E shtune, 27.04.2024, 01:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Gjymtyrët e mjegullva të Zaplluzhës

E merkure, 07.05.2014, 07:33 PM


Poeti që bën "gjymytyrë" për mjegullat

Nëpër gjymtyrët e mjegullva të Adem Zaplluzhës

(esse)

Nga Përparim Hysi

Të fundit po e them që në  fillim: kam njohur një Poet të një shkalle të epërme.  E kam fjalën për Poetin Adem Zaplluzha. Jo vetëm e kam njohur, por jam befasuar. Kjo befasi imja është shumë domethënëse. Shkruaj dhe vet poezi, po jam  i një "lloji" tjetër: unë kurrë nuk heq dorë nga poezia me rimë dhe kjo ndodh për një arsye të fortë: nuk jam i zoti të ligjëroj në poezi me vargje të lira apo të bardha. Sado që jam i një "mizure" tjetër (ata që nuk më njohin mos më  marrin për ndonjë poet kushedi?!!!), e çoj gojën vesh më vesh kur lexoj poetë që të çudisin me poezitë që s'kanë rimë. Po si mos qeshja kur lexoja Majakovskin  me " Re me pantollona".  Në vizionin tim më dukej sikur Poeti e kish kapur renë prej veshësh dhe po ia "vishte" pantollonat me zor. Dhe ashtu si oreksi që vjen duke ngrënë, zura t 'i doja poetë të tillë. Kjo dashuri imja kish filluar që me Migjenin e Qemal Stafën apo dhe ndonjë poet tjetër, por thashë dikur-dikur se si Janis Ricos zor se do këndonte dikush më bukur. Këtë mendim e pata për "Mëhallat e botës". Mirëpo, dalngadalë, poezia me rimë sikur po asfiksohej dhe po dilnin poetë që, me të vërtetë,që të vinin në mendime. Në letërsinë botërore kjo kish ndodhur me kohë, por vërshimi i bukur filoi dhe në letërsinë shqiptare. As pretendoj që njihja Martin Camën ( ky as njihej në  letërsinë tonë të realizmit socilaist), por kur ndodhi "hopi" i bukur letrar me Kadarenë,Agollin, Arapin, Shehun e të tjerë, natyrisht zura ta doja edhe këtë lloj poezie: por duhet theksuar që Kadareja dhe Arapi xhëku e "thyen" atë poezinë me rimë.

*    *   *

NJeriu plaket duke nxënë,- thotë populli. Dhe unë lexoja dhe ngazëllehesha dhe me këta poetë që "dolën nga rruga e Zotit". Po si ishe e mundur që mos ngazëlleheshe

nga poetë që e rritën cilësisht poezinë e tyre. Tek i lexoja, më dukej se po ua "zhvishja  pantollonat reve" të  Majakovskit,se kisha parë Moikom Zeqon që i "vishte syze dielli Menduzës së dashuruar"; shihja Dhimitër Pojanakun ( theksoj poetin Dhimitër Pojanaku!!!) që i zinte "xhindët prej veshi dhe i bënte të kërcenin polka"; shihja princin e lirikave ( mbret  i lirikës në vizionin tim është Lasgushi), bohemiin e bukur, Frederik  RReshpja që  më bënte gati të nisesha fluturim dhe t'ia puthja ballin e vuajtur tek këndonte: "... qante dreri në korie dhe lotët bëheshin shi" apo "... po bien ëndrrat e pyjeve një nga një... ose "... mjegulla e hollë ndan dritares sime qan me lot shiu. Poeti tjetër i bukur, Faslli Haliti këndonte për pranverën: "  sythi shkrin dëborën në zjarrin e lules... Poezia e Faslliut të bënte për vete me mesazhet që jepte: "Njerëz" Ruani njerëzit nga njerëzit! Apo dhe më bukur: "  Turmat i ngrenë/ populli ngrihet vet!. Epo daullet bien për ata që kanë veshë dhe jo për ata që veshët i kanë zënë me dyllë.  Kjo lloj poezie  me kaq mesazhe, pak e nga pak, sikur po merte  domenin edhe në letërsinë tonë. P.sh. Petraq Risto "hipën në një karuselë, që për bosht ka një ylber". Fatmir Teziu "ëndrrat i qep në çarçaf" apo"ishte koha  që kafenë për qokë e pinte Atdheu".

Në një përmbledhje, me pak fjalë, kjo lloj poezie po lëvrohet çdo ditë  e më shumë në mbarë letërsinë shqiptare.

*    *    *

Çdo  njeri që njeh  sadopak letërsinë apo historinë e letërsisë shqiptare, është i ndërgjegjshëm që letërsia  me vargje të lira apo të bardha, pothuajëse, tërësisht është lëvruar në Kosovë. Në Kosovë ka një aradhë poetësh që shkruajnë një letërsi të  tillë ku mesazhet,  shpesh, fshihen mes kodeve të autorëve që i krijonin këto poezi. Që shkruanin një poezi të tillë, kuptohet që ishin të shtrënguar nga  kondicioni historiik i kohës. Natyrisht, nuk është objekt i kësaj esseje vështrimi dhe analiza e një poezie të tillë, por kjo "esse" modeste ime është për të sjellë para jush një Poet që ka bërë emër me poezi të tillla cilësore. Cilësore nga  ana  artistike dhe, ca më shumë,  me mesazhet që përcjell për lexuesit. E kam fjalën për Poetin Adem Zaplluzha! Nuk pretendoj se e njoh mirëfilli poezinë e tij. Por, në iu futa kësaj pune, e bëra veç nga një befasim. U futa në "Google" dhe, kur lexova, se ç'ka bërë ai gjatë gjithë jetës, jo vetëm që u  inspirova, por ndjeva që t'më skuqeshin faqet prej turpit. Pashë që, Adem Zaplluzha, qenka sa unë: 71-vjeç! 71-vjeç dhe ka botuar deri tani 110 ( po e shkruaj me shkrim:njëqind e dhjetë) libra. Më gjeni gjëkund të gjashmin?! Me aq sa kam lexuar dhe di unë: një bum të  tillë ka patur Lope de Vega në Spanjë! Që të bindeni se shifra që çitoj nuk është shpikja ime, sa për një "mbrojtje të vogël nga ç'shkruaj", po ju citoj atë që ka shkruar, Profesor Murat Gecaj: "... Adem Zaplluzha më dhuroi 37 (tridhjetë e shtatë libra!!!). Këto shifra janë shumë kokëforte: janë  si një fshat që duket,që nuk don  kallauz. Ka dhe diçka tjetër: libri që ka botuar, së fundi, "Nëpër  gjymtyrët e mjegullave" është shkruar  brënda muajit mars- prill 2014.

*     *    *

"Nëpër gjymtyrët e mjegullave" është një libër me gati 90 poezi. Të gjitha shkruar me  një gjuhë artistike që ta mbushë trupin me morrnica. Figurat artistike (dominojnë metaforat deri hiperbolike) mënd hedhin valle. Ato jo vetëm dominojnë gjithë poezitë por të përdorur me dorë mjeshtri (Poeti  ka një poezi të kultivuar që zor se tretet nga çdo stomak lexuesish) dhe ajo që duhet theksuar është fakti shumë domethënës: asnjeherë, në asnjë prej poezive, Poeti nuk harron të jap mesazhin. Nuk shkruan "mbill e mos korr", por me një qëllim të caktuar. Unë, për fat të keq, nuk e kam librin e tij, por s'kam si mos ndalem  në vargje" ...babai  im urrente njerëzit që binin në dy gjunjë/... dhe vdiq "vertikalisht"./ ose, kur flet për masakrat në Kosovë" 7 vetë varrosen në një metër katror" Dhe mund të vazhdoj e mund të vzahdoj me citime pa fund. Unë ju siguroj vetëm për një gjë: në do kini fat e ta lexoni librin e fundit të Poetit Adem Zaplluzha, kini për t'u bindur se keni  njohur me  një Poet që, në se nuk  e ka marrë deri tani dafinën  e lavdisë ,  kjo ka ndodhur se ende kritika letrare po bën gjumin e saj letargjik. Kritika, në një farë mënyre, për mua është si ai farmacisti i mirë,që korregjon doktorin në lëshimin e një recete. Pse fle gjumë kritika, ka dhe inflacion vlerash. Ka ardhur koha që një Poet si Adem Zaplluzha të renditet në Fronin e bukur  të Poetëve cilësorë të Shqipes. Jo se  ka shkruar kaq shumë, por se ka shkruar dhe shkruan aq bukur. Se poezia e tij ka art. Se poezia e tij ka mesazhe. Se poezia e tij është cilësore.

Hierarkia e vlerave ka nevojë për t'u riparë. Të marrë Cezari atë që i  takon. E quaj të vonuar, shumë të vonuar që të lihet në "hije" (vetëm me një çmim karriere e një përkthim në rumanishte) një poet i tillë. Ai e ka bërë dhe vazhdon ta bëj aq bukur punën e tij krijuese dhe ka përse ta  mbaj kokën lart. Unë ( s'jam vetëm unë) pres që Poeti Adem Zaplluzha  të marrë atë që meriton.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora