E premte, 26.04.2024, 03:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Poezi nga Karl Krolow

E merkure, 25.06.2014, 06:39 PM


KARL KROLOV

Perktheu nga gjermanishtja Remzi Salihu

Karl Krolov, (Karl Krolow) u lind më 11 Mars 1915 në Hanover. Pas kryerjes së gjimnazit në vendlindje, ky lirik i njohur gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore studioi Gjuhën Gjermane, Gjuhët Romane, Filozofinë dhe artet e bukura në Gotingen dhe në Breslau; që nga viti 1943 ka jetuar e vepruar si shkrimtar i lirë. Pjesën e fundit të jetës së tij e kaloi në Darmshtat dhe kur pushoi së rrahuri zemra e tij u varros në qytetin e lindjes, në varrezat familjare. Ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i shumë revistave dhe gazetave të frymës kreative moderne, gjegjësisht të krijues­ve (W. Lehman, Loerke). Poezia e këtij krijuesi të spikatur është nën ndikimin e poezisë surrealiste franceze dhe asaj spanjolle. Reflekset poetike të goditura dhe gjuha eksperimentale e ngjeshur me metafora dhe asociacione të ndryshme e karakterizon poezinë e këtij liriku të veçantë. Veprat më të njohura të tij janë: “Era dhe koha’’ 1954, “Ditët dhe netët’’ 1956, “Trupi i huaj’’ 1959, “Duart e padukshme’’ 1962, etj. Ky poet gjerman pos me poezi është marrë edhe me kritik, ese dhe përkthime. Ka bërë përkthime nga gjuha Frënge dhe ajo Spanjolle. Që nga viti 1951 ka qenë anëtar i PEN qendrës së Republikës Gjermane. Që nga viti 1953 ka vepruar në Akademinë Gjermane për Gjuhë dhe krijimtari poetike në Darmstat, një kohë të gjatë ishte edhe kryetari i saj. Nga viti 1960 shërbeu në Akademinë Shkencave dhe Letërsisë në Mainc. Mandej nga viti 1962  u bë edhe anëtar i Akademisë Bavareze të Arteve të Bukura. Për krijimtarinë e tij të shumëllojshme në fushën e letërsisë është laureuar disa herë. Shpërblimet më të njohura janë:Shpërblimin e Byhnerit 1956, Shpërblimin e madh të Niderzaksenit 1965, Shpërblimin Reiner-Maria-Rilke për poezi më 1975, Doktor nderi i Universitetit Teknik në Darmshtat 1976, Shpërblimin për kulturë të Hesenit 1983, Shpërblimin e njohur të Akademisë Bavareze 1985 dhe më 1988 shpërblimin Fridrih-Horderlinit të qytetit Bad Homburg etj.

 

 

NGADONJËHERË

 

Ngandonjëherë flisje në gjumë. Këtë ti nuk e ke hetuar.

Përjashta binte shi. Ishte një aromë nëpër errësirë.

Unë të dëgjoja me kujdes, me dëshirë si ndonjë  i zgjuar.

Ngandonjëherë  flisje në gjumë e unë fytyrën ta kam shikuar.

 

Na ishte një fëmijë, që me vrull të madh ka lejuar

Një zog prej letre të ngjitet në qiell, vjeshtë ishte me erë,

Kjo ndodhi dje. Unë të pash ty:

Kundërmim nëpër natë, vjen erë vere.

Unë të dëgjoj ende ty. Por biseda jote nga mendja më iku.

 

 

MITILOGJIA E MURIT

 

Mitologjia e murit

U zbulua nga një tetëvjeçar

Apo nga duart e zeza të minutave.

 

Ne kalojmë aty pranë dhe

I përshëndesim mendimet tona.

Gratë tona dalin

Nëpër tullat e pjekura.

 

Ëndrrat tona nëpër mure

Janë më të vjetra se ne.

Vdekja  e bardhë e gëlqeres

I bartë ato nëpër lëkurë.

 

Ne kalojmë aty pranë

Dhe ca kthehen prapë,

Ndërsa pas shtëpisë së tyre

Tashmë muri nga hëna dhe qentë

Do të tatuazhohet.

 

 

ORA NJË NË MESDITË

 

Drita nuk rrëzohet kot

Vertikalisht.

Kush i mbyllë sytë,

I sheh kosat e kaltëruara në qiell.

Ora një në mesditë. Lulet

Me qafa të thyera

Varen në bunacë.

Nga guroret vijnë fërshëllimat

Të shqetësuara prej një shishe bire

Ose nga vrapimi i ndonjë qeni.

Nëpër mullar me kashtë

Fëshfëritin minjtë

Dhe kofshët femërore.

 

Hija e pëllëmbës së hapur

zhduket njëkohshëm

Me tingullin e fundit,

Që është duke u dëgjuar.

 

 

ZGJIMI

 

Për herë të parë thash:trëndafil?

Unë më parë i emërtoja

Emrat e këqij.

Minutat që i pushtojnë gishtat e mi,

s’kanë kurrfarë rëndësie.

Kur do ta ndjej unë këtë,

do të jetë përsëri vonë.

Por tash dita i ka

Ende sytë të rrahur.

Nata tërhiqet

Pas kthimit të këngëve.

 

 

ÇASTI NGA DRITARJA

 

Dikush hedh dritë

Nga dritarja.

Trëndafilat e ajrit

Lulëzojnë,

Kurse në rrugë

Fëmijët i kanë zhytur sytë

Pas lojës.

Pëllumbat shijojnë

Ëmbëlsinë e vetes.

Vashat bëhen të bukura,

Kurse burrat bëhen të butë

Nga kjo ditë.

Por  para se t’ju thonë të tjerët,

Dritarja nga dikush

Përsëri është mbyllur.

 

 

LODHJE

 

Ajri është gatim i nxehtë

pluhuri

Me sy të përngjitur

jeton lodhja pa hije.

Ngadalë rrëzohet një dorë

nga xhepi në tokë.

Gjethe të derdhura me ujë

Kujtohen në gjelbërim.

Unë kot përpiqem,

të vë marrëdhënie

ndërmjet një ore të qetë

dhe një drite.

 

 

HISTORI

 

Burrat bartën mbi atë vend një flamur.

Kentaurat i sollën nga gërmushkat

Që shkelën me këmbë shamitë e tyre

Dhe historia mund të fillonte.

Shtetet melankolike

Shkatërrohen në skajet e rrugëve.

Gojëtarët me bulldogët

Bëhen të gatshëm,

Dhe gratë e reja

Shminkohen për të fortit

Pa ndërprerë qortohen zërat

Në ajër,edhe pse

Krijesa mitologjike prej kohësh

Është tërhequr.

 

E tepërt më në fund mbetet dora,

  shtrihet për rreth një gryke.

 

 

KLIMA-INSTALIMI

 

Tipike, një pluhur filmi

mbi gjërat:

kur atë e rrotullon,

ajri vjen ndryshe.

Sa mban shpina për së gjati.

Një klimë-instalimi

kujdeset për gjithçka.

Shija e frikës paranoike

për një moment është aty,

e papërshkrueshme

në këtë botë fizike

me urdhrat e saj telefonike.

Ah, ah pëshpërit dikush pa tela,

një rënkim pa tela nga largësia.

Për dashnorët e shpirtit

një thirrje e përshtatshme, gjatë shkuarjes me gishta

nëpër pluhurin e dhomës suaj: përgjigju mua

nga qielli

me një fjali të pa mbaruar.

 

 

PARKU

 

Në dimër gardhet me borë

bartin një mjekër

si Karl Maksi.

Gjatë rënies së shiut të ngrohtë

njeriu ndjen sikur i rriten flokët,

mban dorën  hapur,

sikur të pranonte

ndonjë dhuratë.

Falas s’ka kurrgjë.

Pastaj karafili në verë

Flakë i kuq

i ngrihet gjaku në kokë.

Lulet hipertonike

do të shkulen nga ideologët.

Zjarret e drurit melankolik

kanë mbetur gjatë kohë të shuara,

kur tani më është vjeshtë

nëpër dritën e llambave

gjatë mbylljes së syve

njeriu nën bli ndjen:

sa kthjellët është errësira.

Më në fund humbet

logjika e stinëve.

I papastër do njeriu

të jetoj më tej:parkun

në kokë, atje,

ku hipofiza

një gjysmë gram peshon.

 

 

POEZI DASHURIE

 

Me gjysmë zëri po të flas ty:

A do të më dëgjosh pas fytyrë lakrës së hidhur

Të hënës, që po bie?

Në bukurinë hyjnore të ajrit,

Kur është duke u bërë ditë,

Agimi një peshk i kuq me flatra të dridhura?

 

Ti je e bukur.

Unë po të them se lëndinat janë përplot rrepa të gjelbëruara.

E freskët dhe e thatë është lëkura jote. Unë po të them

Ndërmjet kubeve të shtëpive të këtij qyteti, ku unë jetoj.

Shikimi yt-i urtë dhe i sigurt si ndonjë zog.

Po ta tregojnë erën e luhatshme.

Zverku yt-më dëgjon ti- është nga ajri,

Si ndonjë pëllumb nëpër syth

Që gëlltit gjethin e kaltër

 

Ti e mban fytyrën.

Në murin prej tullave të forta shndritë hija edhe njëherë.

E bukur je ti. Ti je e bukur.

Ujë i freskët ishte gjumi im në anën tënde.

Me gjysmë zë po të flas unë ty

Dhe nata copëtohet si soda, zi dhe kaltër.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora