Mendime
Lavdim Hamidi: “Sulltan” Tërnava
E hene, 02.09.2013, 08:00 PM
“Sulltan” Tërnava
Nga Lavdim Hamidi
Naim
Tërnava po bëhet myfti i përjetshëm. Këtë e arriti pas shumë “peripecive”,
“ndërskamcave” dhe duke eliminuar kundërshtarët, me përkrahjen e hapur të
grupit radikal, Lëvizjes “Bashkohu”.
Tërnava,
i cili heshti skandalet, rrahjet e hoxhallarëve, emërimet dhe shkarkimet me të
“ngjofshëm”... u shpërblye me përkrahjen e klanit, i cili haptazi është në anën
e ideologjisë së re radikale islame, që s’ka qenë e njohur për myslimanët
tolerantë të Kosovës.
Udhëheqësi
i BIK-ut, nuk bëri zë as kur u kërkua përgjegjësi për financat e institucionit
që drejton, mjetet që grumbullohen nga zemërgjerësia e besimtarëve dhe të hyrat
tjera të këtij institucioni fetar. Heshtja e tij u kurorëzua me postin, të
cilin pritet ta rimarrë gjatë ditëve në vijim.
Pa e
fshehur fare tendencën që të ulet përgjithmonë në kolltukun e myftiut, ai
haptazi shkarkoi kundërshtarët dhe detyroi servilët e tij ta ndryshojnë
Kushtetutën e BIK-ut.
Atij nuk
i mjaftuan dy mandate dhe luksin që ia solli kjo pozitë, prandaj po i shtohen
“apetitet” për mandate tjera, të cilën mundësi nuk e patën asnjë nga
paraardhësit e tij në krye të bashkësisë më të madhe fetare në vend, pasi që
Kushtetuta parashihte jo më shumë se dy mandate për myftiun.
Tërnava
ka nisur të marrë rolin e politikanëve, të cilët me çdo kusht e duan postin e
udhëheqësit, duke instaluar edhe mentalitet totalitar, ku të tjerët u
nënshtrohen duke iu gjunjëzuar, ndërsa kundërshtarët eliminohen pa mëshirë dhe
me metoda jodemokratike.
Prijësit
fetarë është dashur të jenë më ndryshe nga politikanët, të promovojnë
tolerancë, e jo të pasurohen në emër të Allahut. Në fund të mandatit të dytë ai
faktikisht më shumë e luajti rolin e liderit partiak, e aspak të klerikut
fetar.
Tash sa
vite ai u akomodua mirë në pozicionin e politikanit, ku toleroi të fyhen edhe
figurat më të larta kombëtare. Nuk reagoi as kur u fye Skënderbeu, e as kur u
sha lavire Nënë Tereza. Sepse ata imamë si Shefqet Krasniqi e Irfan Salihu e
shumë të tjerë, janë krahu i fortë i Tërnavës. Dorën në zemër, si të
distancohet Tërnava nga këta imamë e këto grupe radikale, të cilët e mbanin në
krye të Bashkësisë Islame.
Radikalizmi
dhe ekstremizmi në fe janë devijime, nuk janë feja, prandaj si të tilla janë të
rrezikshme për gjithë shoqërinë kosovare, pasi që nga radikalët e tillë u
rrahën disa hoxhallarë, të tjerëve iu dogjën makinat.
Ndërsa,
Tërnava në vend se të reagojë, ai zgjodhi të shkarkojë ata që haptazi
promovojnë vlerat tolerante të besimit islam, ata që haptazi dolën kundër
ideologjive wahaniste.
Të gjitha këto zhvillime haptazi që na treguan se çfarë po ndodh brenda institucionit më të rëndësishëm fetar në Kosovë, nuk është dashur t’i japin mundësinë Tërnavës të shpërblehet me postin e përjetshëm, në mënyrë që ai të sillet si sulltan dhe pa i dhënë llogari askujt.