E premte, 26.04.2024, 08:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Libri i librave në fokus

E premte, 06.11.2015, 08:44 PM


LIBRI I LIBRAVE NË FOKUS

Sejdi Harka: “MODERNËT E KOHËS”, analiza letrare,  ese, portrete, botoi SHB “Edlora”, -Tiranë, 2015

Nga Xheladin MJEKU

Sejdo Harka (1949) sjell vlera të lakmuara me punën e tij plot përkushtim, duke i dhuruar opinionit të tij lexues një vepër sa voluminoze, poaq edhe të realizuar tematikisht dhe të përfaqësuar botërisht me emra të përveçëm dhe meritor. Ky është synimi i autorit, që mund të konsiderohet një projekt i qëlluar dhe mjaft i vlefshëm për shtresa të ndryshme krijuesish, studiuesish e lexuesish.

Përmbledhja voluminoze me analiza letrare, portrete dhe ese “Modernët e kohës”, që sjell Sejdo Harka synon të përmbush një zbrastësirë shkrimesh të kësaj natyre, që  edhepse ka ende interesim për trajtim të këtyre temave, me vështirësi arrihet diçka që  mund të konsiderohet vlerë e mirëfilltë dhe e interesimeve të kategorive të ndryshme studiuesish e dashamirësh të këtyre krijimeve. Viron Kona, në një analizë kësaj përmbledhjeje të Sejdo Harkos ndër të tjera thotë: “Në kopertinë bie menjëherë në sy një kornizë bosh. Letërsia dhe arti kështu e kanë, duhet të vrasësh pakëz mendjen, që ta kapësh mendimin apo mesazhin që kërkon të përcjell autori”. Vërtetë kjo kornizë është simbolikë e asaj çka ka futur në orbitën e tij prej analisti autori, duke dëshmuar për kujdesin në përzgjedhjen e autorëve dhe librave që shqyrton.

Shkrimi si frymëzim dhe gjetje tematike

Kur lexohet një libër, krijohet një mendim rreth asaj që prezantohet aty, por kur lexohet Libri i librave? Atëherë është diçka tjetër, sepse ka të bëj me shumësinë e autorëve që takon aty, si krijues dhe si shqyrtim krijimeve të tyre. Kjo mbase edhe është çështja që takojmë në librin e Sejdo Haskos “Modernët e kohës” me  pesëdhjetë njësi të analizuara të krijimtarisë së autorëve të ndryshëm, me portretizime krijuesish dhe ese për personalitete të veçuara.

Pas fjalës hyrëse si parathënie me titull: “Libër me interes për lexues të ndryshëm dhe me këndvështrime të veçanta”, shkruar me pedantëri nga Bardhyl Xhama, ku veç tjerash shprehet: “Në tërësi, mendoj se ky botim i ri ngërthen vlera të shumanshme, si për masën e gjerë të lexuesve të interesuar, por sidomos për mësues e pedagogë të letërsisë dhe për studentë të degëve, që përgatiten për mësuesinë”, vazhdojnë njëra pas tjetrës shkrimet e përmbledhura në libër, si analiza, shqyrtime letrare, ese, portrete krijuesish e figurash emblematike të kulturës, duke u sistemuar në tri pjesë: “Analiza dhe shënime letrare”, “Portrete” dhe “Esse”.

“Analiza dhe shënime letrare” gjejmë të trajtuara dyzet njësi letrare nga  autorë shqiptar dhe botëror periudhash dhe vendesh të ndryshme, disa prej të cilëve po përmendim, çoftë si emra të njohur, çoftë për kohën në të cilën krijuan, ndër të cilët veçojmë: Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ben Blushi, Diana Çuli, Visar Zhiti, Bashkim Hoxha, e ndonjë tjetër, për të sjellur këtu edhe shkrime për emra të njohur botëror, si Esenini, iranianin Rumiu, italianin Roberto Savjano; pastaj shkrime për poezinë moderne perse, për lirikat e dashurisë së  sulltanëve, që është një vepër shumë interesante dhe e veçantë, të cilën lexuesi ynë nuk do ta ketë njohur më parë, por fal angazhimit të krijuesit e përkthyesit, tashmë të ndjerë, Riza Lahi, i vjen dhuratë. Këtu kemi një analizë shumë prestigjioze nga Sejdo Harka, ku zbërthen vlerat që sjell ky libër, për të kuptuar edhe anën tjetër të jetës së Sulltanëve, përveç asaj që quhej sundim, kokëprerje, tmerr, etj. “Lirikat e Sulltanëve, në të vërtetë, janë shpërthime spontane, që herë të ngjajnë me lirikat popullore e herë  të çojnë në gjurmët e lirikave të ngrohta e tepër brilante të Sadiut të papërsëritshëm” (fq. 34).

Padyshim se autori nuk është mjaftuar me kaq, po ka gjurmuar thesareve të pafund të krijuesve të shumtë, duke sjellur vlera e arritje të reja me veprat e tyre, për t’i shqyrtuar me kujdes këto arritje të reja. Vështirë se mund të tejkalohet diçka pa u lexuar e pa iu shkëputur nektari që rrjedh nga pena e mprehtë mjeshtërore e Harkos, por natyrshëm është që edhe në mes të më të bukurave të veçhet diçka, që mund të rrezatoj më shumë, të pushtoj shpirtërisht me temën a bukurinë e realizimit të ngjarjes. Në këtë kontekst do të veçoheshin disa prej shkrimeve, që vijnë rrëmbyeshëm në kujtesën e lexuesit. Të këtilla, si: “Marrëzitë e kohës, në humorin e Dritëro Agollit” dhe “Dritëro Agolli “I përndjekuri i dashurisë” që e sjellin Dritëroin të ri e të frytshëm edhe më, për ta kënaqur kërshërinë e lexuesit, sidomos me lirikat perla të dashurisë. Edhe shkrimet tjera, si: “Engjëj të armatosur”, pastaj studimi “Arkmorte diktatorësh” për romanin ”Funerali i fundmë”, të Visar Zhitit, etj. shquhen për vlerat e tyre, që paraqesin botën imagjinative dhe realen e shtjelluar, duke u trajtuar me kujdes edhe këtu. Vlen të veçohet edhe analizimi i dy librave të Prof. Murat Gecajt, studiues dhe publicist i dëshmuar, të cilat shquhen për veçantitë e tyre; njëra monografi për doajenin e letërsisë për fëmijë, me titull prezantues “Bedri Dedja në kujtesën tonë”, duke mbledhur brenda kopertinave të saj mbi dyzetë krijues, analistë, studiues dhe miq e bashkëpunëtor të Dedjes, për të krijuar një një pasqyrë reale të “Bedri Dedjes, personalitet i letrave shqipe”. Edhe “Dorela” e tij vjen e veçantë si realizim letraro-publicistik, edhe si shkrim recensional “Ura, që lidhin breza” nga Sejdo Harka, duke i dhënë vend meritor Murat Gecajt, kurse lexuesit një mundësi më shumë të njoh vlera të pakontestueshme dhe prurje që dëshirohen edhe nga studiues e adhurues të këtyre veprave tematike.

Portrete që trandin historinë

Paksa i rrëmbyeshëm ky nëntitull, por prezantues i denjë, gjithësesi.

Asnjëherë  nuk mjafton veç të thuhen gjërat përciptazi, por të preken në esencë, të trajtohen me gjuhën e argumenteve dhe të bëhen publike vlerat. Sejdo Harka edhe në pjesën e dytë të këtij libri sjell emra të veçantë për nga veprimtaria e tyre dhe në këtë mënyrë e pasuron edhe më, duke i afruar lexuesit dëshmi të reja për një kohë të ikur, kur personalitete të fushave të ndryshme historike, politike, diplomatike apo kulturore kishin edhe anën tjetër të vështirësive jetike dhe përballjes me diktaturën moniste, deri në sakrifikicë. “Naxhije Dume, Ministrja e parë shqiptare që u persekutua tërë jetën” është shkrimi më bindës për këtë që theksova më lart. Kjo figurë politike për vite të tëra iu nënshtrua persekutimeve të një pushteti, duke u përballur me shumë vështirësi që ia krijuan, deri në arrestimin dhe dëbimin e saj nga të gjitha aktivitetet dhe internimin e pamëshirshëm. Naxhije Dume kalon një jetë plot sfida, prej pjesëmarrjes aktive në luftën për çlirimin e atdheut, në angazhimin e pandalur në organizimin e jetës institucionale pas Luftës Nacionalçlirimtare, për të pasuar pastaj dënimie të rënda  dhe persekutimi i saj nga sistemi monist, me akuzat “se gjoja po i jepja arsimit drejtim projugosllav dhe antisovjetik!”, (fq. 249). “Gjatë luftës dhe punës ajo ka marrë disa dekorata, si “Urdhëri i Flamurit”, “Urdhëri i  lirisë”, “Urdhëri i Trimërisë”, “Medalja e Kujtimit”, “Medalja e Trimërisë” e “Medalja e Çlirimit”, të cilat për arsye të qendrimeve të saj politike, i janë hequr padrejtësisht. Por meritat e saj të luftës për liri dhe të punës ndërtimtare nuk mund t’i mohojë askush”, (fq. 250).

Edhe shkrimi tjetër “Thoma Deliana, Ministri që guxoi të kundërshtonte Mehmet Shehun” zgjon kurreshtjen e lexuesit për rëndësinë e faktografisë që takon aty. Portretizimi i disa emrave tjerë, si publicistin e studiuesin Murat Gecaj, Mësuesin e merituar Bardhyl Xhama, Skënder Haskon e palodhshëm, që ia kushtoi një jetë të tërë jetës kulturore dhe letrare, duke e mbyllur këtë kapitull me njërin ndër më meritorët, Viron Konën, publicist, studiues dhe autor të mbi 30 librave nga letërsia për fëmijë, publicistika, monografi, etj.

Ndërsa në pjesën e tretë, që përmban gjithsej tri ese: “A është çliruar Prometeu?”, “Laookontët” rrinë me yje” dhe “Tej kufijëve të legjendës”, secili në frymën e ngjarjeve të veçanta vijnë të analizuara në mënyrë mjaft koncize nga autori, i cili ka pikasur ngjarje tepër të ndieshme në kohë e raste të veçanta. Kështu, si përmbyllje e kuptimit të eseut “A është çliruar Prometeu?”, vetë Prometeu nuk do ta kuptonte se cila është rruga më e mirë e tij, ta ndjek rrugën e zjarrit, apo ta ndihmoi njerëzimin në daljen nga ajo flakë e pafund, e cila kishte mbërthyer gjithë vendin, ku digjej e piqej gjithçka pa ndonjë arsye a shkak, ku “Zeusët” dhe “idhujt” filluan të bijnë nga apostujt”, (fq. 285). Mjaft interesante janë edhe dy eset tjera, që prekin temën e aktualiteteve të jetuara e përjetuara, duke i ilustruar me figura e shembuj nga mitologjia, që e bëjnë më të besueshëm mendimin e autorit të këtyre shkrimeve, ku spikat realizimi mjeshtëror i tij, si njohës dhe përjetues i drejtpërdrejtë i ngjarjeve që trajton.

Mbresa dhe vlera

Sejdo Harka me librin “Modernët e kohës” kapërcen rregullat e përkufizimeve kohore, duke gjetur emra e vlera “moderne”, për të sjellur këtu si një bashkësi krijuesish që do t’i shërbejnë studiuesit të vëmendshëm për gjetje e hulumtime të reja gjithandej në fushën e letërsisë dhe shkencave gjuhësore dhe historike. Prandaj, ky libër mund të konsiderohet ndihmesë e mirë për lexues të interesuar, për profesionistë të shkencave pedagogjike dhe të letërsisë, bazuar në vlerat e përmasave të gjëra të njohurive për autor e vepra letrare, për figura e personalitete të shkencës e kulturës, në përgjithësi. Vullneti i fortë për të gjurmuar në fushën e krijimtarisë letrare, të gazetarisë e pedagogjisë, dëshmojnë për kulturën e gjërë arsimore të Harkos. Stili dhe gjuha e kuptueshme dhe e qartë, një trajtim profesional i shkrimeve të tij për autorët dhe krijimet e tyre në poezi, prozë, dramë, ese, etj. e bëjnë shumë tërheqës leximin e këtij libri.  Shumëllojshmëria e gjinive letrare dhe një përfshirje e shumë autorëve që trajtohen, e bëjnë më atraktive dhe të dëshirueshme këtë përmbledhje shkrimesh me analiza letrare, portrete dhe ese, duke analizuar me kujdes vlerat dhe mesazhet që përçojnë tek opinioni artdashës.

“Modernët e kohës” sjell numër të konsideruar krijuesish të përzgjedhur me kujdes nga Sejdo Harka, ku pikësynim i tij duhet të jetë një prezantim i një pjese të tyre, që mund të konsiderohen më cilësor në fusha të ndryshme të krijimtarisë së tyre, pavarësisht kohës e vendeve ku veprojnë, duke lënë mundësinë të vazhdohet edhe me emra tjerë në të ardhmen.

Në këtë libër ndër të veçantat, me kritika, analiza letrare, portrete e ese, falë mendimeve estetike, politike dhe prekjes së qështjeve të ndryshme, por të ndieshme për një periudhë kohore të kaluar, ku jeta ishte e rënduar në shumë sfera, si arsimimi, kultura, pastaj jeta sociale dhe raportet ndërnjerëzore, shtjellohen nga një krijues dhe analist me energji të pandalur, i cili sjell eksperiencën e tij prej njohësi të mrekullueshëm të këtyre vetive dhe situatave.

Në librin “Modernëve të kohës” përjetohen mbresa të pashlyera për faktin se gjatë tërë kohës sa lexojmë këto shkrime e analiza na përshkon një thellësi mendimesh, idesh, mesazhe, figuracione dhe portretizime karakteresh të ndryshme. Një begati e këtillë na bën të dëshirojmë edhe takime tjera me tituj të rinjë nga pena dhe mendja e ndritur e Sejdo Harkos, padyshim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora