E hene, 09.12.2024, 07:40 PM (GMT)

Faleminderit

Kujtim Mateli: Kush ishte Niko Tyto

E diele, 20.12.2015, 04:29 PM


30 nentor 2015

IKU DHE SHKRIMTARI NIKO TYTO, AUTORI I RRETH 40 LIBRAVE ARTISTIKË DHE STUDIMORË

NGA KUJTIM MATELI

Shkrimtari i mirënjohur Niko Tyto, autori i 12 librave me letërsi folklorike, 7 libra me studime dhe i 17 librave me letërsi për fëmijë dhe i një numri të konsiderueshëm dorëshkrimesh; u nda prej nesh më 29 nëntor 2015.

Po kush ishte Niko Tyto, simboli i njeriut popullor, i njeriut të virtytshëm, i njeriut të palodhur që ishte i pranishëm në bisedat brenda trevës së Përmetit, por edhe jashtë saj. Për të flet sarandioti e korçari, shkodrani e kuksiani, mjafton ta ketë njohur sadopak, qoftë dhe në një bisedë të vetme. Po edhe ata që nuk kanë mundur të takohen me të, janë takuar me punën e tij krijuese. Ndaj për Nikon është folur gjithmonë me admirim. Njerëzit e identifikojnë kombin, qytetin, krahinën, fshatin, madje edhe fisin me bijtë më të mirë të tyre. Ndër këta njerëz me personalitet të spikatur dhe karizmatik ka bërë pjesë dhe Niko Tyto, që unë desha të shpreh disa mendime, si njohës dhe admirues i krijimtarisë së tij letraro-artistike. Natyrisht, nuk pretendoj se do të them gjithçka, por mendoj se do të nënvizoj disa vlera që mua më duken me interes dhe që plotësojnë këtë personalitet.
Niko Tyto
 mbeti deri në fund të jetës së tij, një figurë popullore, i njohur gjerësisht jo vetëm në rrethin e Përmetit, por edhe më gjerë. 

U lind më 1936 në Malëshovë, në një nga fshatrat pranë qytetit të Këlcyrës. Aty mori arsimin fillor. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Elbasan ku vazhdoi dhe pedagogjiken, të cilën e mbaroi në Gjirokastër, më 1955.
Mbaroi Universitetin e Tiranes, Fakultetin Histori-Filologji, dega Letërsi Shqipe, më 1961.
Pas 11 vitesh, më 1972, kreu kursin pasuniversitar për letërsi shqipe, në Tiranë. Ka shërbyer si mësues  i ciklit të ulët në Mbrezhan e Riban, në ciklin 8-vjeçar në Kajcë dhe Ballaban  si drejtor shkolle dhe 30 vjet në shkollën e mesme Përmet, Sukë e Këlcyrë, si mësues letërsie.
Shpejt u dallua jo vetem si mësues  i përkushtuar, po shfaqi tiparet e një njeriu popullor,  i kudondodhur tek njerëzit, pjesëmarrës në shqetësimet e tyre. Aftësitë e tij do të shfaqeshin në pesë   drejtime kryesore:
****
Përkushtim i  i parë  ka qenë ndaj punës së tij si mësues. U dallua shpejt me dhuntitë e tij, sidomos në komentin e pjesëve letrare, të cilat  i përcillte me frymëzim dhe emocion duke rikrijuar veprën artistikisht në stilin e tij dhe duke nxjerrë në dukje vlerat reale të veprave. Njihet si komentues  i talentuar, sidomos  i autorëve të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të atyre të Pavarësisë. Po edhe shumë veprave të autorëve të huaj, me komentet dhe analizat që u bëri, u dha edhe një dimension të ri, atë të hapësirës shqiptare.  Krijoi një profil të veçantë dhe  u bë model për mësuesit e tjerë të letërsisë. Këtë përvojë kaq të pasur do ta botonte pjesërisht në librin “Fjala e mësuesit përmetar” nr.8  në vitin 1980  ku u kushtohet komenteve letrare për të gjitha shkollat, duke komentuar disa nga këngët popullore, sidomos nga ato që këndohen në rrethin e Përmetit.  
Nuk rreshti së dhëni përvojën e tij.  A i ka drejtuar punën metodike në bazë shkolle, zone dhe rrethi, punë të cilën e ka përgjithësuar edhe në shkrimet e tij në gazetën “Mësuesi”.
Po ashtu duhet të citoj se ka qënë  i aktivizuar në diskutimet që organizonte Ministria  e Arsimit për programet e letërsisë si dhe për hartimin e teksteve shkollore.
Ka  referuar materiale letrare e gjuhësore në sesionet shkencore si: në Përmet, Gjirokastër, Berat, Elbasan e Tiranë.  Këto tema kishin karakter gjuhësor, folklorik, letrar, historik  etj. 
 Ja disa prej tyre:
“Naimi dhe gjuha shqipe”,  “Mendimet  e Sami Frashërit në fushën e proverbave”,  “Figura e tre vëllezërve  Frashëri e pasqyruar në këngën popullore përmetare” etj.
Ka referuar për figura të  shquara të kombit tonë si: Abdyl Frashëri, Kamber Bënja, Sefulla Malëshova, Dashnor Mamaqi, At Stath Melani , Mithat  Frashëri si dhe për ngjarje të shënuara historike si : “Lidhja shqiptare e Prizrenit”. Këto shkrime e kanë parë dritën e botimit në shtypin periodik.
Nikoja ishte i pranishëm në çdo veprimtari. Si veprimtar shoqëror ka qenë aktivizuar dhe në diskutimet e tij ka dhënë ndihmesë për problemet sociale, kryesisht në Këlcyrë, në Shoqatën Atdhetare Kulturore « Përmeti » dhe  « Malëshova». Duke qenë respektivisht anëtarë kryesie  i këtyre shoqatave, me penën e tij ka trajtuar një sërë problemesh. Për përkushtimin e tij ndaj punës nga Kuvendi Popullor, Nikoja është nderuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë me motivacionin  “Për nivel të lartë të mësimdhënies, përgatitjen e lartë të nxënësve dhe studimin e folklorit të Zonës” Dekreti nr 799 viti 1994.
Gjithashtu Niko Tyto ka qenë delegat në Konferencën kombëtare të folkloristikës shqiptare më 1972 si dhe  i ftuar po këtë vit në Kongresin e Drejtshkrimit,  po në Tiranë.  Shumë herë ka qenë  i ftuar në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëvë  si dhe në sesione shkencore me karakter gjuhësor apo të letërsisë, organizuar nga Institut i  i Gjuhësisë dhe Letërsisë.  Një ngjarje e shënuar ka qenë, kur më 16 dhjetor 1996, në shtëpinë e kulturës Përmet në “Konferenca e intelektualeve përmetare” të ardhur nga mbarë Shqipëria, Niko Tyto mbajti referatin  “Të gjallërojmë jetën artistike kulturore përmetare”
****
Përkushtim i  i dytë ka qenë krijimtaria letrare, sidomos ajo për fëmijë.
Në vëllimet poetike për fëmijë, një nga temat më të dashura të autorit ishte dashuria për atdheun, për të cilin janë  krenar jo vetëm të rriturit,  por edhe fëmijët.  Malli për vendlindjen,  për prindërit, për shoqërine, janë tema që spikatin ndër këto vjersha që aq ëmbël, mirë e bukur janë trajtuar për botën fëminore. Duhet të citoj se këto poezi, me një tematikë  të larmishme, të  pasqyruara me një larmi formash metrike, të shkruara me stil të thjeshtë, duke ruajtur muzikalitetin dhe shumëllojshmërinë e rimave dhe të kadencës, kanë qenë të dashura për lexuesin, si për fëmijët e kopshteve, si për fëmijët e ciklit 8-vjeçar apo dhe për shumë kompozitorë  që  i kanë shfrytëzuar, kryesisht në vitet 70-të, në festivalet e këngës për fëmijë në shkallë rrethi apo kombëtarë
Në serinë e almanakëvë letrarë që botonte shtëpia e kulturës Përmet, kryesisht në vitet 60-të-70-të, në çdo numër do të gjeje vjersha të Niko Tytos si dhe studime në rubrikën “Pasthënie” etj.
Në revistat  e kohës si: “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri” apo sot, “Cicërimat” , “Kacamici”  “Mrekullia”, “Kolopuçët” etj., gjenden me dhjetra vjersha që nuk janë pasqyruar në vëllimet e botuara. 
Shumë nga këto vjersha  i gjejmë në antologjitë poetike  për fëmijë, sidomos në vëllimet “Burim i  i dijes”, libër për lexime jashtë klase, numri 1, 2, 3, 4, “Si një lule”, “Kur vjen prilli”,   “Bëri mirë a bër i keq”,   “Një  këshillë” etj,etj.  Kur u botua vëllimi   “Lexikon”  (shkrimtarë shqiptarë për fëmijë) midis autorëve të tjerë kemi dhe poetin Niko Tyto, faqe 228.
Krijimtaria letrare e autorit është e rritur dhe e vlerësuar në vlerë artistike, ndaj në analizën e Lidhjes së Shkrimtarëve për  fëmijë, ajo është vlerësuar. Si shkrimtar, Niko Tyto ka qënë anëtar  i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë qysh nga viti 1976.  Në gazetën letrare  “Drita” dhe “Obelisku”  ka botuar poezi si dhe profile për personalitete letrare.
***

Në fund të vitit 2014 solli para lexuesve të vegjël  përmbledhjen poetike “Vjersha të zgjedhura për fëmijë”.   Janë poezi që autori i ka përzgjedhur nga 16 librat e tij poetikë, duke na dhënë kurorën e krijimtarisë së tij. Në atë fundviti, fëmijët morën një dhuratë të çmuar. Libri shquhej për një tematikë të larmishme, për një depërtim në thellësi të botës së fëmijëve, për edukimin e tyre me ndjenjat e larta të dashurisë për Atdheun, punën, natyrën e njëri-tjetrin. 
Këtë vëllim poetik e çel poezia “Një tufë të bukur”, shkruar që në vitet `60. Kjo tufë e bukur, e thurur me lule, me vargje e me zemër, do t`i dhurohet nënës. Me të vogëlushi do të presë nënën e tij kur të kthehet nga puna, me këtë tufë do të urojë nënën, në ditëlindjen e saj. Kjo poezi është një nxitje për të gjithë fëmijët që të shkruajnë. Për nënën mund të shkruaj kushdo. Për nënën bëhesh poet edhe kur talenti nuk të frymëzon për ngjarje e dukuri të tjera. Çdo fëmijë bën sprovën e parë në udhën e poezisë duke shkruar për nënën e tij. Nënë-fëmijë, një lidhje e pazgjidhshme. Një lidhje që të shoqëron gjatë gjithë jetës. Nëna mban të lidhur brezat me njëri-tjetrin. Nëse shoqëria njerëzore qëndron e shëndetshme, arsyeja është se nënat dhurojnë aq dashuri sa fëmijët të ndihen mirë nën përkëdheljet dhe qortimet e saj. 

Poeti që në fillimet e krijimtarisë së tij ka kërkuar që nëpërmjet poezisë të edukojë tek fëmijët dashurinë për të gjithë njerëzit. Është një dashuri që brezat ushqejnë për njëri-tjetrin. Poezia “Gjyshes” na tregon se si ajo i mëson nipërit dhe mbesat e saj:
“Që të di,
të bëj çdo punë,
duarartë,
të jem unë”.
Tek poezia “Motrat” na ka dhënë portretin se si duhet të jetë një fëmijë. Fëmijët gjithmonë e kanë një model të cilit i drejtohen dhe duan të bëhen si ai. Cilësitë e mira kultivohen tek fëmijët qysh kur ata janë në kopësht. Aty mësojnë si t`i drejtohen njëri-tjetrit, aty mësojnë si të mbajnë dorën e të shkruajnë, Dy vajzat e vogla të poezisë së Niko Tytos :
“Janë pastërtore,
janë gojëmjalta.
Me sjellje të bukur,
me duar të arta”.
Poezia “Kur vjen prilli” na krijon atmosferën e bukur të kësaj stine. Pavarësisht se cila është stina, kur e lexojmë këtë poezi, ndjehemi se ndodhemi në një mjedis ku edhe zemra jonë çel si burbuqet e luleve. Janë fëmijët e vegjël që krijonë pranverën në çdo vatër familjare. Janë fëmijët si gonxhet e trëndafileve që mbushin duart tona sa herë i marrim dhe i përkëdhelim. Cicërojnë fëmijët si zogjtë ndër kopshte e korije. Gëzon cdo vatër familjare ashtu si dhe natyra ku sapo ka trokitur pranvera:
” Kur vjen Prilli,
vjen pranvera,
na qesh zemra
si nga hera.
Një nga një
vijnë me radhë,
zogjtë e bukur
shtegëtarë”.
Poeti Niko Tyto e njeh mirë botën shpirtërore të fëmijëve. Gjithë jetën e tij ka punuar si mësues dhe kjo i ka dhënë mundësinë jo vetëm të njohë mirë kërkesat dhe dëshirat e tyre, por edhe ta dojë dhe dashurojë atë me gjithë zemër. Ndaj mund të themi se poezia e Niko Tytos para se të dilte nga pena, ka dalë më parë nga shpirti i tij. Fëmijët i duan ata që ranë për atdheun, për lirinë dhe pavarësinë e tij. Nëpërmjes penës së autorit vjen e gjallë figura e Çerçiz Topullit, Fanjo Çiçakut dhe të tjera figura që autori i ka përshkruar me dashurinë e penës dhe të zemrës së tij, duke i përcjellë qartë e bukur për lexuesit e vegjël. Bukuria e vargut qëndron tek thjeshtësia e tij, pa zbukurime artificiale. Poezia e tij përcjell mesazhe të fuqishme që e bëjnë botën fëminore më të pasur e më të bukur. Bukuria e natyrës ndërthuret me botën shpirtërore. E mira i kundërvihet së keqes. Njeriu punëtor e duarartë i kundërvihet dembelit. Fëmijët janë në hapat e parë të jetës së tyre dhe jeta u ofron modele që ata duhet t`i zgjedhin. Poezia e Niko Tytos i ndihmon ata që të mos qëndrojnë pasivë në jetë, por të jenë aktivë, të flasin e të veprojnë. Ata duhet të ecin të sigurtë në jetën e tyre. 
Poezia “ Nipi dhe mbesat”, na jep lidhjen e pazgjidhme midis brezave, ku njëri brez  i përcjell tjetrit jo vetëm njohuritë për botën që na rrethon, por edhe dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për të afërmit dhe familjen, për shokët dhe shoqet e shkollës, për mësuesit, për të gjithë ata njerëz të mirë që na rrethojnë dhe që e gjithë kjo masë njerëzish përbën atë që ne e quajmë shoqëri. Kjo është shoqëria njerëzore për të cilën interesohet çdo individ. Kontributi  i gjithësecilit e bën shoqërinë që të ndihet e sigurtë në rrjedhat e historisë. Njerëzit që investohen negativisht në shoqëri, shpejt a vonë përfundojnë si pjesa e pavlerë e saj. Ndaj çdo familje mundohet që të krijojë, brenda anëtarëve që e krijojnë atë, vlera njerëzore; vlera që do ta mbajnë gjallë vazhdimësinë e saj. 
Njërën nga këto familje, që bën të gjitha përpjekjet për të trashëguar vlerat e familjes së vet dhe të shoqërisë, na sjell dhe poeti në poeznë “ Nipi dhe mbesat”.  
Me vargje të ngrohta, që shprehin dashurinë njerëzore, autori qysh në vargjet e parë na jep këtë atmosferë që më pas do të rrjedhë natyrshëm midis tyre: 
“Si lum gjyshi
Për dy mbesa
I ka zemra, 
 i ka shpresa”.
Në çdo hap të tyre ndihet prania e gjyshit, kur shkojnë në kopësht apo në shkollë, por edhe pasditeve kur ato mësojnë apo ndihmojnë nënën e tyre. Gjyshi  i ka në përkujdesje edhe kur ata luajnë të tre së bashku. 
Poezia “ Si Tedi”
 na jep portretin e një fëmije shembullor, që nuk e kalon kohën kot, por përgatit rregullisht mësimet, ndihmon nënën dhe është  i pari në shkollë dhe i dashur me shokët. 

 I kundërti i personazhit të Tedit, na jepet Agroni tek poezia “ Pse”. 
Kjo kundërvënie e karaktereve të ndryshme të Tedit gojëëmbël dhe i Agronit  që është me shokët grinjar, na jep atmosferën që ekziston në mjedisin e fëmijëve dhe njëkohësisht shembullin e mirë prej të cilit duhet të udhëhiqemi në jetë.
Një shembull pozitiv mund të gjendet edhe te bleta, të cilën autori e ka dhënë bukur artistikisht, si pjesë përbërse e botës fëminore:
“ Bletë e bukur,
Bletë punëtore,
Je për mua shembullore”.
Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e poetit Niko Tyto zënë dhe gjëagjëzat. Nëpërmjet tyre, na sjellë një copëz nga qielli i kaltër pranveror a i mbushur me tufa resh që na kujtojnë vjeshtën dhe dimrin, ku veprojnë personazhet dhe që lexuesi  i vogël mundohet të gjejë nëpërmjet gjëegjëzave se për cilën dukuri atmosferike a mjedis shoqëror bëhet fjalë. Ato janë të thurura bukur,  stinët e vitit alternohen natyrshëm me njëra-tjetrën, shpendët si shqiponja e thëllëza ia lenë vendin  dallëndyshes dhe harabelit; dhelpra dhe lepurushi ndajnë të njënjtin mjedis me ariun dhe çakallin. Aty janë të pranishëm sorkadhja, kali, qeni dhe ujku. Në krijimet e Niko Tytos është e pranishme bota që na rrethon me të gjithë larminë dhe bukurinë e saj dhe që lexuesi e sheh atë në lëvizje dhe ripërtëritje të vazhdueshme.  
Pasi e lexon këtë vëllim poetik do të shikosh se autori i ka ndërthurur mjeshtërisht raportet ku fenomenet shoqërore përplasen midis tyre: njeriu punëtor përballë përtacit, e mira përballë së keqes, virtyti përballë vesit, e bukura përballë së shëmtuarës, e vërteta përballë gënjeshtrës dhe mashtrimit, liria përballë robërisë, besa përballë pabesisë, guximi përballë frikës dhe ngurimit. Të gjitha këto fenomene janë pjesë e shoqërisë. Dhe fëmija duhet të mësohet që t`i shohë dhe t`i njohë këto fenomene, sepse ato nuk janë të panjohura për të. Me ato ndeshet çdo ditë, në shoqëri dhe familje. Duhet t`i njohë e të mbajë qëndrim.
Poeti ka ditur, që nëpërmjet penës së tij të artë, të na japë një vepër artistike e cila na dhuron e na fal kënaqësi estetike. E bukura në mjediset shkollore është ndërthurur me bukurinë shpirtërore të fëmijëve dhe me çiltërsinë e tyre. Ky realitet që krijon muza e poetit i drejton fëmijët drejt dijes e virtytit. I drejton drejt bukurisë dhe madhështisë, drejt ëndrrës dhe realitetit për të cilin breza të tërë kanë dhënë kontributin e tyre me të gjitha format e mundshme që të ofron jeta njerëzore.

 

Nga krijimtaria e tij për fëmijë ka të botuar këta libra:
1- O ti yll   1975.
2- Jam krenar  1976.
3- Në fshatin e lumtur 1976.
4- Rritem unë e rritesh ti 1989.
5- Dashuria ime  1998.
6- Të lutem gjyshe dhe një  2000.
7- Tregon gjyshja 2001.
8- Eh,sikur të kisha!  2006.
9- Gazmore, kuriozitete, a e dini se? 2007.
10- Shih moj mami sa u rrita! 2008.
11-  103  gjëegjëza  2009.
12 – Gjëegjëza dhe përralla në vargje 2010.
13- Nipi, mbesat dhe gjyshi 2011.
14- Një tufë gjëegjëza 2011.
15- 222 Pyetje për Gjyshin.2012.
16- Kush e gjen ? 2014
17- Vjersha të zgjedhura për fëmijë 2014 .


Përkushtim i  i tretë ka qenë ndaj pasurisë folklorike.Trevat e krahinës së Dëshnicës dhe Malëshovës,  banorët e së cilës kanë rritur në numër qytetin e Këlcyrës,  janë një pasuri e paçmuar folklorike.  Kjo pasuri, shfaqet si gur margaritari në të gjithë rrethin e Përmetit. Nikos do t` i lindëte  pasionin për ta mbledhur atë.  Folkloristi  i ri, në gjurmim të kësaj pasurie popullore, do të mbetej  i mahnitur në mozaikun e këngëve dhe valleve përmetare.  Nëpër vargjet e këngëve do të gjente figura historike të njohura, por edhe të panjohura, që njerëzit  i kishin përcjellë brez pas brezi, në rrjedhë të shekujve.  Ato këngë  të çonin larg në kohë dhe hapësirë.  Ato shpërthenin si buqeta lulesh në dasma dhe në festa. U këndohej fëmijëve mbi djep. Po kjo botë shpirtërore ishte e pasur edhe me fjalë të urta, me  gjëegjëza apo shprehje të ndryshme që shprehnin filozofinë e popullit mbi dukuri të ndryshme të jetës.  Ndaj iu përvesh punës si mbledhës  i folklorit. 
Niko Tyto ka qenë  i aktivizuar në festivale folklorike që organizoheshin qoftë në bazë shkolle  apo Zone, qoftë në bazë Rrethi apo Kombëtare. Si anëtar komisioni i disa festivaleve folklorike të Gjirokastrës  apo “Përmeti multikulturor” ai ka dhënë ndihmesën jo vetëm në zbulimin e vlerave folklorike, por edhe në interpertimin dhe botimin e këtyre vlerave.  Duke qenë mbi 40 vjet bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, në vitet 1987, 1989 ka qenë anëtar i ekspeditës folklorike si në Dëshnicë, Shqeri dhe Dangëlli, të organizuara nga ky Institut.
Në botimet e këtij Instituti, si në vëllimet e  IV, VI, etj. me emrin e Nikos do të gjejmë me dhjetra e qindra këngë përmetare.
Me interes janë dhe grumbullimi, studimi dhe botimi  i këngës bektashiane përmetare, po nga ky autor, në revistën “Urtësia” me titullin “Këngët bektashiane si bashkudhëtare”. Shumë shkrime folklorike  i kemi lexuar në gazetën “ Dëshnica” si: “Ëmbëlsia e këngës dëshnicare”, “Kënga popullore e nizamit në Dëshnicë” etj., ndërsa në shtypin periodik  janë botuar shkrime folklorike si:  ” Figura e Abdyl Frashërit në këngën popullore”, “Shkolla dhe mësuesi përmetar në gojën e popullit”,  ”Flamuri në vargjet e këngës përmetare”, etj. Këto shkrime folklorike tërhoqën vëmëndjen e lexuesit dhe kanë marrë vlerësime  pozitive.
Për shumë vite në Përmet,  Niko Tyto ka drejtuar shoqatën e folklorit,  ku ka organizuar dhe drejtuar sesione shkencore folklorike edhe në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Popullore  si dhe botime që  tani janë  të njohura.   Disa nga këto sesione si: “Dëshmorët janë krenaria e rrethit” janë të rregjistruara nga arshiva e Institutit të Kulturës Popullore.
Për punën e tij  si folklorist, Niko Tyto, me dekret  të Kuvendit Popullor nr.5892 viti 1979 ka marrë Urdhërin “Naim Frashëri” kl.III-të me motivacionin “Për grumbullimin e krijimtarisë gojore popullore dhe përhapjen e saj në masë” .
Me interes kanë qenë emisionet në “Radio-Tirana” në muajin maj 2008, për vlerat kulturore e folklorike përmetare (katër emisione)
Në fushën e folklorit ka botuar këta libra: 
1- Gëzon zemra përmetare  1971.
2-  Fjala e mësuesit përmetar 1980.
3- Lule për Atdhe  1987.
4- Këngë popullore nga krahina e Malëshovës  2001.
5- Anekdota 249 në vitin 2005.
6- Këngë popullore të rrethit  të Përmetit  2006.
7- Fjalë të urta 6150, në vitin  2008.
8- Fjalë të urta 2009.
9-  336 anekdota  2010.
10- 3333 Fjalë të mençura. 2012.
11- Hajde të qeshim-Anekdota. 2013.
12 Urime, mallkime, fjalë të mençura 2015.
Në të gjitha këto vëllime bie në sy puna këmbëngulëse për të pasqyruar këtë pasuri popullore në mënyrë shkencore. Në botimin  “Këngë popullore nga krahina e Malëshovës” lënda është e ndarë në kapituj sipas  tematikës. Ajo është specifikuar se në ç`rrethana këndohet kjo këngë, kush e ka kënduar atë, si dhe plot shënime të tjera që e bëjnë të qartë për brezat e sotëm dhe ata që vijnë.
Mbi këto kritere shkencore është ndërtuar edhe libri tjetër “Këngë popullore të rrethit të Përmetit“  2006, ku Niko Tyto është bashkautor me një tjetër studiues përmetar, Prof. Agron Xhagolli.  Vlen të përmendet libri  “Fjalë  të urta 6150”, ku siç thuhet dhe në titull përmban 6150 fjalë të urta. Autor i punoi me kujdes duke na dhënë një vepër dinjitoze që qëndron përkrah veprave më të mira të këtij lloji.  Fjalët e urta janë grupuar në 69 kapituj, e cila e bën mjaft të lehtë studimin e këtij libri dhe të përdorueshëm për të gjithë njerëzit.
Po  autori nuk pati të ndalur në punën e tij .  Punoi me kujdes çdo ditë për t`i sjellë  këto thesare tek lexuesi. Po të vërejmë me kujdes të gjithë materialin voluminoz të botuar dhe të pabotuar mund të themi pa frikë  se vepra  e Niko Tytos  përbën materialin bazë për një  Enciklopedi të rrethit të Përmetit.
****
Përkushtim i   i  katërt është  ndaj punës si publicist.
Puna e Niko Tytos është e njohur ndër vite edhe në fushën e gazetarisë.  Qysh nxënës, në Pedagogjike  apo student në Universitet e sidomos si mësues, ai ka shkruar artikuj me tematikë  të larmishme dhe, pothuaj të botuar në të gjitha organet e shtypit si:  “Zëri  i Popullit”,  “Bashkimi”,  “Zëri  i Rinisë” , “Shekulli”,  “Republika”,  Albania”,  “Dita”etj.
Po ashtu ka botuar në organet e shtypit lokal  si: ”Prometheu  i Përmetit”, “Qyteti  i Jugut”, “Fjala sot”, “Java”,  “Tepelena jonë”, “Zagoria”,  ”Përmeti”,  “Dëshnica” etj.  Ka vlera shkrimi  “Sefulla Malëshova patriot e poet autentik” në gazetën “Rilindja”, tetor 1994,  botim  i Kosovës.
Disa shkrime të tjera janë:  “Këlcyra në këngët e L.A.N.Çl.”,  botuar tek “Bashkimi” apo “Përse na tërheq vëmendjen  çeta partizane “Koto Hoxhi”, botuar tek “Zër i  i Popullit” 2008. Po  aq  tërheqëse janë dhe intervistat,  dhënë në këto gazeta, kushtuar personaliteteve shoqërore të cilat kanë hapur debate konstruktive.
Theksojme se Nikoja ka qenë korrespodent  i gazetës “Zëri  i Rinisë”   i rrethit  të  Përmetit në vitet  60-të, ndërsa në vitet 90-të tek gazetat “Llajko Dhima” dhe “Fjala sot” që dilnin në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Drejtoi gazetën "Malëshova" që nga themelimi i saj. Në shkrimet e tij të filluara nga informacioni dhe intervistat, nga portreti dhe reportazhi, deri tek artikujt recesionerë dhe problemorë, u shqua për një stil  të zhdërvjellët, me një gjuhë të pastër e të pasur emocionalisht, që tërhoqi vazhdimisht vëmendjen e lexuesit.
****
Përkushtim i  i pestë ka qenë puna studimore shkencore.
Kjo punë e lodhëshme dhe e dobishme ka qenë pasion  i përhershëm  i Nikos, sepse ai me laps në dorë, në çdo bisedë apo diskutim, në cdo takim me prindër të nxënësve apo kur lexonte literaturë, do të mbante shënime e do të bënte nënvizime. Janë me interes studimet ”Bektash Shkëmbi mësues këlcyriot”, përpjekje e këlcyriotëve për të fituar dituri në vitet 30-të si dhe “Të njohim patriotët e Zonës së Këlcyrës” etj.
Po  kaq interes ka dhe puna studimore: “Fjala sevda në erotikën përmetare” që shpreh përdorimin e kësaj fjale në funksion emocional në 92 këngë erotike. 
Vlera studimore kanë dhe shkrimet e botuara në shtypin periodik, për poetin e talentuar Lliko Nano apo për legjendën përmetare të muzikës, Laver Bariu. Shume recesione si: “Një antologji  dinjitoze”,  “Prehër i  i nënës”,  “Llukan Qorri njeri dhe poet”,  u mirëpritën për vlerat e tyre. Vëmendje tërhoqi në rrethet intelektuale puna studimore dhe interpretim i  i figurës poliedrike, të kalorësit të demokracisë, përfaqësuesit të denjë të socialdemokracisë shqiptare, poetit dhe shqipëruesit të nderuar, Sefulla Malëshova.
Ky studim u shqua jo vetëm për grumbullimin dhe sistemimin e materialit gojor, të grumbulluar nga 107 veta, në kohë e vende të ndryshme, por edhe nga përzgjedhja, renditja e sidomos nga interpretimi, duke iu larguar ngjyrimeve politike, pavarësisht se diktatura emërkeqe  hodhi baltë dhe veprën e këtij martiri të demokracisë  e krasiti me dorë të trashë. Nxjerrja e vlerave intelektuale si njeri politik, mendimtar  i shquar, poet e shqipërues  i talentuar, polyglot  i rrallë, njohës  i 14 gjuhëve, u realizuan nëpër konferenca e sesione shkencore që u organizuan në Këlcyrë, Përmet  e Tiranë, si dhe në disa artikuj në shtypin e përditshëm, derisa u kurorëzuan me botimin e librit “Për Sefulla Malëshovën” 2003 dhe "Profesor Sejfulla Malëshova". 2012

 Botoi këta libra studimorë:
1-  50-vjetor i  i shkollës 7-vjeçare Mbrezhan  1999.
2-  Për Sefulla Malëshovën    2003.
3-  Nder për Malëshovën     2004.
4-  Vendlimja ime, Përmeti. 2009.
5- Sevdaja   2011
6- Profesor Sejfulla Malëshova. 2012.
7- Mozaik përmetar. 2013.

 

Pena e tij heshti. Është një humbje e madhe për miqtë e tij shkrimtarë dhe artististë, për studiuesit dhe folkloristët. Po vepra e tij do të na frymëzojë ne dhe brezat që vijnë për arritje të reja në këto fusha.




(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora