E marte, 10.12.2024, 05:18 AM (GMT)

Faleminderit

Fran Gjoka: Krenari e arsimit tonë kombëtar

E hene, 05.10.2015, 06:49 PM


KRENARI E ARSIMIT TONË KOMBËTAR

-Në kujtim të jetës dhe veprës së ''Qytetarit të Nderit'' të Lezhës, prof. as. dr. Mark Vujit, “Mësues i Popullit”-

NGA  FRAN  GJOKA

Një nga figurat më të shquara të arsimit dhe shkencës pedagogjike shqiptare është Mësuesi i Popullit Mark Vuji, autor i disa studimeve dhe librave me karakter pedagogjik dhe edukativ, profesor në Akademinë Pedagogjike të Tiranës, mësues veteran, njeri me vizion të gjerë dhe shok e mik i dashur, që këto ditë u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare, në qytetin e Lezhës.

Profesor Marku pati lindur me 01.10.1930, në fshatin Hot i Ri, në rrethina të qytetit të Shkodrës. Babai i tij pati ardhur nga fshati Traboin i Hotit në Mal të Zi dhe së bashku me disa hotas të tjerë u vendosën këtu, duke i dhënë fshatit emrin e origjinës rreth vitit 1920. Këtu, në fshatin Hot i Ri, ata synuan të ruanin traditat dhe zakonet e trevës nga patën ardhur. Ishte familje me tradita atdhetare, nacionaliste, familje me vlera patriotike dhe kombëtare, por familje e varfër, që mezi nxirrte bukën e gojës me djersën e ballit, prandaj ajo e përballoi me shumë vështirësi jetën.

Por nganjëherë vështirësitë ekonomike dhe problemet shoqërore të kalisin vullnetin, të pjekin më shpejt, të ambientojnë me jetën. Kështu thoshte profesori ynë i nderuar, njeriu ynë i dashur dhe ndoshta kështu është, sepse ishin ata vështirësi, ajo jetë e zymtë në fënijëri dhe në rini, që e kalitën vullnetin e tij dhe e futën profesorin tonë në rrugën e bukur të jetës, të shkollës, të edukimit dhe studimeve pedagogjike.

Kam jetuar shumë vite me profesor Mark Vujin, kam njohur familjen e tij të nderuar, personalitetin dhe karakterin e tij. Kam biseduar me orë të tëra me të për ngjarje, situata dhe tema të ndryshme. Më ka treguar profesori se ka kaluar fëmijëri të vështirë. Pikërisht atje në fshatin Hot të Ri, ku jetonte familja e tij në vuajtje dhe mjerim, lindën dymbëdhjetë fëmijë, ku më i madhi qe Marku, profesori i ardhshëm i pedagogjisë. Fati e solli që të jetonin vetëm tre prej tyre, nëntë fëmijë nuk mundën të përballonin kushtet e vështira ekonomike të familjes dhe sëmundjet e rënda që qenë të pranishme aso kohe. Tashmë familja e tyre kishte vetëm tre fëmijë: Markun, Ndocin dhe Marien e vogël.

I kujtonte këto episode familjare profesor Marku,  kur i kishte mbushur  84 vjeç, në një shëtitje në pragmbrëmje një ditë korriku me vapë të vitit 2015. Ecnim së bashku të shkujdesur trotuareve të qytetit të Lezhës, ku  qe vendosur aty nga viti 1957. Teksa ai fliste për jetën e tij, unë heshtja dhe imagjinoja rrugën e gjatë, të dhimbshme dhe të vështirë të këtij njeriu me vlera të mëdha shoqërore. Ai herë fliste dhe herë heshte. Heshte nga dhimbjet, nga vështirësitë shëndetësore, nga vuajtjet, por përsëri e gjente shpejt fillin e mendimeve… U rrita si djali i parë i familjes, si zot shtëpie, siç i thonë në anët tona, u rrita në skamje dhe mjerim. Pa bukë, pa ushqim, pa veshmbathje, por krenar për prejardhjen time nga një fis i njohur dhe me tradita atdhetare. Kjo krenari, ky atdhetarizëm më jepnin forca për të përballuar me sukses vështirësitë e jetës.

E nisa shkollën pikërisht në fshatin e lindjes, në Hot të Ri, ku përfundova vetëm tre klasë fillore, pastaj,  për disa arsye, familja më regjistroi në shkollën 7 vjeçare “Dugajt e Reja”, po në qytetin e Shkodrës, këtu u përballa me shumë vështirësi, pasi detyrohesha të ecja rreth dy orë në këmbë në kushte shumë të vështira. Dy vjet përfundoi profesori në këtë shkollë, të katërtën dhe të pestën, si nxënës i shkëlqyer dhe dashamirës i fushës së edukimit. Kjo periudhë, këto vështirësi ndoshta ndikuan në personalitetin e profesor Mark Vujit që ai, në të ardhmen, t’i përkushtohej plot pasion fushës së mësimit dhe të edukimit, duke u bërë një nga figurat më në zë të studimit të metodave të mësimdhënies dhe një njeri me vizion të gjerë në fushën e pedagogjisë shqiptare.

Në qytetin e Lezhës ka gjallëri. Megjithëse muzgu ka rënë, përsëri të nxehtit është përvëlues, por profesori nuk do t’ia dijë, ai ka humbur disi në historinë e jetës së tij dhe dëshiron t’i shpalosë me nostalgji të gjitha kujtimet dhe përjetimet, të mirat dhe të këqijat, brengat dhe gëzimet që ka kaluar rëndom në jetën e tij të vështirë, ndoshta profesori parandjen diçka, por mos qoftë e thënë… njeriu i mirë, Mark Vuji, është i fortë, i dashur, njerëzor dhe me shëndet të plotë. Kështu më dukej mua ato çaste, kur ai hodhi shikimin nga Drini plak, bashkëudhëtar për shumë dekada i jetes së tij të mundimshme dhe nisi si përherë rrëfimin me zë baritoni. Unë po përpiqesha të regjistroja në memorjen time të lodhur diçka nga rrëfimet interesante të tij, por ai fliste i shkujdesur dhe tërë emocion me lëvizje dhe plot energji.

Kisha dëshirë të madhe të shkollohesha, -vazhdoi rrëfimin ai, -dhe prindërit ma ushqenin këtë dëshirë, prandaj u regjistrova në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, një shkollë e mesme me tradita pedagogjike, me një trupë të njohur pedagogjike, mjaft e njohur për kohën. Qëndrova këtu rreth katër vjet dhe e përfundova me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht këtu nisi të materializohej pasioni im për studimin e metodave të të nxënit. U mora me studime në fushën e padagogjisë dhe të edukimit, me përsosjen e formave të të mësuarit dhe të procesit edukativ, të cilat praktikoheshin aso kohe në shkollat tona, që i botoja në gazeta dhe buletine të ndryshme. Ishte i varfër, por kishte krijuar një marrëdhenie të mirë më shokët dhe pedagogët, të cilët e patën ndihmuar shumë për të formuar këtë njeri me vlera të padiskutueshme, këtë thesar të kulturës sonë, pjesë e plejadës së intelektualëve më të njohur dhe të nderuar shqiptarë të kohës.

Pa e kuptuar kishim përshkruar tërë bulevardin kryesor të qytetit dhe qëndronim të heshtur para Memorialit të Besëlidhjes së Lezhës. Nata e zhurmshme e këtij meskorriku nuk na bënte më përshtypje. Mua më tërheq rrëfimi i profesorit, rrëfim prej mjeshtri të vërtetë dhe përpiqem të kap çdo detaj të bisedës, për t’i shprehur ndoshta një ditë përmes rreshtave dhe për t’ua paraqitur me krenari brezave të ardhshëm, ndonëse profesori nuk e kishte atë qëllim. Qëndronte stoik atë mbrëmje të nxehtë korriku dhe përshëndeste plot mirësi dhe gjallëri njerëzit që shetisnin të qetë në bulevard. Të gjithë e njohin mësuesin e nderuar, punëtorë, intelektualë, mësues, mjekë, pushtetarë dhe politikanë, shumica ish nxënës të tij, për formimin e të cilëve profesori kishte kontribuar jo pak.

Rrjedha e bisedës merr drejtim tjetër, sepse toni i zërit të profesorit ndryshon dhe tingujt bëhen më mallëngjyes. Aty nga viti 1947, familjen tonë e godet një fatkeqësi e rëndë. Na vdes babai, kur unë, si djali më i madh i familjes, isha vetëm 17 vjeç, ndërsa vëllai, Ndoci dhe motra Maria ishin më të vegjël. E përjetova mjaft dhimbshëm humbjen e tij, sepse na la të vegjël, në kushte ekonomike mjaft të vështira, me nënën të pa punë, por një prind me vlera dhe e zonja, entuziaste dhe njeri me vullnet të hekurt. Ishte pikërisht ajo iniciatorja që unë të vazhdoja të arsimohesha, madje edhe motrën e vogël Marien – sot bashkëshorte e etnologut të njohur prof. dr. Mark Tirta, e dërgoi në shkollë dhe ajo përfundoi shkollën për mësuesi.

Në vitin 1949, pas mbarimit të shkollës së mesme, më emëruan mësues në shkollën e mesme të qytetit të Shkodrës “Salo Halili”, punë të cilën e mora me shumë dëshirë. Iu përkushtova detyrës me shumë pasion dhe krijova një personalitet të mirë në këtë shkollë. Aso kohe nuk pati universitet në vendin tonë, pasi ai u hap në vitin 1957, kështu që mua m’u desh t’i shtrohesha punës së mësuesisë. Isha i ri dhe mund të përballoja me sukses vështirësitë që më dilnin përpara, por shpesh ata janë edhe të papërballueshme. Këtu profesori ndalon, fshin djersët dhe kërkon të bëjë pak pushim. Fresku i mbrëmjes, që feks jo rrallë nën luginën e Drinit, sikur i ka dhënë energji, prandaj vazhdon të më sqarojë…

Pas një viti më transferojnë në një fshat të rrethit të Matit, ku punova rreth një vit në një shkollë fshati të harruar, me katër klasë kolektive. Shkollë e vogël, por me probleme të mëdha. U përpoqa t’ja ndryshoja formën dhe përmbajtjen, por pas një viti më rikthejnë përsëri në shkollën “Dedë Gjo Luli”, pikërisht në fshatin tim të lindjes. U ndjeva i çliruar dhe njëherit krenar, sepse do të shërbeja në një vend ku kisha shumë detyrime dhe fillova punën plot pasion dhe dëshirë për të ndryshuar diçka, por pak kohë punova, sepse marsi i vitit 1953 më gjeti në shkollën e fshatit Mes, në Postribë të Shkodrës.

Kishte kaluar ora 21 e mbrëmjes dhe ne të dy vazhdonim të qetë shëtitjen në bulevardin kryesor të qytetit. Për mua ishte një nga shëtitjet më të pazakonta, sepse ai korife i pedagogjisë shqiptare, njeriu me vlera të rëndësishme shoqërore, Mësuesi i Popullit, po më rrëfente gjithë ndjenjë dhe sinqeritet jetën e tij. Jo se unë nuk dija diçka nga jeta e tij, sepse e kisha lexuar kohë më parë nga libri monografik i Prof. Qazim Dushkut “Mësuesi i mësuesve”, botuar në vitin 2006, por treguar me aq emocion dhe dhimbje nga koha e tij në prag të 85 vjetorit të lindjes, tingëllon disi ndryshe.

E shoh se profesori është lodhur dhe i propozoj  të pimë një kafe. Pranon me kënaqësi, me kusht që ta paguante ai dhe biseda të vazhdonte. Ulemi dhe ndërkohë ai vazhdon… Rreth vitit 1956, kërkova të hapej një shkollë e re në Dragaç, po në rrethina të Mesit. Kërkesa ime u pa e arsyeshme dhe mua më emëruan drejtor të saj. Ishte shkollë 7 vjeçare, me shumë nxënës, të etur për arsim dhe dije, prandaj donte shumë punë dhe djersë për të formuar fizionominë e një institucioni arsimor. Iu përkushtova detyrës me guxim që të ndërtoja një shkollë me vizion, të bukur dhe me nivel pedagogjik, po për ironi të fatit, pas pak muajsh, më thirrën për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ishte viti 1957, vit kur do të hapte dyert i pari institucion i lartë në vendin tonë. Ndërkohë, pas hapjes së Universitetit Shtetëror të Tiranës, fillova studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letersisë shqipe, të cilin e pata perfunduar me rezultate të shkelqyera.

Këtu profesori pushon një çast, më sheh me ngulm dhe buzëqesh. Unë e shoh me vëmendje e çuditem si ndryshon herë pas here mimika e tij. E them këtë, sepse profesor Mark Vuji njihet si intelektual me karakter të fortë, si studiues skrupuloz, si njeri me vlera të mëdha intelektuale, por le të themi hapur, ka munguar vlerësimi për të. Ai jetonte në një apartament të thjeshtë në qytetin e Lezhës, si njeri i zakonshëm, me një pension të thjeshtë mësuesi. Asuksh nuk u kujtua që të propozonte që profesorit të nderuar t’i akordohej një pension suplementar. Megjithatë shpesh ndjehej komod në punën e tij studimore, në shtëpinë  e tij të vogël, mes librave të tij të shumta, mes shokëve dhe miqve të shumtë dhe mes ideve të tij të qarta dhe shkencore në fushën e edukimit dhe dijes. E kam të domosdoshme të bisedoj me të, prandaj megjithse e shoh shumë të lodhur, detyrohem që herë pas here të shtroj probleme të ndryshme.

Nuk lodhem unë duke folur për tema të tilla - më thotë,- sepse duket se këtu merr kthesë pozicioni im, sepse nga mësues me emërojnë drejtor shkolle. Një pozicion tepër i vështirë, të cilit i kushtova rreth 40 vjet të jetës sime. Në fillim më emruan në shkollën “Sherif Haxhia” në qytetin e Koplikut, pastaj në vitin 1957, më transferuan në qytetin e Lezhës, ku më emëruan drejtor në Gjimnazin “Hydajet Lezha”, ku kam punuar për 30 vite me radhë, madje aty kam dalë edhe në pension. Kam kujtime të bukura nga puna në atë institucion arsimor. Me këtë shkollë lidhen shumë momente të bukura të jetës sime, aty njoha Bukurien, bashkëshorten time, aty nisa të shkruaj, madje edhe t’i përkushtohesha shkencës së pedagogjisë, aty jam vlerësuar për punën e bërë në fushën e arsimit dhe të edukimit.

Kisha vënë re se kur fliste për kolegët, profesori emocionohej, i vlerësonte, shpesh bënte edhe një CV të shkurtër të tyre, prandaj m’u desh ta çoja biseden tek ish kolegët e tij. Mësuesi i nderuar buzëqesh dhe plot entuziazëm të flet me superlativa për ish kolegët dhe shokët e tij: Col Dizdari, Antoneta Ristani, Valdet Belishova, Naim Dervishi, Gjon Simoni, Nush Radovani, Agim Malen, Tonin Çobanin Bukurie Kovaçi Shpresa Bushati Ibrahim Feriazaj Lekë Miraj etj ., pa të cilët do të ishte e pamundur të ndërtohej një institucion me vlera bashkëkohore siç është sot shkolla e mesme e qytetit të Lezhës. Edhe pse jam në pension,-shton profesori,-shpesh vete tek kolektivi pedagogjik i këtij gjimnazi dhe diskutoj me ta për probleme të ndryshme që shqetësojnë shkollën tonë, sepse kam kaluar aty rreth tre dekada të jetes sime në atë shkollë, më kanë respektuar dhe i kam dashur gjithmonë.

Ish nxënësi, kolegu dhe miku im, Prof. As. Dr. Qazim Dushku ka qenë për mua bashkëpunëtori, mbështetësi dhe kritiku im i përhershëm. Kemi jetuar kaq kohë së bashku, duke diskutuar, shkëmbyer ide e mendime lidhur me didaktiken, me punën dhe vështirësitë e mësuesve, me komunikimin dhe përmirësimin e punës me fëmijët etj. Edhe kur nuk kishim mundësi të takoheshim së bashku, më merrte në telefon dhe nga telefoni kemi hedhur shumë ide në tryezën e punës tonë. Është shumë skrupuloz dhe shumë punëtor. Ti Fran, Qazimi, Erzeni dhe Ndue Dragusha më keni qëndruar shumë afër gjatë të gjithë kohës. Nuk e di se si mund t’iu falënderoj, por ju vlerësoj shumë. Pastaj heshti, qëndroi pak sekonda duke më shikuar dhe vazhduam ecjen.

Profesor Marku njihet si një nga studiuesit më në zë të fushës së të nxënit, të metodave të mësimdhënies si dhe të historisë së zhvillimit të mendimit pedagogjik shqiptar. Është konsideruar nga specialistët si një nga studiuesit më aktivë në përpunimin dhe praktikimin e metodave të mësimit dhe të edukimit, prandaj me takt më duhet të diskutoj me profesorin rreth këtij problemi që  vazhdon ta shqetësojë arsimin tonë.

Ora më dukej se ecte me shpejtësi dhe rrugët e qytetit të Lezhës kishin nisur të boshatiseshin, por profesori nuk ndjente lodhje. Vazhdonte të diskutonte me entuziazëm, i përhumbur në thellësi të viteve dhe diskutonte si një kompetent i vërtetë rreth problematikave që ka arsimi ynë sot.

Kam shkruar shumë artikuj studimorë për punën me nxënësit dhe përsosjen e metodave të mësimit dhe të edukimit, -më thotë mendueshëm, -që për kohën patën vlera, por sot kohët kanë ndryshuar. Integrimi në familjen e madhe europiane kërkon që edhe arsimi ynë të ecë me hapin e shkencës arsimore europiane, të mbështetemi tek eksperiencat më të përparuara të tyre. Studimet shkencore, për të cilat kishte nevojë më teper se kurrë shkolla jonë, i botoja në revistën “Arsimi Popullor” dhe buletinet e ndryshme që nxirrte aso kohe Ministria e Arsimit, më pas nuk heshta, por botova një seri artikujsh studimorë në “Revistën Pedagogjike”, gazetën “Mësuesi”, ”Bashkimi”, ”Koha Jonë” si dhe shumë buletine të karakterit pedagogjik, por këtë pune të dokumentuar ndër vite e kam konkretizuar me botimin e tre veprave të karakterit studimor, iniciuar nga Akademia e Edukimit, si: “Filozofia arsimore e akademikut Gjergj Fishta”, botuar në vitin 2008, ”Vetëvlerësimi mësimor”, botuar në vitin 2012 dhe “Vizioni mësimor”, botuar këtë vit, megjithatë më duhet të saktësoj se gjatë gjithë kësaj kohe kam shkruar vetëm dhe me bashkautorë rreth 12 vepra studimore të fushës së arsimit dhe të edukimit, me të cilat mendoj se nuk do ta mbyll veprimtarinë time studimore dhe shkencore në këtë fushë, sepse ndjej se kam ende forca për të shkruar. E kam patur merak të shkruaja një libër për folozofinë arsimore të Fishtës, këtij kolosi, që dha gjithçka për zhvillimin e arsimit në vendin tonë, sepse platforma ku qe mbështetur mësimi dhe edukimi në shkollat françeskane dhe në shkollën e njohur “Illiricum” në Shkodër, ku ishte drejtor Fishta, ishte i njëjtë me platformat që zbatoheshin në shkollat bashkëkohore të Europës Perëndimore. Ndaj libri u prit mjaft mirë nga lexuesit dhe qarqet akademike pedagogjike në vendin tonë.

Pastaj biseda merr kthesë të papritur. Profesorit i qesh fytyra kur flet për krijuesit qe njeh. Janë pasuri kombëtare, -thotë me bindje,-paçka se askush nuk kujdeset për ta. Jam i entusiazmuar, sepse kemi forca krijuese potenciale në të gjitha fushat. Flet papushim për Preç Zogajn, Rudolf Markun, Agim Isakun, Kujtim Dashin etj., të cilët u formuan në shkollën e poezisë lezhjane, ku padyshim më i njohuri qe poeti Ndoc Gjetja, emrin e të cilit e shqipton me emocion dhe lotë në sy.

Pastaj flet përseri për psikologun poet Ndue Dragusha, i cili, thotë profesori, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në bërjen e librave “Vetëvlerësimi Mësimor” dhe “Vizioni Mësimor” me punën e palodhur të tij në kompiutër, me mendime, me disa sugjerime teorike dhe praktike si dhe me pagabueshmërinë e tij gjatë të shkruarit, sistemuarit të materialit dhe faqosjen e këtyre librave. Ai njeri i palodhur ka shumë vlera. Parathënia që i ka bërë librit tim të fundit, “Vizioni Mësimor” është vërtetë një ekstrat shkencor dhe vlerësim i madh për mua.

Flet për studiuesin e njohur Vlash Prendi, veprën e të cilit e vlerëson shumë, për Ndue Dedajn dhe veprën e tij, për Gjergj Shytin, Gjovalin Gjeloshin, Gjon Markun etj. E njeh veprimtarinë e tyre në detaje, bisedon me ta, i uron, i kritikon, u sugjeron tematika për të shkruar në të ardhmen, shkurt ka krijuar një marrëdhënie tepër shoqërore. Nga ana tjetër, është pesimist në fushën e botimit të veprave. Kemi shumë pak arsimdashës dhe artëdashës, -më thotë, -botohet pak për arësye financimi dhe shpesh edhe pa cilësi. Këtu më duhet ta ndërpres diskutimin tim me profesorin. Vërtetë kalova një pragmbrëmje të gjatë, por tepër të këndshme. E shikoja me vëmendje këtë njeri të jashtëzakonshëm dhe më dukej si një minierë ari e pashfrytëzuar, mallkoja veten nëpër dhëmbë pse nuk kam mundur ta bej një gjë të tillë ditë më parë, megjithatë shpresoja të takohesha edhe herë të tjera me të, që profesori të më mundësonte vazhdimin e diskutimit të mbetur përgjysëm këtë natë të nxehtë korriku. Ishte afruar mesi i natës dhe profesori ndoshta ndjehej i lodhur. E shoqërova mikun tim të mirë deri tek hyrja e shtëpisë. Në apartamentin e tij, në katin e tretë, dritat ishin fikur. Kështu kishte ndodhur atë natë, sepse rëndom nuk ndodhte kështu kur profesori ndodhej në shtëpi. U përshëndetëm përzemërsisht dhe u ndamë me premtimin se netë të tilla do të kalonim sërish bashkë. Ishim ndarë me profesorin atë natë korriku të vitit 2015, pa e kuptuar se nuk do të takoheshim më kurrë. Në mëngjes trokita përsëri në derën e shtëpisë së tij. Askush nuk e hapi, nuk ndjeva asnjë lëvizje. Mendova se mund të ishte larguar për tek e motra në Tiranë, lëvizje të cilën e bënte shpesh. Maria, e motra ishte gjithmonë e preokupuar dhe kishte vendosur që, pikërisht atë ditë, edhe pse ai kundërshtonte vazhdimisht, ta merrte dhe jashtë dëshirës  së tij në shtëpinë e saj. Po ne mëngjezin e kësaj dite, më njoftuan se profesori kishte ndërruar jetë aty në atë apartamentin e tij të vogël, mes librave, në katin e tretë. U trondita, më erdhi shumë keq dhe shkreha në lotë me kujtime përzier. U zgjuan organet e pushtetit dhe qeverisjes vendore për ta nderuar “Mësuesin e Popullit”, por tani ishte vonë, teper vonë. Profesor Mark Vuji nuk jetonte më. Ai duhej të ishte nderuar dhe respektuar sa ishte gjallë. Në fakt, ne e kemi bërë traditë që të kujtohemi për njerëzit me vlera kombëtare dhe kontribute shoqërore vetëm kur ata të mos jenë më. Kjo është e pafalshme, koha do të na gjykojë. Megjithatë, duke patur parasysh vlerat shumëdimensionale të profesorit, veprën e tij të vyer, mendoj se shtëpia e tij, atje në atë apartamentin e thjeshtë, në katin e tretë, në qytetin e bukur të Lezhës, ku qëndron e heshtur një bibliotekë nga më të pasurat në vend, duhet të kthehet në SHTËPI MUZE nga Bashkia e qytetit, për të nderuar jeten dhe veprën e këtij njeriu të madh të kombit tonë. Njëherit do të ishte në nderin e organeve kompetente shtetërore dhënia e titullit të merituar “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e dhënë në edukimin e brezave dhe veprën e tij të paharruar. Profesor Mark Vuji do të kujtohet ndër breza përmes figurës së tij të ndritur dhe veprës madhështore që i la shkollës shqiptare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora