E premte, 26.04.2024, 08:29 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Zgjatja e pushtetit të Hashim Thaçit

E hene, 05.01.2015, 07:27 PM


Pas deklarimit të VAN se nuk do ta votojë Gjykatën Speciale

VEPRIMET AUTODESTRUKTIVE TË VAN-it ZGJASIN PUSHTETIN E HASHIM THAÇIT

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Sot që në mëngjes lexova lajmin nga Zëri se “Vetëvendosja”, AAK-ja dhe “Nisma për Kosovën” do të votojnë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ligj të cilin qeveria e Kosovës është e detyruar ta paraqesë brenda pak ditësh në Kuvend për votim. Ishte një lajm skandaloz. Shumë autodestruktiv për VAN. Në favor të kohëzgjatjes së pushtetit të Hashim Thaçit.

Dihet metodologjia që ka përdorur Hashim Thaçi këta tetë vjet ndaj kundërshtarëve politikë. Ai u ka bërë të nëntëdhjetë e nëntat kur thotë populli shqiptar, por më së shumti është përqëndruar në diskreditimin dhe demonizmin e tyre në sytë e ndërkombëtarëve, ndërsa vetë ndaj ndërkombëtarëve në dukje ka mbajtur qëndrim korrekt.

Ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe të gjithë personaliteteve që e kanë kritikuar apo denoncuar, apo ia kanë rrezikuar pushtetin, Hashim Thaçi duke eksploruar metodat që ka përdorur regjimi ish-pushtues dhe regjimet e dala nga diktaturat sovjetike, u ka kundërvënë makinerinë e pushtetit politik, duke përdorur kundër tyre të gjitha maskarallëqet, intrigat, paratë, mediat e kontrolluara, ambasadat e shtetit të Kosovës. Paçka se nuk ka as kapacitete dhe as kompetenca, paçka se ka rreth vetes injorantë dhe analfabetë, paratë kanë mjaftuar.

Prandaj është urgjente për opozitën dhe çdo politikan me integritet të Kosovës që ta sqarojë veten apo partinë për pozitën që mban. Se who is who. Se cili është ai aksh politikan apo ajo aksh forcë politike. Se është pro euro-atlantike, se është pro qeverisjes demokratike, pro shtetit të së drejtës, pro shtetit ligjor, se është kundër korrupsionit dhe çdo lloj krimi të organizuar, se është për zbardhjen e së vërtetës dhe se është po ashtu pro Gjykatës Speciale. S’ka alternativë tjetër.

Ishte qeveria e Hashim Thaçit gjatë mandatit të tij të dytë që e zvarriti votimin e kësaj Gjykate, e cila pritet të vendosë drejtësinë e munguar në Kosovë. Pasi në Kosovë nuk ka drejtësi. Le të fillojmë nga vrasjet politike të pas luftës. Asnjë prej këtyre vrasjeve nuk është e zbardhur. Dhe ky fakt rëndon në integritetin e qeverisjeve të Kosovës dalë pas luftës.

Prandaj është skandaloz deklarimi i VAN-it, se do të votojë kundër themelimit të kësaj Gjykate, pa marrë parasysh se votimi i saj është kërkesë emergjente e faktorit ndërkombëtar dhe për të ardhmen e shtetit demokratik të Kosovës.

Dhe në një farë mënyre i vërteton akuzat demonizuese të Hashim Thaçit kundër tyre. Bile, kësaj here Hashimi s’ka nevojë fare të flasë, sepse faktet flasin vetë.

Dy liderët nga tri partitë opozitare të VAN i kanë provuar burgjet dhe kanë dalë prej tyre të pastër. Atëhere përse dalin kundër kësaj Gjykate. Haradinaj dhe Limaj kanë luftuar vetë për çlirimin e Kosovës. Ata simbolizojnë edhe UÇK dhe ata i kanë larë duart me drejtësinë. Atëherë përse nuk e votojnë ligjin. Përse dëmtojnë imazhin e tyre si politikanë dhe të partisë së tyre. E njëjra gjë vlen edhe për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Pse, kështu rrëzohet aleanca e qoftëlargut midis Hashim Thaçit dhe klanit të Isa Mustafës?! Jo, kështu kjo aleancë zgjatet. Do të zgjatet edhe keqqeverisja, edhe pushteti despotik i Hashim Thaçit. Pas dy mandateve kryeministër, de facto edhe tani ai është kryeministri në hije i Kosovës, duke synuar të marrë për pesë vjet, apo, pse jo, dy mandate edhe postin e presidentit të Kosovës dhe kështu Kosova do të vazhdojë të qeveriset nga një regjim despotik, që rrezikon stabilitetin e gjithë rajonit.

Meqë e kam përkrahur këtë koalicion, VLAN-in, kur pjesë e tij ishte edhe LDK-ja dhe për konsekuencë edhe VAN-in, sepse kam besuar se ky koalicion ka synuar shtetin e së drejtës dhe jo pushtetin, i bëj thirrje që të heqë dorë nga qëndrimet autodestruktiviste, të cilat jo vetëm dëmtojnë imazhin e tyre si liderë dhe politikanë, por dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora