E premte, 26.04.2024, 10:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysni Alushi: Çamëri, nuse me halle

E diele, 06.07.2008, 02:59 PM


Hysni Alushi: Unë e kam ëndërr të shkoj, por me dy këngët e bëra me zemër, shpirtërisht, ne kemi shkuar në Çamëri

Çamëri, nuse me halle

Nga Albert Zholi

Këto ditë, në një nga sallat e hotel “Tirana International”, u promovua klipi i këngës “Çamëri nuse me halle”, i këngëtarëve Enkelejda Arifi (Alushi) dhe Hysni Alushi. Në këtë promovim kishte shumë të ftuar kryesisht njerëz të artit dhe të kulturës, ku mund të veçojmë dy Artistët e Popullit Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti.  Pas këngës shumë të suksesshme “Vaj e mall për Çamërinë”, kjo këngë, ishte një nismë tjetër e këtyre dy këngëtarëve për të përcjellë plagën e madhe të popullit të Çamërisë, plagë, e cila jo vetëm që nuk gjen shërim, por është lënë në heshtje absolute nga politika shqiptare. Teksti i këngës nga Jorgo Papingji, muzika nga Edi Balili.

Z. Hysni, kohët e fundit jeni paraqitur vetë me këngë për Çamërinë, edhe në fillimet tuaja Çamërisë i keni kënduar?

Unë kam filluar të këndoj që nga vitet 1985. Dihet, atëherë kam kënduar këngët e realizmit socialist. Për herë të parë kam kënduar me këngëtarin Pajtim Struga kur ishim ushtarë në Tiranë. Prej asaj kohe kam marrë pjesë gjithmonë në ansamblin e Repartit ku bëja gjithmonë zërin e dytë. Pastaj kur u lirova nga ushtria kam kënduar në Rrogozhinë, në Pallatin e Kulturës të Rrogozhinës. Më vonë, fillova aktivitete në pallatin e rinisë në Durrës. Kënga ime mori profilin e plotë kur u angazhova me grupin e Çelo Mezanit në vitin 1988.

A ishe pjestar i këtij grupi kur u këndua për herë të parë Çelo Mezani?

Jo, atë vit unë kam qenë i vogël. Por pas vitit 1988, kam qenë pjesë e pandarë  me  grupin e Çelo Mezanit.

Mund të na flisni diçka për origjinën tuaj?

Unë jam djalë Gurse dhe nip Myrsele (Çamëri, Greqi). Babanë e kam nga Gurza zona e Filatit dhe nënën nga Marsela. I ndan një lum fshatin e babait, me atë të nënës. Babai im nuk dinte të kërcente, por ishte një polifonist i mrekullueshëm.

A keni shkuar në Çamëri?

Jo, ende. E kam ëndërr të shkoj në Çamëri. Unë e kam ëndërr të shkoj, por me dy këngët e bëra me vajzën e xhaxhait, me zemër, shpirtërisht, ne kemi shkuar aty. Ja, ne sot promovojmë klipin e këngës “Çamëri nuse me halle”,  pas këngës së suksesshme “Vaj e mall për Çamërinë”. Unë ëndërroj se, n.q.s do të marr tokën e babait, do të ngre një çadër në mes të oborrit të shtëpisë së vjetër dhe do të këndoj një këngë çame, ku të kem unë dëshirë, në Çamëri. Kjo do të ishte kënaqësia  më e  madhe për  mua.

Prindërit tuaj a jetojnë dhe a ju kanë lënë ndonjë amanet?

Babai im gjithmonë  thoshte  se po  të ngelem edhe me një këmbë edhe me një  dorë do të shkoj dhe ta shikoj vendlindjen time. Them se me  këtë këngë që kemi bërë unë  me gojën e zemrës kam  shkuar në Çamëri, në shtëpinë e tim eti. Edhe vargjet e këngës, sikur janë të tijat

Me  një  sy do të shikoj
Sa  herë malli të më  marrë
100 herë të më gatuash
Një  mijë  herë  unë  do bëhem çam

Unë mendoj se kam plotësuar sado pak dëshirën e babait tim.

Si janë ngritur  këto këngë për  Çamërinë?

Kemi lëvizur shumë, kemi biseduar, dëgjuar, shfletuar për Çamërinë. Nuk e imagjinoni dot sa punë është bërë për këto dy klipe. Promovimi i parë u bë në Kosovë, në Gjilan, Prishtinë, Dibër  të Madhe, Shkup.

Kënga e parë është pritur më mirë në Kosovë se sa  në Shqipëri?

Po është ndjerë më shumë. Por edhe në Shqipëri na thonë se, nuk jemi  çam, por  ajo këngë është e bukur.

Po tani a  keni ndonjë album për Çamërinë?

Ky album do të pasohet bashkë me një klip.

Beson se kjo këngë do ta sensibilizojë popullin shqiptar për problemin e  Çamërisë?

Refreni është mjaft i fuqishëm. Ka mesazh. Besoj se diçka do të realizohet. Koha punon për Çamërinë.

Ju jeni një familje këngëtarësh?

Nuk jemi shmë të njohur, por i kemi ruajtur ato traditat nëpër familjet tona. Unë edhe Enkelejda  kemi pasur  fatin të dalim në skenë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora