E enjte, 24.10.2019, 06:27 AM (GMT+1)

Personalitete

Eshref Ymeri: Kur kujtojmë At Gjergj Fishtën

E merkure, 30.12.2015, 05:26 PM


Kur kujtojmë Atë Gjergj Fishtën

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Sot, më  30 dhjetor, mbushen 75 vjet që kur u nda nga jeta Atë Gjergj Fishta, njëra ndër figurat më emblematike të nacionalizmit shqiptar. Si një intelektual i shquar, i cili studimet e larta i kishte përfunduar shkëlqyeshëm në Kroaci për filozofi dhe për teologji, tërë jetën e vet ia kushtoi njohjes nga afër të jetës dhe të formimit psikologjik të banorëve ku punoi dhe meshoi për vite me radhë.

Në mesin e banorëve të viseve veriore të vendit tonë, ai njohu nga afër gjendjen tyre të rëndë ekonomike, e cila nuk i pengonte që ata të shpërfaqnin forcën e karakterit të tyre, bujarinë karakteristike, mikritjen tradicionale, fisnikërinë e shpirtit, besnikërinë ndaj normave të kodit zakonor, trimërinë dhe qëndresën burrërore para çdo padrejtësie në jetën e përditshme. Aty ai u njoh me thesaret e gjuhës shqipe, me pasurinë e saj të pamatë leksikore, e cila do të gatuhej aq mjeshtërisht në “magjen” e krijimtarisë së tij artistike

Si njohës i pesë gjuhëve të huaja, ai erdhi e u kalit me një kulturë të gjërë në disa fusha të dijes, duke dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë artistike, në publicistikë, në arsim, në estetikë, madje edhe në pikturë. Në të njëjtën kohë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si politikan, duke ngritur zërin e tij të fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare, përballë krimit të rëndë që kreu shovinizmi evropian me copëtimin e trojëve tona etnike për interesat e grekosllavizmit.

Prandaj është emblematik fjalimi i tij në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, ku ai deklaroi burrërisht:

“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë”.

Kur lexojmë këtë deklaratë të Atë Gjergj Fishtës në një forum të lartë ndërkombëtar, siç ishte konferenca në fjalë, bindemi plotësisht se ai është burrëria dhe lavdia e kombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria e nacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare.

Vite më vonë, në veprën e tij të shquar “Lahuta e Malcisë”, Atë Gjergj Fishta do ta demaskonte rëndë Evropën për krimin e rëndë që kreu me copëtimin e trojeve tona etnike:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re  mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Por, në të njëjtën kohë, Atë Gjergj Fishta është edhe shuplaka më e rëndë për të gjithë besëprerët, dallkaukët, hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar, të cilët, në krye të politikës shqiptare, shenjtërinë e të qenit shqiptar, nacionalizmin shqiptar, e kanë nxjerrë në breg të pazareve grekosllave dhe të pabesisë evropiane. Prandaj ai u drejtohet atyre me vargjet gjëmimtare:

Ju rrugaça sallahana,

vagabonda shakllabana,

rricna t'ndyet, mikrobe të kqij

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë me ne,

do t’na qelbi fis e atdhè?

Çdo bashkëkombas që i thotë vetes shqiptar, kur kujton Fishtën e Madh, për forcë të ligjit të antitezës, sjell ndërmend menjëherë figurën më të urryer të kombit shqiptar, kriminelin Enver Hoxha, i cili qe vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit jugosllav. Në dallim nga Fishta, i cili shovinizmin jugosllav e kishte vënë në tehun e “bajonetës” së vet letrare dhe publicistike, Enver Hoxha kishte rënë në gjunjë para serboshovinizmit jugosllav dhe ishte gati që Shqipërinë ta kthente në një republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Për të nxjerrë në spikamë figurën e neveritshme të Enver Hoxhës, si një servil i pështirë i sllavizmit, para madhështisë së nacionalizmit të Gjergj Fishtës, lexuesve të nderuar po ju përcjell fragmentin e mëposhtëm, të shkëputur nga një fjalim i Enver Hoxhës:

“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia.....Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë… Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t'i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur.....Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. (Citohet sipas: “Pse u masakrua Gjergj Fishta”. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV të rinisë popullore. Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).

Nuk e kam informacionin e saktë se kur është zhvilluar ky Plenumi IV i rinisë punëtore Por gjasat janë se duhet të ketë qenë periudha mes viteve 1945-1948, në kohën e dashurisë përvëlimtare të komunistëve enverhoxhistë për Titon dhe për shovinizmin jugosllav. E ka fajin Nexhmije Hoxha që këtë fjalim të turpshëm, me përmbajtje kriminale të Enver Hoxhës, nuk e ka përfshirë në serinë e veprave të tij, në mënyrë që të kishim mundësi ta citonim me faqe, me vëllim dhe me datë konkrete. Pikërisht në këtë fjalim, Enver Hoxha radhitet në krah të sllavizmit, armikut të tërbuar të kombit shqiptar. Enver Hoxha ka paturpësinë të deklarojë se  “populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë”, duke harruar qëllimisht masakrat e shovinizmit serbë kundër popullit shqiptar në krahinën e Nishit pas vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit, pas Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës të vitit 1913 në mbarë Kosovën dhe sidomos krimet e tij kundër popullit shqiptar të Kosovës mes dy luftërave botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me urrejtjen e tij egërane dhe me shpifjet e tij të ulëta kundër Gjergj Fishtës, për demaskimin që ky i ka bërë serbosllavizmit në veçanti dhe sllavizmit në tërësi, Enver Hoxha radhitet pranë Titos dhe shovinizmit jugosllav, si një vegël e verbër e tyre. Se sa “mike” ka qenë për popullin shqiptar Jugosllavia titiste, e vërtetoi periudha mbigjysmëshekullore në qëndrimin kriminal që ajo mbajti ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Për qëndrimin e tij të vendosur më mbrojtje të kombit shqiptar dhe për demaskimin që i ka bërë shovinizmit evropian dhe sidomos shovinizmit serbomadh, Gjergj Fishta duhet nderuar me shtatore gjigante jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë dhe në Shkup.

Santa Barbara, Kaliforni

30 dhjetor 2015



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT