E premte, 26.04.2024, 01:17 AM (GMT+1)

Mendime

Kristjan Dukaj: Intervistë me deputetin Nikë Gjeloshaj

E enjte, 11.02.2016, 08:44 PM


Intervistë me Nikë Gjeloshaj, deputet në parlamentin e Malit të Zi

“Problemet personale të disa individëve janë e vetmja pengesë për bashkimin e partive shqiptare”- Nikë Gjeloshaj

Intervistoi Kristjan Gj. Dukaj

K.D: Të jesh deputet në parlamentin shtetëror, në radhë të parë, nënkupton përfaqësimin  e  interesave dhe nevojave të  votuesve në nivelin më të lartë ligjdhënës. Sa jeni i kënaqur me kushtet ekzistuese në përfaqësimin dhe realizimin e interesave të popullatës shqiptare  përmes veprimtarisë  tuaj, si deputet?

N.Gjeloshaj: Nuk mund të jem i kënqur me kushtet ekzistuese në përfaqësim, sot në Parlamentin e Malit të Zi jemi  vetëm dy deputet nga partitë nacionale dhe kjo për mendimin tim është shumë pak. Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve kur është fjala për shqiptarët është mjaft diskriminues dhe kështu edhe përfaqësimi politik nuk ka peshën që duhet të ketë në këtë parlament. E kamë thënë shumë herë  në Parlament se edhe  përkundrejtë angazhimit tonë,  kërkesat tona nuk janë realizuar plotësisht, ato që janë realizuar në përgjithësi nuk kanë qenë të plota dhe kanë patur shumë mangësi. Janë bërë disa veprime pozitive në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por në pëgjithësi kanë qenë projekte lokale të rëndësishme për komunitetin por në shumicën e rasteve ka munguar vullneti politik për realizimin e kërkesave tona. Duhet të kemi parasyshë fuqinë tonë politike dhe në bazë të kësaj të vlerësojmë edhe arritjet dhe mosarritjet në punën tonë.

K.D:  Cilat janë vështirësitë më të mëdha në aktivitetet  tuaja të  përditshme si deputet?

N.Gjeloshaj:  Përveç asaj që paraqitet në media dhe seanca parlamentare deputetët kanë edhe shumë punë të tjera në zyrat e Kuvendit. Çdo punë ka vështirësitë e veta, kemi komisione, seanca, mbledhje, përgatitje, materiale voluminoze të cilat realisht janë pjesa e panjohur  e punës së një deputeti nga opinioni publik, por kur puna bëhet me pasion atëherë edhe vështirësit tejkalohen. Përgjegjësia është faktori më i rëndësishëm në këtë mes, ndoshta shumë herë disa gjëra mund të realizohen më lehtë në qoftë se do të kishim një unitet mes subjekteve tona. Kur është fjala për merita të gjithë duan të bëhen pjesë e tyre, kur vjen puna tek mosrealizimi i objektivave atëherë mundohen që të gjithë përgjegjësinë t’ja kalojnë përfaqësuesit në parlament.

K.D:  Kohë më parë në Kuvend  është miratuar Ligji i ri për organizimin territorial me të cilin është paraparë që  KU e Tuzit, të jetë Komunë në kuadër të Kryeqytetit. Miratimit të këtij ligji, i ka paraprirë nënshkrimi i marrëveshjes  për zgjidhjen e ofruar.  Ju, nuk kini votuar  këtë propozim ligj. Pse?

N.Gjeloshaj:  Në Parlament janë diskutuar dhe më pas janë hedhur në votim katër ligje, që në thelb kanë patur ndryshimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit dhe Gollubovcit. Kërkesa jonë ka qenë e qartë, ne në programin partiak e kemi të theksuar qartë angazhimin tonë për vetqeverisje lokale, por siç e theksova më lartë edhe kjo kërkesë nuk është realizuar plotësisht, por ka mangësi të dukshme. Realisht ka disa faktor që janë lehtësisht të dallueshëm që tregojnë se kjo lloj vetqeverisje lokale i jep një autonomi më të madhe seç  ka patur deri më tani Komuna Urbane, por nuk është ajo që kemi kërkuar ne për vite të tëra.  E përderisa nuk është ajo që kemi kërkuar atëherë nuk mund të votoja një gjë të tillë.

K.D:  Është e  qartë se korpusi politik shqiptar nuk është unik, madje, as rreth  çështjes së komunës së plotë. Raportet e këtilla mes subjekteve nacionale shqiptare, s’do mend, kanë ngadalësuar realizimin e çështjeve të shumta me interes të përgjithshëm  nacional. Cili është opinioni Juaj?

N.Gjeloshaj:  Pluralizmi politik e mundëson një gjë të tillë. Për mendimin tim kur është fjala për komunën e plotë të gjitha subjektet politike shqiptare kanë qendrim pothuaj të njejtë, por rrugën për ta relizuar këtë jo të gjitha subjektet e kanë të njëjtë. Kur është fjala për unitetin e partive nacionale për fat të keq edhe përkundrejtë tentativave të ndryshme si tonat ashtu edhe të diasporës është parë një hezitim i madh nga disa subjekte. Për mendimin tim partitë shqiptare ka shumë gjëra programore dhe parimore që i bëjnë bashkë. Është e vështirë të gjesh ndryshime të mëdha mes tyre, përveç mjetit që ato përdorin për realizimin e kërkesave të tyre. Është tejet e dukshme që problemet personale të disa individëve janë e vetmja pengesë për këtë unitet të munguar.

K.D:  Tashmë një kohë të gjatë, përfaqësuesit e subjekteve nacionale shqiptare, kanë iniciuar bisedimet për formimin e një liste sa më të gjerë të përbashkët, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që duhet  të mbahen brenda këtij viti. Deri ku është arritur me negociatat e deritashme?

N.Gjeloshaj:  Kjo ka qenë një iniciativë e Partisë Demokratike dhe është pritur mirë nga shumica e subjekteve. Edhe në këtë proces ka pasur devijime të çuditshme që për fat të keq nuk kanë treguar gjë tjetër përveç asaj që theksova më lart. Besoj se është në interes të përbashkët që kjo gjë të realizohet në mënyrë që të kemi një përfaqësim të denjë, që do mundësonte realizimin e kërkesave tona në mënyrën e duhur. Bisedimet ende vazhdojnë dhe personalisht jam optimist se në zgjedhjet e ardhshme do kemi një program gjithëpërfshirës që qytetarët do ti japin përkrahjen e nevojshme.

K.D:  Është e njohur se as vetë subjektet nacionale shqiptare, mjaft shpesh, nuk i kanë respektuar marrëveshjet,  me mos respektimin e obligimeve ndaj partnerëve si përbërës të koalicioneve. Si do të reflektohet kjo në rrjedhën  e negociatave aktuale, ose në përfundimin me sukses të tyre?

N.Gjeloshaj:  Mosrespektimi i marrëveshjeve nuk është fenomen i muajve të fundit. Është një fenomen që ka ndodhur pas çdo procesi zgjedhor, por ndryshimi është se disa flasin dhe bëjnë zhurmë vetëm kur ju cenohet pozita e tyre, në të kundërt, kur ata cënojnë vazhdimisht pozitat e tjetrit kurrë nuk flasin për këtë gjë. E them me plot bindje se deri më tani më e cënuar ka qenë partia që unë jam pjesë e saj, por jemi munduar ti tejkalojmë këto mosmarrëveshje me qetësi dhe me pjekuri politike. Besoj se edhe kjo situatë do të tejkalohet me pjekuri dhe të gjithë do marrin përgjegjësitë që ju takojnë.

K.D:  Z. Gjeloshaj, Ju edhe pse nuk kini një stazh të gjatë si deputet në Kuvend, me aktivitete të ngjashme jeni i pranishëm në opinionin e gjerë shqiptar në Mal të Zi, bukur gjatë. Cili është mendimi Juaj, sa mund të jenë të kënaqur elektorati shqiptar me punën dhe kontributin e  përgjithshëm  të përfaqësuesve autentik, duke filluar nga jetësimi i pluralizmit në Mal të Zi, tashmë një çerekshekulli të plotë?

N.Gjeloshaj:  Unë kam më pak se dy vite në pozicionin e deputetit. Gjatë karrieres time, kam qenë i angazhuar fillimisht në organizata joqeveritare që në atë kohë kanë qenë të pakta por kemi bërë një punë mjaft të mirë. Edhe pse kam dhënë kontribut nuk është se kam pasur ndonjë pozitë deri para dy vitesh. Unë jam i mendimit se përfaqësuesit e partive nacionale në periudha të ndryshme kanë dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk është aspak e logjikshme që të gjithë barrën e fajit t’ua lemë përfaqësuesve të partive shqiptare, është e drejtë dhe shumë normale të kërkohen përgjegjësi, të kritikohet puna e gjithsecilit, por gjërat nuk mund  të shikohën vetëm bardh e zi. Pozita dhe fuqia e tyre politike ka qenë e atillë që jo çdo herë është varë nga ato realizimi i kërkesave të tyre. Duhet tu njohim meritat por edhe të bëjmë një kritikë konstruktive për punën e gjithseciit dhe gjërat mos ti përgjithësojmë.

K.D: Mes shpresës dhe realitetit ! Sa përkon angazhimi dhe  kujdesi Juaj ndaj të rinjve,  me ato që ishin pritjet tuaja  nga përfaqësuesit politik, kur ishit në këtë fazë të jetës që jemi ne sot, si të rinj  që kanë ose janë duke përfunduar   shkollimin superior?

N.Gjeloshaj:  Aktivizimi im ka filluar në moshë mjaft të re, e kam menduar atëherë dhe të njëjtin mendim kam edhe sot se të rinjët janë një pasuri e madhe e çdo kombi. Energjia, vizioni, idetë dhe vullneti që i karakterizon duhet të vlerësohen. Në stafin tim kam të rinjë, kam vlerësuar idetë dhe mendimet e tyre edhe kur kanë qenë kritik ndaj meje. Jam angazhuar gjithë kohës që t’u jepet hapësira e nevojshme për të punuar, për arsye se jam i bindur se të rinjët kanë shumë për ti dhënë shoqërisë tonë. E kam thënë dhe do vazhdoj ta them se të rinjët mund të bëjnë ndryshime të mëdha dhe tani është momenti më i mirë që të vlerësojmë kontributin e atyre që gjatë kësaj periudhe kanë qenë aktiv në politikë, nga ana tjetër ata duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe në fund ti japim hapësirë më të madhe të rinjëve që të angazhohen në politikë dhe besoj që rezultatet nuk do të mungojnë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora