E marte, 19.03.2024, 06:38 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Mark Gjonaj mblodhi shqiptarët

E marte, 23.02.2016, 06:36 PM


Mark Gjonaj mblodhi shqiptarët në New York në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Nga Kozeta Zylo

Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj "Nderi i Kombit" mblodhi shqiptarët e Diasporës dhe disa politikanë, ligjvënës amerikanë për të festuar 8 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.   Në mjediset e restorantit "Maestro" në Bronx, Diaspora shqiptare në New York erdhi për të festuar 8 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Pavarësi që u fitua me luftë dhe gjak. Mbrëmja u organizua nga Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, z.Mark Gjonaj shqiptari i parë që zgjidhet në këtë post të lartë në politikë.  Zotin Mark Gjonaj në festimin e përvjetorit të tetë të Pavarësisë së Kosovës e mbështetën mjaft organizata shqiptare si: Shoqata shqiptare "Ana e Malit", Albanian American Business Network, Albanian American Community Assoc., Albanian American Educators Assoc., Albanian American Open Hands Assoc., Fondacion "Plavë Guci", Komuniteti "Hasan Prishtina" Waterbury, Shoqata Batalioni "Atlantiku", Shoqata Malësia e Madhe NY, Shoqata Peja, Shoqata "Rugova", ndërsa e suportuan mbrëmjen: AAWO "Motrat Qiriazi", Albanian American Community, Waterbury "Albanian American", Council Albanian American National Org., Albanian Roots-"Rrenjet Shqiptare", Ansambli "Bashkimi Kombetar", APEN, Dom Simon Filipaj Foundation, Qendra Kulturale Shqiptaro Amerikane, Shoqata Atdhetare "Dibra", Shoqata Atdhetare "Kraja", Shoqata "Çamëria", Shoqata "Kelmendi", The Woman's Organization Hope & Peace.

Mbrëmjen e ka moderuar me elegancë zonjusha simpatike Edita Shkreli e cila pasi iu ka uruar gjithë pjesëmarrësve për 8 - Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka ndarë disa momente prekëse të jetës së saj dhe ndihmën e madhe që i ka dhënë familjes së Editës z.Mark Gjonaj.  Zonjusha Shkreli ftoi pjesëmarrësit për të mbajtur një minutë heshtje për të gjithë të rënët për Pavarësinë e Kosovës. Ajo ftoi në podium z.Mark Gjonaj i cili u mirëprit me duartrokitje dhe plot dashuri nga gjithë shqiptarët.  Z.Gjonaj uroi gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare: "Gezuar 8- Vjetori i Pavarësisë së Kosovës".   Falënderoi miken e madhe të shqiptarëve Amerikën e cila vazhdimisht dhe në çdo kohë ka qenë pranë Kosovës dhe Shqipërisë. Falënderoi gjithë sponsorizuesit e mbrëmjes dhe të gjitha shoqatat që e mbështetën këtë mbrëmje.  Z.Gjonaj iu dha nga një çertifikatë mirënjohjeje gjithë shoqatave shqiptare në këtë mbrëmje dhe iu shprehu mirënjohjen për punën e tyre.  Ndërsa Mark Gjonaj fliste në podium, në sfond në mur ishin shkruar me shkronja të mëdha:  "Kur t'i bashkojmë kokat, do i bashkojmë dhe tokat". Është sllogani që z.Mark Gjonaj po e përdor në shumë aktivitete duke filluar me 103 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë qe u realizua në Cruiz, anije, ku morën pjesë mijëra shqiptarë.  është një sllogan që shqiptarët i vë në mendime të thella dhe njëkohësisht i frymëzon për t'u bashkuar, është një sllogan që politikanët shqiptarë i vë para përgjegjësisë kombëtare...

Z.Mark Gjonaj është një lider që po çmohet dhe mbështetet shumë nga shqiptarët e Diasporës, ai e gjen kohën të marrë pjesë në shumë aktivitete të rëndësishme që organizojnë shqiptarët dhe t'i frymëzojë ata për punë dhe më të bukura.  Z.Gjonaj të befason me energjinë dhe talentin e të komunikuarit, ai shkon atje ku është shqiptaria edhe pse shumë prej tyre nuk janë votues të tij.  Në opinionin tim dhe me shumë njerëz që kam intervistuar sllogani që përdor për bashkimin e kokave duket nje ogur i mirë për bashkimin e trojeve, pasi arritja e tij e lartë në politikën amerikane dhe njohja me personalitete të shquara amerikane si dhe komunikimi plot kulturë dhe mirësi me shqiptarët sjellin shpresa të mëdha... Në këtë mbrëmje për 8- Vjetorin e Kosovës folën me plot dashuri ligjvënësit amerikanë, miqtë e ngushtë të shqiptarëve si kongresisti amerikan z.Eliot Engel i nderuar me dekoratën "Gjergj Kastriot Skënderbeu",  senatori i shtetit të Nju Jorkut, z.Jeffrey David Klein i zgjedhur në Senatin amerikan qysh në vitin 2004, si dhe z.Scott Stringer, Kontrollor.

Nga përshëndetja e Konsullit të Kosovës në New York z.Ylber Kryeziu

Të dashur bashkëkombas, vëllezër dhe motra! Është vërtetë nder i madh për mua të jem me ju sot, për të ndarë së bashku çaste gëzimi me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Tetë vite më parë, populli i Kosovës e përcaktoi fatin e vetë. Në një ditë festive për të gjithë shqiptarët anekënd botës, Parlamenti i Kosovës përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votën e popullit, shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.  Shpirti i një kombi të shtypur me shekuj, më 17 shkurt 2008, përqafoi një herë e përgjithmonë paqen dhe gjeti Lirinë. Ne, të gjallët, ishim brez me fat pasi patëm rastin jetësor të shohim me sy, të dëgjojmë me vesh ta ndiejme me zemër, lindjen e shtetit të ri. Po shënojmë sot ditëlindjen e shtetit të Kosovës, dhe në të njëjten kohë, të nderojmë të gjithë ata që bënë realitet ëndrren tonë.  Breza të tërë që dhanë gjithcka nga vetja, ata që mbajtën gjallë idealin e lirisë dhe ndërtuan vizionin e së ardhmes. Sot, nderojmë të rënët për lirinë e Kosovës. Ata lindën heronj, gjaku i tyre u bë dritë për ne dhe brezat që do vijnë.  Ata janë mes nesh dhe mes nesh do mbesin për sa kohë që do të ketë Kosovë, për sa kohë që do të ketë Shqipëri.

Sot, kujtojme miqesinë tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtu, përtej oqeanit, shqiptarët sikur e kishin pasë te shkruar destinimin e tyre historik. Ne jemi krenar që një vend i vogël si Kosova të ketë kujdesin dhe përkushtimin e përhershëm të SHBA-ve, dhe e gjithë kjo, do të ishte e pamundur pa Ju të dashur bashkëkombas.  Ju ishit ata që bëtë të mundur që në këtë vend të bekuar të kuptohet drejt për të parën hërë, kauza për Liri e popullit të Kosovës.  Ju ishit ambasadorët e parë të shqiptarëve, ju ishit ura lidhëse mes dy kombëve, ju i dhatë frymë dhe e ushqyet me vite përkushtimin e administratës amerikane për Kosovën. Të dashur bashkëkombas, krijimi i shtetit të Kosovës, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme politike të fillim-shekullit XXI, në gjithë hapesirën e Ballkanit Perëndimor. Pavarësimi i vendit u determinua nga rrethana te veçanta politike dhe ligjore ndërkombëtare.

Serbia e humbi të “drejtën” e administrimit mbi Kosovën pasi kishte ushtruar politikë aparteidi shumëvjecar mbi shqiptarët që pati për rrjedhojë shpërthimin e luftës dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Pas një angazhimi të madh të botës euro-atlantike për zgjidhjen e problemit, shteti i Kosovës u bë një ndër shtatë shtetet e pavarura të dala nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë. Sot, Kosova gëzon njohje të gjërë ndërkombëtare dhe se pavarësia e saj ka një herë e përgjithmonë paqe dhe stabilitet në rajon.  Shteti i Kosovës është realitet i pakthyshëm, sovraniteti i së cilës është vulosur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.  E afërt do të jetë dita kur Flamuri i Kosovës do të ngritet edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe Bashkim Evropian.  Kjo do ta bënte vendin tonë pjesë të barabartë të familjës së madhe të kombeve.  Ne e kemi zgjedhur rrugën tonë. Kosova është shtet qytetar ku ka vend për të gjithë pa dallim feje apo etnie. Të gjithë ne, pa përjashtim, duhet të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e vendit tonë, për një Kosovë evropiane, me ekonomi të zhvilluar dhe jete të dinjitetshme. Ia kemi borxh fëmijëve tanë dhe brezave qe do të vijnë.  Zoti i bekoftë shqiptarët Gëzuar!.

Mbrëmjen e ka zbukuruar dhe shqiptarja e bukur e zgjedhur së fundi Miss Nju Jorku, zonjusha Serena Bucaj.  Pasi i uroi gjithë pjesëmarrësit ajo tha se ndihej krenare që ishte shqiptarja e parë e zgjedhur si Miss Nju Jorku pas kaq dekadash. Pjesëmarrësit i kanë argëtuar artistët e mirënjohur shqiptarë si Hajro Ceka, Gezim Nika, Arberie Hadërgjonaj etj... Shqiptarët e Diasporës në mbyllje të programit u përshëndetën me njeri -tjetrin duke i uruar përjetësi Pavarësisë së Kosoves dhe bashkim të të gjitha trojeve shqiptare.

(20 shkurt, 2016, Bronx, New York)


BOX

Muhamet Aliu Shqiptar, Ismail Keta

"Vuaj tani dhe jeto pjesën tjetër të jetës si një kampion!". (Muhamet Ali)

Shqiptarët mundën serbin, turkun dhe grekun. Ata stërviten nga Muhamet Aliu shqiptar: Ismail Keta. Dy vëllezërit shqiptarë Keta, dy fenomen të sportit botëror Shqiptari Mike Gjetan Keta ka sfiduar turkun Turgaj Uzun në ndeshjen e boksit për titullin interkontinental. Triumfatori Keta ishte i stërvitur nga vëllai i tij, Yll i sportit, tri herë kampion bote Ismail Keta.   Në këtë ring merrte pjesë në ndeshje tjetër boksi dhe Ferit Keta i stërvitur mjeshtërisht dhe profesionalisht nga Ismail Keta i cili është dhe kushëriri i tij.  Ferit Keta u ndesh me serbin Haris Calakovic dhe e mundi.  Me plot të drejtë këta triumfatorë të sportit të boksit do t'i quajmë Dinastia Keta! Shqiptari tjetër Krstian Prenga u shpall kampion europe në kickbox për peshën 100 kg. përballë grekut Vasilis Karagiannidis. Boksieri Prenga ishte i stërvitur nga Ismail Keta, tri herë kampion bote. Puna dhe trainimi që Ismail Keta iu ka zhvilluar tre sportistëve, të kujton legjendën e boksit botëror Muhamet Aliun i cili ka thënë:  "Une e urrej çdo minutë te trainimit, por gjithmonë them: "Mos u dorëzo.  Vuaj tani dhe jeto pjesën tjetër të jetës si një kampion". Pallati i sportit "Asllan Rusi" ne Tirane mbante brenda tre kampion sporti në botë të stërvitur nga Muhamet Aliu shqiptar: Ismail Keta.  Kampionët shqiptarë mundën serbin, turkun dhe grekun. Shumë urime Ismail Keta!  Shumë urime Gjetan, Ferit dhe Kristian! Krenare për Ju!

(19 shkurt, 2016, Staten Island, New York)



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora