E hene, 05.12.2022, 06:27 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Një takim emocionues

E diele, 24.11.2013, 10:57 AM


Një takim emocionues

Nga Përparim Hysi

Më ra zilja e celularit. Një zë i njohur. Fliste miku im, Fuat  Memeli.

- A ke mall të takosh një mik të largët?

- Jo, jo,- iu përgjigja pyetjes së tij pak shpotitëse. Dhe shtova: - I kam bërë lanet ata që kanë mërguar në moshë të vonë !!! Kuptohet që kjo qe një shpoti dhe aq. Lamë dhe vendin e takimit. Është bërë pak simbolik ky vend dhe,mes nesh, në konfidincialitet e quajmë: tek klubi i Babushit. Për ta bërë dhe pak  të njohur,Babushi, nuk është kush tjetër veç Profesor Murat Gecaj, ky mik kaq altruist dhe i kudondodhur. Ky, Babushi, nuk është se është pronar i një klubi, por është si "zbulues" i këtij klubi të vogël, pak si i fshehur nga sytë e botës. I vogël, i vogël, por tek ky klub (klubi i Babushit) gjen mishërimin e vet ajo fjala popullore: ferra e vogël, fsheh lepur të madh. Dhe, kështu ndodhi me të vërtetë. Si në  atë poemën e  Kadaresë "... një nga  një ata vinin" dhe vazhdon: " në xhep një kartë...", po këta "ilegalët" që vinin tek klubi i Babushit, nuk ishin të tillë. E përbashkëta e  tyre: janë të gjithë krijues dhe e dyta: të ftuar të Fuat Memelit që, më shpejt po kthehet në Amerikë,se sa ka ardhur prej andej. Për t'i rënë shkurt: ky qe një takim malli mes miqësh.

***

Për të shuar paksa kërshërinë e lexuesëve, le t'i bëjmë të njohur pjesëmarrësit e këtij takimi. Profesor Murat Gecaj nga Tropoja, Poeti dhe prozatori i veçantë, Vullnet Mato, poetja elbasanase , me origjinë nga Dardha, e mrekullueshmja Lida Laze. "Ambasadorja shetitëse" ( atributi është bërë nga unë), Kozeta Zavalani, piktorja dhe poetja Flutura Maçi, " Lisi mbi shkëmb" (përsëri  atributi është imi), i miri nga Floqi,Fiqri Shahinallari. Në takim,  të ftuar të veçantë të Fuatit  qe dhe një korçar tjetër,shumë i gjindshëm,si Guri Piçi ( të më fali në kam gabuar në  të dhënat e tij) dhe ajo "qershiza mbi tortë", motra e Fuatit ( mos gaboj quhej Ervehe). Pra takimi qe si një takim krijuesish dhe nuk kish se si bëhej ndryshe një takim kaq festiv.

"Dollibashi" i gjithë këtij takimi kaq emocional, pa dyshim që qe Fuat Memeli, por ne, krijuesit, zumë e demonstronim në fushat tona. Vullnet   Matoja  tregonte "fijet" që e lidhnin me Korçën. Paska marr nusen andej dhe nuk i thonë shaka: qe nga "fshati i gruas". E kish marrë gruan kaurkë dhe, për pak, i kish shpëtuar një "dajaku" të mirë.

Këtu, për kaurkat, nuk lëshova pe unë,se "kaurkën" e kam rrëmbyer nja dhjetë vjet më parë se Vullneti dhe  e hodha në "tuç" këtë fterriotin që,veçanërisht, të çmënd jo vetëm në ato që shkruan, por me ato fotografitë që përciell nëpër blogjet internetike. Babushi që emrin e ka mysliman dhe është katolik,tutje nga Nikaj-Mërturi i Tropojës, tregon për "odisenë " e tij  me  Katerinën. Dardharja nga Elbasani,Lida Lazaj, zuri e recitoi një poezi aq të ndjerë; Kozetë "ambasadorja" na çoi  që nga Evropa, në Azi dhe më tej akoma: në Afrikë. Ku ta kishe mëndjen? Në Kore të  Jugut apo në Iran. Në Kore të jugut që kish ngrënë një gjellë me kushedi ç'kish brenda? Në Iran (kërcen prifti nga belaja) për të mbuluar disi gjoksin pak të hapur,qe detyruar ta mbulonte me një shall, jo nga "sevdaja", po nga "belaja": kish Çeçua biçak. Më emocionues u bë Kozeta kur tregoi,se mbas një gostie alla myslimane (myslimanët e kanë të ngarkuar kuzhinën) qe e detyruar që të hante ( nga matozori,sigurisht) të  "famshmin byrek të mbretit". E hëngra,- tregonte duke qeshur,- dhe tërë natës nuk mbylla sy: qeshë gati t'i hidhsha dikujt në kokë.

Epo mbreti do të dëfrehet,- ndërhyra unë,- dhe i paça fatin atij që do të rrëfehej diku,në Marok.

Fiqua i mirë (Fiqri Shahinllari) jepte e merrte, sa në sulm dhe aq në "mbrojtje",se ajo dreq shtëpi botuese "Vllamasi", i kish dalë nga fjala dhe nuk po i nxirrte librin e tretë.Se dy i  "kaparosi" Fiqua. Mysafirja krejt e  "panjohur", piktorja dhe poetja Flutura  Maçi as që hapte gojë. Nuk fliste me gojë, por dora i punonte: sa hap e mbyll sytë ma kish "zografitur" Fiqkën prej Floqi.  Aq mirë e kish goditur, sa unë plasa nga zilia. "Shënomë dhe mua!",- brëtita. Dhe  Flutura si Flutura. Zuri dhe bënte portretin tim. Aha,- tha,- je i pakapshëm. -Pse ç'kujton,- i them,- se mos jam "dele" si Fiqua. Jam ekspresiv,- i thashë,- dhe nuk ke se si e  realizon. Megjithatë, ia putha duarët e bukura asaj zonje aq të mirë dhe atë portret nuk e këmbej me asnjë fotografi. Sot mbrodha Tiranën për t'i gjetur një kornizë. Do ta vë mbi tavolinë si një event që nuk kam për ta harruar.

***

Fuati është sa  agronom,aq dhe fotograf. Sa poet,aq dhe muzikant. Me aparatin e tij ne fiksuam sa e sa poza. Atmosfera u bë ikandeshente kur, po Fuati, rrëmbeu fiizarmonikën dhe klubi u kthye në Korçën e viteve të dikurshme. Serenatat korçare të kënduara, en bloc,arritën kulmin e tyre me zërin alto të motrës së Fuatit (ardhur enkas nga shtëpia). Ajo, duke rrëmbyer ndonjë oktav mbi zërat tanë, u bë "qershiza mbi tortë". Mandej unë "filorusi" ( mua më doli nami,se  Babushi atje ka studiuar) i këngëve ruse të kohës sonë si "Mbrëmjet e Moskës" e të tjera,e çova mjedisin në ato kohët tona të dikurshme. Kënga bullgare  "Jorgjicë,Jorgjicë" ( korçarët e quajnë si të tyret,se aq popullore është) e ngrohu aq atmosferën,sa erdhën dhe nga tavolinat e tjera. U afrua duke na përshëndetur një person,pak si sarhosh e gaztor, që në rrethet letrare, paraqitet me "Guri i Naimit". Ky qe "kripa me karar" në këtë atmosferë kaq festive. E, ndërsa ne "bluanim misër e hanim grurë",dora e artë e piktores Flutuar Mapi,sakaq,  e bëri portretin e motrës së Fuatit. Pastaj edhe të Babushit. Guri, ky mysafiri i veçantë, tregoi një ndodhi me policë të dehur.

- Pinin tre policë, bre. Pinin sidozot ne, këtu. Pinë e pinë dhe kur përballë kishin pasqyrën që tregonte seç po bënin.

- Ore,- tha njëri,- pa shikoni qenkan dhe tre andej mattan që pinë.Policë si ne. A ngrihemi dhe vemë e t'i takojmë?

- Vemi,- ia kthyen një gojësh.

U ngritën të tre në këmbë dhe, kur shohin se dhe ata "tre matan" u çuan. Epo  tek u ngritën dhe "ata", lëre le të vinë këtu.

Natyrisht, nuk kishe si e mbaje të qeshurit. Guri qe , gati më i shkurtëri,por  më "shiku" kur dëftente. Për të thyer (pati shumë pauza me batuat të kripura), Kozeta na recitoi një poezi të Vasil Tabakut dhe,sa mbaroi atë, i mbrriti dhe poezia ime "Takim me SHën Pjetrin". Atmosfera u bë  dhe më e ngrohtë. Askush nuk donte të largohej.  Dhe në gjithë këtë event kaq të bukur, momenti më prekës qe ndarja. Fuati dhe pas tij Fiqua do rimarrin rrugën për në Amerikë. Kish dhimbje në fytyrat e tyre. Të dy ikin nga halli.

Duket sikur kjo dhimbje na u induktua nga pak secilit. Tek femrat pati dhe lot. Lot malli për miq aq të mirë si Fuat Memeli dhe Fiqri Shahinllari. Pozat që u bënë nga Babushi,Fuati,Kozeta apo ndonjë tjetër që fiksuan këtë takim sa spontan aq dhe të bukur, e bëjnë edhe më emcionues. krejt takimin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora