E premte, 26.04.2024, 10:48 PM (GMT+1)

Mendime

Palluqi: Demokracia, më e paqartë se Komunizmi

E premte, 12.07.2013, 06:58 PM


Demokracia sot, shumë më e paqartë se Komunizmi dje!

Nga Rezart Palluqi, Shkrimtar

Ëndrra komuniste ishte më e qartë se sa Demokracia sot. E them këtë sepse Diktatori të paktën bëri mundimin dhe i edukoi filizat e rinj komunistë me veprat e shpikësve të komunizmit. Atëherë nuk kishte bibliotekë pa veprat e Marksit dhe Engelsit. Nuk ishin të paktë njerëzit që të recitonin përmendësh formulën bazë të komunizmit.

Ndërsa sot, Demokracinë na e prezantuan si një teori abstrakte, duke u përkufizuar tek fjala dhe prona e lirë. Udhëheqësit tanë, ashtu si Enveri dikur, duhej të na prezantonin librat bazë të Demokracisë. Të na flitnin me zjarr për shpikësit e tyre.

Duhet ose duhej që Shqiperia të zgjedhë për Demokracinë liberale apo Demokracinë social-kolektive dhe përse?

Duhej pra të pregatitnin breza të rinj me frymën demokratike. Kjo, për mendimin nuk ndodhi, prandaj edhe Demokracia në sytë e mi është shndërruar në një përrallë që flet për liri, paçka se zogjtë nuk dallohen në qiellin e mjegullt.   Dhe kjo mjegull do të vazhdojë të davaritet mbi logjikën tonë, për aq kohë sa bibliotekave tona do t’i mungojnë librat e shpikësve të llojeve të Demokracisë.

Por prezantimi serioz teorik nuk mjafton. Sepse Demokracia, ashtu si çdo sistem tjetër politik apo kulturor, është një lloj këpuce e cila nuk i bën çdo lloj këmbe. Demokracinë, nëse do ta figuronim me një këpucë, puthitet ndryshe në këmbën e aziatikut, ndryshe në këmbën e evropianit dhe në rastin tonë këmbën e shqiptarit. Rrjedhimisht këtu kemi të bëjmë me dy probleme shumë shqetësuese:

1) Demokracia nuk është kuptuar ende, mbasi ajo nuk po studiohet shkencërisht. 2) Trashëgimia politike dhe kulturore nuk po merret fare parasysh si faktor shumë i rëndësishëm për lulëzimin e Demokracisë në djepin e X populli, në këtë rast popullit shqiptar. Për mendimin tim, duhet studiuar rrënjësisht e kaluara politike dhe kulturore e shqiptarëve. Pranë këtij studimi duhet vendosur bota demokratike, më pas duhet parë sa i madh është devijimi i këtyre dy botëve, asaj shqiptare dhe demokratike dhe në fund duhen bërë përshtatjet e duhura me qëllim që këta dy trupa ose botë, të mos jenë një trup me pjesë të huaja.

Po jap disa ilustrime me qëllim që ato që them të kuptohen sa më qartë.

1)     Një shqiptari me natyrë orientale do i tingëllojë si një muzikë metafizike fjala « emancipim i gruas”.

2)      Shqiptari i udhëhequr nga prijës despotë nuk magjepset lehtë nga Demokracia sociale e Kantit, Volterit etjer.

3)     Natyra pirate e shqiptarit shërben si një pasqyrë diellore/flakvënëse kundra anijes sociale të Demokracisë.

Pra, këto janë trashëgimëni kontrakditore të cilat kur ato përzihen në tenxheren demokratike vetëm se e luftojnë njëri-tjetrin si kripa shqerin.  Kuzhinieri, në këtë rast intelektuali me udhëheqësin, duhet të bëjnë ca manovra taktike me qëllim që këto elementë ekstremë të mos e prishin gjellën, përndryshe kemi të bëjmë me një luftë të brëndshme : ajo që je, dhe ajo që të kërkojnë të bëhesh.

Sepse huazon një teori politike apo kulturore, nuk përbën ndonjë dëm të madh. Dëmi lind kur bën tri gabime :

1) E huazon këtë teori/ëndërr vonë, ashtu si në rastin tonë, me anëtarësimin e Shqipërisë në Evropë duke përdorur Demokracinë si anije udhëtuese. E them vonë sepse ëndrra evropiane për shkak të hajdutërisë me natyrë skllavopronare të bankave evropiane, po e përçan Evropën seriozisht. Endrra e bashkimit është në prag të vdekjes.

Dhe ne, që presim si pasagjerë të dëshpëruar në stacionin e trenit evropian me dyer të mbyllura do t’i hipim trenit kur ai, ka ndërruar destinacionin tonë të shumë-ëndërruar.

2) Dëmi i dytë është kur teorinë e sistemit të huazuar nuk e shkoqit në gjuhë popullore me qëllim që kjo teori- ëndërr të mos shndërrohet në teori elitare, e kuptueshme vetëm për 2% por jo 98% të popullisë.

Turma do e përtypë teorinë dhe jo elita. Elita e përgatit atë për t’u ngrënë/përpunuar mendërisht nga turma.

Duhet punuar pra me të njëjtën frymë dhe pasion që punojnë dishepujt kur shpërndajnë ëndrrën e profetit të tyre. Po nuk u shpla truri me lëndën e një ëndrre, sistemi i saj nuk funksionon.

3) Dëmi i tretë është mosmarrja parasysh e trashëgimisë politike dhe kulturore. Ky hap, i cili duhet të konsiderohet si i pari dhe jo i treti, është më i vështiri për popujt që e huazojnë teorinë, aq më keq, për një popull i cili arratiset nga burgu, si shqiptarët nga burgu i diktaturës. Rreziku këtu qëndron, se ai popull, pra shqiptarët, nuk kanë durim, dhe pa durim ngatërron rrugën për të shkuar në shkollë, dhe jo më të marrësh provimin.

Pa dashur ta nënvlerësoj turmën, ajo nuk ëndërron për Demokraci. Ajo do qartësi, të di se ku do shkojë. Demokracia është sistem i ndërlikuar. Ajo nuk të ofron siguri të madhe meqë ajo është shumë fleksibele, e ndryshueshme, përshtatet me evolucionin njerëzor, dhe ky është makthi i turmës: ndryshimi i vazhdueshëm.

Demokracia të ofron një pyll me shumë monopate, por turma i ka frikë monopatet, ajo do një pyll me një monopat të vetëm, rendësi ka që ujku të mos i presë rrugën në monopatin që ajo shkel.

Në mbyllje, besoj se është më mirë të jeshë një nxënës i shplarë me teorinë e një sistemi/ëndrre, sesa një nxënës që llomotit fjalë të mëdha pa ditur se çdo të thonë ato.

Kjo po ndodh me ne sot. Kur përpiqemi të mbrojmë pikpamjet tona rreth Demokracisë përdorim argumente krejt të pabaza, me ngjyrë 100% subjektive. Kjo ndodh ngaqë nuk njohim teorinë bazë të saj, ndërkohë që dje, një komunist debatonte dhe të mbërthente me rregullat bazë të komunizmit.

Që të mos keqkuptohem : Ndryshimi i konceptimit të Komunizmit dhe Demokracisë nga shqiptarët ishte ky : Në diktaturën komuniste, ai e njihte teorinë, por pengohej ta zbatonte atë 100% në praktikë.

Ndërsa sot, në Demokraci, ai, pra shqiptari, edhe nuk e njeh teorinë bazë të demokracisë edhe nuk di ose lejohet ta zbatojë atë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora