E premte, 26.04.2024, 08:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Elida Buçpapaj: Im atë, poeti Vehbi Skënderi

E marte, 21.04.2015, 07:33 PM


JU TREGOJ PËR TIM ATË, POETIN VEHBI SKËNDERI – ECCE HOMO ISHTE IM ATË –

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave. E të grish vetëm të jetosh pa fund e sosje. Atëher kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme. Ndërsa im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.

Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzierë me aromat e luleve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin e tij poetik përfytyrimet e tij ekstravagante në skulptura poezish.

Në një natë qershori të tillë, të vitit 2005 një dorë kriminale na kishte vrarë kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe dhimbjen prej një absurdi surreal. Sepse është e pamundur të vrasësh një gazetar të ri për ato që shkruan. Vetë vrasja si nocion është e ndaluar. Të presësh një jetë në mes. Por po aq e pamundur dhe e ndaluar është ta mbulosh vrasjen duke heshtur. Të heshtësh je po aq kriminal sa ideuesi i vrasjes dhe ekzekutori. Vrasja e këtij djaloshi ka mbetur ende e pazbardhur. Ai ka mbetur i harruar nga kolegët dhe nga shoqëria që po bëhet çdo ditë edhe më tribale sepse po humb sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën. Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal të drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithësecilit prej nesh. Që të lejon të gjesh shpresë e mundësi për të ndihmuar atë që ka nevojë edhe në kohë të pamundura. Edhe unë vijoj dhe e kërkoj të drejtën si bija e tim eti. Edhe kur më thonë të gjithë se e drejta ka vdekur, unë nuk do të ndalem si për të vijuar jetën e tim eti.

Nata e 12 qershorit 2011 na hutoi e na e mbushi mendjen se jeta triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë familjes së tij. Sot lumturia është kthyer në nonsens ose mision i pamundur. Njerëzit e kërkojnë lumturinë tek paratë, pasuria, makinat dhe vilat. Ndërsa lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Dhe im atë e kishte zgjidhur me kohë këtë rebus. Ose më mirë të them s’ka qenë për të fare një rebus dhe ai gjithnjë e ka ditur. Sepse të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi kriminal, ai u kishte mbijetuar për arsye dhe shkak të familjes që ia kthyente dashurinë me dashuri dhe nuk e tradhtoi kurrë. Krejt ndryshe nga kolegët, që mbetën tregëtarë flamujsh me shpirtëra çakejsh.

Ne i qendruam rreth shtratit natën e 12 qershorit, duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme. Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Ishte i pastër si drita. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e nënës time.

Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se nesër do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së djelës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej me shokët nga kinemaja. Përpara filmit ishte në spital. Kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita. I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën. Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijra përralla që i krijonte për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.

Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon tim më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.

Kishim fjetur pa ëndërra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.

Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij. Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes të tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës. Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje. Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece.

Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë. Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë. Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij.

Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mija, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër. Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.

Si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet e morëm edhe reagimin e tij. Ne u lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.

Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.

Unë po punoja në komputer atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë e i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.

Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se kishte frikë nga vdekja. Por ne nuk na shkonte mendja për atë gjë. Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu lutëm Zotit që vetëm të jetonte. Edhe me depresion. Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë. Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në pranverën e 2011 kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « ata nuk na kishin lënë që ta jetonim jetën tonë». « Ata »ishte regjimi komunist, që identifikohet me emra. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin. Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.

Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.

Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.

Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti. Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë. Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.

Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy. Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për t’a dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua. Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë prej gëzimit e kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët.

(MARRË NGA LIBRI 'DISIDENCË NË TRANZICION' QË ËSHTË NË PROCES BOTIMI) -



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora