E premte, 26.04.2024, 11:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Identiteti shpirtëror

E merkure, 10.06.2015, 08:00 PM


I d e n t i t e t i   s h p i r t ë r o r

Dr Fatmir H. Selimi “Aktivitetet e Qendrës së  Pavararur  Kulturore për Anamoravë:2000-2010”, Gjilan, 2015

Nga Mehmetali Rexhepi

Që më 20 dhjetor të vitit 1999, kur në Teatrin e Gjilanit u shënua ”Dymijë vjetori i krishterimit ndër shqiptarë”, dhe në vijimësi deri më 2010, “Qendra e Pavarur Kulturore për Anamoravë” organizoi, shënoi, përuroi, përkujtoi, shtjelloi përmes veprimtarëve të përkushtuar veprimtari kulturore, të denja për tu mbajtur në mend. Autori i këtij publikimi jetësoi këshillën e urtisë: i marri mban mend, por i mençuri shkruan. Nëpërmjet kësaj kronike, Fatmir H. Selimi përtrolliti përvojën e këshillës së nënvizuar. Në faqet e kronikës për kulturë, ai renditi ndodhitë letrare-artistike, muzikore, folklorike-etnografike, të përshpirtshme, shkencore dhe publicistike. Kështu, i ofroi publikut vlera të identitetit shpirtëror të etnisë e gjeografisë shqiptare. I dha shtytje, ritëm e dinamikë superstrukturës shpirtërore. U shkëmbyen vizita të ndërsjella ansamblesh muzikore, ri zgjohej ndjesa e përkatësisë, pothuajse, të shuar veçanërisht në ecejaket Kosovë-Turqi. U vunë në lëvizje qindra-mijëra këngëtarë, recitues, instrumentistë, valltarë e spektatorë... Dhe të tëra këto përflakje ndjenjash, nuk mund t`i liheshin shoshës së kujtesës!

Periudhës së ndrydhjes dhe të çlirimit të kulturës shqiptare, së fundi iu lejua hapësira të shpërfaqej e lirë, t`i shpalonte të gjitha ngjyrat jashtë censurës ideologjike në Shqipërinë administrative, dhe censurave të shumëfishta të shqiptarëve nën sllavët e jugut.

Kultivimi i lirë, pa diktate dhe imponime, shpalonte faqen tjetër: të ruheshin e fisnikëroheshin veçantitë dhe autoktonia e vlerave shpirtërore, etika  dhe estetika identifikuese e kulturës shqiptare, si thesar në spektrin universal të kulturave; ngase nuk i kishte shpëtuar tërësisht zvetënimit...

Çfarë të bëhej? A meritonte thesari ynë kulturor e shpirtëror t`i lihej stihisë? Assesi. Andaj, duhej të gjendeshin mënyra për ri konceptime për akëcilën  fushë përkatëse të superstrukturës shpirtërore. Pse? Sepse pikërisht këtu plekset identiteti ynë.

Ky vëllim dokumentar i përfaqëson një mori veprimtarësh, përmbledhur gjatë dhjetë vitesh:2000-2010, autori, Fatmir H. Selimi  prej pikës së nisjes të “Aktivitetit të Qendrës së Pavarur Kulturore për Anamoravë”, deri te pika e përmbylljes së kësaj forme të veprimtarive kulturore, brenda 256 faqesh e 175 fotosh, bardhë-zi, sjell shkrime, vështrime, shumësi pamjesh për këtë hapësirë brenda e jashtë përmasave të saj.

Mësymja e Fatmir H. Selimit për nismat e kulturës së pavarur, qoftë të atypëratyshme, ose ndonjëherë euforike, nuk mbeti pa jehonë, as pa fryte. Ai mëtoi që t`i shtrinte fijet e holla, për t`i trashur në diasporën më numerike shqiptare në botë, te ata shqiptarë ende të pa asimiluar gjithandej Turqisë. Mos të harrojmë: këso mësymjesh bëjnë vetëm entuziastët e idealistët, që për kategorinë e indiferentëve cilësohen si aventurierë, përderisa shtresa e një amullie shoqërore do t`i cilësonte dhe si përfitues?!

Këto mësymje shkundnin përgjumjen e institucioneve, dhe Qendra e Pavarur Kulturore u ngrit për të vënë në veprim shumësi fushash kulturore. E motivuar thjeshtë, jo vetëm nga motive të çastit, pa përfitime financiare, pos nga shtytje vullnetare, sfidonte institucionet e brishta të kulturës shtetërore. Ky pohim nuk mëton përbuzje të institucioneve përkatëse, sepse po t`i matnim institucionet aktuale me peshoret e sasisë e të cilësisë kulturore, realiteti do të kishte tingëlluar si një lloj ironie, madje si një satirë e mprehtë.

Gjithë këto larmi lëvizjesh, përurimesh të përshpirtshme të komunitetit shqiptar katolik, paraqitje poetike, artistike e publicistike, që i hasim në këtë kronikë, vënie lidhjesh edhe jashtë etnisë e gjeografisë  shqiptare, kishin shtytje të forta, shtytje të pathyeshme për veprimtari: edhe kur nuk u shtrihej dora e përkrahjes, edhe kur barra e zhgënjimit me peshën e saj të rëndë, lakonte kurrizin e veprimtarit...Veprimtarin”multi-kulturor” të tipit Fatmir H. Selimi, psikologjia e mjedisit nuk pretoi t`i  veshte epitete të shpifura, si  njeri që vardisët, si “lypsarë” e të ngjashme. Me gjithë atë”lypësia” e tij tundte amullinë e vetëdijes kulturore, të pritjes së profesionistëve dhe këndelljes institucionale.

Librin”Aktivitetet e Qendrës së Pavarur Kulturore për Anamoravë”, do të dëshironim ta kishim më të sistemuar, më me pak ekspozime personale të autorit, pa gabime të ndërtimit të kumtimit sipas sintaksës shqipe... Por kjo kronikë e pleksjeve kulturore, shënoi dhe solli ngjarje të realizuara të fushë-shtrirjes të Qendrës  së Pavarur Kulturore: shtatëmbëdhjetë vështrime, qasje për Krishterimin ndër shqiptarë, gërshetimet e fetares me kombëtaren (Don Lush Gjergji); nënvizimin për figurat ikumenike shqiptare: Noli dhe Atenagora. Mandej çështja e vazhdimësisë historike e kishës katolike në Kosovë, “( zh)vendosja e dhunshme e  kishës ortodokse serbe anë e mbanë Kosovës”(Don Shan Zefi); paraqitja me brohoritma e Ipeshkvit Mark Sopi në mjediset muhamedane të Gjilanit dhe të Dardanës; vështrime eseistike e recensione për vepra poetike të Sarë Gjergjit, Nuhi Ismajlit, monografia për Bresalcin e Emrush Sylës dhe Rahime Matoshit; aspekte pedagogjike të Abdylaziz Veselit; zbulimet e Dr Rifat Gjotës; qasje për pozitën e gruas shqiptare nga këndvështrimet e grave; reflektimi i medieve të shkruara për përurimet; përvjetorët e thyerjes së tabuve të krishterimit mes komunitetit  shqiptar mysliman; shfaqje koncertesh të ndërsjella të ansambleve  muzikore: në Gjilan, në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipërinë Perëndimore, në Turqi dhe  në diasporat shqiptare  të Evropës.

Si ambasador  i të tëra këtyre ecejakeve kulturore, dhe strumbullari i nismave të aktiviteteve, të takimeve dhe shkëmbimeve, përmbushjes së tyre dhe, së fundmi bërja e librit të këtillë nga ato ngjarje, ka një kryepersonazh  dhe ky është Fatmir Selimi. Njëkohësisht  ai është shkaktari i ngjeshjes së kësaj lënde spektrale nën kopertina dhe jashtë tyre, pikërisht në këtë mjedis publik të karakterit përurues.

Lexues të nderuar!

Tashmë jemi afër këtij libri, ndokush nën kopertinat e tij, të tjerë jashtë kopertinave, por jemi  këtu, për t`ia çmuar librit gamën e  gjerë të “Aktiviteteve  të Qendrës së Pavarur Kulturore për Anamoravë”, për periudhën kohore të një dhjetëvjetëshi dinamik.

A ka të meta dhe anashkalime të paqëllimta ky libër i kronikës kulturore? Gjithsesi.

A e meritojnë heshtjen gjithë ato ndodhi vullnetesh, gjithë ato sprova, gjithë ajo energji për të bërë kulturë të pavarur? Assesi.

A ka nevojë që për këtë lloj(zhanër) të shkrimit të ketë vëzhgime kritike?

Fushëveprimi i kulturës sonë në këtë kronikë dhe rrjedhave të saj, ka nevojë për tumirje dhe kritikë të shëndosh.

Çfarë  duhet t`i tumirim autorit dhe këtij libri? Për tumirje është misioni i kryer dhe buja, jo vetëm kulturore, hyrja në veprim e kësaj morie veprimtarësh kulturorë, kush më shumë e kush më pak...

Libri i shënimeve të ndodhive kulturore, i shpalimeve shpirtërore, ka nevojë për një çiltërsi kritike ndërtuese, assesi për kritikën rrënuese, të atyre që kurrë nuk marrin përgjegjësi as për kulturë, as për shkencë, as përkitazi identitetit shtet-ndërtues

Andaj, përgëzime  autorit!

Përgëzime në radhë të parë: për vullnetin e pashuar, që të mos shkapërderdheshin ndodhitë  kulturore, por të frymojnë tok me ne, në një vëllim libri, që duke e shfletuar shohim se vërtet paskemi diçka brezave për t`ua dëshmuar!

Dhe ky dhjetëvjetorë i shtjelluar në këtë kronikë, dëshmoi se Gjilani asnjëherë nuk lejoi të mbetej periferia inferiore e shqiptarisë. Përkundrazi. Gjilani diti t`iu jepte kahe madhore rrjedhave shpirtërore, letrare e kombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora