E shtune, 27.04.2024, 04:48 AM (GMT+1)

Mendime

Bukuroca: Qosja, nga iluminist në një Kuazimodo (4)

E shtune, 15.08.2015, 03:56 PM


Kushdo që guxon të synojë majën, do të takojë në pritë Qosjen!

Nga Lis BUKUROCA

Nëse fetarët e devotshëm meritën për çlirimin e Kosovës do t'i atribuonin zotit, për të degraduar ndihmën humanitare amerikane dhe për ta zhdukur meritën e Rugovës, intervenimin amerikan do ta reduktojë në interesa strategjike amerikane. Aty ku SHBA ka interesa, reagon brenda jave, jo pas gati një dekade. Reagimi i tyre vinte pasi Georg Bushi (plaku) pat caktuar vijën e kuqe dhe Clinton dhe Blair, patën premtuar Rugovës se nuk do të toleronin përsëritjen e Bosnjës. Kosova me dy milionë banorë sa një lagje e Nju Jorkut, jo se nuk u interesonte aq shumë, por ishte thjesht mbajtje e një premtimi dhe një intervenim humanitar. SHBA ishte e gatshme të pajtohej edhe me një autonomi në fillim, sepse nuk kishte interesa ndaj Kosovës: as strategjike, as politike. Nuk duhet shtuar këtu asnjë fjalë për imazhin e Kosovës në Perëndim në kohën e Rugovës dhe për imazhin e Kosovës sot.

Ai do ta përqafojë dhe falënderojë edhe patriotin helen Janutallos, që e propozuan patriotët grek për kryetar të Greqisë. Qosja është shëmbëlltyrë e sindromës shqiptare: “Ndërto ditën dhe rrëno natën”.

Në kohën derisa po ndërtohej shteti fisnor në Kosovë, ai do të merret me Sali Berishën, me identitetin shqiptar dhe do ta shpallë lindor vetëm pse islami vjen nga lindja, edhe pse nga lindja vjen edhe krishterimi. Do të flasë për mendësi orientale, edhe pse një mendësi e tillë, nuk ekziston. E vërtetë se shumë popuj orientalë kanë të njëjtin religjion, por aspak e vërtetë se kanë të njëjtën mendësi. Jo vetëm shqiptarët, por krejt Ballkani, kush më shumë e kush më pak, ka mendësi osmane. Turqit dhe arabët nuk kanë të njëjtën mendësi, edhe pse kanë të njëjtën fe. Ai do të arsyetojë dhe kremtojë deklaratën e Erdoganit si pozitive se Kosova është Turqi, e Turqia Kosovë. Ai mendim populist nuk po bënte vërtet miliona turq në shqiptarë, por siç dihet edhe nga takimet e tij me politikanë kosovarë, i pushtuar nga neoosmanizmi, ka për qëllim të rrisë patriotizmin osman dhe shpreson të përfitojë shqiptarë. Kadare kundërshton neoosmanizmin, prandaj përqafon Qosja atë ideologji dhe nuk ka asnjë vërejtje. Turqia na duhet si partner, si mike, por jo si tutore. Kosovën ushtarakisht nuk mund ta mbrojë Turqia, sepse pas vete ka Rusinë. Mbijetesën e Kosovës garanton “Bondsteel” dhe këtu nuk duhet asnjë diskutim, qoftë për fëmijë, qoftë për akademikë.

Nëse hapet zemra e Kadaresë, thotë Alain Bosquet, aty do të gjendet Shqipëria. Krejt vepra e tij ka një temë: Shqipërinë. Ai ka mundur të ikë nga Shqipëria dhe do ta kishte fituar “Çmimin Nobel” në vitet e shtatëdhjeta, kur e propozuan francezët. Po ta kishte bërë, Qosja do ta kishte sharë pse braktisi idhullin e tij, Enverin. Në biseda me intelektual Kadare përmendet dhe ka ngjallur simpati për Shqipërinë si askush tjetër. Në biseda me të huaj përmendet edhe Rugova, por Qosjen jashtë shqiptarëve, pak kush e njeh. Ndoshta e njohin gazetarët e huaj, që shkruajnë kundër Kadaresë dhe mund të citojnë mendime e tij.

Artikuj prozhmues kundër Kadaresë shfaqen gjithmonë verës, pak muaj para se të merret vendimi për “Çmimin Nobel”, edhe atë, tash e disa dekada. Edhe këtë vit ia kanë nisur. Nuk do të ndalen derisa të jepet lajmi për fituesin. Do të ngrihet peshë, do të ngrihet jerm përsëri edhe Qosja.

Qysh si student pata krijuar përshtypjen se Rexhep Qosja nuk duron njeri mbi veten, por i besoja më shumë se të gjithë profetëve së bashku. Ata që kanë lexuar “Morfologjinë e një fushate”, njohin stilin e tij dhe përpjekjet aberrative për të shkokëluar, shkokërdhuar dhe shkokëzuar kundërshtarin. Në publicistikën shqiptare, mirëpo, ofendimi është pjesë e ligjërimit publik, e kulturës, sa dallimi në mes intelektualit të madh dhe rrugaçit të madh, spikatet deri diku vetëm tek përdorimi i gjuhës letrare. Në këtë ligjërim kontribut të madh ka dhënë edhe Qosja. Për ata që përcjellin mendimin qosik, sigurisht dinë se kanë vështirësi për ta mbrojtur nga devijimi i gjykimeve në gjetje të së vërtetës, por kanë vështirësi edhe ta kritikojnë. Ai vazhdimisht do të përsërisë se adhuron të vërtetën, po jo si Platoni të bukurën, të vërtetën dhe të mirën. Qosja në universin e vet na shfaqet si personalitet i dyzuar. Kufijtë në mes njëanshmërisë të pamoralshme dhe etikës janë fluide. Qosja botërisht shprehet se është ateist, por përkulet para salafistëve. Një dijetar i madh në Europë, ateist, nuk mund të imagjinohet me një klerik, Qosja, po. Platoni do të shkruajë apologjinë e tij të famshme për të mbrojtur Sokratin nga ekzekutimi me helm për shkak të religjionit shtetëror – në fakt religjionet sa herë kanë pushtet politik, ose helmojnë, ose vrasin, ose gozhdojnë njerëz, ose djegin në stiva me drunj, ose presin koka - kurse Qosja, do të shkruajë procesverbale kundër Kadaresë dhe bëjë denoncime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në fakt Qosja nuk është ateist, ose ishte i tillë në kohën komuniste kur priste përfitime, por jo sot, kur mbrojtja e teologëve, mund të sjellë përfitime. Siç u ngrit edhe kundër Departamentit të Shtetit Amerikan. Figura e Enver Hoxhës mund të adhurohet nëse mburremi edhe me vrasjet e tij, ose nëse ato i fusim në kllapa, por kjo nuk tregon se po adhurojmë të vërtetën, por gënjeshtrën, dyfytyrësinë, arbitraritetin, ekzekutimin dhe barbarinë. E pse? Enver Hoxha do të vrasë diku 5.000 veta në paqe dhe internojë edhe mijëra tjerë, por Qosja nuk brengoset, nuk e ndjenë tragjedinë e shkaktuar në popull nga egoja e sëmurë e diktatorit për pushtet. Dashuria e tij ndaj Enverit është e çuditshme, e pashpjegueshme. Nuk ka dyshime se Enver Hoxha ka dhënë kontribut të madh, por nuk kas asnjë dyshim se traumatizoi një popull. Në një letër që i adhuruari i Qosjes i dërgonte Stalinit, shkruante se kishte pushkatuar njëzet veta, por se ishte i bindur se fajtori nuk gjendej brenda tyre. Qosja kërkonte burgosjen e Sali Berishës për vrasjen e katër vetave, por Enver Hoxhës i falë licencën për vrasje të shqiptarëve, pse nuk dinin të mendojnë siç priste Enveri apo Qosja prej tyre. Ky nuk është parim etik intelektual. Kjo është bashkëfajësi në krim. Ky është qëndrim qosik. Parim i denjë për një Shantal apo për një Esmerladë.

Rexhep Qosja ka emrin “Korrik”, por ka lindur në qershor. Ka mbiemrin “i pa qime në faqe”, por fytyrën e ka plot. Ai do ta shajë dhe qortojë Kadarenë për miqësinë me diktatorin, por vetes do t'i lejojë Korriku i qershorit, ta quajë Enverin i “admirueshmi im”. Në qytetërimin e sotëm perëndimor, nuk është edhe aq normale të adhurohet vrasësi i tjerëve, në shoqëri fisnore, po, mjafton të mos e ketë pësuar fisi tij, sepse aty jetohet në një periudhë heroike, ku vdekja bëhet sublime dhe krimineli shndërrohet në hero. Në Perëndim nëse politikani vret vetëm një njeri, nuk i falet. Për Qosjen jeta e shqiptarit nuk ka vlerë, vdekja po.

Qosja do të bëhet shkrimtar, por do ta shpërfillë shoqatën e shkrimtarëve dhe do ta gjuajë me gurë nga jashtë, jo ta ndërtojë nga brenda. Ai do të bëhet akademik, do ta bojkotojë Akademinë, jo ta rindërtojë nga brenda, por do ta shajë nga jashtë. Ai do ngatërrojë konceptet mbi tradhtarin sa në Kosovë nuk do të kuptohet më kush ishte tradhtar e kush patriot. Ai do të adhurojë sakrificat e huaja, por vetë do të jetë nën mbrojtjen e Fadil Hoxhës. Ai do të flasë vazhdimisht për burrërinë, vet do të arratiset me fustan. Ai do të shkruajë romane mesatare, por do ta imagjinojë veten si Sartre apo Camus apo si Kadare. Ai do ta adhurojë Enver Hoxhën, por do ta adhurojë edhe Titon. Ai shan njerëzit me stalinist, por vet adhuron stalinistin më të madh në Europë. Ai do të jetë shkrimtar, por pesha tij e madhe do të jetë në publicistikë. Ai nuk do të përpiqet të korrigjojë shoqërinë, por me ide ekstremiste, do ta shkërmoq atë. Ai do të shfaqet edhe homofob tek morfologjia, ku Hysni Hoxhën për shkak zërit të hollë, do ta quajë homoseksual.

Ai do të shajë Ali Podrimjen, Rexhep Ismailin, Hysni Hoxhën e Ferid Aganin. Ai do të mësojë të ruhet urrejtja, edhe pse mendimi filozofik perëndimor, është falja. Fakt është se Kadare vlerësohet si njëri ndër romancierët më të mëdhenj në botë. Me denigrimin e tij nuk janë marrë vetëm mediokritete, por me ekskomunikimin e tij të nivelit histerik është marrë dhe Qosja. Akuzat e tij kanë qenë denigruese, përjashtuese dhe stigmatizuese. Një humanist që ka kritikuar çdo anomali jetësore në Kosovë, që është marrë edhe me gozhdimin e kolegëve duhej të ishte më i vetëdijshëm dhe të kishte parasysh sedrën kombëtar, si gjermanët apo serbet për shembull. Në kohën e Titos Goli Otoku ishte mbushur me shqiptarë dhe në kohën e Titos shqiptarët nuk kishin pasur të drejtë të përdorin as flamurin. Mirëpo, Qosja për të treguar se ishte më i moralshëm se Kadare, do ta shajë Kadarenë për konformizëm, konformizmin e vet me Titon, do ta quajë të drejtë. Ndonjëherë njeriu ka përshtypjen se kemi të bëjmë me një ngucakeq kronik si Arthur Schopenhauer, që nuk ishte përlarë vetëm me qenin e vet.

Në dy dekadat e fundit sa herë i afrohemi “Çmimit Nobel”, një grup shpreson ta fitojë Kadare dhe një tjetër mu në këtë çast nis me shkrimin e aktakuzave. Edhe ky vit është i tillë. Kundërshtarët e Kadaresë dhe armiqtë e letërsisë shqiptare duhet të pushojnë: pas gjithë atyre akuzave të bëra kundër tij, nuk mund të pritet të shpërblehet Kadare, jo pse nuk e meriton në fushën letrare, por se moralisht e kanë dëmtuar. Në maje të gozhduesve dhe denoncuesve, gjendet Rexhep Qosja si Kuazimodo me një zogori, që e ka ushqyer, kultivuar dhe rritur pas vete.

Kadare është nder i çdo letërsie në botë dhe për këtë flasin edhe çmimet letrare që Rexhep Qosjes, as në ëndërr nuk mund t'i shfaqen, e as t'i marrë me mend: disa herë i propozuar për “Çmimin Nobel”, por i penguar edhe nga shqiptarë. Herën e parë nga një ambasador shqiptar në Suedi, më vonë stigmatizimet e Qosjes, ndërsimet e tij dhe lukunia e ndikuar me letra Komitetit në Suedi. Sidoqoftë Kadare është shqiptari i parë anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, ku ka zënë poltronën e filozofit austriako–britanik, Karl Popper. Qosja është anëtar i Akademisë së Kosovës, ku nuk shkon kurrë. Aq e madhe është vlera akademike e saj. Çmimet e Kadaresë: “Prix Mondial Cino Del Duca”, “Man Booker International Prize”, Britani, “Premio Príncipe de Asturias de las Letras”, Spanjë, “Jerusalem Prize”, Izrael dhe më shumë se dyzetë çmime, mirënjohje, tituj tjerë me të cilët mund të mbulohet edhe kulmi i shtëpisë së Rexhep Qosjes dhe të mos pikojë askund. Karakterin e Rexhep Qosjes e përkufizon besueshëm dhe në mënyrë përfshirëse Johannes Brahms: “Dhe në qoftë se kam harruar të fyej dikë, atëherë i lutem të më falë”!  Kushdo që guxon të synojë majën, do ta takojë në rrugë Qosjen hapareshur, ulur galuc, ose në pritë. Mos mendoni se kam pasur kënaqësi për ta shkruar këtë artikull, përkundrazi. Do të dëshiroja ta fitonte Çmimin Nobel edhe Qosja, do ta nderonte letërsinë dhe popullin shqiptar, por për fat të keq, janë shtatëmbëdhjetë tjerë të nivelit të Kadaresë që janë në pritje: Don DeLillo, Haruki Murakami, Milan Kundera, Salman Rushdie, Antonio Tabuçhi etj., që tok me Kadarenë, konsiderohen si pretendentë të përhershëm. Megjithatë, pesha e brendshme kombëtare e Rexhep Qosjes është e madhe dhe nuk mund të kontestohet. Smira, lakmia, mendjemadhësia dhe keqdashja, janë pjesë e universit qosik.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora