Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Në nderim të martirëve të lirisë
E shtune, 04.02.2017, 07:55 AM
Në nderim të martirëve të lirisë
Nga Reshat Kripa
Jemi mbledhur sot këtu për të promovuar librin e zoterinjve Kujtim Boriçi dhe Syrja Xhelaj kushtuar “Martirit të Demokracisë“ dhe “Qytetar Nderi i Qytetit të Tepelenës“, figurës së shquar të vendit tonë, Baba Shefqet Koshtanit rënë nën breshërinë e atyre që nuk kishin atdhe, që nuk kishin fe dhe besim, plumbat e atyre që përpiqeshin me çdo kusht të zhduknin çdo gjë fisnike që ruante ky popull i martirizuar.
Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli qante papushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhëra monstruozë, të dhënë nga njerëz monstruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes.
14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot. Zoti i tyre ishte vetë djalli. Midis tyre, te lidhur me pranga edhe tre klerike, At Gjergj Suli, Baba Ali Tomori dhe Baba Shefqet Koshtani. Ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër:
Papa Kristonë e vranë,
Dhe për të s’ra një kambanë!
Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi disa vite burg.
Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte kaluar të gjashtëdhjetetretat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një palë tespie , të cilat i numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu dhe i vërviti në errësirën e natës.
- Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha Babai me qetësi.
Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha:
- Mos kij merak se mbahem vetë, biri im!
Kështu shkuan drejt vdekjes këta martirë, ashtu siç kishin shkuar vite më parë bilbilenjtë. Ja si e përshkruan momentin e ekzekutimit të Baba Aliut shkrimtari Novruz Shehu:
Njeri nga pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë.
- Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!... Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.
Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.
- Do të të heq taçin Baba
Eshtë dervish Resuli.
- Hiqe bir!
Dervishi u ul, I puthi këmbët.
- Falmë Baba!
- Të kam falur bir!
- U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!
- Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!
Një batare tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë. Ishte ora dy pas mesit të natës të dates 14 janar 1948.
Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut, pushkatuar në të njejtën ditë me ta dhe me Zenel Shehun:
Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri - Kot vrasim mendjen Syrja! – tha Baba Shefqeti. – gjithçka është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia., që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.
- Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, - tha Syrjai.
- Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, - tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?
- Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji.
- Po kjo është ndryshe,krejt ndryshe, - iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.
- Nuk ia vlen të kërkosh arsye, - tha Baba Shefqeti, - e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.
Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.
Së fundi më lejoni të tregoj një histori intime, lidhur me këtë ngjarje:
Po shkonim për në Libohovë për të kremtuar 80 vjetorin e lindjes së mikut tonë Tomor Alikos. Isha me mikun tim Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli Fejzit, që drejtonte makinën:
- Ndale pak të lutem!
Makina ndaloi dhe ne zbritëm.
- Këtu është pushkatuar babai me shokët e tij, - tha Eqeremi
Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë sepse më kujtoi legjendën e Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të “armiqve të popullit“.
Fejzi, bjeri bories – i tha Eqeremi
Boria ushtoi në ato brigje në kujtim të martirëve.
Kanë kaluar 26 vjet nga përmbysja e sistemit totalitar dhe këta martirë janë pa një varr ku familjarët të vendosin një tufë me lule apo të derdhin dy pika lot, ashtu si çifutët dikur që mbetën në shkretëtirë gjatë shtegtimit të tyre për në malin e Sinait. Mendoj se kjo duhet të jetë një detyrë parësore e shtetit shqiptar. Shkoni në Hungari apo në Gjermani dhe do të shihni se krahas varrezave të dëshmorëve të atdheut, janë edhe ato të viktimave të komunizmit.
Kur do të kujtohet Shqipëria për bijtë e saj të rënë për liri dhe demokraci?
Mbajtur në promovimin e librit “Baba Shefqet Gllava, Martir i Demokracisë“ me autor Kujtim Boriçin dhe Syrja Xhelajn, libri i parë i kolanës “Klerikë Bektashinj të Persekutuar“, organizuar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve.