Kulturë
Kujtim Mateli: Një libër për Dëshnicën
E marte, 10.06.2014, 08:02 PM
Një libër për Dëshnicën ku bilbili Fratarit ligjëron.
Nga Kujtim Mateli
“ Jo vetëm mirënjohje” është libri i fundit i
shkrimtarit dëshnicar, Tomorr Caushi. Doli muajt e fundit të vitit që shkoi
(2013), por lexuesi ende ruan të frekëta në kujtesën e tij ndodhi e ngjarje që
kapin jo vetëm hapësirën e vendit tonë, por edhe më tej, deri atje ku kanë
shkuar në emigrim bijtë e Dëshnicës e të gjithë Shqipërisë, deri në Kretën e
largët që shënon dhe skajin më jugor të hapësirës ballkanike. Personazhet e
Tomorr Caushit janë marrë nga jeta reale. Hapësira kohore e personazheve të tij
shtrihet në segmentin e dy shekujve të fundit. Janë njerëz të tij të njohur, të
cilët i ka portretizuar me dashuri. Pena e tij u ka dhënë tiparet më të mira që
mbart një qënie njerëzore. Është dashuria e shkrimtarit për njerëzit që ka njohur
dhe që i do deri në kufijtë që një qënie njerëzore dashuron njerëzit me të cilët është rritur
dhe ka ndarë me ta gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Pjesë të jetës së tij,
shkrimtari ka bërë dhe figura madhore të kombit tonë, siç është ajo e
themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit.
Përvoja jetësore e shkrimtarit ka bërë që ai të kap thelbin e misionit historik
të Plakut të Vlorës. Atë e sjell në skenë të historisë nevoja e ngutshme e
shqiptarëve për të formuar shtetin e tyre të lirë e të pavaruar prej asnjë
fuqie të huaj. Ismail Qemali, në penën e Tomor Caushit, është figura e një
burri shteti që diti të përballet me ligësitë e fqinjëve që kërkonin të ndanin
midis tyre shtetin e ri, të sapo formuar. Në këtë përballje mes fqinjëve, fati
i keq e desh që këta lakmitarë e shovinistë të pashembullt të ndihmoheshin edhe
nga disa fuqi europiane që në politikën dhe filozofinë e tyre kishin parimin që
të voglin dhe të sapolindurin ta bënin ushqim për për më të mëdhenjtë.
Megjithatë, kjo Krijesë e re, këta popuj (midis tyre dhe grekët e sërbët që
zunë vend në Ballkan në kohë të ndryshme njëri pas tjetrit), i kishte pritur me
bukë e u kishte dhënë dhe strehë.
Shkrimtari Tomorr Caushi e pasqyron me realizëm gjendjen e krijuar në
Shqipërinë pas Shpalljes së Pavarësisë,
duke krijuar tek lexuesi admirim për këtë figurë madhore të Kombit që diti t`u
përshtatej situatave të krijuara, që mbarte në politikën e tij të jashtme
filozofinë e Rilindjes Kombëtare, të gërshetuar me përvojën e tij jetësor si
diplomat e burrë shteti.
Një vend të rëndësishëm, zë në këtë libër dhe jeta e emigrantëve në ishullin e
Kretës. Aty, Tomorri ka një pjesë të familjes së tij, vajzat e tij të
shtrenjta: Olimbinë dhe Valbonën si dhe bashkëshortët e tyre Aliun dhe Avniun,
nipërit dhe mbesat. Autori është treguar mjeshtër i përshkrimit të natyrës dhe
i mjedisit shoqëror që emigrantët kishin
krijuar në ishullin e Kretës dhe veçanërisht në qytetin e Rrethimnos ku jeton
një komunitet, që në shumicë janë nga rrethi i Përmetit dhe sidomos nga komuna
e Ballabanit. Një vend të vecantë zë portreti që autori ia ka kushtuar
gazetarit Luan Pacani, i pranishëm në gazetat që emigrantët botojnë në Greqi.
Autori ka gjetur tek Luani shpirtin e luftëtarit. Ka zbuluar tek ai materialin
shpirtëror që e bën atë të pathyeshëm përballë vështirësive. I pranishëm në të
gjitha debatet televizive që zhvillohen në Kretë sa herë që tematika e tyre
lidhet me emigrantët. Mbrojtësi më i flaktë i të drejtave të tyre, të drejta që
sigurohen nga Konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kudo i pranishëm.
Autori na zbulon se Luani udhëhiqet nga parimi: “Jeta është një provë për të
fortët”. Ndaj ai e jeton jetën si njeri i përballjes dhe sakrificës. Shqiptarët e Rrethimnos kanë ditur ta
përballojnë denjësisht këtë sfidë të jetës së tyre.
Duke lexuar librin e ndien se vetvetiu krijohet një lidhje midis sakrificave të
emigrantëve shqiptarë të këtyre 20 viteve të fundit dhe kapedanëve shqiptarë që vunë themelet e
shtetit helen pas revolucionit të vitit 1821. “ më qaseshin pranë vitet e
kapedanëve shqiptarë që luftuan për lirinë e popullit grek, Marko Bocari,
Kollokotroni, Bubulina, Kapedan Mihali... Ata ashtu do të mbeten në historinë e
të dy kombeve, gjithmonë kapedanë e flakadanë e do të zhvlerësojnë cdo
Mjegullnajë. Figura të tilla mbeten simbole mirëkuptimi, bashkëpunimi e
vëllazërimi për të dy popujt, për sot dhe brezat që vijnë” (Tomorr Caushi,
Jovetëm mirënjohje, Tiranë 2013, fq. 147).
Përshtypje të vecantë autorit i ka bërë Qyteti i Vjetër (Palia Poli). Aty janë
të gërshetuara të gjitha kulturat. Aty gjen kisha dhe xhami që kanë
bashkëjetuar për disa shekuj. Kalaja antike, portat e vjetra të qytetit, gjurmë
të Republikës së Venedikut dhe puse të vjetër me moshën e qytetit, ruhen me
kujdes, të paprishura që nga koha e themelimit të qytetit
Rrethimno. Autori e ka parë qytetin me syrin e një etnografi. Ka
gjetur ngjashmëritë në traditat dhe zakonet midis dy popujve tanë që
konsiderohen miq midis tyre, nga historia e gjatë si popuj në kufijtë e
njëri-tjetrit.
“ Në kulmin e asaj feste u ngrit Daniela Muka dhe hoqi një valle të preferuar
greke. Sa bukur dhe me ritëm. Njëra këmbë qëndronte mbi një gotë dhe
tjetra shoqëronte ritmin e orkestrës. Kur hiqte atë valle Daniela e vogël,
nëntë vjeçe, nuk mund t`i shkonte mëndja se një valle të ngjashme e kishin
hedhur të parët e saj, gjyshi dhe stërgjyshi, kur kërcenin mbi sininë që
në gosti dhe dasma, bënte rolin e servisjes”. (Tomorr Caushi, Jovetëm
mirënjohje, Tiranë 2013, fq. 165).
Personazh janë bërë emigrantët që autori i kishte njohur më parë apo dhe mosha
të reja që nuk kishte mundur t`i njihte. Aty janë midis të tjerëve Ylli dhe Eda
Tice nga Topojani, Familja Simoni nga Këlcyra, Demiri nga Frashëri. Aty është
miku dhe shoku i tij Ramadan Çapoku me bashkëshorten e tij, Haxhirenë. Emigrantë pothuaj nga të gjitha fshatrat e
Dëshicës. Rrethimnoja është një Dëshnicë e vogël, ndaj dhe emigratët e njohim
mirë njeri-tjetrin dhe i gjenden në cdo kohë pranë njëri-tjetrit.
*****
“ Profesori bukurshkrimit” i kushtohet një prej figurave më të përkushtuara
të arsimit shqip, Prof. Thoma Papapano. Autori e ka përshkruar këtë figurë me
dashuri dhe respekt, për punën e tij të palodhur e ndienjën e përgjegjësisë për
ta mësuar shkrimin e shqipes ashtu sic ishte miratur në kongresin e Manastirit,
pa i bërë deformime. Autori citon fjalët e Profesorit që ua thoshte vazhdimisht
nxënësve të vet të Shkollës Pedagogjike të Gjirokastrës: “...duhet të mbahet e
pastër e të shkruhet bukur gjuha shqipe, se ndryshe shëmtojmë këto male, edhe
këto fusha, edhe bukurinë e pyjeve, edhe ujërat kristal të burimeve. Cdo gjë
kalon në sitën e shkronjave”.
Kështu u thoshte vazhdimisht Profesor Papapano. Nëse në ato vite nxënësit
e kanë patur jo të lehtë të kuptonin
fjalët e profesorit, për atë lidhje në dukje misterioze midis shkronjave dhe
Atdheut, sot ata nxënësit e dikurshëm që mosha u ka kapërcyer mbi të
gjashtëdhjetat, e kuptojnë fare mirë përmbajtjen e tyre, se shumë pjesë të
trojeve tona i kemi humbur, pasi në
rrjedhë të historisë sonë mbi tre mijëvjeçare, për shumë kohë na kanë munguar
këto shkronja.
Ishte fillimi i viteve `50, kur Tomorr Caushi do të ulej në bangat e shkollës
Pedagogjike të Gjirokastrës (1950-1954). Në ato banka do të uleshin dhe Dritëro
Agolli dhe Ismail Kadare, dy poetët më në zë të Shqipërisë moderne. Profesor
Papapano si dhe shumë të tjerë mund të gjenin Tiranën si vendin ku mund të
zhvillonin aftësitë e tyre shkencore.
****
Bukuria e stilit të autorit është realizuar më së miri në përshkrimet që
u ka bërë figurave të njohura dëshnicare. Bënja është një nga fshatrat e
Dëshnicës që e ka shkruar historinë e saj me pushkë e me penë. Midis këtyre
figurave të shquara, Kamber Bënja ka kapërcyer hapësirën e vendlindjes së tij
dhe ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dëshmori i parë në mbrojtje të
Kulturës shqiptare. Ishin statujat e qytetit antik të Apollonisë që e vunë
trimin Kamber Bënja të përballej me pushtuesit austriak që po i grabitnin dhe i
çonin muzeumeve të Vjenës.
Autori ka portrezuar me mjeshtëri një tjetër figurë madhore të fshatit Bënjë,
atë të Nexhip Bënjës. Janë figura madhore, se jeta e tyre ka qenë e lidhur me
fatet e vendit, me rezistencën ndaj pushtuesve të huaj. Vrasja e kollozit turk
në Leskovik dhe lidhjet e tij me çetën e Çerciz Topullit, e bënë të njohur në
të gjithë Shqipërinë. I kënduan këngë, por e derdhën dhe në bronz si një figurë
emblematike e luftëtarit të Lirisë, në monumentin e Luftëtarit Kombëtar që u
ngrit në Korcë më 28 nëntor 1932, vepër e skluptorit përmetar Odise Paskali.
Për këto figura kanë shkruar dhe autorë të tjerë, por në penën e Tomorr Caushit
kanë fituar përmasa të reja, janë bërë më të dashur e më të afërt, të duket
sikur je duke biseduar me ta dhe sikur ngjarja ka ndodhur vetëm pak kohë më
parë. Të duket sikur ke jetuar jo vetëm kohën tënde që nga lindja, por edhe atë
para teje dhe ndihesh i lidhur pazgjidhmërisht me breza e breza që kanë jetuar
më parë. Kjo është fuqia e shkrimtarit, që me fuqinë e veprës së tij të bën të
pranishëm në territore që nuk i ke shkelur më parë e breza e njerëz që nuk i ke
takuar. Po do të ndalem edhe në një tjetër figurë mbresëlënëse të fshatit
Bënjë, atë të Vesel Rustemit dhe, pse të mos i themi dhe atij, Vesel Bënja,
luftëtarit në qeverinë e Vlorës që më 29 Nëntor 1972, pranë zyrtarëve më
të lartë të kohës, zbuloi për popullin e pranishëm në atë shesh, Monumentin e
Pavarësisë.
****
Një vend të rëndësishëm, në këtë libër, zënë disa nga figurat më të
respektuara në Dëshnicë. Ali Kamja përfaqëson mençurinë e dëshnicarit.
Në detyrën e kryetarit të Komitetit për rrethin e Këlcyrës në vitet e
Pasçlirimit tregoi modelin e një drejtuesi që jetën e vet e vuri në shërbim të
shoqërisë.
Me dashuri e mirënjohje për punën
shkencore është përshkruar edhe Mentor Përmeti, që pak kush e ka
ditur se rrënjët e tij janë në fshatin e Topojanit, djali i patriotit të
shquar, Lufti Topojanit. Në kujtimet e
motrës së autorit, Xhevahire Çaushi
Bejo është dhënë portreti i mësuesit që kishte lënë vendlindjen e tij të
largët, Shkodrën dhe kishte ardhur mësues në Fratar (1937-1939). “Edhe ai (Mark
Leci) është një maratonomak
shkodran, i cili në kohën më të vështirë sillte dritë në Fratarin e largët”.
Në këtë libër jepen mbresat vetiake të
autorit në ushtrimin e profesionit të tij si mësues. Njihemi me ata mësues të
përkushtuar që menjëherë pas Çlirimit të vendit shkuan në disa fshatra të
Dëshnicës për të përhapur dritën e dijes.
Në Bubës fshatarët kujdeseshin jo vetëm për fëmijët e tyre dhe shkollën, por
edhe për mësuesit. Në ditën e parë të mbrritjes në Bubës, autori tregon se u
ndie ngrohtësia e bubësllinjve për mësuesin e ri, midis tyre dhe i Nasibi
Bërzanit.
“ Në darkë më çuan për të fjetur, bashkë
me disa arsimtarë të tjerë, në shtëpinë e Estref Alliut. Një shtëpi
model për kohën që flasim. Shiltetë ngjyra-ngjyra mbi qilimat e bukur dhe
jastëkët e qëndisur nga duart e Kajames, i jepnin një tjetër nur asaj
dhome. Vetëm një etnograf me eksperiencë mund ta përshkruaj atë tablo, tamam si
një muze që duhej të ruhej për këtë punë”. (Tomorr Caushi, Jovetëm
mirënjohje, Tiranë 2013, fq. 118).
Autori na ka dhënë atë punë të çmuar që stafi mësimor ka dhënë edhe në
shkollat e Bënjës, Fratarit e Seniçanit. Janë copa tregimesh ku secili
gjen vetveten. Natyra e bukur dëshnicare ka zënë vendin e vet në çdo ndodhi e
ngjarje. Ndienjat njerëzore janë gërshetuar me mjedisin familjar e shoqëror.
Pasi e lexon këtë libër, e ndien se historia jonë dhe bashkë me të dhe historia
e Dëshnicës, duhet ndriçuar vazhdimisht. Popujt pa histori janë të destinuar të
zhduken. Dëshnica me histori që në zanafillë të njerëzimit, është krenare për
të parët e saj. Krenarinë na i shton edhe libri më i ri i shkrimtarit Tomorr Caushi “ Jo vetëm
mirënjohje”.