E premte, 26.04.2024, 08:13 PM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Kapitulli i pronave në Greqi nuk është mbyllur

E merkure, 27.08.2008, 05:00 PM


Mentor Nazarko
Kapitulli i pronave në Greqi nuk është mbyllur

Nga Mentor Nazarko

Pak ditë më parë, një i njohuri im, me origjinë nga Dibra, m‘u paraqit me një sërë tapish të shkruar në turqisht, por dhe dëshmi të regjistrit kadastror grek, ku vërtetohej se gjyshi i vet zotëronte në zonën e Maqedonisë greke, një sipërfaqe tokash, prej rreth 1000 hektarësh. Kjo sipërfaqe, nëse një metër katror në Greqi, në atë fushë, sot kushton 10 euro, vlen 100 milionë euro. Nëse vlen 100 euro, kushton 1 miliard euro. Ky njeri, në fakt, tërë fisi i tij, zotërojnë kështu në Greqi, një pasuri gjigande miliardëshe dhe bëjnë një jetë modeste në Shqipëri. Problemi i qytetarit pronar, ndërsa jetonte si emigrant në Itali për të mbajtur familjen - një kushëri i zgjuar i kishte thënë qëndro në Greqi, të ndjekësh pronën se nuk ke nevojë të bësh gjë tjetër - ishte i komplikuar. Greqia mbaronte regjistrimin e pasurive të patundshme brenda dhjetorit 2008 dhe ai kishte frikë se nuk do arrinte ta bënte brenda afatit. Gjë që e bënte të frustrohej, ndërsa imagjinonte me frikë se letra që kishte në dorë, pas dhjetorit 2008 nuk do vlente më. Cilat janë zgjidhjet për hallin e tij?

Një sqarim

Nën presionin dhe me financimin e Bashkimit Evropian, autoritetet greke janë duke kryer ndërhyrje modernizuese në sistemin e tyre kadastror. Ligji 2308/95 është rishikuar nëpërmjet disa amendamentesh të vitit 2003, të cilat së bashku tentojnë të krijojnë një kodifikim unik administrativ të të gjithë parcelave të pasurive të patundshme në të gjithë Greqinë. Kuadri ligjor në fjalë i njeh të drejtën qytetarëve grekë, pronarë që deri në tetor të fillojnë regjistrimin e pasurive të tyre në rastet kur kanë probleme, d.m.th., të depozitojnë titujt e tyre të pretenduar të pronësisë, ndërsa të huajve, deri në dhjetor. Nuk ka të dhëna më të hollësishme se kur ka filluar ky proces, dhe lidhja e këtij ligji me ligjin tjetër 2664, të vitit 1998, por ajo që dihet me siguri është se brenda vitit 2014, Greqia kërkon të arrijë ndërtimin e një sistemi kadastror si çdo vend modern. Një hartë unike pasurish në dy apo pse jo në tre dimensione.

Po ç‘lidhje ka e gjitha me shqiptarët? Pikësëpari, siç e kemi përsëritur deri në mërzi, duke rrezikuar të ngjajmë si Donkishotë, shqiptarët rezultojnë ndër pronarët më të mëdhenj të Greqisë së Veriut, në pellgun bujqësor fushor, në më të rëndësishmit e Greqisë në përgjithësi. Bashkë me ta, në të njëjtin pellg, rezultojnë të kenë prona të tyre dhe maqedonasit sllavë. Në këtë pellg, rastësisht ose jo, përfshiheshin dhe hebrenjtë e komunitetit sefardit të Selanikut, me pasuri kryesisht në qytet. Të gjithë këto komunitete (për shqiptarët i referohemi vetëm pjesës myslimane), u përzunë gjatë luftës civile greke dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pronat e tyre? Sekuestruara, konfiskuara dhe shumë, shumë pak të rikompensuara. Thjesht të grabitura, grabitje dikur e toleruar për shkak të rëndësisë gjeopolitike të Greqisë dhe rolit të saj në Luftën e Dytë.

Bash për këtë arsye, Greqia nuk ka arritur të ketë kuadër pronësor të qartë: ta kesh të qartë kuadrin pronësor, d.m.th., çdokush të jetë te prona e vet. Por, ndërsa vendeve të tjera kandidate për anëtarësim, Bashkimi Evropian i kërkon rregullimin e këtij kuadri, para se të përfshihet në Bashkim, anëtarësimi i Greqisë, nën presionin e faktorëve gjeopolitikë, u krye pa këto kërkesa. Kroacia e sotme është në presion të fortë t‘i regjistrojë pasuritë dhe t‘ua njohë ato që nuk ua ka dhënë, italianëve, hebrenjve etj. Greqia shpëtoi pa kushtëzime të tilla: ndërkaq, fqinjët e vet, që kishin pretendime të tilla, ishin nën komunizëm.

Ç‘duhet të bëjnë shqiptarët në këto kushte?

Kur flasim për shqiptarët, u referohemi qytetarëve dhe qeverisë. Ndërsa flasim për qytetarët, do të duhet të sqarojmë dhe njëherë deri në mërzi, sigurisht për të paditurit, se nuk bëhet fjalë vetëm për pasuritë çame. Për çamët egoistë, që thonë se vetëm ata kanë prona në Greqi, duhet thënë se kjo qasje i bën ata antipatikë në sytë e shqiptarëve të tjerë kolonjarë, korçarë, apo gjirokastritë, madje dhe shkodranë, dibranë etj., që kanë pasuri në Greqi. Madje, dhe kosovarë, siç është rasti i trashëgimtarëve të familjes së Hasan Prishtinës në Selanik. Përveç kësaj, ndërsa autoriteteve greke i përmend fjalën "çështja çame", ata menjëherë të përplasin surratit alibinë e përgjakshme të ofruar nga gjenerali famëkeq Zerva - çamët ikën nga frika e ndëshkimeve si bashkëpunëtorë të fashizmit. Kështu që, të flasësh për pasuri të shqiptarëve, duket më e arsyeshme për të mbajtur të hapur lojën. Dhe për t‘u bërë i dëgjueshëm më gjerë. Në Perëndim, ku kuptojnë më mirë shifrat, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut etj.

Pas kësaj hyrjeje, ç‘duhet të bëjnë qytetarët që kanë pretendime të tilla pronësore? Duhet të organizohen dhe t‘i bëjnë presion qeverisë së tyre. Që ajo të mos pësojë, që ajo të mos pranojë vetëm presione nga Greqia, por dhe t‘i kërkojë asaj. Që të zgjidhë nëpërmjet një marrëveshje unifikuese, të gjithë pretendimet pronësore shqiptare në Greqi, ashtu siç është premtuar vazhdimisht, ndërsa përmendet neni 15 i Traktatit të Miqësisë Shqipëri-Greqi.

Qeveria shqiptare, vetëm apo në koordinim me faktorë të tjerë ndërkombëtarë, duhet të kërkojë pikësëpari të shtyhet afati i regjistrimit të pasurive. Ajo mund të duhet të insistojë në funksionimin e të famshmëve komisione të përbashkët për problemet pasurore, siç është rënë dakord në rastin e nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë. Qeveria e sotme shqiptare duhet të bëjë një të dhjetën e asaj që ka bërë qeveria e Meksit. Berisha i sotëm, të bëjë një të dhjetën e asaj që ka bërë si President. Asokohe, grekët madje ishin të gatshëm të pranonin të zgjidhnin çështjen e pasurive çame, ndërsa Presidenti Papulias, në 1991, asokohe ministër i Jashtëm, e shikonte të mundshëm rikthimin e çamëve, pas 20 vjetësh në Greqi, kur "të ishin tharë plagët e së shkuarës".

Siç është dibrani, që ka në dorë një copë letër, që vlen 100 milionë euro, apo një miliard euro, ka dhjetëra të tjerë. Që nën indiferencën e autoriteteve shqiptare, mund të shohin se si tapitë që kanë në dorë mund të shndërrohen në letra pa vlerë. Ndërsa qeveritë e tyre pranojnë burracakërisht vetëm kërkesa të reja nga fqinjët. Për varreza të reja, kisha të reja, prona inekzistente. Dhe ndonjë gjë tjetër, që sot nuk e kam të lehtë ta imagjinoj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora