E marte, 28.06.2022, 01:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Ju lutem, blini bajame me kripë

E marte, 21.10.2014, 07:23 PM


JU LUTEM, BLINI BAJAME ME KRIPE...

TREGIM NGA KRISTAQ TURTULLI

Dalja ime në lokalet e baret e qytetit, në shitje të bajameve me kripë, u bë fare thjesht, pa asnjë ceremoni edhe pse isha në moshë fare të njomë. Nëpër rrugë ndjehej trokthi i nxituar i vjeshtës së vonë dhe thëllim i hidhët. Ndoshta do ta vështroja përmes dritares, pranë zjarrit, si gjithë fëmijët e tjerë, gërmuqjen e kohës dhe rrëniet e trishtuar të gjetheve, sikur të mos ish thirrur nën armë vëllai më i madh, i cili punonte mbartës në fabrikën e konservës. Dhe babai të mos dergjej në shtrat i sëmurë prej prostatit. Nëna ime e vuajtur e imët e urtë dhe flokëbardhë përkujdeset për babanë, i qëndron gjithnjë pranë, i shërben natë e ditë. Kështu që unë jam krah  i lirë për të siguruar kafshatën e bukës.

Kur hapa derën të dilja në rrugë dhe në dhomë hyri me tërsëllëmë vrundulli i ftohtë erës vjeshtore, dëgjova psherëtimën e thellë të babait. Ai lëvizi me vështirësi dhe ktheu kokën e thinjur nga ana e murit, të mos shihte lëkundjen e trupit tim të brishtë prej erës. Nena u rrëmbush prej ngashërimit të heshtur, kafshoi cepin e buzës dhe bëri shuk shaminë e hundeve. (Kur linda u përfol në maternitet se lindi një plakë, nëna atëherë ish veçse tridhjete e pesë vjeç.)

Krejt ndryshe nga prindërit, unë e prita si një ngjarje te madhe, me kureshtje të hapur fëmijërore daljen dhe bredhjen nëpër lokalet e qytetit, në shitje të bajameve me kripë. Gjithnjë më joshte ikja e rrëmbyer, me  duar në xhepa, nëpër natë e vëllezërve të mi. Ata mbartnin në shpinë, si hamej të mëdhenj çantat vjetra dhe të irnosura prej doku. Brenda në çanta nëna fuste kaushë bajame me kripë. Bajamet i mbështillnim me fletë fletoreje, fletë librash të vjetër ose me copëra gazetash. Një herë iu ankova nënës sepse ajo po mbështillte bajamet me fletët e librit që më pëlqente shumë: Don Kishoti i Mançës, përkthyer prej Fan Stilian Nolit. Ajo rënkoi dhe tundi kokën me trishtim. Kur jetonim në shtëpinë e madhe në qendër të qytetit kishim bibliotekë të bollshme, të krijuar në breza. Vepra madhore prej shkrimtarëve dhe filozofëve me të shquar të kohës. Por të gjitha librat humbën, u shpërdoruan gjatë bastisjeve, kontrolleve dhe shpërnguljeve.

Secili prej kaushëve kish dhjetë kokrra bajame, kur mbetej ndonjë gjysmë bajame,e thërrmuar gjatë pjekjes, nëna fuste edhe një më tepër. Kur ndihmoja nënën të mbushte kaushët me bajame, më porosiste gjithnjë:

-Biro numëroji bajamet me kujdes, turpërohesh me njerëzit për hiç gjë.

Kur vëllezërit dilnin në shitje të bajameve, kërceja mbi shtratin prej dërrase, mbështesja bërrylat në parvazin e dritares, vendosja ballin në xhamin e ftohtë dhe ndiqja me shikim ziliqar siluetat e brishta të vëllezërve teksa mbështilleshin prej tisit të natës. Supembledhur prej thëllimit të hidhur vëllezërit e mi humbnin nxitimthi, kthenin bërrylin e rruginës me gropa të Pani Kuqos...

Qysh në ditën e parë të daljes kërkova me krenari të më jepej çanta prej doku, njëlloj si e vëllezërve, qepur me dorë nga nëna prej ndonjë çarçafi të vjetër. Nëna luajti kryet në shenjë kundërshtimi.

-Po bajamet me kripë ku ti fus? - e pyeta.

Nëna me zë të dredhur më tha:

-Çantën do ta mbajë vëllai, do marrësh bajame sa herë do të nevojiten.

Mblodha buzët i pabindur. Pabarazia e mos mbajtjes së çantës më shkaktoi trishtim të lehtë, ngaqë kujtoja se çanta prej doku, nxitimi nëpër natë me supe mbledhur, duar në xhepa, më vinte në një shkallë barazie me vëllezërit e mi. Paçka se unë isha vetëm tetë vjet dhe vëllai im Alfred ish trembëdhjetë.

Dalja ime në shitje të bajameve me kripë në shtegtim të gjatë, natën, nga një lokal në tjetrin, u bë  i mbushur me kureshtje të hapur, në zbulim të enigmave të mëdha, të çuditshme, me qejfe dhe shakara prej pijetarëve të shumët të qytetit  tim. Në kthinat e ngushta, të pista pihej birrë, vodkë, përtypeshin kërnace me qepë të prera hollë dhe tymosej duhan me shumicë. Bota më dukej misterioze, rënduar me mjegullën e dendur dhe kundërmimin karakteristik të alkoolit. Kaloj nga një tavolinë në tjetrën dhe flas me të ulët të ndrojtur:

-Ju lutem, blini bajame me kripë.

Ndërkohë ndjeja mbi shpinë të gjitha llojet e vështrimeve: Te ngrohta, dashamirëse, me përdëllim të dhembshur:

-Bir i nenës! I vogël si zogth dhe shet bajame në netët e vona!

Vështrime inkurajimi, indiferente, deri tek hakërrim dhe kërcënim të vërtetë:

-Qërohu dreq i vogël me gjithë bajame.

Fatmirësisht vëllai im Alfred më dha qysh në fillim instruksionet e nevojshme; të mos ligështohesha nga veprimet dhe provokimet e pijanecëve, të shmangesha me kujdes, të mos humbisja toruan dhe të qëndroja sa të mundja gjakftohtë:

-Hej çun, ti që shet bajame, eja këtu, eja- dëgjohej zë i fortë.

U afrova tek tavolina nga vinte zëri.

-Sa i ke bajamet?- më pyeti një zë i trashë me vështrim të vëngër.

-Dhjetë lekë kaushi.

-Lëri në tavolinë katër kaushë, - foli burri me zë të trashë dhe shtoi,- pa ta marrim vesh, sa bajame ka në kaush?

-Dhjetë bajame,- u përgjigja.

-Je i sigurt që secili kaush ka dhjetë bajame?

-Po,- u përgjigja me gjysmë zëri.

-Mirë. Do ti hap kaushët këtu, në sytë tënd. Në qofte se kaushët kanë nga dhjetë bajame, do ti jap lekët, por po gjeta me nëntë bajame, nuk ka para!

Vëllai qëndronte në përgjim disa tavolina me tutje, me jepte kurajë me shikim të ngrohtë, të mos trembesha dhe të mos tërhiqesha. Nëna i numëronte disa herë me radhë bajamet përpara se ti vendoste në kaushë. Shpesh vinte edhe nga një bajame më tepër. Po ku i dihej, ndodhte që letra mbështjellëse hapej në fund, ose grisej dhe bajamet binin. Luajta kokën në shenjë aprovimi, por gjuha më ish tharë. Me ceremoni fillonte numërimi i bajameve, për fat të mirë dilnin më shumë se dhjetë bajame. Merrja frymë i lehtësuar. Prova e vështirë kaloi me sukses.

Kish nga ata pijanecë dredharakë, sy skuqur, që gjatë numërimit të bajameve, tinëzisht me gishtin e vogël futnin ndonjë prej bajameve brenda mëngës së xhaketës. Fillonim më hakërroheshin:

-Spurdhjak fëmijë dhe nuk isha i sinqertë. Mungesa e ndershmërisë përmban elemente të këqija, të huaja, armiqësore të përvetësimit të djersës së popullit.

-Kaushi kish dhjetë bajame,- këmbëngula.

-Hesht! Hëm kujton se nuk e dimë edhe prindërit e tu kështu e shfrytëzonin popullin. Shko mbushu, nuk ke para!- shtonin në fund.

Mposhta  me shumë vështirësi ngashërimin, ngula këmbë dhe thashë:

-Shkundte mëngën e djathtë të xhaketës.

-Si! E shikoni ç’thotë! Hej, shko dreq i vogël,-mu gërmuq ai.

Nuk tundesha nga e imja. Pijetarët e tjerë të tavolinës u shkrinë së qeshuri dhe e detyruan shokun të shkundte mëngën e xhaketës. Bajamet fshehura ranë në tavolinë. Duhej ndërhyrja e menjëhershme e vëllait. Ata më zgjatën lekët pa e ndërprerë argalisen e çmendur. U largova prej tyre me lëmshin e pështjellimit dhe të ankimit në shpirt.

Nuk e përfytyroja se edhe të rriturit talleshin, gënjenin, mashtronin me pa të drejtë një djalë të vogël, që kish dalë për të nxjerrë kafshatën e gojës. Kujtoja se të rriturit qenë seriozë dhe të drejtë si babai im. Kjo gjë më bënte të tregohesha më i kujdesshëm, kur shikoja se pijetarët ishin të dehur ngulmoja të më jepnin lekët, përpara se të lija bajamet në tavolinë. Ndodhte  që disa prej pijetarëve vonoheshin, hiqeshin sikur harronin dhe vazhdonin bisedat me njëri tjetrin. Me këmbëngulje i tërhiqja prej mënge. Ata ktheheshin nga unë dhe më shkreheshin:

-Çfarë do more kopuk?

-Paratë e bajameve, - u thosha.

-Sikur ti dhamë lekët,- ma kthenin dhe rrëkëllenin me zhurmë vodkën në gurmaz.

Dale ngadalë fillova ta kuptoja se shitja e bajameve nuk ish lodër e thjeshtë, aventurë romantike, por një punë e lodhshme e mundimshme. Bredhje e pandalshme nga një lokal në tjetrin, në orët e vona të mesnatës. Në mot të ftohtë me erë shi dhe dëborë, veshur me bluzë të ronitur dhe këpucët e hapura si gojë e urituri.

Në mëngjes zgjimi ish i bezdisshëm, nëna më shkundte butë nga shpatullat dhe më fliste me të ulët, lutës, të ngrihesha të shkoja në shkollë. Shpëlaja fytyrën, fusja në gojë një kafshatë bukë dhe nisesha për në shkollë me kokë të renduar prej pagjumësisë. Ndodhte që gjatë mësimit koka më varej në bankë. Në pushimet e vogla shkoja me vrap në banjë dhe i hidhja grushte me ujë fytyrës për të më dalë gjumi.

Mësuese Svetllana, ruska topolake, biondja e bukur, edhi para disa muaj në klasën tonë. Ajo ish martuar me inxhinier Besnikun që kish studiuar në Rusi. Ne qeshnim shpesh me të dhe i bënim pyetje te vështira qe mezi shqiptoheshin edhe në shqip. Si fjala vjen e pyesnin si i thonë në rusisht shkrepëses?’ ‘Sikur ju a kam thënë dhe herë tjetër, spiçka i thonë,’ na përgjigjej ajo.

Ajo skuqej, përpiqej të na i sqaronte, por ngatërrohej dhe i shtrembëronte fjalët akoma me keq. Ndërsa vajzat  e klasës ulnin kryet të turpëruara.  Mësuese Svetllana buzëqeshte e hutuar, nuk mërzitej. Ajo e kish vene re se nuk isha nxënës si më parë, i vëmendshëm dhe dalluar, nuk përqendrohesha në mësime dhe përtoja të flisja. Më  përgjonte me sy, më pyeste gjatë shpjegimit  për të më tërhequr vëmendjen. Përshkundja kryet dhe e vështroja i hutuar, ndërsa ajo vazhdonte shpjegimin.

Edhe pse më lodhte bredhja nëpër lokalet e qytetit në shitje të bajameve me kripë, e ndjeva veten burrë, po i bëhesha krahë familjes të varfër. Me kohë trupi im i hajthëm po më argasej dhe nuk do ta ndjeja dhe aq shumë lodhjen, pagjumësinë dhe bredhjen e gjatë nëpër lokalet e klubet natës. Shitja e bajameve më tërhiqte me kënaqësi dhembjeje dhe provokative. Ndjehesha i lirë, si zogth, mes lokaleve të tymta e të lagështa të qytetit. Afrohesha me kujdes dhe i përqendruar pranë tavolinave, prisja me durim kur pijetarët me gotat përpara, të preokupuar, ndërprisnin një moment bisedën, të mbusheshin me frymë dhe unë menjëherë ndërhyja:

-Ju lutem blini bajame me kripë.

Pijetarët të shpërqendruar ktheheshin nga unë dhe më shihnin të habitur por edhe të interesuar. Nga u ndodh ky fëmijë i imët, veshur varfër, me flokë të qullur prej shiut dhe borës, në botën e korkolepsur të burrave, që mbytnin shqetësimet dhe brengat në gotat e rakisë ose të birrave! Komunikoja me burrat e të gjitha moshave, të cilët donin apo nuk donin u tërhiqte vëmendjen zëri im i hollë, por tashmë pa notat e bezdisshme të pasigurisë dhe të frikës. Kishte ditë që bëja xhiro dhe shisja bajame më shumë se vëllai im. Alfredi qeshte dhe ngrinte vetullat nga habia. Por nënës dhe babait të sëmurë nuk u jepnim shpjegime për këtë hollësi të rëndomtë. E rëndësishme ish shitja e bajameve dhe fitimi i të hollave për të siguruar jetesën.

Më shumë bajame më blinin klientët që ishin miq të babait. Ata mblidheshin në qoshe të klubit ‘Familjari,’ bisedonin zë ulët dhe sa më shihnin më thërrisnin, më përkëdhelnin flokët dhe me thoshin:

-Vogëlush, lëri të gjitha bajamet sa ke.

Por e shihja se ata klientë nga dita në ditë sa vinin dhe rralloheshin. Pyeta vëllanë. Ai më tha:

-Ata janë të shtresës sonë, familje të përmbysura nga sistemi, disave u gjendet ndonjë shkak dhe i futin në burg të tjerët internohen.

Armik të hapur e ndjeva që kisha Koci, çalo bajamtën. Një burrë i shkurtër, kokëmadh, që gromësinte herë pas herë, këmbën e majtë e kish të shkurtër dhe të shtrembër, kish vite që shiste bajame me kripë. Ai po tërbohej nga xhelozia. Ne ishim më të shpejtë dhe kur ai hynte nëpër lokale gjente nëpër tavolina letra të hapura me bajame. Koci shkrofëtinte nga inati dhe vërtitej në njërën këmbë pa gjetur qetësi. Kishte nga ata klientë që e ngacmonin:

-Koci, je i vonuar, nuk e sheh, i kemi blerë bajamet.

Koci kthehej nga unë, më shihte egër sikur do të më hante. Një mbrëmje u shfaq me të birin, Matin. Një fëmijë kokëmadh, flokëzi e bullafiq, me sy të vegjël e që ndiqte të atin nëpër tavolina duke u grindur. Mati ish dy vjet më i madh se unë, i mbahej pak goja, por dukej haptas që i ati e kish marrë me zor në tregtinë e shitjes së bajameve. Mërzitej shpejt, gromësinte si i ati, fshihej në ndonjë qoshe dhe cimbiste bajamet që kish në kaushë. Shpesh herë gjendej gafil ndaj provokimeve të pijetarëve kur i kërkonin të hapte kaushët dhe të numëronin bajamet  me kripë.

U përpoqa të zija miqësi me të, sepse vetëm ne ishin të vegjël në shitje të bajameve me kripë, por ai më shmangej me bezdi. Nuk e dija që Mati më urrente dhe nuk donte të më shikonte me sy njëlloj si i ati. Më shtynte me bërryla, ngërdheshej, më përqeshte, më nxirrte gjuhën, kur rastësisht ndesheshim në rruginat e ngushta mes tavolinave të lokaleve. Disa herë u mundua të më vinte tinëzisht këmbëzën, të më rrëzonte ne mes të lokalit për të më turpëruar, por unë i shmangesha me kujdes dhe me shumë vështirësi. E dija mirë, rrëzimi, zgërlaqja në mes të lokalit, në dyshemenë e pistë do të ish turp i madh dhe katastrofë për mua. Tre herë më goditi me grusht në ije aq sa mu mbajt fryma. Nuk i tregoja vëllait sepse nuk doja ta ngatërroja.

Në mes të janarit kur babai u shtrua për herë të dytë në spital ndodhi rrëmbimi i dhunshëm i kaushëve me bajame. Fill kur po dilja nga lokali i ‘Familjarit’ për të shkuar në klubin ‘Një maji.’Bënte ftohtë, acar dhe duart i ndjeja pothuajse të mpira. Koci çalo Bajamka kaloi pranë meje duke çaluar dhe shfryu nëpër dhembë:

-Hyyy dreq, borgjez i vogël! Të kam thënë njëmijë herë, mos mu ngatërro nëpër këmbë!

-Hyyy dra..q...ba...rgjez, do të he...dh këm...bë...për...pjetë në dysh...eme,- dëgjova dhe zërin e hollë dhe të zvargur të Matit. U hutova, u ktheva të vështroja shpinën e kërrusur ecjen e tij të shkapërderdhur si kangur dhe ecjen e plogët me hapa te vogla të Matit.

Nuk e kuptoja përse të vepronin kështu këta njerëz. Nuk u kishim bërë asgjë të keqe.  Edhe ata ishin të varfër si ne dhe klube qyteti ynë kish me shumicë, pra kish për të gjithë vend për të fituar bukën e gojës.

U kapërdiva me vështirësi, kisha disa ditë që ndjeja një dhembje të lehtë në shpatullën e majtë. Ndoshta isha ftohur pak. Hodha disa hapa dhe kur papritur dhe pa kuptuar dy duar u zgjatën vetëtimthi drejt meje, pa lënë mua të mblidhja veten. Sa hap e mbyll sytë mu përlanë bajamet prej duarve, duke i thyer dhe thërrmuar.  U përpoqa sa munda të mbroja kaushët, por më mbetën në duar vetëm fundet e letrave mbështjellëse, me ndonjë bajame të ronitur nëpër to. Disa bajame prej sillës së rrëmbimit ranë përdhe në tokën e qullur. Rrëmbyesi morri një pjesë të bajameve. Unë nuk e pashë se kush ish rrëmbyesi i dhunshëm i kaushëve të bajameve, sepse gjithçka ndodhi vetëtimthi.

Ngela i gozhduar në mes të trotuarit, disa metra larg derës së klubit ‘ Një maji’ trupi filloi të më dridhej. I kisha premtuar nënës se me lekët që do fitoja prej shitjes së bajameve, do blija bukë për shtëpinë dhe qumësht për babanë e shtruar në spital. Por të dhjetë kaushët me bajame ishin përlarë dhunshëm nga doçkat a mia të vogla. Qëndroja duarbosh. Një shkundje e fortë më vinte prej shputave të këmbëve të qullura, turrej drejt muskujve të lodhura të këmbëve, ngjitej me vërtik drejt trupit të ngurtësuar. Jo vetëm prej të ftohtit, por më shumë prej ankthit dhe merakut të mundimshëm.

Fluturuan njëqind lekë, u bënë erë. Kaq i ngathët, i shastisur u tregova, lashë veten të më vidhnin bukën e gojës si një hutaq i gjorë. Një lëmsh i madh, sa një mal mu mblodh në gjoks dhe një ngërç torturues  më shkundi trupin. Nuk doja të qaja, nuk duhej të qaja. Ç’të bëja, lagështira e madhe më kish bllokuar frymën dhe sytë me përvëlonin. Ku duhej të shkoja, çfarë të bëja? Turma indiferente më shtynte majtas dhe djathtas. Për të mos u rrëzuar u mbështeta në qoshen e dritares së klubit ‘Një maji.’ Si për inat vëllai nuk po dukej. Po a kisha kurajë ti dilja vëllait përpara me duar bosh? Dhjetë kaushët me bajame bënin njëqind lekë. Isha vërtet një lëngaraq. Më mirë të vonohej vëllai derisa të qetësohesha, të mos qullesha si miush i mjerë. Mendova ti lutesha Potirit plak, mikut të babait,  kuzhinierit të vjetër të lokalit ‘Familjari’ të më jepte të laja pjatat për të mbledhur një pjesë të lekëve të humbura. Koka më rëndonte dhe më dukej sikur po më binte zali.

Gëlltita me vështirësi lëmshin e madh të pështymës që më ishte grumbulluar në fyt dhe vështrova me kujdes rreth e rrotull. Diku nga krahu i majtë dallova një kokë që zgjatej dhe fshihej nxitimthi pas murit të ulët të lulishtes ‘Një maji.’ Më ngjau si koka e madhe e Matit me zgërdhitjen e shëmtuar në fytyrë.

Pas një copë herë pashë Koci, çalo bajamkën që po dilte nga ‘Familjari’ dhe bariste drejt meje me të ecurën si kangur. Qëndroi, më pa që nga koka deri në këmbët, gromësiu dhe pështyu përdhe.

-Hë more këlysh borgjezi, ç’më je zgërlaqur kështu, -më tha dhe u zgërdhi.

Ngrita kokën dhe nëpërmjet mjegullës së pështjellimit:

-Çalo, pyet gagaçin, tët bir,- i thashë dhe ika me nxitim.

Goja e Koci bajamkës qëndroi e hapur si kamare dhe më pas ia pat:

-Çfarë, si guxon... mbaj gojën këlysh i vogël!

Koci bajamja ngeli si i gozhduar në mes të trotuarit. U gëlltita me vështirësi dhe gati sa nuk u mbyta. Kryqëzova krahët rreth trupit. Pranë mu afrua vëllai im Alfredi. Më vështroi i shqetësuar.

-Ç’të ka ndodhur, je mirë?- më pyeti.

Ngrita supet.  S’fola. Shtrëngoja në grusht copërat e letrave të kaushëve me disa bajame të thërrmuar nëpër to. Nuk po qaja, doja ti thosha vëllait se nuk kish ndodhur asgjë..!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora