Mbijetuan me vargjet e tyre. Mbijetuan me idealet e tyre.

Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por jetonin në një kohë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.

Vilsoni dhe Genci ranë më 17 korrik të vitit 1977 rrëzë një përroi në Librazhd. Më duket sikur ende dëgjoj hapin e rëndë të gardianit që kontrollon qelitë dhe më shfaqen mijra të burgosur politikë që i kanë provuar mbi shpinat e tyre tmerret e atyre qelive. Vështroj dhe para syve më dalin dy vizione: djajtë dhe engjëjt, vampirët dhe preja, xhelatët dhe viktimat dhe bëj karahasimin. Nga njëra anë terri, ndërsa nga tjetra drita.  Nga njëra anë ferri, ndërsa nga tjetra parajsa.

Lexoj një poezi të Vilsonit:

Saharaja s’di të ëndërrojë,

Ajo bluan gurrë në mendt e saj,

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë!

“Eksperti letrar” Myzafer Xhaxhiu shkruante:

Këto si dhe vjersha të ndryshme, fragmente të shkëputur nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen. Mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme.

Ndërsa “eksperti” tjetër Koçi Petriti vazhdonte:

Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve. Simbolika e bën atë një alegori me një përmbajtje reaksionare.

Lexoj edhe një poezi të Gencit:

E sa gjurmë mbetën kësaj ane,

(E sa miq ka pritur ky oxhak...)

Këtu rrodhën këngë partizane,

Diku rrodhën disa pika gjak!

Por për “eksperten” Diana Çulli këto vargje tingëllonin ndryshe:

Oxhaku ruan diçka të shtrenjtë. Kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu vargu “Diku rrodhën disa pika gjak” është i errët sepse autori, nëse e ka fjalën për kohën e Luftës Nacional-çlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur vetëm disa pika gjak.

Dhe kjo poete, më vonë, do të fitonte famë, ndoshta edhe për “meritë” të kësaj ekspertize, madje do të zgjidhej edhe deputete e parlamentit shqiptar. Për më tepër, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e drejtuar nga një “ish i burgosur politikë” do ta propozonte për çmimin Nobel. Paradokset do të vazhdonin edhe më tej. Dy “ekspertët” e Vilsonit do të vazhdonin të lartësoheshin, madje njeri prej tyre do të dekorohej edhe nga Presidenti i Republikës, siç duket, edhe ai, për meritë të kësaj ekspertize. Kjo është Shqipëria e sotme ku në të njëjtin stan bashkëjetojnë ujqërit me dhëntë. A është e mundur?

Para syve më dalin vargjet e shquara të poetit të madh rus Mikhail Lermontov:

U vra poeti! – rob i nderit –

Ndër shpifje e thashetheme u shtri,

Me etje hakmarrjeje prej vrerit,

U mposht krenar me plumb në gji.

Në shpirt poetit s’iu durua,

Dhunimin e turpshëm kur e pa,

Përkundër fyerjes u çua,

I vetëm si më parë...dhe ra!

Kështu ranë dhe poetët tanë. Ranë për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi.

*Anëtar i Kryesisë Kombëtare dhe i Degës së Tiranës së Shoqatës Antikomuniste Demokrate të Shqipërisë




(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora