E marte, 30.11.2021, 06:50 AM (GMT)

Kulturë

Sinan Sadiku: Reflektime estetike

E marte, 11.11.2014, 07:35 PM


REFLEKTIME ESTETIKE NGA LIBRI NË LIBËR

Zejnepe Alili – Rexhepi: “Refleksione lirike”- botoi “ARS – ZZ” Tetovë, 2014.

NGA SINAN SADIKU

Zejnepe Alili – Rexhepi tashmë është emër i njohur në letrat shqipe.  Kjo krijuese deri tani lexuesit i është prezantuar me  katër libra me poezi dhe katër të tjerë me studime e kritikë letrare.

Sa i përket strukturës libri “Refleksione lirike”  hapet me fjalën e redaktorit  , krijuesit Hasan Qyqalla, për të vazhduar më pas me vështrimet, analizat,  studimet, interpretimet, vlerësimet, gjithsej 39 punime të autores,  të cilat flasin për një numër edhe më të madh të veprave dhe të autorëve, shumica e të cilave vepra  janë libra me poezi për të rritur ose për fëmijë,  pastaj romane si dhe një libër me tregime. Në pjesën e dytë të librit janë sistemuar punimet që i kanë shkruar të tjerët për veprën e Zejnepes.

Numri i romaneve për të cilat gjejmë punime në libër është dukshëm më i vogël se numri i librave me poezi. Janë gjithsejtë gjashtë romane edhe atë: “Kojrrilat” i Fatmir Terziut, “Vajza e Agamemnonit” i Ismail Kadaresë, “Stina e ujkut” i Ridvan Dibrës, “Të jetosh në ishull” i Ben Blushit, “Përtej perdes gri” i Agron Shelles dhe “Kufiri” i Latif Hajrullahut.  Për disa nga ato romane shkrimet, analizat janë mjaft të gjata dhe gati, gati shteruese, që shkojnë deri në 16 faqe të librit , ndërsa për të tjerat më të shkurtra.  Autorja shkruan për ngjarjen, për shtjellimin e saj , për mjeshtërinë e rrëfimit, për kompozicionin, pastaj shkruan për psikologjinë, shkathtësinë, formimin, idealin dhe synimet e personazheve, për përzgjedhjen e temës, për simbolikën, për paralelizmat dhe analogjitë midis kohëve dhe ngjarjeve, për mesazhin që përçon vepra tek lexuesi etj, gjithnjë duke qenë e vetëdijshme se  një roman i kohës sonë, një roman postmodern karakterizohet nga shumëkuptimësia që ofron mundësi të shumta interpretimi, pa pasur mundësi të evitohen dilemat dhe të jepet interpretimi përfundimtar. Ajo shkruan për tekstin dhe nëntekstin e romanit, për stilin, të veçantën, në disa raste duke e bërë edhe përqasjen me veprat e shkrimtarëve më të njohur botëror siç vepron te romani “Kojrrilat” i F. Terziut te i cili gjen diçka të  Sabatos, Koehlos, Shilerit, Xhojsit etj. Zakonisht ajo flet edhe për vlerën artistike të romanit, në disa raste duke u shpreh qartë dhe prerë e në raste të tjera duke ofruar dhe lënë  dilema të cilat do t`i zgjidh e ardhmja.  Në këto analiza të gjata ka ardhur në shprehje i tërë talenti i autores, njohuritë e saja të shumta nga fusha e letërsisë dhe fushat e tjera të dijes , gjuha e përsosur dhe përdorimi me shkathtësi i shprehjeve dhe nocioneve.  Me një fjalë është dëshmuar aftësia e saj krijuese në fushën e analizës dhe të interpretimit.

E theksova edhe më lart se punimet më të shumta të autores janë shkrime për poezinë, për libra poetik. Derisa shkruan për libra poetik Zejnepja ndalet te çështjet më esenciale të secilit libër si: ndërtimi i vargut, shprehja poetike,  figuracioni, stili, aspekti motivues-tematik, ideja, ngjyrimi emocional, mesazhi, dhe shumë e shumë elemente që lidhen me tekstin dhe nëntekstin poetik. Në disa raste përqendrohet  te përvoja jetësore e poetit, te temperamenti, te vizioni poetik dhe te dromcat biografike të subjektit lirik që shprehen në lirikat e tij. Në raste të tjera shkruan për llojet e ndryshme të lirikës që i kultivon poeti konkret, për figurat konkrete poetike që i ka përzgjedh dhe për çështje të tjera. Të shumtën e rasteve shpreh mendime për vlerën artistike të veprave për të cilat shkruan. Të gjitha këto i argumenton, shpeshherë duke i përzgjedhur me kujdes dhe duke i prezantuar e analizuar vargjet në të cilat mbështetet.

Autorët për librat e të cilëve shkruan janë nga hapësira e gjerë kombëtare dhe nga vendet e ndryshme të botës,  ku jeton dhe krijon diaspora jonë. Ajo shkruan për një vepër  të shkrimtarit më të madh shqiptar, për romanin  “Vajza e Agamemnonit”  të Ismail Kadaresë, për romanin bestseller  “Të jetosh në ishull”    Ben Blushit, pastaj për romanin e njohur  “Stina e ujkut” të Ridvan Dibrës. Këta ishin shkrimtarët më të njohur për veprat e të cilëve shkruan, i pari i afirmuar në suaza botërore, ndërsa dy të tjerët në suaza kombëtare. Në libër gjejmë shkrime edhe për një numër të veprave të shkrimtarëve të cilët kanë krijuar vlera të një niveli të lartë artistik-letrar, falë të cilave vlera tanimë njihen dhe çmohen nga njohësit e letërsisë dhe janë duke i përvetësuar lexuesit për t`ia siguruar vetes vendin e merituar në kuadër të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Fjalën e kam për Agim Maton, Sabit Rrustemin, Fatmir Terziun, Andrea Zarballën  dhe Timo Mërkurin.

Zejnepja ka shkruar pa komplekse për krijimtarinë e  një numri të madh të poetëve dhe poeteshave që nuk janë dhe aq të njohur në suaza kombëtare, duke u përqendruar tek vlerat artistike të poezisë së tyre dhe jo te emri, duke kontribuar kështu në afirmimin e tyre. Mendoj që kjo duhet çmuar në çdo situatë e veçmas në kushtet e sotme  kur kritika letrare lë shumë për të dëshiruar, kur kalojnë thuajse pa u vërejtur vlerat e mirëfillta, ndërsa promovohen vlerat e dyshimta dhe jovlerat. Këto dobësi të kritikës letrare i ka të njohura edhe autorja e librit e cila derisa shkruan për krijimtarinë poetike të Agim Matos konstaton: “Të sigurosh ekzistencën letrare për një vepër vlerash të mirëfillta, nuk është fare e lehtë, veçmas në nënqiellin tonë, ku kritika letrare është e pakonsoliduar akoma dhe joreale në qëndrimin, kundrejt krijuesit”. Për t`i zbutur dobësitë e kritikës letrare, me qëllim që të njihen veprat dhe përmes veprave edhe  autorët tyre, duke i ekspozuar vlerat, është angazhuar edhe autorja e librit në fjalë.

Pjesë shumë  e rëndësishme e  vështrimeve është edhe vlerësimi i veprave për të cilat shkruan. Vlerësimin e gjejmë të jetë i pranishëm thuajse në çdo punim, qoftë kur flitet për vlerën e veprës si tërësi ose të elementeve që e ndërtojnë atë. Autorja është kujdesur që t`i shpërfaq , anët  më të bukura të secilës  vepër, ato që rrezatojnë art. Veprave u është qasur me dashuri dhe dashamirësi, me një butësi të veçantë, duke qenë shumë e kursyer në vërejtje dhe sugjerime. Andaj në libër gjejmë vlerësime shumë të larta për krijimtarinë e poetëve sarandjotë: Agim Mato, Timo Mërkuri, Andrea Zarballa dhe vlerësime të larta për krijimtarinë e kolegëve të tyre bashkëvendës të prezantuar në përzgjedhjen “Kur flasim për Artin Jonian”, të hartuar nga Timo Mërkuri. Vet titulli i punimit “Një vlerë mbi vlerat letrare” tregon për një vlerësim të tillë. Kjo argumentohet edhe më tutje pasi ta lexojmë punimin i cili është shkruar me një përkushtim të veçantë. Autorja e vlerëson lartë edhe krijimtarinë letrare të disa shkrimtarëve të tjerë, e veçmas të Fatmir Terziut. Për romanin e tij “Kojrrilat” shkruan:        “Këtë roman, duhet cilësuar, si një ndër romanet më të arrira të kohës sonë, me frymë postmoderne... dhe kam bindjen që koha dhe lexuesi i vëmendshëm do ta dëshmojë këtë”. Me nota të larta sa i përket nivelit artistik  i vlerëson të gjitha romanet për të cilat shkruan, pastaj librat poetik të Hasan Qyqallës, të Sabit Rrustemit, Sadije Kryeziut, Besim Xhelilit, Sevëme Fetiqit etj.

Ajo që i veçon punimet e Zejnepes, gjegjësisht që e veçon kontributin e saj në fushën e kritikes letrare, është fakti se vështirë të gjendet edhe një kritik tjetër letrar i cili gjuhën e kësaj dege të letërsisë e ka afruar aq afër gjuhës së krijimtarisë letrare imagjinative, duke e sublimuar me përplot figura të bukura, pa e cenuar asnjëherë qartësinë e mendimit, duke e thënë plotësisht atë që ka dashur ta thotë. Andaj mund të konstatojmë se ajo e shkruan një kritikë të bukur letrare që është karakteristika më origjinale dhe më me vlerë e stilit të saj. Kjo kritikë e bukur letrare e fascinon lexuesin, i shkakton kënaqësi estetike dhe njëkohësisht ia jep informacionet për veprat për të cilat lexon. Për ta arritur këtë stil kaq të bukur,  për  bindjen time, faktor vendimtar është talenti i saj i kultivuar për një kohë të gjatë përmes leximit dhe i përpunuar  me mund e dashuri përmes ushtrimeve dhe sprovave  të shumta. Dihet autorja është edhe poete e talentuar dhe talentin e saj poetik ka ditur ta shfrytëzoj më së miri në shkrimet e kritikës letrare. Punë kjo aspak e lehtë.

“Refleksione lirike” është një libër me vlerë, një libër i rëndësishëm nga fusha e kritikës letrare, i cili përmes vështrimeve, analizave, studimeve, interpretimeve dhe vlerësimeve tejet profesionale  na  njeh me shumë vepra dhe shkrimtarë, duke na ndihmuar që të depërtojmë më lehtë në esencat semantike dhe estetike të tyre dhe t`i shijojmë ato; është një libër i shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, njëkohësisht të bukur dhe të qartë;  një libër që falë cilësisë dhe shumësisë së analizave dhe argumenteve e shton interesimin për librat për të cilët  shkruan, duke na e zgjuar kureshtjen që t`i lexojmë ato dhe kështu t`i zgjerojmë e thellojmë njohuritë tona për letërsinë e sotme shqipe.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora