Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: A është korrekt shtypi shqiptar?
E diele, 02.04.2017, 08:57 AM
A është korrekt shtypi shqiptar?
Nga Reshat Kripa
Nè kètè shkrim dua tè ngre njè çèshtje mjaft tè rèndèsishme të ditëve të sotme:
A èshtè me tè vèrtetè korrekt shtypi nè Shqipèri?
Lidhur me sa mè sipèr dua t’jua konkretizoj me njè shembull. Nè datat 13, 16, 18 dhe 20 mars u kam dèrguar me e-mail gazetave “Telegraf”, “Mapo”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Panorama”, respektivisht zoterinjve Engjell Musai, Fitim Zekthi, Elsi Murati dhe Robert Rakipllari shkrimin “Refleksion i ditève tè zeza tè 1997-ës” me rastin e 20 vjetorit tè atyre ngjarjeve tragjike ku shkruaja:
“Po ju dèrgoj shkrimin kushtuar kujtimeve tè mia pèr periudhèn e zezè tè vitit 1997. Nè rast se e shihni tè arsyeshme botojeni, nè tè kundèrt do tè doja njè pèrgjigje nga ju. Me respekt. Reshat Kripa
Çuditèrisht kaluan ditè te tera dhe as shkrimi u botua dhe as mè erdhi ndonjè pèrgjigje. Sè fundi ua dèrgova gazetave “Koha Jonè” dhe “55” qè e botuan, madje zotèrinjtè Mili Hoxha dhe Ilir Nikolla mè njoftuan mè parè pèr botimin dhe për këtë i falënderoj për korrektesën e tyre.
Shtoj se ky nuk èshtè rasti i vetèm qè mè ndodh njè gjè e tillè. Gjatè periudhès 2012-2017 iu kam dërguar edhe herë të tjera shkrime këtyre gazetave dhe përsëri asnjera nuk ka denjuar të më ktheje përgjigje megjithëse ua kam kërkuar një gjë të tillë, aq më tepër që shkruesi i këtyre radhëve asnjëherë nuk ka këkuar apo përfituar ndonjë honorar për botimin.
Personalisht nuk kërkoj që detyrimisht ata duhej t’i botonin shkrimet e mia pasi kjo varet nga këndvështrimi i tyre, por etika gazetareske i detyronte që të më kthenin përgjigje aq më tepër kur këtë ua kërkoja unë. Ndaj është pikërisht kjo që më detyron të mendojë se në Shqipëri nuk ka shtyp korrekt dhe të pavarur. Mungesa e korrektesës është vesi me i ulët për çdo njeri por në mënyrë të veçantë për një intelektual dhe për një organ që e quan veten korrekt dhe të pavarur.
Duke përfituar nga shkrimi i mësipërm dua t’ju lexoj vargjet e një poezie të shkruar disa vite më parë që i përshtaten çështjes që sapo ngrita të titulluar: “Zë në shkretëtirë”:
Ditën rri menduar, natën rri pa gjumë,
Zemra turbulluar, nuk e di as unë.
Hidhem e përdridhem, mendjen vras më shumë.
Të gjej të vërtetën, kur punët venë lumë.
Dua që të shkruaj, dua që të flas,
Dua që të ndihem, dua të thërras,
Sado që mundohem , sado që bërtas,
Hap pas hapi ndeshem, male rrugës has.
Zëri im i dobët, zëri im i fortë
Ngjan si pëshpërimë, ngjan si zë i kotë,
E mbulojnë atë, zhurmë zërash plotë,
Zërat e çakejve, që sundojnë në botë.
Janë po ata zëra, shumë kemi dëgjuar,
Hosana t’u bëjnë idhujve dështuar,
Idhujve të kohës, kohës perënduar,
Idhujve përçmuar, plot me turp mbuluar.
Këta shakaxhinjë, oh të përparimit,
Si ç’i quante Noli, pjellat e mashtrimit,
Vallë si nuk skuqen, në pellg të mjerimit,
Ku kanë hedhur veten, turpi njerëzimit?
Si nuk kanë sedër, kur thërrasin haptas,
Ca janë të djathtë, të tjerë janë majtas,
Ca janë zhonglerë, klloun ecin praptas,
Kudo vjellin vrerë, me turpin janë baras.
Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,
Nga këta “bandillë” këta “xhevahirë”,
Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,
Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë!
E pra, unë nuk dua të mbetem zë në shkretëtirë. Zotërinjtë e përmendur më sipër po të munden le të përgjigjen në organet e medias shqiptare.
Bashkangjitur keni edhe shkrimin”Refleksion i ditëve të zeza të 1997-ës” Lexojeni dhe gjykoni.
Në kuadër të 20 vjetorit
Refleksion i ditëve të zeza të 1997-ës
Disa ditë parë ndërsa zbrisja nga kodrat e qytetit ku kisha dalë për shëtitje, u ndala në një bar dhe porosita një kafe. Në dy tavolina pranë meje qëndronin disa burra që nuk i njihja se kush ishin dhe që ia kishin shtruar me raki dhe meze dhe bisedonin me zë të lartë. Biseda e tyre ishte përqëndruar në ngjarjet e vitit 1997. Mendimet e tyre ishin të ndryshme. Disa ia hidhnin fajin ish presidentit të asaj kohe që me autoritarizmin e tij paskësh shkaktuar revoltën popullore.. Të tjerë flisnin se si ka mundësi që udhëheqës të së majtës të lëviznin fare lirshëm në Vlorën e ndezur flakë të atyre ditëve, kur shumëkush nuk guxonte as të dilte në qytet. Madje njeri prej tyre tregonte se si nje ish-udhëheqës i së djathtës shqiptare, që na ishte shndërruar papritmas në të majtë, në nje miting të organizuar në sheshin historik të qytetit paskësh deklarur se si Vlorën do ta bëjmë të gjithë Shqipërinë dhe, si për ironi Vlora në atë kohë ishte kthyer në gërmadhë. Kudo shihje godina dhe banesa të hedhura në erë. Ngado dilte tym dhe flakë. Siç duket zotnia në fjalë kështu donte ta bënte të gjithë Shqipërinë. Çuditërisht ky zotni, pas përfundimit të turbullirave, për këto “merita“, u shpërblye me poste ministri dhe diplomati
Në mes të kërij diskutimi të zjarrtë, njeri prej tyre thirri me zë të lartë:
- Vlora i vuri zjarrin Shqipërisë!
Ndjeva një revoltë brenda vetes sime. Pa e kuptuar as vetë, si vlonjat, nga brenda ndërgjegjes më doli pyetja:
- A e ka hak Vlora një emërtim të tillë?
Për një çast m’u duk sikur qytetit tim iu mohua e kaluara dhe heronjtë e saj, ju mohua 1912-ta dhe 1920-ta, ju mohua lufta kundër pushtuesve dhe rezistenca kundër komunizmit, ju mohua Ismail Qemali dhe Qazim Kokoshi, Osmën Haxhiu dhe Qazim Koculi, Hysni Lepenica dhe Skënder Muçua, si dhe plot burra të tjerë që tashmë kishin hyrë në analet e burrave të shquar të këtij kombi. Iu mohua gjaku i të rënëve në luftën për liri, iu mohua gjaku i mbi 600 të pushkatuarve nga diktatura e kuqe, iu mohuan sakrificat e mbi 4000 të burgosurve politikë dhe mbi 7000 familjeve të internuara, iu mohuan vuajtjet e një numri rekord mbi 40.000 të përndjekurish politikë që kishin ndjerë mbi shpatullat e tyre shtypjen gati pesëdhjetë vjeçare të diktaturës më të egër në botë.
Por iu mohua edhe kontributi i dhënë prej saj në ditët e para pas përmbysjes së madhe të sistemit totalitar. Iu mohua 27 nëntori 1991 kur dy djem vlonjatë Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu në mënyrë demonstrative grisën dhe dogjën yllin e urryer që komunizmi kishte vendosur mbi flamurin kombëtar. Iu mohua 28 nëntori i po atij viti, dita e festës kombëtare kur të përndjekurit politikë dhe populli i rrethit të Vlorës do t’i thonin ndal kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, duke mos e lejuar të ngrejë flamurin kombëtar në shtizën e tij historike. Atë flamur e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, bir i një familje të nderuar nacionaliste. Kjo do të ndodhte në një kohë kur parlamenti shqipëtar nuk e kishte miratuar ende heqjen e yllit nga flamuri.
Ishin familjet fisnike vlonjate ato që, me gjithë kushtet e terrorit, u bënë strehë për djemtë e SHIK-ut dhe policisë duke i strehuar në shtepitë e tyre për t’i shpëtuar nga masakrimi i përbindshave të droguar që vepronin në atë kohë në qytet.
Ato ditë në Vlorë filloi të shfaqej një simbol i ri, simboli serb i tri gishtave. Por atë simbol nuk e sollën vlonjatët. Atë e sollën banditët që erdhën nga qytetet e tjera dhe që u ngritën në krah po nga banditët e Vlorës. Natyrisht që në atë katrahurë që u gatua edhe vlonjatët kanë pjesën e tyre të fajit, ashtu si e kanë edhe qytetet e tjera, me përjashtim ndoshta
të Shkodrës, Kavajës apo ndonjë qyteti tjetër
Ata u bënë pre e një indoktrinimi të paparë ndonjëherë. Por ky indoktrinim nuk filloi në vitin 1997. Për atë ishte investuar që me rënien e monumentit të diktatorit më 20 shkurt 1991. Atëherë mendonim se me rrëzimin e monumentin kishim rrëzuar edhe mentalitetin e diktatorit. Por gabuam. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumnenti, ndërsa shpirtin e tij e kishim lënë të lirë për të përgatitur kasaphana të tjera. Nuk është rastësi që qysh në vitin 1991 në Vlorë të lindnin kërpudhat e para me helm të quajtura “VEFA‘’ dhe ‘’GJALLICA‘’, për të vazhduar në vitet e mëvonshme me të tjera të quajtura ‘’KAMBERI‘’, ‘’CENAJ‘’ dhe ‘’SILVA‘’, në krye të të cilave qëndronin ish-oficerë të sigurimit të zi të shtetit apo njerëz të lidhur me ta. Ato nuk droguan vetëm popullin e Vlorës, por i shtrinë tentakulat e tyre në të gjithë Shqipërinë. Ato mashtruan edhe Qeverinë Shqiptare që u tregua e pa aftë për t’i ndaluar.
Shpesh herë lexojmë nëpër gazeta apo dëgjojmë të ashtuquajtur analistë që të thonë se protestat në Vlorë paskan qënë të organizuara nga populli dhe paskëshin qënë paqësore, se ato u bënë për të kërkuar paratë e humbura në firmat huamarrëse dhe si pasojë e indiferencës së qeverisë së atëhershme. Nuk dua të mbroj atë qeveri e cila duhet ta mbajë vetë përgjegjësinë e saj, por duhet të them se protestat nuk kanë qënë asnjëherë paqësore.
A mund të quhet paqësore revolta e parë më 16 janar 1997 kur nuk u lanë më gur dhe sende të tjera të forta pa u hedhur mbi muret, dyert dhe dritaret e bashkisë së qytetit? A mund të quhet paqësore djegia e bashkisë më 26 janar? Po sulmi mbi komisariatin e policisë më 10 shkurt a ishte i tillë? Pamjet e transmetuara nga rrjeti televiziv Euroneës përpara restorant Holliday tregon qartë se sa paqësor ishte. Po vrasjet dhe rrëmbimet e qytetarëve dhe bisnesmenëve a ishin paqësore? Si dhe ku u zhduk biznesmeni Pirro Kodhima, një nga nismëtarët e rrëzimit të monumentit të dikatorit, eshtrat e të cilit edhe sot ende nuk janë gjetur? Kulmi i egërsisë do të arrinte më 28 shkurt me masakrën para zyrave të SHIK-ut. Kush e organizojë sulmin kundër punonjësve të SHIK-ut, ku mbetën të vrarë dy të përndjekur politikë, Lek Çoku dhe Besnik Hidri, gjakun e të cilëve e thithi një vampire që më vonë do të shpërblehej me një post drejtoreshe? Kush e kultivoi këtë urrejtje kaq të madhe, në një kohë kur për ish sigurimin famëkeq të shtetit totalitar, kur njihen botërisht krimet e kryera prej tij, në vitet 1992 nuk pati asnjë reagim të tillë hakmarrës. Kush e organizoi pritën kundër punonjësve të policisë së qytetit ku mbetën të vrarë tre vetë, midis të cilëve dy të përndjekur politikë, Besim Manoli dhe Gëzim Shabani, të dy bij ish të burgosurish? Kush i vrau punonjësit e policisë Valter Harizajn dhe Viron Rapajn edhe këta dy të përndjekur politikë? Si për çudi në ato ditë vriteshin kryesisht ish të përndjekurit politikë.
Çdo gjë në ato ditë në Vlorë zhvillohej nën drejtimin e përsosur të një dirigjenti të padukshëm. Dihej që më parë çdo gjë që do të ndodhte. Një zë misterioz pëshpëriste me saktësi kohën dhe vendin ku do të ndodhte aksioni. E megjithatë asgjë nuk e pengonte. Kështu ndodhi me djegien e bashkisë, plaçkitjen e depove të rezervave të shtetit, grabitjen e bankës tregëtare dhe asaj bujqësore, djegien e doganës, bibliotekës dhe objekteve të firmave huamarrëse për të përfunduar me hapjen dhe grabitjen e armëve te depot e ushtrisë shqiptare.
Por çudia më e madhe ishte ajo që zor se mund të besohej. Si u hipnotizuan turmat nga demagogjia e kërbaçit? Si është e mundur që në mes të këtyre turmave të kishte edhe prej atyre që dikur e hiqnin veten si demokratë dhe përgjëroheshin për demokracinë? Si është e mundur që në këtë vorbull të futeshin edhe disa ish të përndjekur politikë apo anëtarë të partive të tjera të djathta nacionaliste duke harruar gjakun e të parëve të tyre, duke harruar vitet e burgut apo internimit të tyre? E ardhmja do t’i vërë vulën përgjigjeve për këto pyetje.
Ngjarjet absurde të atyre ditëve ishin të panumurta, por unë do t’ju kujtoj vetëm tre prej tyre që me janë ngulitur në mendje.
Ishte dita kur digjej bashkia. Si për ironi, zjarri ishte vënë në zyrat e komisionit të kthimit të pronave. Sigurisht donin që këto prona të mos u ktheheshin pronarëve të ligjshëm. Njëri nga zjarrvënësit kishte mbetur i rrethuar nga flakët në zyrat e katit të sipërm ku ishte edhe kontrolli i shtetit. Zjarri nuk e lejonte të largohej nga porta dhe mundohej të shpëtonte nga djegia duke u ngjeshur pranë dritares. Në atë kohë punonjësit e zjarrfikses që kishin mbërritur për të shuar zjarrin, i hodhën një litar me të cilin ai mundi të zbriste poshtë. Nuk më habiti veprimi i zjarrfiksve, se ai ishte një veprim human, por çudia ishte kur një pjesë e mirë e turmës që bënte sehir nga poshtë, brohoriste ‘’heroin zjarrvënës‘’ për veprën që kishte kryer, dhe ai kalonte krenar në mes të tyre. A keni dëgjuar ndonjëherë për të tillë absurditet ku të përshëndetet ‘’Neroni‘’ që i ka vënë zjarrin qytetit të tij? Kjo ndodhte në qytetin tim në ato ditë të çmendura.
Porsa ishim kthyer nga ceremonia e varrimit të të ndjerit Enver Sorra. Një zjarr i paparë i të gjithe llojeve të armëve kishte mbuluar qiellin. Ngado shiheshin njerëz që bridhnin nuk e di se për ku me armë nëpër duar duke thirrur:
- Kanë ardhur helikopterët e Saliut. O burra t’ua sh………. nënën!
Ndërkaq në qiell nuk shihej asnjë helikopter apo avion. Duke kaluar nëpër rrugicën që të shpinte në shtëpinë time, nga një portë aty pranë doli një djalë që nuk duhej të ishte më shumë se shtatëmbëdjetë vjeç me fytyrë të shpërfytyruar dhe me automatik në dorë, duke vrapuar për në ‘’frontin e luftimeve‘’ duke sharë me shprehjet më banale qeverinë dhe Presidentin e Republikës, ndërsa nga pas e ndiqte me lot ndër sy dhe duke iu lutur që të kthehej e ëma, një grua që dikur punonte si punëtore bujqësie në ndërmarrjen ullishte, ndërsa në atë kohë kishte mundur që së bashku me të shoqin të hapte një dyqan ku tregëtonte prodhime ushqimore. Edhe sot e kësaj dite nuk arrij të kuptoj se kush ia kishte grumbulluar atij djaloshi këtë urrejtje kaq të madhe, kur nga një familje që deri më dje nuk arrinte të mbushte as barkun me bukë, sot bënte një jetë më se të rregullt? Kundër kujt shkonte të luftonte? Nëqoftëse ai djalosh paska patur të drejtë, atëhere çfarë mbetet për ne që diktatura na vrau njerëzit më të dashur, që na burgosi dhe internoi për vite dhe vite me rradhë? Ç’duhet të bëjmë ne?
Në mbrëmje televizionet dhanë lajmin se ata helikopterë ishin një aksion blic i
marinës dhe i aviacionit italian për të tërhequr qytetarët e tyre që punonin në qytetin e Vlorës.
Një ngjarje e rëndë ndodhi në ditët e para të marsit të atij viti. Në rrethana që akoma nuk janë zbuluar, pranë Urës së Mifolit vriten inxhinieri i talentuar Ridi Hamzaraj së bashku me të ëmën e tij. Një zë i fshehtë pëshpëriti se i paskëshin vrarë forcat e Gazidedes në Urën e Mifolit, kur dihej që kjo urë ishte nën kontrollin e fortë të bandave të të ashtuquajturit Komitet i Shpëtimit Publik dhe ato të Zani Çaushit.. Për çudi këtë variant e besuan edhe një pjesë e njerëzve. Si mund të besohej një absurditet e tillë? Kush ishte Ridi? Ai ishte shef i urbanistikës në bashki, ish i përndjekur politik. Atëhere kush kishte interes për zhdukjen e tij? Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar.
Në ceremoninë e varrimit mori pjesë e gjithë Vlora. Funerali u nis nga shtëpia e tyre në Skelë dhe vazhdoi gjatë bulevardit që të shpie në Vlorë. Gjithçka po shkonte sipas riteve të një funerali të tillë. Kur arkivolet me trupat e të ndjerëve mbërritën në Sheshin e Flamurit, atje tashmë ishin vënë në funksionim për xhirim kamerat e Euroneës-it, Doice Ëelle-s, Rai 3-it, televizionit lokal të lindur ndër ato ditë, “Teleblu”, dhe plot kamera të tjera të televizioneve të huaja. Pikërisht në atë kohë dirigjenti i padukshëm dha komandën dhe nga turma një grup njerëzish thërritën:
- I vrau qeveria! I vrau qeveria! - duke e shoqëruar këtë me përplasje pëllëmbash.
Ishte kjo komandë që e bëri turmën, edhe kundër vullnetit të saj, të uleshin për tokë dhe të ngriheshin përsëri sipas ritmit të këtij dirigjenti misterioz. Manipulimi i turmës pjesmarrëse në ceremoninë mortore ishte i plotë. Së bashku me një mikun tim u larguam nga ajo turmë. Me ne u larguan edhe shumë të tjerë. Më erdhi shumë keq që nuk munda të hedh një grusht dhe mbi varrin e atyre fatkeqëve, aq më tepër se me ta kemi patur miqësi familjare, por nuk mund të pranoja që të bëhesha bashkëpuntor i atij manipulimi të paskrupull. Në mbrëmje televizionet në fjalë, në emisionet e tyre informative, akuzonin qeverinë shqipëtare për këtë vrasje.
Sot, njëzet vjet pas atyre ditëve të errëta për kombin tonë, dëgjojmë zëra majtas dhe djathtas që pëshpërisin sipas orekseve të tyre. Madje disa janë edhe figura të njohura të politikës dhe publicistikës shqiptare, ish pjesëmarrës në këto ngjarje, pro apo kundra. A do të zbardhet ndonjë ditë kjo ngjarje? Ndoshta, për fat të keq, vetëm atëherë kur ata që e përgatitën dhe pinjollët e tyre të mos jetojnë më.