E shtune, 27.04.2024, 01:14 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Më pak fonde për të pastrehët

E enjte, 26.11.2015, 08:59 PM


Më pak fonde për të pastrehët.

Nga Gëzim Hoxha

Të jesh i pastrehë është me të vërtetë një hall i madh. Pasja e një shtëpie  është kthyer në një ëndërr për shumë e shumë familje. Për  të realizuar këtë ëndërr e  vetmja mundësi që  kanë një pjesë e tyre është marrja e një kredie, e cila sa e mirë aq dhe e keqe është në vetvete. Ajo mbart si çdo gjë tjetër të mirën dhe të keqen. Të mirën sepse e zgjidh në një farë mënyre problemin, të keqen sepse nëse ti nuk mund të shlyesh dot këstin e kredisë t’a marrin shtëpinë dhe paratë e paguara nuk të kthehen më.

Kaq për ata  që për momentin e kanë një punë dhe që mund të marrin një kredi, po për ato grupe që nuk e kanë një të tillë dhe që nuk mund të marrin një kredi. Fjala është për romët, egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara etj. Për ta si i bëhet?

Të dhënat e një studimi të ndërmarrë nga UNDP, tregojnë një numër aplikantësh gjatë periudhës 2005-2014 për të gjitha programet e strehimit social të barabartë me një shifër 35.0112. Po i njëjti studim tregon se numri i përfituesve në programet e strehimit social gjatë periudhës 2005-2014 është 5.021 , 14,34% e kërkuesve të pastrehë. Kjo është një pamje jo aq rozë dhe ndoshta ka bërë që qeveria të hartojë një strategjia kombëtare për këtë problem, me një horizont planifikimi prej 5 vitesh (2015-2020).

Nëse i referohemi censusit të popullsisë Rome, realizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë 15% e familjeve Rome ose 637 familje jetojnë në kasolle/baraka në kushte krejtësisht të papranueshme. Për 80% të familjeve Rome kushtet në të cilat ato banojnë janë identifikuar si të papërshtatshme. Edhe siguria e banesave të tyre nuk është më e mira e mundshme, pasi ka të dhëna se  68% e familjeve rome karakterizohen nga pasiguria e aksesit në banesë prej të cilëve: 29% e tyre nuk janë të pajisura me dokumente dhe që nuk janë përfshirë në procesin e legalizimit; 6% janë në pronësi të njësive të qeverisjes vendore; pothuajse 18% jetojnë në banesa të të tjerëve, ndërsa vetëm 15% deklarojnë se jetojnë në banesa për të cilat ka nisur procesi i legalizimit.

Gjeografia e të pastrehëve ka një përhapje të gjerë në shkallë vendi, po më problematike është gjendja e tyre në  Fushë-Krujë, Roskovec, Lushnje, Gjirokastër, Rrogozhinë, Tiranë, Kavajë dhe disa zona rurale të rretheve Fier, Lushnje dhe Vlorë. Pjesa më e madhe e familjeve Rome jeton në banesa të vogla dhe nuk disponon sipërfaqen e nevojshme për banim, 46% e familjeve ose rreth 2000 familje jetojnë në një banesë me një dhomë, 33% jetojnë në një hapësirë me 2 dhoma ndërsa rreth 16% jetojnë në një hapësirë me 3 dhoma.

Ndërsa për strehimin e personave me aftësi të kufizuara nuk ka të dhëna të sakta që prej vitit 2006. Përveç çështjeve që i ceka edhe më lartë për këtë shtresë problem disi i zgjidhur është pajisja e apartamenteve të reja me ashensor dhe rampa, ndërsa për pajisjen e pallateve të vjetra me to, për të mos thënë i pamundur, zgjidhja e tij duket shumë i largët.

Vitin e kaluar nga projektet e realizuara nga qeveria Shqiptare kanë përfituar direkt 22 familje Rome në Komunën Savër-Lushnje, 8 familje Egjyptiane në Përmet dhe 24 familje Egjyptiane dhe Rome në Komunën Otllak. Ndërsa për 2015-ën objektivi është të përmirësojë kushtet e banimit për rreth 171 familje Rome dhe Egjyptiane. Në 6 mujorin e parë ka përfunduar ndërtimi i banesave dhe kanë përfituar 89 familje në Lushnje, Përmet, Elbasan dhe komuna Lumas.Në para këto shifra përkthehen në  një shpenzim prej 49.7 milion lekë (355,000 Euro) ose 55.3% e fondit të planifikuar. Fondi i alokuar deri tani për këto 4 qytete është rreth 53,1milionë lekë (ose 379,286 Euro). Projekti vijon në Rrogozhinë, Komuna Otllak dhe Qarkun Vlorë.

Ajo që është bërë deri tani duhet përshendetur, por ajo që duhet thënë është në strategjinë e sipër  përmendur planifikohet jo rritje por ulje fondesh të buxheuara. Më konkretisht aty shihet se Buxheti për MZHU planifikohet me rënie për vitet 2017 dhe 2018. Kështu vihet re se kjo rënie sa vjen dhe thellohet. Për vitin 2014 buxheti i MZHUT ka qënë i lartë, për arsye të alokimeve që u bënë nga buxheti i shtetit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për pagesën e subvencioneve të interesave të kredive. Për vitin 2018 buxheti i MZHU planifikohet 13% më i ulët se në vitin 2015, ai ulet në masën 10.5.% në vitin 2017 krahasuar me 2016 dhe 12.6% në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017. Dhe kjo rënie shkon për të gjitha produktet e strehimit social si: banesa të komunitetit Rom dhe egjyptianë të përmirësuara, rikonstruksionin e banesave, pajisje me hidrosanitare, ndërtime të reja, rehabilitimi i banesave në bashkëpronësi, kredi të lehtësuar, qira financiare për familjet të cilave iu prishën banesat nga ndërtimet publike dhe banesat sociale.

Në një kohë që nga viti i fundit kur është bërë CENSUS-i, rezulton që 22 për qind e apartamenteve janë të pabanuara, (në 2001 ky raport ishte 11.3 për qind e tregut, sipas Ndërtuesve të Shqipërisë), rezulton se stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 12 mijë apartamente, e barabartë me një vlerë e ngurtësuar prej mbi 300 milionë eurosh, do të ishte mirë shtimi i një produkti të ri në listën e produkteve të strehimit social. Këto janë të dhëna të vitit të kaluar, pa marrë në konsideratë lejet e dhëna për muajt e parë të vitit 2015. Në Tiranë vitin e kaluar numëroheshin 5000 apartamente ende të pashitur. Edhe sikur këto apartamente të bliheshin nga MZHU –ja dhe t’i shpërndaheshin të pastrehëve përsëri do të duheshin të ndërtoheshin edhe një herë kaq. Por nëse kjo do të shikohej si mundësi nga qeveria me një çmim të barabartë me koston e ndërtimit të tyre ose dhe duke përfshirë një normë minimale fitimi do të bënte të mundur zhbllokimin e disa qindra million eurove dhe do të zvogëlonte ndjeshëm numrin e tyre. Rihedhja e tyre në ekonomi do të sillte vetëm të mira për këtë vend. Kjo do të kërkonte vullnet politik dhe negociata të gjata.

Nuk e di se si e kanë menduar hartuesit e kësaj strategjie zgjidhjen e probemit të strehimit, por me këto ritme strehimi që tregojnë statistikat dhe me këtë shkurtim fondesh të buxhetuara ndoshta zgjidhja përfundimtare e tij do të donte edhe shumë vite të tjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora