E marte, 16.04.2024, 03:36 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Epitafi i hipokrizisë

E merkure, 18.01.2017, 09:00 PM


Epitafi i hipokrizisë

Nga Reshat Kripa*

Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje. Sapo hyra ne bllokun e varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej  në krye të parcelës kryesore. U afrova dhe u mundova të lexoja emrin e të ndjerit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi  të gdhendur në pllakën e mermerit:

Këtu prehet hipokriti

Gojëmjaltë e trupërlyer,

Që s’tha fjalë pa lezet,

Që s’u prish në muhabet,

Dhe s’e ndyri kurrë gojën,

Me ata që kish nevojën!”

Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty. Mendja më vajti tek “i paemri” i romanit të Petro Markos. Por jo, nuk mund të ishte ai. Ai personazh ishte vetëm fryt i fantazisë së shkrimtarit.

Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:

- Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?

Ktheva kryet dhe  pash një plak që po i afrohej të njëqindave.

- Jo, or mik, - iu përgjigja, - nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.

Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:

- Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që sa janë gjallë  ligjërojnë e ligjërojnë lloj lloj mbroçkullash pra që  kanë dy fytyra, njërën për eprorin dhe tjetrën për vartësit.

Plaku nuk foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej. Po mendoja dhe po mendoja për ndonjë figurë të tillë që kisha njohur. Në të vërtetë ishin të shumta figurat që më dilnin përpara syve,  por ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo  e  një “bandill këndezi” që kishte fluturuar nga “qymezi” dhe që kishte zaptuar faqet e para të mediave të shkruara dhe atyre vizive, madje edhe të mediave ndërkombëtare..

Në të vërtetë ky bandill rridhte nga një familje me emër në krahinën e tij. Por fati e kishte degdisur nëpër disa hone dhe shkrepa, sa që ia kishte trazuar trutë fare. Fatmirësisht, kjo kohë kishte perënduar dhe kishin ardhur ditë më të mbara. Fati i kishte çelur edhe bandillit tonë dritën e gjelbër. E kishin emëruar drejtor të një institucioni që merrej me rehabilitimin e njerëzve të përvuajtur.

U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët e përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke bërë lutje e duva për ta.  Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit i lindi vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hip i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij. Mblodhi majtas e djathtas kallëpe të llojeve të ndryshme, ca gjoja filozof, ca gjoja për të drejtat njerëzore dhe ca për bodigardë dhe arriti në majën e të përvuajturve. Tani të tjerët i shikonte nga lart poshtë dhe në zërin e tij ndihej toni i autoritarit.

Një ditë prej ditësh një lajm i bujshëm mbushi faqet e medias. Bandilli do të organizonte një kuvend të madh, në sallën kryesore të pallatit më luksoz të kryeqytetit, me njerëzit e përvuajtur ku do të shpallte edhe krijimin e një partie të tyre dhe, natyrisht sipas mediave ai do të ishte kryetari i saj. Një kuvend i tillë në një sallë të tillë kushtonte disa miljona të holla, por bandillit kjo nuk i interesonte pasi e dinte ai se kush do ta sponsorizonte.

Kështu, ditë për ditë, në çdo konferencë shkencore ku ishte i ftuari i perhershem, ai deklaronte:

“Nuk ka forcë në botë që më vendos mua përballë të përvuajturve. Unë jam dhe do të mbetem në krah të komunitetit tim, si një aktivist  i kauzës së tyre. Tek unë ata do të gjejnë udhëheqësin që do të realizojë aspiratat e tyre.”

Lidhur me sa më sipër unë do të doja ta pyesja:

Per  cilët     përvuajtur  e  quani veten  përfaqësues   tyre,  pasi   jo      gjithë  ata

kanë të njejtin ideal. Midis tyre ka të djathtë dhe të majtë, ka demokratë, republikanë, liberalë, ballistë, monarkistë, socialist, social-demokratë dhe ku e di unë se çfarë tjetër. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë  Etnike, ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje. Atëherë prej cilës prej këtyre shtresave të përvuajturish do përbëhet partia  juaj? Do të jetë një parti e djathtë apo e majtë? Cilët do të jenë aleatët tuaj?

Këto pyetje i bëjë pasi vë re se në Shqipëri nuk merret vesh se kush është e djathta dhe kush e majta.  Ka parti që e quajnë veten të djathtë por që janë në aleancë me të majtën, madje edhe financohen prej tyre dhe midis tyre është edhe një parti tjetër e të përvuajturve e drejtuar nga një bandill tjetëri njohur.

Një gjë e tillë më kujton një përrallë që kam lexuar dikur:

“Një natë, ndërsa flinin, bashkëshortja i thotë Nastradinit:

- O burrë, në krahun e djathtë ke një qiri, të lutem ndize!

Nastradini, ashtu i përgjumur siç ishte, i përgjigjet:

- E ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathë dhe ku të majtin?”

Mua më duket se kjo sëmundje ka kapur edhe bandillin tonë ndaj nuk e di se kush është e djathta dhe kush e majta. E them këtë pasi po ta dinte se ishte i djathtë ai, si drejtor i institutit të të përvuajturve  qysh prej disa vitesh, duhej t’i ishte drejtuar qeverisë prej së cilës varet realizimi i rezolutës së miratuar vite më parë mbi te përvuajturit:

A do të kërkonte bandilli si kryetar partie dënimin e diktatorit të përmbysur si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër  diktatorial komunist   Europën

Lindore?

A do të kërkonte rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

A do të kërkonte bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?

A do të kërkonte hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të  administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara?

A do të kërkonte hartimin e një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe a do të ftonte institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur  me statusin e të përvuajturit për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike?

A do të kërkonte fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar?

A do të kërkonte organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare?

Personalisht jam i mendimit se bandilli ynë nuk do të mundet t’i realizojë këto, pasi nuk do ta lejojnë padronët e tij. Ndaj dua t’i drejtohem atij me vargjet e të pavdekshmit Ali Asllani:

“Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera 
  kukuvajka do përtypi zoq e zoga si përhera? 
  Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, 
  koha është e maskarenjve, po Shqipëria e  shqipëtarve!”

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora