E marte, 31.03.2020, 02:26 PM (GMT+1)

Aktualitet

Valon Murati kandidat për kryetar të Prishtinës

E diele, 01.09.2013, 12:28 PM


Valon Murati kandidat i LB-së për kryetar të Prishtinës

Sot, më 1.9.2013, në një takim me udhëheqësit e strukturave të degës së Prishtinës, Lëvizja për Bashkim prezantoi kandidatin e saj për Kryetar të Komunës së Prishtinës.

Kandidat për kryetar të kësaj komune, i cili do të garojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në emër të Lëvizjes për Bashkim do të jetë Valon Murati.

Takimin e hapi përfaqësuesi i Degës së Prishtinës, Brahim Mehmetaj. Ai fillimisht foli rreth aktivitetit të LB-së në Prishtinë, me ç‘rast potencoi sukseset e mëdha të arritura gjatë këtij aktiviteti. Z.Mehmetaj i falënderoi aktivistët për këtë punë të madhe dhe i ftoi ata që me të njëjtin intensitet të vazhdojnë edhe gjatë kësaj kohe që ka mbetur deri në zgjedhje, në mënyrë që të dalim fitues prej tyre. Më pas ai e prezantoi edhe listën me kandidatë për asambleistë të Komunës së Prishtinës.

Për ta prezantuar kandidatin për kryetar të Prishtinës, fjalën e mori Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku. “Puna juaj këmbëngulëse dhe e palodhshme ka bërë që në Prishtinë Lëvizja për Bashkim të ndërtojë struktura të fuqishme organizative të cilat janë një garanci për punën në të ardhmen për realizimin e programit kombëtar të Lëvizjes për Bashkim e sidomos për suksesin që me të drejtë e presim në zgjedhjet lokale në Prishtinë”- u shpreh ai në fillim të fjalës së tij dhe vazhdoi “Ju edhe në përzgjedhjen e kandidatit tuaj për kryetar të komunës së Prishtinës jeni treguar të matur, largpamës e të drejtë. Ju e keni zgjedhur për kandidat tuajin një personalitet, i cili nuk ka faqe të historisë së re të Kosovës që nuk ka lënë gjurmë dhe që nuk ka ndikuar në rrjedhjen e saj”. Më pas ai i numëroi cilësitë që e veçojnë kandidatin e LB-së nga kandidatët tjerë dhe rolin e tij në zhvillimet politike në vend në dy dekadat e fundit.

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e filloi fjalën e tij me falënderime për anëtarët e Degës së Prishtinës për besimin e dhënë me rastin e zgjedhjes së tij për t’i përfaqësuar në garën për të parin e kryeqytetit dhe shtoi se qëllimi i futjes në këtë garë është fitorja për çka shprehu besim dhe bindje të fuqishme. Në vazhdim ai shprehu brengën për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Prishtina por tha se për ndryshimin e gjendjes nuk duhet humbur shpresën. “Ne jemi shpresa, sepse kemi vendosur të mos jemi njerëz pasiv; sepse kemi vendosur të mos jemi vëzhgues por të jemi qytetarë aktivë, sepse kemi vendosur të refuzojmë të dëgjojmë premtime elektorale boshe, dhe në vend të kësaj të organizohemi, të bashkohemi dhe përmes LB-së, të shndërrohemi në shërbyes të devotshëm në mënyrë që t’ia ndërrojmë pamjen qytetit tonë, vendit në të cilin ne e kalojmë çdo ditë të jetës sonë, vendit i cili ka aq shumë potencial e të cilin e kanë bërë të duket i pajetë. Ne, me punën tonë të palodhshme, të përkushtuar dhe mbi të gjitha të ndershme do t’i japim jetë shpresës!”- u shpreh ai.

Lëvizja për Bashkim në garën për kryeqytetin garon me kandidat për kryetar dhe me listë të kandidatëve për asambleistë komunal.

Prishtinë, 1.9.2013

LËVIZJA PËR BASHKIM

Zyra për Informim

 

________

 

Të nderuar bashkëpunëtorë të strukturave të LB-së së Prishtinës,

Të nderuar anëtarë të listës për Asamblenë Komunale,

I nderuar kryetar,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam i nderuar që sot gjendem në mesin e juaj. Jam i nderuar që më keni dhënë besimin për të qenë kandidati i LB-së në garën për kryetar të kryeqytetit tonë.

Unë, ndjehem i privilegjuar se do t’i prij një grupi kaq të dinjitetshëm të grave dhe të burrave, dhe të gjithë anëtarëve të LB-së në Prishtinë, në përpjekjen e përbashkët për ta fituar dhe ndryshuar Prishtinën.

Përgjatë kësaj sfide që do ta kalojmë bashkërisht, unë nuk mund t’u premtoj asgjë tjetër përveç punës së pakursyer, përkushtimit, ndershmërisë dhe vendosmërisë.

Po cili është qëllimi i kësaj beteje të cilës i jemi futur?

Është i thjeshtë por i domosdoshëm, është i vështirë por jo i pamundshëm, është i ri por i shumëpritur.

Pra, qëllimi në të cilin ne besojmë fuqishëm – është fitorja!

Unë kam besimin e plotë që bashkërisht, dhe me shumë punë e përkushtim do ta fitojmë këtë betejë.

Prishtina e pas qershorit të vitit 1999, ngjalli shumë shpresa se do të ishte një kryeqytet me të cilin do të mburreshim të gjithë. Por kjo Prishtinë nuk është ajo që e kemi dashur, dhe ëndërruar shumë prej nesh dhe as ajo që e dëshirojnë gjeneratat e reja. Prishtina që e dëshiron secili prej nesh, deri tash ka mbetur vetëm  në ëndrrat tona.

Prishtina sot i ka punët keq  të nderuar miq.

Prishtina e sotme është PRISHTINË E KAOSIT; ËSHTË PRISHTINË E PAPËRGJEGJËSISË; ËSHTË PRISHTINË KU ËSHTË ZBEHUR NDJENJA E KOMUNITETIT DHE E SOLIDARITETIT.

Dhe këto nuk janë të këqijat më të mëdha. E keqja më e madhe është se një gjendje e tillë ka ndikuar që qytetarët tanë ta humbin shpresën. Ta humbin shpresën se kjo gjendje mund të ndryshojë, ta humbin shpresën se ata mund të luajnë rol në këtë ndryshim. Kjo ka bërë që qytetari ynë të mbyllet në vetvete, duke e kthyer tërë komunitetin në një tërësi pasive, që më së shumti u përshtatet pushtetarëve ta pandërgjegjshëm.

Të nderuar bashkëpunëtorë,

Unë dhe ju bashkërisht kemi marrë një detyrë të rëndë, por të realizueshme.  Ta kthejmë shpresën tek bashkëqytetarët tanë, tek familjarët tanë, tek fqinjët tanë, tek fëmijët tanë se mund ta ndryshojmë këtë gjendje.

Ne duhet ta dërgojmë një mesazh të qartë e plot vetëbesim kudo që jemi se ndryshimi pozitiv është i mundshëm.

Andaj qyteti i Prishtinës ka shpresë për ndryshime:

-           sepse shpresa jemi Ne!

-           - sepse shpresa për ndryshimin e Prishtinës jeni ju të nderuar kandidatë të listës së LB-së për Asamblenë Komunale!

-           sepse shpresa për kryetar komune është zgjedhja që keni bërë ju, të nderuar bashkëpunëtorë të mi!

-           sepse ne jemi Prishtina!

Ne jemi shpresa, sepse kemi vendosur të mos jemi njerëz pasiv; sepse kemi vendosur të mos jemi vëzhgues por të jemi qytetarë aktivë, sepse kemi vendosur të refuzojmë të dëgjojmë premtime elektorale boshe, dhe në vend të kësaj të organizohemi, të bashkohemi dhe përmes LB-së, të shndërrohemi në shërbyes të devotshëm në mënyrë që t’ia ndërrojmë pamjen qytetit tonë, vendit në të cilin ne e kalojmë çdo ditë të jetës sonë, vendit i cili ka aq shumë potencial e të cilin e kanë bërë të duket i pajetë.

Ne me punën tonë të palodhshme, të përkushtuar dhe mbi të gjitha të ndershme do t’i japim jetë shpresës!

Do t’i japim jetë ndryshimit!

Do t’i japim jetë shpirtit kreativ të qytetit tonë.

Do t’i japim jetë qytetit!

Të nderuar bashkëpunëtorë,

Ne, gatishmërinë tonë për të shërbyer duhet ta transmetojmë te çdo njeri. Duhet të shkojmë shtëpi për shtëpi, lagje për lagje e fshat për fshat. Të shkojmë t’i dëgjojmë njerëzit tanë edhe më tepër se që kemi bërë deri më tash. Sepse, nëse deri më tash kemi pasur mundësi vetëm të bashkëvuajmë me ta për hallet e tyre, tash, me ndihmën e tyre do të kemi mundësi t’i shuajmë këto vuajtje të përbashkëta.

T’u tregojmë se ne jemi ndryshimi, jo duke iu premtuar mrekullira për t’ua grabitur votën, por duke dëshmuar me punën tonë se premtimi ynë i vetëm i madh është puna e përkushtuar dhe pandalshme, e ndershme dhe e disiplinuar për t’i zgjidhur hallet e tyre dhe për ta bërë Prishtinën një kryeqytet krenar.

Ne nuk mund të bëjmë të pamundshmen. Por ne do të bëjmë të mundshmen në mënyrën më të mirë. Duke dhënë shembullin personal të përgjegjësisë së lartë qytetare në udhëheqjen komunale, ne do ta shtrijmë dhe do ta kërkojmë përgjegjësinë dhe disiplinën tek i gjithë stafi komunal. Ne do kërkojmë dhe do të ndikojmë që edhe qytetarët të jenë më të përgjegjshëm në respektimin e obligimeve që të gjithë kanë ndaj qytetit.

Komuna do të jetë në shërbim të interesave të qytetarëve, e jo të pushtetarëve.

Nën udhëheqjen time nuk do të ndodh kurrë që rrugët në të cilët do të investohet të prishen për 6 muaj, nuk do të ndodh që projekte si sheshi i qytetit të vonohet në realizim për një vit, nuk do të ndodh që një rrugë t’i kalojë të gjitha afatet për realizim dhe të fillojë të funksionojë pa u kryer punimet në një gjendje që çdo ditë rrezikon jetën e këmbësorëve dhe ngasësve të makinave. Nuk do të ndodh që të ndërtohet një lagje e tërë, ku jetojnë  afër 15.000 banorë, e të mos ketë të shtruar asnjë centimetër asfalt, ndonëse komuna ka marrë para nga lejet e ndërtimit që ta krijojë infrastrukturën para se objektet e banimit të ndërtohen. Nuk do të ndodh nën udhëheqjen time që semaforët në udhëkryqet më të rrezikshme të vendosen vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale.

Nën udhëheqjen time, nuk do të ketë projekte elektorale.

Unë nuk do të bëjë premtime të mëdha në fushatën që do bëjmë bashkërisht. Por unë gjithsesi do ta jap një premtim shumë të rëndësishëm:

Unë premtoj se do t’i respektoj dhe zbatoj ligjet.

Unë premtoj se do t’u jap jetë ligjeve.

Shihni rrugët e qytetit, fëmijët tanë, nxënësit, të vjetrit, personat me aftësi të kufizuar por edhe shtresat e varfra të popullsisë së qytetit, duken të përjashtuar nga qyteti. Ne do ta shndërrojmë në një qytet i cili do të brengoset për të gjithë, e jo të jetë një qytet që duke përjashtuar shumicën e qytetarëve është në shërbim vetëm të të “fortëve”.

Biznesin do ta trajtojmë si partner serioz në zhvillimin e qytetit, në zhvillimin infrastrukturor, ekonomik, bujqësor, kulturor e sportiv.

Unë do t’i trajtoj me seriozitet maksimal projektet bujqësore si dhe do të angazhohem për zhvillimin e potencialeve turistike në komunë.

Unë do të kujdesem edhe për shpirtin e qytetit, për jetën arsimore, kulturore, sportive e intelektuale.

Projektet tona, nuk do ta mbajnë emrin tonë, por emrin e tatim paguesve të qytetit të Prishtinës.

Unë do ta udhëheq kryeqytetin ashtu siç ne kemi dëshirë  t’i udhëheqim shtëpitë tona, me nikoqirllëk. Prishtina është shtëpia e të gjithë neve dhe unë do ta marrë obligimin që të jam një zot shtëpie i përgjegjshëm.

Të nderuar bashkëpunëtorë,

Ne besojmë fuqishëm në fitore dhe në ndryshim.

Prandaj nuk hezitojmë ta bëjmë këtë betejë, sepse është betejë e ndershme, e dinjitetshme, dhe fisnike. Është beteja për ta kthyer shpresën. Është beteja për ta ndryshuar Prishtinën për të mirë.

Ky qytet është i të gjithëve.

Përparimi sot, ashtu si liria dje, nuk vjen vetë.

Për të duhet të punojmë, të angazhohemi ditë e natë, me disiplinë e me besim të plotë në fitoren e njerëzve të drejtë, në fitoren tonë.

T’i japim jetë fitores sonë!

T’i japim jetë qytetit tonë!

Ju faleminderit!

Valon Murati, Kandidat i Lëvizjes për Bashkim për kryetar të Prishtinës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT