E premte, 26.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Skënderbeu në versionin tuaj

E merkure, 28.05.2014, 08:03 PM


Adaptim për film

Skënderbeu në versionin tuaj

Kush u pengon ti shpërfillni faktet historike e ta bëni ndryshe skenarin: sikur Skënderbeut i paraqitej natën, mu si Hamletit fantazma e babait, Gjonit, princit të Arbërit, i cili i tregon se ai nuk vdiq nga pleqëria, ashtu sikurse mund ta kenë gënjyer, por vdiq nga helmi-pabesia e turqve. Ose nëna e grish në ëndërr: ktheu bir  eja e përtërije vatrën...

Nga Gani MEHMETAJ

Po t’ua jepte dikush obligim të bënit një skenar për filmin Skënderbeu, heroin më të madh shqiptar dhe njërin ndër personalitetet më të njohura evropiane, si do të silleshit?  Do ta refuzonit nga frika se nuk ia dilni mbanë? Do ta pranonit me lehtësi, i sigurt se do ta bëni ashtu si duhet? Apo do të mendonit një kohë, i vetëdijshëm se Skënderbeu është sfidë e jashtëzakonshme për çdo kineast të ri apo më përvojë, shqiptar apo të huaj. Mos harroni se për Skënderbeun e kemi një film shqiptaro-sovjetik të bërë para 60-vjetësh. Të njëjtin film e shfaqim në televizion apo në kinema në çdo përvjetor, në çdo përkujtim apo sa herë duam ta shënojmë ndonjë ngjarje me rëndësi. Gati i dimë përmendësh dialogët, situatat, beteja dhe muzikën. Megjithatë nuk kemi film më reprezentativ për përvjetor të caktuar. Ai dhe “Nëntori i dytë”

Ndërkaq, film tjetër nuk bëmë gjatë gjithë kësaj kohe. Sikur ta kishin hero kombëtar të tjerët do të bënin disa filma artistik e dokumentar. Toka është gati djerrë, do të thoshin bujqit, mundësitë tuaja janë të pakufishme jo vetëm në filmin artistik, apo spektaklin historik, por edhe në filmin dokumentar, filmin arsimor e shkencor, sepse nuk e kemi asnjë filma të këtyre llojeve. Ndërkaq, rregullat për adaptim janë të njëjta, vetëm lloji e përkushtimi ndryshon. Prandaj po e niset skenarin është çështje e përcaktimit apo e porosisë së cilin lloj të adaptimit do ta bëni:  artistik, dokumentar apo shkencor.

Por nëse do ta pranonit sfidën, si do t’i qaseshit, sepse ju duhet të bëni ca përgatitje  paraprake, të konsultoni gjithë atë që është shkruar e thënë për te e epokën e tij.. Ndërkaq, për Skënderbeun dihet gati çdo gjë. Por ju duhet t’i mësoni edhe detajet të cilat nuk dihen, apo nuk i dinë pjesa dërmuese e shikuesve. Pse të mos i stisni, nëse filmi del më sharmant?

Cilat do të ishin pikat kyçe të kapjes së jetës e bëmave ët Skënderbeut ? Do të përqendroheshit në ndjekjen kronologjike të ngjarjeve? Do të fillonit nga një situatë a veprim i caktuar? Duhet t’ia filloni nga faktet e ditura ose duhet të krijoni situata të imagjinuara? Janë një varg pyetjesh që duhet t’i qartësoni, para se te merrni notesin e të mblidhni të dhëna, shënime, skicime, seleksionime të materialit etj.

Një pyetje nga më të zakonshmet, po niset të shkruani skenar filmi për heroin tonë kombëtar: a dihet kur vendosi Gjergj Kastrioti të kthehet në Shqipëri? Erdhi të zinte fronin e babait i cili vdiq? Dyshonte se e helmuan osmanët, përderisa Skënderbeu luftonte në anën osmane? Ose i erdhi në maje të hundës lufta për të huajt?

Nuk ka të dhëna për momentin psikologjik: a ishte Skënderbeu ai që vendosi  t’i flakte të gjitha: famën, karrierën, privilegjet e luksin, për të nis një luftë të gjatë e sfilitëse kundër perandorisë më të madh të kohës. Nuk ka të dhëna as kur iu poq ideja që të kthehet në atdhe për t’iu kundërvënë perandorisë më të madhe të kohës me një sukses që se kishe bërë askush para dhe pas tij.

Nëpër kronikat e rilindësve tanë shkruhet t se Skënderbeu pati vazhdimisht emisarë që e ftuan të kthehej në vendlindje dhe t’ua hiqte qafe ushtrinë osmane. Të tjerët thonë se ai vendosi në çastin e fundit, derisa ishte në fushim në Nish, një qytet shqiptar që atëbotë ishte në  pushtimin turk, ndërsa në shekullin XX ra nën sundimin serb, kur u masakruan të gjithë shqiptarët myslimanë nga serbët, kurse shqiptarët e krishterë qenë vrarë më parë nga turqit. Me kafkat e tyre turqit bënë Qele-Kullën famëkeqe të Nishit për të cilën mburren serbët edhe sot e kësaj dite. Një temë e veçantë që do ta trajtonte një skenarist tjetër. Në njërën anë turqit masakrojnë shqiptarët ortodoks në Nish, duke ndërtuar kullën e tmerrit më kokat e tyre, në anën tjetër serbët vrasin shqiptarët myslimanë, duke i dëbuar përtej Nishit në Kosovë, ose në Turqi.

Pra në këtë qytet të Konstantinit të Madh, që disa shekuj më vonë do të bëhet arenë e luftimeve të rrepta, me 1443 Skënderbeu braktisi ushtrinë turke, me 300 ushtarë ( si Leonida spartan, numri 300 është numri simbolik e simptomatik ) u kthye në Krujë.

Këto janë faktet historike, por ju nuk do të bëni një film kryekëput i mbështetur vetëm në fakte historike. Kush u pengon ti shpërfillni faktet historike e ta bëni ndryshe skenarin: sikur Skënderbeut i paraqitej natën, mu si Hamletit fantazma e babait Gjonit, princit të  Arbërit, i cili i tregon se ai nuk vdiq nga pleqëria, ashtu sikurse mund ta kenë gënjyer, por vdiq nga helmi-pabesia e turqve. Hija e babait e zgjon edhe netëve të tjera, derisa nuk niset në rrugën e madhe për atdhe. Apo, skenaristi mund ta bëjë sikur nëna e lodhur nga pleqëria, e dërmuar nga fatkeqësia (të gjithë bijtë i ka të syrgjynosur) e grishte çdo natë në gjumë: ktheu bir, eja e përtërije vatrën, ngjalle principatën dhe vazhdoje emrin e Kastriotëve. Ë gjitha kjo është imagjinatë e skenaristit që mund ta bëjë me skena rrëqethëse, dialog të ngjeshur dhe dritë-hije vizualisht të gjetura. Por në çfarëdo qasje të jetë  mund të jetë e besueshme, shikuesi do tas pranonte.

Me momente psikologjike a mallin për atdhe historia nuk merret, as kronistët e kohës. Pse të mos merresh ti?

Dhe ti pastaj nis rrëfimin për kthimin e Skënderbeu në Krujë...

Por pritë, mos nxito! Si do t’ia bësh me burimin e frymëzimit, me literaturën, sepse domosdo duhet të kesh një mbështetje, një inspirim, mund të marrish motivet nga njëra vepër, personazhet nga tjetra, situatat nga e treta apo të gjitha këto t’i shkrish më personazhe dytësor që duken të besueshëm e atraktiv për shikues. Pra ti nuk do të shkruash përmendesh, megjithëse e pranojë se s’ka shqiptar që nuk mburret sikur s’ka gjë që s’di për heroin kombëtar. I di madje edhe reagimet e armiqve të tij, që e kanë ndjekur deri në ditë e sotme, i di edhe arsyet pse e sulmojnë nëpër gazeta e televizione etj. Por këto gjëra për skenaristin tonë janë të papërfillshme ai do të bëjë skenar për Skënderbeun, historinë e bëmat, apo për Gjergj Kastriotin e ëndrrave tona, të mistifikuar apo të demistifikuar por në një dritë që rrezaton.

Pra, ne ta pranojmë që ti di çdo gjë për te e bëmat e tij, mirëpo kujdes informacioni yt nuk mjafton, nuk do t‘i mjaftonte as një historiani të ditur që e ka specializim periudhën e Skënderbeut sa të thotë se s’më duhet asnjë mbështetje tjetër.

Për të shkruar një skenar të mirë duhet të konsultosh literaturë që i referohet kohës, duhet të konsultohen faktet historike, pse jo të kesh një këshilltar historian, duhet të krijosh imazhet e kohës, me skenografi, kostumografi, dialektin, besimin, kultet, qëndrimin, mënyrën e komunikimit dhe nivelin kulturor, përkatësisht traditën e tyre. Të gjitha këto duhet të përpiqesh ti sjellësh në film, por pa ndihmën e ekspertëve zor se do t’i realizosh, apo pa e shfletuar literaturën përkatëse.

Pra, duhet të fillosh procesin e hulumtimit të literaturës e të fakteve të ditura apo më pak të ditura. Megjithëse për Skënderbeun ka dhjetëra a qindra libra, të shkruara nga shkrimtarë e historianë shqiptarë e të huaj, ke spektaklin historik të  pëlqyeshëm të regjisorit ukrainas Sergej Jutkeviç,  prapë duhet të gjesh fillin se nga do t’ia nisësh.

Marin Barleti, kronisti më i besueshëm i kohës, është literaturë e pashmangshme. Poema  e Longfelout është fragment atraktiv që duhet ta kesh parasysh, mbase të hynë në punë. Historia e Skënderbeut e Naim Frashërit, apo Skënderbeu i Fan Nolit po ashtu janë të pashmangshme.

Që ta kapesh mirë kohën duhet ta shfletosh edhe “Skënderbeun e pafaanë” të shkrimtarit arbëresh Jeronim de Rada etj. Kur ta kesh shfletuar edhe ndonjë dramë të oborreve të shekullit të XVIII, ku Gjergji ynë del dashnor i pasionuar, i dashuruar në bijën e Sulltanit, mos e mbyll librin, shfletoje deri në fund, mbase të duhet të nxjerrësh ndonjë intrigë të oborrit të Sulltanit, nuk i dihet. Por po vendose të vazhdosh aventurën atëherë është  i pashmangshëm leximi i “Skënderbeut” të Sabri Godos, nëse ende nuk e ke lexuar, për gjetjet e caktuara dramaturgjike e fakteve historike të cilat ai i ka më bollëk, të shtruara me një fakturë artistike që vetëm duhet t’i adaptosh, distilosh e përkthesh në gjuhën e filmit. Sepse ti e di se adaptimi është përshtatje, distilim, përkthim, rilexim i teksteve të tjera letrare e jo letrare në gjuhën filmike.

Por nëse dëshiron ta kapësh nga një kënd tjetër, atëherë duhet ta lexosh  “Kështjellën” e Ismail Kadaresë ku Skënderbeu nuk duket fare, ndërsa gjithë kohës ndjehet prania e tij si të armiqtë, turqit që e kanë rrethuar kështjellën e Krujës, ashtu edhe të bashkëkombësit e tij që janë të rrethuar në kështjellë dhe presin mbështetje. Kadareja është i pashmangshëm, madje në këtë roman është skenari i gatshëm, vetëm duhet ta vjelësh.

Është edhe një detaj që duhet ta dish, sidomos mund të të hy në punë në dendësinë e rrëfimit, në disa vargje të cilat unë i mbajë në mend nga libri i leximit në shkollën fillore: “Ballabani kopiloni, zog Shqipnie\ pash Turqie, theri kalin la ushtrinë\ si arush mësyni Topinë”. Katër- pesë vargje më të cilat ti mund të bësh një kuadër-sekuencë dhjetë minuta, me shumë dinamikë ndeshjesh kalorësiake, me plane të afërta, të mesme e panoramike, me prerje të shkurtra kuadrosh disa sekonda, por edhe disa minuta, me  montazh paralel që afron kohën në të njëjtët minuta. Është një dramë e veçantë e jashtëzakonshme e ndeshjes së dy botërave të kundërta, por edhe e pabesisë e egërsisë.

Dhe kur ti kesh grumbulluar të gjitha këto fakte e të dhëna, kur ti kesh rikujtuar edhe një herë, atëherë të gjitha i ke përpara: kronikën e Marin Barletit, dramat e rilindësve  evropianë, historinë e frymëzuar të Naimit e të Nolit, krahas dokumentares e imagjinares së Godos, ose elementit artistik që të le pa frymë të Kadareja.

Prej teje pastaj varet se të cili do të mbështetesh më shumë, pra të cili burim do të pish më me ëndje, sepse nga njëri prej tyre do të kesh pikënisjen, ose do të kesh besim më të madh.

Çfarë të besh kur të gjitha këto i shkrin apo i gërsheton? Mbase edhe mund ti shpërfillesh duke gjetur zgjidhje dramaturgjike të tjera, dialogun që nuk është as në tekstet e rilindësve evropianë e rilindësve shqiptar, as në romanet e Godos  e të Kadaresë.

Por një gjë s’mund ta shmangësh: fakteve historike të ndeshjes së Gjergj Kastriotit me  turqit, problemet e heroit tonë me princat e Arbërit të cilët më vështirësi e pranonin dike tjetër mbi ta, edhe atëherë kur i kërcënonte  armiku i përbashkët.

Kur ti kesh afruar të gjitha këto s’të mbetet  pos ethet e krijimit dhe netët e vetmuara.

(Fragment nga libri në dorëshkrim “Adaptim për film” (si të shkruash një skenar të frymëzuar nga romani, tregimi, drama, fejtoni apo kronika sociale e gazetës).



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora